Kulturë
Agron Tufa: Luka mbas shpine
E hene, 27.01.2025, 06:56 PM
Për ditën e kujtesës. Që fillon nga pragu i shtëpisë...
LUKA
MBAS SHPINE
Nga
Agron Tufa
“Ti,
Zef, ke kenë me fat, lum lokja. Ishe kërthi dhe të mbaja gjithmonë para, në
gji... Kurse Luka i shkretë, ai mbeti gjithmonë mbas shpine”, - qahej shpesh
nana ime. Mandej fshante thellë: “Ah, Luka... Biri em i amël...! Tan jetës mbas
shpine! Mbeti jetim, pa babë dhe me nanën e vet kurrë s’u ngi!”
Luka
ishte 5 vjet më i madh se unë kur në kazermën e Tepelenës na erdh polici e na
tha: “Babanë tuaj Partia e vrau si qën!”. Lukës i ra të fikët. Ai e kishte
njohur babën, ndërsa unë - asokohe ferrishte - s’e mbaja mend. Luka ishte
fëmija fenomenal i shkollës. E donin mësuesit. Mahniteshin me aftësitë e tij.
Fëmijët e merrnin në shtëpi për t’i ndihmuar për detyrat. I jepnin ushqim dhe,
në kthim, ia mbushnin trastën e librave me bukë. Çdo ditë. “Po të mos ishte
Luka, do të kishim dekë ûje”, - thoshte shpesh nana ime.
Pas
kthimit nga Tepelena në shtëpinë tonë të djegur - sidomos mbi Lukën - ra tehu i
egër i luftës së klasave. S’e pranuan në shkollë. Po prapë, edhe tani, Luka u
bë shpëtimtari ynë. Filloi lopçar me rrogë. Kur mbushi 17 vjeç u martua me një
nuse, që e luajti menç. Atë e kishte bërë të vetën një oficer i Sigurimit.
Kishin 4 fëmijë kur nusja u kujtua dhe i thotë Lukës: “Ti jebir krimineli! Po
m’i len fëmijët pa shkollë!” Sherre përnatë, derisa u ndanë me gjyq. Ai ia mori
fëmijët. Pas ndarjes, Lukën e arrestonin vazhdimisht. E lëshonin prapë. Ai
shfrynte mllefin. Njëherë e rrahën aq shumë, sa përfundoi në spitalin
psikiatrik të Elbasanit. U kthye pas pesë vitesh, por prapë e arrestuan. Luka
fliste pa i menduar pasojat. S’i kishte mbetë gjë tjetër, përpos revoltës. U
kthye sërish në shtëpi dhe pas dy muajsh e kapën duke tentuar të arratisej në
kufirin e Korçës. Në hetuesi i shpërthyen krizat. E çuan tek “Pesa”, në Tiranë,
pastaj prapë në Elbasan. Kur e transferuan në pavionin e Shkodrës, Luka preu
ushqimin. Nuk fliste. Ia hapnin gojën me kaçavidë, se nuk pinte ujë. E gjeta të
kruspullosur ndën batanije. Një grusht kocka. Doktorët ishin dorëzuar. Ishin
gati t’i plotësonin lirimin.- Lukë, - i thashë, duke përmbajtur me zor shukun
me dënesa në parzëm, - nëse pranon me ngranë, ta jap besën se do të të nxjerr,
të shkojmë në shtëpi... Për atë Krisht! – shtova dhe vizatova kryqin rrufeshëm.
Luka m’i kishte ngulë sytë. Befas foli:- Vërtet? - pyeti. I shkëlqyen sytë.-
T’u përbêva, Lukë! Kur shkova pas një muaji, Luka ishte bâ mal. I qetë. I
shnoshë. U kthyem në shtëpi te nana. Puth e përqafo nanën e qaj. Kishte diç të
fshehtë në gëzimin e tij. Një vrajë e brengë të thellë në shpirt. Por kaluan
muaj të qetë... Me 11 korrik 1987, pasi kishin nganë drekë me nanën dhe ajo
ishte shtri, Luka merr shkrepësen në oxhak, një sëpatë dhe del në zabelin e
përcëlluem mbi katund. Mbledh e bën një mullar me dru e dëllinja të thata. U
jep zjarrin. Mandej zhvishet kadalë, palos rrobat me kujdes, vë mbi to orën e
dorës, sëpatën, shkrepësen dhe... futet në zjarr lakuriq. Pa lëvizë asnjë fije.
Në mes të zjarrit. “Edhe sikur ta mbajnë me forcë njeriun në zjarr, nuk do të
rrinte ashtu si Luka”, - thoshin barinjtë që e gjetën skeletin e tij të
shkrumbosur.