E enjte, 30.01.2025, 07:34 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Molla e Adamit dhe simbolika e zhgënjimit

E marte, 28.01.2025, 06:56 PM


MOLLA E ADAMIT DHE SIMBOLIKA E SAJ E ZHGËNJIMIT

Nga Timo Mërkuri

Befasuese është poezia e rrymës ekspresioniste “Rrenë asht molla e Adamit” nga Dije Demiri Frangu, e cila shquhet për qasjen ironike dhe vizionin modern mbi temën unive-rsale të dashurisë, zhgënjimit dhe ndarjes, e trajtuar si rrallë poezi nëpërmjet simboli-kës së “Mollës së Adamit”. Pavarësisht se poetja përdor simbolikën e mollës së famë-shme Biblike, ajo i tejkalon kornizat e trajtimit tradicional duke ndërtuar një realitet poetik të veçantë, plot me figura të fuqishme dhe tonalitete të përziera. Në këtë poezi , simboli biblik i mëkatit dekonstruktohet dhe rindërtohet si metaforë që reflekton zhgënjimin e marrëdhënieve njerëzore dhe boshësinë emocionale në modernitet.

I-Menjëherë lind pyetja: Pse poetja e çmitizon mitin e mollës së Adamit kur synimi i saj kryesor në poezi është tjetërsimi i dashurisë në kohët moderne, ndërkohë që miti biblik i mollës shfaq mëkatin fillestar të njerëzimit: shkeljen e porosisë së Zotit për mos ta kafshuar mollën. Në përgjigje të kësaj pyetje të natyrëshme shprehemi se:

Poetja çmitizon mitin e mollës së Adamit për të ndërtuar një paralele krahasimi apo qasjeje midis mëkatit të parë njerëzor dhe shpërdorimit të dashurisë në kohët modern . Në mitin biblik, kafshimi i mollës simbolizon tundimin dhe mëkatin e parë, shkeljen e porosisë hyjnore dhe fillimin e ekzistencës së ndërlikuar për njerëzimin. Poetja, megjithatë, e sheh këtë mit si një "rrenë" (gënjeshtër), duke nënkuptuar se akti i kafshimit të mollës nuk është thjeshtë mëkat, ai është simbol i një ndjenje  zhgënjimi dhe  tradhtie në kohët moderne.

Në këtë aspekt, lidhja mes mollës së kafshuar dhe dashurisë së tradhtuar qëndron në idenë e shkeljes së besimit të ndërsjelltë: te kafshimi i mollës tradhëtohet Zoti (shkelet porosia e prerë e Zotit për mbajtjen e së cilës Adami dhe Eva i premtuan besnikëri) , në poezinë e Dije Demir Frangut, ajo është simbol i shkeljes (tradhëtisë) së ligjësive të dashurisë, ku ndjenjat shkatërrohen e shpërdorohen, si në vargun:"Ti qenie kravatlidhur, flokëkrehur / I ke shqyer t'gjitha buzëqeshjet si letrat e dashurisë."

Pra poetja përdor këtë mit të lashtë për të treguar se, njësoj si mëkati fillestar, dashuria ( e parë) moderne është kthyer në një akt tradhtie dhe shpërdorimi. Kjo lexohet qartazi në vargun:"Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet / rrenë është se e kafshoi Adami," i cili sugjeron se në rrënjët e historisë njerëzore ekziston një mëkat, një tradhëti  , që në modernitet shfaqet edhe në marrëdhëniet emocionale, ku dashuria është kthyer në një koncept të përdorur dhe të lënë pas, "si na dashninë sot." Pra, në përgjigje të pyetjes së mundëshme shpjegojmë se qasja mes mollës dhe dashurisë së tradhtuar qëndron te përvoja e një tradhtie të hershme dhe universale, që tani shfaqet në forma të reja në marrëdhëniet njerëzore. Poetja përdor çmitizimin për të reflektuar mbi një plagë emocionale të përhershme.

II-Në qoftë se do kërkojmë disa veçori të kësaj poezie, unë do tju shfaq disa, parë në këndvështrimin tim personal:

1.Poezia nis me çmitizimin e mitit të mollës së mëkatit, duke e trajtuar atë si një “rrenë”, një mashtrim, por qëpas asaj poetja fsheh mrekullisht brishtësinë e ndjenjave njerëzore. Në thelb Frangu nuk përforcon narrativën biblike, por e përmbys atë katërcipërisht, madje këtë përmbysje e realizon përmes ironisë:

"Rrenë është se e kafshoi Adami

atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh

tutje do ta ketë hedhur

si na dashninë sot."

