Mendime
Florim Zeqa: Ndryshimi i himnit partiak për pushtet!
E shtune, 25.01.2025, 06:28 PM
Ndryshimi i himnit partiak për pushtet!
Shkruan: Florim Zeqa
Aktualizimi i himnit
politik "Pa u farue me djem e qika, jo nuk ndahet Mitrovica", e pasoj
himnin e katër viteve më parë "Kush janë këta njerëz që s'janë shkollue, nuk kanë mësue
që njeriu nuk ban shpinë e vet mi vjedhë"!
Nga
Troja tek Shkurta, rrena i ka këmbët e shkurta
Ishte
"Amaneti i Clown-it" i Rock-Grupit "TROJA" që hapte dhe
mbyllte tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021, duke premtuar qeverisje
me duar të pastra dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e vendit!
Kurse në këto zgjedhje,
pas qeverisjes katër vjeçare, ka ndryshuar gjithçka në Vetëvendosje, përfshirë
edhe himni emblematik "Kush janë këta njerëz që s'janë shkollue, nuk kanë
mësue që njeriu nuk ban shpinë e vet mi vjedhë"!
Deri tek ky ndryshim
erdhi shkaku i përhapjes së sindromës kancerogjene të vjedhjes së arkës
(magjes) së shtetit edhe nga Vetëvendosje-Guxo-Alternativa!
Për këtë shkak, himni
emblematik i Lëvizjes Vetëvendosje u zëvëndësua me një himn tjetër, i harruar
për 11 vjet nga të gjithë në Kosovë dhe trojet shqiptare "Pa u farue me
djem e qika, jo nuk ndahet Mitrovica", shkaku i konsumimit të kësaj
çështje në fjalorin e të gjitha partive politike!
"Shtrirja"
e sovranitetit në veri, mashtrim për konsum elektoral
Megjithatë,
edhe pse këngautorja e njohur, Shkurte Fejza bashkë me familje aderuan në
Partinë Demokratike të Kosovës për ta futur djalin e saj në listën për deputet
të kësaj partie, Albin Kurtit po i shkon për shtati kënga e saj tashmë e
harruar, për të hipnotizuar gjeneratat e reja me kinse mbrojtjen e Mitrovicës
së "çliruar"nga Ai!
Në këto dy javët e
fushatës së LVV-G-A, himn i tubimeve të tyre është bërë kënga e Shkurtes
"Jo nuk ndahet Mitrovica". Në secilin tubim të Vetëvendosjes jehon
zëri i Shkurte Fejzes, të cilën pashmangshëm e ngacmon "lemza" në
tubimet e PDK-së!
Kështu e ka poli(e)tika
kosovare, sa andej e sa këndej për pak pushtet në gjysëm shtet.
Ky varg, për më tepër se
mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua
kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, sikurse që është i
vonuar edhe tani përdorimi i kësaj kënge në fushatën zgjedhore të LVV-G-A.
Shtimi i numrit të
forcave të KFOR-it nga vendet aleate të NATO-s në veri, e demanton në plotni
Albin Kurtin për "shtrirjen" e sovranitetit në veri. "Shtrirja"
e sovranitetit në veri, është veçse mashtrim për konsum elektoral e asgjë më
shumë.
Heronj
të vetëm të gjallë të pjesës veriore janë ata pak banor shqiptar të mbetur
atje, të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t'i dalin zot
trojeve te veta stërgjyshore, përderisa liderët partiak dhe shtetërorë sillen
me hipokrizi ndaj tyre duke ju thënë "Jo nuk ndahet Mitrovica" e
ndarë zyrtarisht në dy pjesë (Veriore dhe Jugore) në vitin 2013 në Kuvendin e
Kosovës!
P.S: Nesër vazhdojmë me
fushatën e partive opozitare.
Florim Zeqa, 23 Janar
2025