Të ironizosh mitin biblik të kafshimit të mollës së ndaluar në kopështin parajsor me argumentimin se kafshuesi (Adami) i kishte dhëmbët të sëmurë, është më shumë se një ironi që të krijon buzëqeshje. Në këtë kontekst, molla nuk është më simbol i mëkatit, por shndrohet në një simbol zhgënjimi të hidhur, që reflekton marrëdhënien e brishtë emocionale mes njerëzve, si të përkohëshme dhe kalimtare.

2.Çmitizimi i mitit të mollës në poezinë e Frangut është qasje që e zhvendos kuptimin nga simbolika e mëkatit Biblik në një kritikë të marrëdhënieve njerëzore. Poetja e “shpë-rbën” mitin duke e zhvlerësuar momentin biblik të fajësisë dhe duke e ridimensionuar mollën si objekt që bart zhgënjim dhe manipulim. Te vargu:“Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet.” rrotullimi i mollës nënkupton zhvendosjen e kuptimit nga një simbol hyjnor në një objekt të kotë e të rrëndomtë, përmes imazhit të së cilës ajo sugjeron se dashuria dhe marrëdhëniet njerëzore kanë të njëjtin fat si miti i mollës, pra shndrimin në iluzione të zbrazëta. E parë te kjo poezi, molla nuk është simbol i mëkatit biblik, por një metaforë për zhgënjimin dhe pavlefshmërinë e marrëdhënieve moderne shfaqur te vargjet e mësipërme ku, poetja përdor ironinë, madje “tregon”se ai mëkat nuk ishte asgjë më shumë se një akt i zakonshëm kafshimi molle, pa ndonjë domethënie hyjnore, madje ai kafshim as që u dha, për arsyen vulgare se kafshuesi, Adami, i kishte dhëmbët të sëmurë. Kështu në vend të pasojave biblike që molla mbart në mit, ajo shndrohet në një frut të rrëndomtë, një iluzion që i ngjan zhgënjimit të dashurisë së përditshme. Është kjo një qasje e veçantë që reflekton në thelbin e poezisë: çmitizimi dhe zhvlerësimi i dashurisë. Marrëdhënia midis partnerëve shfaqet si diçka e zbrazët, pa emocion dhe pa qëllim. Ajo dashuri, që në poezitë e poetëve romantikë shfaqet si ideal , tani paraqitet si një ndjenjë e ftohtë, mekanike dhe e pashpirt:

“Ti qenia kravatëlidhur, flokëkrehur

I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.”

Përmes këtij imazhi, nëpërmjet metaforës “I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.” poetja tregon shkallën dhe brutalitetin (shqyer) e zhvlerësimit të diçkaje emocionale si buzëqeshjet. Dashuria nuk është më një emocion që lartëson shpirtin, por një akt që përfundon në fragmentim dhe asgjësim, si një letër e shqyer.

Çmitizimi shfaqet gjithashtu përmes metaforave dhe ironisë që përshkojnë poezinë, duke e bërë të dukshme distancën midis realitetit dhe miteve apo ëndrrave romantike. Kjo distancë pasqyrohet në ndjenjën e izolimit që subjekti lirik përjeton:

“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme.”

Pra, në çdo anë që ta shohësh çmitizimi i mitit të mollës i shërben poetes për të theksu-ar zhvlerësimin e dashurisë në kohët e sotme modern, kur ajo, ashtu si molla e Adamit, shfaqet si mashtrim, një iluzion që ka mbetur thjeshtë si një relikt i idealizmit të së shkuarës. Ky çmitizim jo vetëm që zbërthen simbolikën biblike, por ofron një pasqyrë të qartë të natyrës së marrëdhënieve në realitetin bashkëkohor.

3. Përmes figurave poetike, poezia shpreh një ndjenjë të thellë vetmie dhe boshllëku emocional. Subjekti lirik përpiqet të komunikojë, por përballet me një mur të ftohtë indiference:

"Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme."

Pra moskomunikimi, izolimi është një ndjenjë e brendëshme e heroinës, pasi “kordat e zërit …bien në dysheme”, ku pamundësia për të shprehur ndjenjat, tashmë të tradhëtu-ara thekson ndarjen dhe vetminë, duke krijuar një atmosferë të rënduar.

4. Kujtesa në poezi shfaqet si një mbeturinë që duhet të fshihet me fshesë ndërkohë që, ndarja ndodh pa zhurmë, pa një ofshamë apo reflektim emocional nga ana tjetër:

"E nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy."

ku me troshat, mbeturinat e kujtesës, nënkuptojnë fragmentet e dashurisë që i vijnë në kujtesë si një ngarkesë e pavlerë, jo vetëm e dhimbëshme. Pra nga miti biblik autorja  ofrohet në aktualitetin modern të sotëm.

5.Vizualiteti i poezisë krijon një peizazh të ndezur ngjyrash, ku çdo imazh është i mbushur me kuptim simbolik. Për shembull, “flokët e shtrigave” dhe “akullnajat e vetmi-së” simbolizojnë një botë të ftohtë e të pandjeshme, thua se janë elemente të një bote akullnajore:

"E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash."

Këto figura përçojnë një ndjenjë vetmie dhe dhimbje emocionale.

6. Poezia mjeshtërisht kombinon një tonalitet elegjiak me një dozë ironie të hollë. Ndërkohë që subjekti lirik përjeton humbjen e dashurisë, ironia ndihmon në zbërthimin e solemnitetit të kësaj humbjeje:

"Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë."

Kjo përzierje tonalitetesh e dallon poezinë nga trajtimet tradicionale të dashurisë, dhe e paraqet atë si një realitet të thjeshtë, të ngarkuar me absurditete dhe zhgënjime.

III-Poezia “Rrenë asht molla e Adamit” dallon nga shumë poezi me të njëjtën  temë përmes qasjes së saj të veçantë ironike, figurave të fuqishme poetike dhe tonalitetit të përzier. Disa nga veçoritë kryesore të saj, të shoqëruara me pasazhe specifike janë:

1.Poezia trajton mitin e mollës së Adamit dhe Evës me një qasje të veçantë, të pa hasur gjer më sot në letërsi: tepër ironike, duke e shndruar aktin biblik si një absurditet të përditshëm. Në vend që molla e Adamit të shfaqet si simbol i mëkatit, ajo shfaqet si  një “rrenë,” një simbol i mashtrimit dhe zhgënjimit në marrëdhëniet njerëzore, madje ironikisht te vargu:" atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh"

Kjo ironi nxjerr në pah brishtësinë dhe pavlefshmërinë e premtimeve në dashuri, duke i kundërshtuar idealizimet romantike, klasike e tradicionale.

2.Molla, që simbolizon një ngarje të madhe në Bibël, këtu shfaqet si metaforë  mashtri -mi. Ajo rrotullohet, duke lënë pas një ndjenjë boshësie:

"Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet

rrenë është se e kafshoi Adami."

Ky përdorim metaforik i mollës shpreh humbjen, braktisjen, tradhëtinë duke e barazuar dashurinë me një send të hedhur tutje si molla (e pakafshuar). Pra në thelb, molla nuk është kafshuar sepse Adamit i dhimbnin dhëmbët atë ditë, e megjithatë kafshimi i saj ( i pa dhënë) quhet mëkati i parë. Sdi pse më kujtohen rastet kur djemtë i braktisin vajzat kinse i “kanë kafshuar” djem të tjerë. Ndoshta këtë ka patur ndërmend poetja sepse tashmë molla quhet e Evës dhe jo e Adamit.

3.Subjekti lirik përjeton një vetmi të thellë, duke u përpjekur të komunikojë në marrë -dhënie tashmë të prishur. Pamundësia e fjalës dhe indiferenca e tjetrit e forcojnë ndjenjën e vetmisë:

"Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zëritsi kokrra breshëri më bien në dysheme

e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy."

Kjo përshfaqje e kujtesës si "trosha" dhe heshtjes së thellë përçon mungesën e kuptimit dhe të lidhjes mes dy njerëzve në dashuri, por shfaq dhe një imazh të dhimbshëm të vajzës që përpiqet të flasë, të shfaqë pafajësinë e saj, ta bindë partnerin në qëndresën, në ndershmërinë e saj, por kordat e zërrit janë jashtë funksionimit të tyre, qoftë dhe mekanikisht e jo më shpirtërisht. Tradhëtia në dashuri është akullnaja që ngrin çdo gjë njerëzore.

4.Poezia mund të quhet dhe poezia e imazheve pasi poetja përdor një peizazh të mbushur me imazhe të fuqishme që krijojnë një atmosferë tronditëse dhe të ngarkuar emocionalisht. Psh:

"E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash."

Shikoni pak, imazhet e flokëve, sit ë shtrigave dhe akullnajës së vetmisë pasqyrojnë me një bukuri të dhimblshme brishtësinë emocionale dhe ndjenjën e një bote të ftohtë e të largët, sa dhe të rrezikëshme. Një vajzë e tradhëtuar në dashuri është lehtësisht e goditëshme në një shoqëri ku ndjenjat njerëzore janë akullsuar.

5. Për shkak të kësaj mënyre trajtimi, poezia kombinon një ndjesi elegjiake, (që qaset me traditën) për dashurinë e humbur me një dozë ironie. Realisht në letërsinë shqipe kjo përzierje është e rrallë dhe nuk gjenden shpesh poezi që të idealizojnë dhimbjen në këtë mënyrë:

"Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.

Në shoqërimin e metaforës tronditëse  mort të dashnisë ironia e kontrastit midis pritshmërisë(subjekti dëshiron të dëgjojë një kollë të keqe) dhe realitetit (një heshtje e ftohtë) në këtë varg tregon një dëshirë për ndonjë shenjë, qoftë edhe më të voglën, për të thyer boshllëkun, duke mos e trajtuar vetminë si tragjedi epike.Në thelb poezia dallon për trajtimin e zhgënjimit përmes një qasjeje të re. Ironia, dekonstruktimi i mitit dhe imazhet e fuqishme metaforike në ndërveprim krijojnë një portret të ndjeshëm e të ndërlikuar të dashurisë së humbur. Duke kombinuar elegjinë me ironinë, ajo kapërcen idealizimin tradicionale dhe i qaset jetës reale në të gjitha absurditetet dhe zhgënjimet e saj.

IV- Mesazhi i poezisë  së Frangut qëndron në një kritikë të thellë ndaj shpërdorimit dhe deformimit të ndjenjave njerëzore të dashurisë dhe vlerave morale, si në nivel personal ashtu edhe shoqëror. Për tja arritur artistikisht kësaj ideje, poezia çmitizon mitin biblik të mollës së mëkatit dhe ndërton një metaforë universale që reflekton zhgënjimin në raportet njerëzore të kohëve moderne. Poetja tregon se dashuria, që dikur mund të ishte simbol i pastërtisë dhe përkushtimit, është reduktuar në një gënjeshtër të rëndomtë. E parë në këtë aspekt mesazhi  i poezisë mund të përmblidhet në këto pika:

1.Dashuria, dikur-themeli i marrëdhënieve të qëndrueshme, tani është shndruar në një ndjenjë të shpërdoruar, siç sugjerohet në vargjet: "Tutje do ta ketë hedhur / si na dashninë sot." duke reflektuar mbi një shoqëri që ka humbur aftësinë për të ruajtur thelbin e ndjenjave.

2.Poetja, nëpërmjet çmitizimit të mollës së ndaluar, paralelizon shkeljen e normave (urdhërave të Zotit)në Eden me shkeljet e moralit në shoqërinë moderne. ”rrenë është se e kafshoi Adami/atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh /tutje do ta ketë hedhur /si na dashninë sot”

3. Janë të shumta poezitë që shfaqin se në botën moderne, dashuria është bërë një ndjenjë sipërfaqësore, e përkohëshme që ikën duke lënë pas vetminë e boshësinë: "Në këtë mort të dashnisë / t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë." Duhet të ndjejmë se përmes simbolikës së mollës dhe zhdukjes së kujtimeve të dashurisë, poetja shpreh një zhgënjim me mënyrën se si vlerat e dikurshme janë zbehur dhe shkatërruar në botën moderne të mashtrimeve dhe hipokrizisë.

Si përfundim mund të themi se poezia: “Rrenë asht molla e Adamit” e Dije Demir Frangut sjell një qasje të re dhe të guximshme në poezinë shqipe, duke çmitizuar një mit të përbotshëm për të reflektuar mbi shpërdorimin e ndjenjave dhe deformimin e dashurisë në kohët moderne. Me një përdorim fin të ironisë, metaforave të pasura dhe vizion të veçantë poetik, autorja ndërton një poezi që jo vetëm analizon marrëdhëniet njerëzore, por edhe sfidon perceptimet tona mbi to.  Përmes një gjuhe të fuqishme dhe figuracionit të pasur, poetja na çon drejt një introspeksioni mbi moralin, vetminë dhe mënyrën si është reduktuar dashuria në gënjeshtër të heshtur e të braktisur. Mesazhi i saj mbetet universal dhe sfidues, duke na ftuar të rishikojmë marrëdhëniet tona me dashurinë dhe vlerat njerëzore.

Sarandë, Janar 2025

Dije Demir Frangu

Rrenë asht molla e Adamit

si një zonjë e trathtuar në të zeza,  ikën nata

i tmerron dritaret  tue i  pështye zi, zi në ikje

unë e ti karrige druri, rrimë çele guri gojën

ti qenia  kravatëlidhur, flokëkrehur

I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë

provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e  zërit

si kokrra breshëri më bien në dysheme

e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave

derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy

një kollë e keqe s’paku të dëgjohej

në këtë mort të dashnisë

t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë

këtë natë që as shi s’bie as era s’troket dyerve t’mbyllura

e fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

rrëshqas  akullnajës së vetmisë si mes thikash

molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet

rrenë është se  e kafshoi Adami

atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh

tutje do ta ketë hedhur

si na dashninë sot



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora