Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Shën Miter Korona dhe Hevzi Nuhiu, skulptori duarartë
E enjte, 23.01.2025, 07:05 PM
SHËN MITER KORONA DHE HEVZI NUHIU, SKULPTORI DUARARTË
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
Ishte
rrugëtimi im i parë në jug të Italisë me grupin e Prof. Rexhep Rifati. Avioni
nga Vjena për në Lamezia Terme arriti me
lehtësi jugun e ngrohtë në mes tetori. Afrimi i avionit me pranë pistës ishte
aq e ul sa instinktivisht rrudhja këmbët të mos më preknin në ujin lemeristë të
detit. U gëzuam që prekëm tokën, shoqëruar me zërin e stjuardesës e cila uroi
udhëtarët për zgjedhje udhëtimi të kompanisë Ryanair në anglisht dhe italisht,
kurse unë isha kureshtar të shihja tokën e jugut pranë Detit Mesdhe nga e
mendoja se mund të dukej Afrika e nxehtë. Kisha kohë të shijoi rrezet e ngrohta
me pamje të bukura të natyrës ku bashkoheshin kaltërsia e qiellit me kaltërsinë
e detit. Duhej të prisja derisa do të
vinte grupi tjetër nga Zvicra, Rexhepi, Osmani dhe Agroni. Për Italinë kisha
lexuar shumë por jo edhe për jugun e saj të varfër, siç e cilësonin. Kohëve të fundit mësova edhe për pjesët jugore të saj me theks të veçantë për
Kozencën, Palermon dhe fshatrat arbëresh rreth tyre. Nga mësimet e kohës del se
Kalabria e Sicilia ishin dhe mbeten një Shqipëri e dytë në kulturën, artin,
gjuhën dhe historinë e saj krenare. Ajo mbetet përgjithmonë malli i pashuar i
vendlindjes së robëruar përtej detit nga perandoria osmane e njohur me
agresivitetin e saj shkatërrues të trevave shqiptare; kulturën, gjuhën
traditat, besimit, çdo gjëje. Ngulimet
arbëreshe në Kalabri me histori gjashtë shekullore janë histori gjuhe kulture,
besimi dhe atdhetarie që askund në botë s’mund t’ua gjesh të vetmin
shembull. Derisa pushtuesit osman
shkatërronin traditat, zakonet, gjuhën e bukur shqipe, në fshatrat arbëreshe
mësohej gjuha arbëreshe, shkruhej gjuha dhe mbaheshin kongrese mbi gjuhën
shqipe siç ishte kongresi në Lungra i organizuar nga Jeronim De Rada dhe
intelektualet e njohur arbëresh e shqiptarë në Kalabri e Sicili dhe në Europë.
Shën Miter Korona (San
Demetrio Corone) dhe Shën Sofia (Santa Sofje d’Epiro)
Nga
Lamezia gjerë në Kalabrinë arbëreshe
kishte dy orë rrugë autostradës dhe rrugëve lokale. Do ndaj këtu nga vizita një javore, atë në
Shën Miter Korana, Shën Sofia.. që
dallohen me arkitekturë dhe banorët e tyre të vyer të cilët kanë ruajtur
gjuhën arbërishte, traditat dhe ritet e tyre të lashta gjashtë shekuj.
Do
thoni si është e mundur, kur sot brenda pak viteve mërgimtarët shqiptarë e
humbin gjuhën, zakonet, kulturën e tyre?
Për
ta kuptuar këtë duhet lexuar e mësuar mbi organizimin e jetës arbëreshe në
fshatrat e tyre, historinë e tyre të dhembshme, por mbi të gjitha, për t’u
bindur në gjithë këtë duhet vizituar dhe prekur nga afër ato shtëpi, ato rrugë
që flasin me gjuhën e tyre. Sapo
mbërrimë në fshatin Shën Sofia, qytetarët të përshëndetnin sikur të ishin
takuar dhjetëra herë me ne, sikur të ishim të njohur më parë. Nga vjen kjo, e
pyeta veten time disa herë pa e ditur se vet isha thelluar në ambientin e
ngrohtë vëllazëror ku të dukej se je midis vendlindjes sate e jo në një vend që
kurrë nuk e kishe parë as takuar njerëzit e tij.
Në
Sheshin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ulemi për pak pushim. Porosisim pije,
presim pak derisa kamerieri arrin i buzëqeshur para nesh.
O,
tungjatjeta skulptori ynë. Si jeni? Po, jemi aty ku u takuam herën e fundit. Të
presim, - përfundoi bisedën Rexha me skulptorin të cilin e njihte shumë vjet më
parë.
Nuk
vonoi shumë skulptori arrin, le çadrën anash dhe përshëndetemi
vëllazërisht. Ai njihte vetëm drejtuesin
e grupit, Prof. Rexhep Rifatin, kurse ne u prezantuam shkurtimisht, pasi kishim kohë të flasim dhe njihemi më
vonë.
E
takova Shotë Galicën dhe të bëri të fala, - i them në shaka me respekt për
skulpturën e tij të bukur në fillim të katundit, për të cilat Rexha na foli mbi skulptorin dhe skulpturën e
tij kushtua heroinës së kombit. Heroina
shqiptare sokoleshë e skalitur skulpturë qëndronte krenare me gërshetin e saj
madhështor mbi të cilin shkëlqente plisi i bardhë me historinë e tij mijëra
vjeçare. Sa u gëzova! Sa u ndjeva
krenar! Nga brenda shfletoja fjalët e gjyshes sime Nëna Qamë, e cila kujtonte
Shotën në Kollën tonë, kujtonte historinë e Azem Bejtës, madhështinë e trimërisë
së tij, kujtonte plagët e fundit të tij dhe xhamadanin e tij të larë në gjak të
ruajtur në arkën e saj. Nuk e kisha
dëgjuar e as pritur një befasi kaq të këndshme.
Hevzi
Nuhiu, qeshi dhe falënderoi. Është
skulpturë që doli nga frymëzimi nga heroina, gruan sokoleshë shqiptare besnike
në luftë me burrin. O, sa i ka hije plisi mbi gërshetat dhe bistakun e zi, a ka
skulptor që nuk do frymëzohej! Atë kohë kisha mall të madh për vendlindjen
matan detit, - tha i emocionuar Hevziu pa zënë mirë vend në karrigen e drunjtë.
Hevziu
është arbëreshi më i ri nga Presheva, - e prezantoi me shaka Rexha, mikun e tij
me të cilin ishte takuar disa herë më parë në udhëtimet e tij.
Hevziu
fjalëpakë dhe i matur na shikonte i buzëqeshur m radhë secilin sikur donte të
na pyeste të gjithëve për Preshevën, Kosovën për hallet e tyre të shumta. Xhaketa e tij e lagur pikonte mbi tokën e sheshit qendror
kurse mbulesa rrapëllinte nga shiu që binte.
Takimi
ynë, biseda nuk do mbaronte kurrë për çka agjenda jonë nuk priste. Na priste bujtina, pushimi nga rruga,
qetësimi dhe përshtatja në ambientin e ri, na priste Shën Adriani
historik. Mot me shi i cili lagte çdo
cep dheu, çdo qime floku dhe depërtonte thellë në palcën e dheut. Të nesërmen,
23 tetor 2021, u takuam sërish me skulptorin. Vetura që kishim huazuar në
aeroport ishte e vogël por e përshtatshme për rrugët kodrinore të Kalabrisë me
shumë lakesa. Veturën ngiste më i riu prej nesh, Agroni me kujdes dhe ne kishim
kohë të mahiteshim me te që t’i jepnim sado pak freski, zaten ai e mbante në
timon suksesin e udhëtimit tonë. Pas kafes së mëngjesit në shesh, me dëshirën e
Hevziut e shoqërova në veturën e tij,
ishte nderim të mos e lë vetëm. Pas disa
minutash arritëm në oborrin e liceut Shën Mitër, (San Demetrio Corone), një
lokalitet i njohur me histori të veçantë jo vetëm në Kalabri e Itali, por edhe
për shqiptarët e Shqipërinë me kolegjin e famshëm të Shën Adrianit ku punoi dhe
veproi Rilindësi ynë i madh Jeronim De Rada
Shiu që binte pengonte fotografimin ashtu siç ne dëshironim të ngritur
në këmbë secili me celularët e tija, kurse Rexha përveç celularit kishte dy
kamera tjera, njëra e vogël e ngjashme me celular, kurse tjetra fotoaparat me
objektiv të fuqishëm që nuk lejonte dyshim. Edhe, ashtu ne fotografonim, por
Rexha ishte mjeshtri nga i cili pritnim pamjet e bukura. Muret e lashta të
liceut dallonin nga pjesa e ndërtesës së re ku lexuam mbishkrimi mbi të cilin
valëvitnin rëndë flamujt e lagur. Derisa
Rexha fotografonte sikur të ishte për të parën herë këtu, ne pritnim fjalët e skulptorit
tani vendës, arbëreshit më të ri në Kalabri,
Hevzi Nuhiut. Shpjegimi i tij ishte
me shumë respekt mbi liceun e
njohur historinë, rëndësinë e tij, namin e tij i cilit mori dheun
shekujve. Pragu i vjetër shekullor i
liceut, një gur kalabrez, kishte gjurmë
nga hapat e mijëra studentëve shekujve. “Ja, e shihni këtë gur pragun nën
portën shekullore të drunjtë? Këtu ka shkelur këmba e Avni Rrustemit, student
së bashku me shokun e tij të klasës, nga këtu ata u nisën në rrugën e tyre për
të vrarë pashallarë e mbretër antikombëtar, - tha Hevziu i emocionuar dhe
vazhdoi me historinë pa harruar të Heroit të Kombit, Avni Rrustemi dhe figurave
tjera madhore kombëtare student të liceut.
Në
mbrëmje Hevziu na ftoi në atelienë e tij pjesë e kompleksit të restorantit dhe bujtinave ku shijuam darkë të
shijshme me specialitete kalabreze shoqëruar me pije të njohura vendore. Mbi të gjitha shijuam artin e skulptorit
viteve i skalitur në skulpturat e drurit e gurit. Pamjet e tyre të punuara me shije të mbanin
afër, format e tyre të shtonin fantazinë dhe kënaqësinë shpirtërore. Elementet
kombëtare shqiptare i gjeje në secilën prej tyre, aty fliste malli i artistit
për vendlindjen e tij, Preshevën e bukur.
Ishte mbresëlënëse biseda me pronarin e restorantit dhe kompleksit të
bujtinave, kjo i pasuroj njohurit tona
mbi jetën arbëreshe dhe Kalabrinë. Mësuam se vaji i ullirit dhe vera kalabreze
janë të njohura jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë. Vizita në atelienë e Hivziut
ishte mbresëlënëse e pa harruar e cila e pasuroi qëllimin e vizitës
sonë. Fotografitë e shumta artistike do mbesin albumeve të freskuara me artin
gjenial në skulpturat e veçanta dhe të rralla në Itali dhe Evropë.
Nuk
mund të kaloje hapin pa e prekur miqësinë e madhe të dy gjenive të artit, miq të
pandarë mbi tridhjetë vjeçare; Ibrahim Kodra dhe Hevzi Nuhiu. “Mbi tridhjetë vjet ishim në shoqëri të
ngushtë me Ibrahim Kodren takoheshim çdo ditë. Nuk kishte festë apo program ku
ishte i ftuar dhe të shkonte vetëm, por gjithnjë me mua. Kur vonohesha
rastësisht, e gjeja të mërzitur pranë karriges sime boshe me ushqimin para të
pa prekur, nuk e fillonte pa qenë ynë aty të fillonim së bashku. Më pyeste për çdo gjë. Më tregonte gjëra nga
jeta, nga mendimet e tij që kurrë nuk do i harroi. Edhe tani pas disa viteve me
mungon shumë në jetë, ishte një gjeni,”- thoshte i mallëngjyer për mikun e tij,
piktorin gjenial me kubizmin e tij të cilin e njohu Italia dhe Evropa. Kubizëm i lindur frymëzim nga ndërtesat
shekullore katundeve arbëreshe ku e kaloi jetën e tij. Rexhep Rifati, drejtues
i ekipit i dinte saktësisht shtëpitë karakteristike arbëreshe në fshatra dhe pa
përtim si djalosh i ri, vraponte para neve drejt tyre dhe sërish i fotografonte
nga kënde të ndryshme, në Ungra, Çifti e fshatra tjerë arbëresh shijuam pamjet
e shtëpive frymëzuese të gjeniut tonë.
Ato shtëpi nuk ishin vetëm mure, ato ishin më shumë se aq, ato flisnin me
gjuhën e shpirtit dhe jetës së banorëve
të tyre. Ato lotonin së bashku me shpirtrat e banorëve nga malli për mëmëdheun
për tej detit, për Morenë e bukur ku preheshin të parët e tyre, shpirtra e tyre
që flisnin porosi gjithandej fushave, kodrave e bjeshkëve shqiptare të mos
harrohen. Flisnin dhe këndonin në
partiturë loti Himnin Arbëresh “Moj e bukura More”. Këngë e lot, lot e këngë
ishte jeta larg Mëmëdheut shekujve. Atje kam, atje kam. Atje kam unë zonjën
nan. Moj e bukura more. Si te lash e me
ste pash.” Në qendër të Shën Sofisë
ngritët vepra e artit kushtuar lotit Loti Arbëresh një vepër origjinale
arbëreshe në shpirt e zemër. Ku ka vend
tjetër që ka një vepër aq kuptimplote shekujve?
Hevziu
asnjëherë nuk e harroi vendlindjen e tij, por e kujtoj dhe nderoi me veprën e
tij. Kudo në takime, ekspozita, projekte arti e projekte tjera ai e afirmoj
çështjen shqiptare. Shpesh shpirti i tij prej artisti, hidhërohet e vuan nga
dobësitë tona që e pengojnë ecjen e shoqërisë shqiptare drejtë progresit,
pengojnë afrimin e kombit me civilizimin evropian. Jo njollosjen e kulturës
kombëtare nga kulturat e pushtueseve aziatik e sllav. Shpirti i tij krijues gjeti burim frymëzimi
nga veprat e figurave kombëtare që dhanë shumë për lirinë dhe prosperitetin e
kombit. Kjo shihet kudo në skulpturat e
tij në dru e gurë. Ishte viti 2006 kur
Hevziu sapo arrin në grykën e Preshevës, aty ku shkëmbinjtë qëndruan krenar në
stuhitë shekujve, ai e sheh fytyrën e Shën Terezes dhe ndalet.
Po
shoh diç apo më mashtrojnë sytë, - pyeti pasi u qetësua ca.
Është
Shkëmbi i Grykës, - i tha bashkudhëtari, një bashkëfshatar i afërt që e kishte
pritur në aeroport.
Pas
gjashtë muajsh, shkëmbi i madh mori fytyrën e Nënë Terezës – Shenjtores sonë
zemërmadhe. Me 16 nëntor të vitit 2006, zbulohet portreti i saj në shkëmbin e
grykës që përcjell ardhje e shkuarje nga Presheva shqiptare.
Të gjithë u mrekulluan me idenë, veprën dhe sakrificën e skulptorit
mendje ndritur. Në përurim, mysafir rasti ishte Dr. Dom Lush Gjergji, njeriu e
fjalës atdhetare që bashkon e fisnikëron. Njeriu që mësoi e mëson tjerët me
frymën njerëzore e kombëtare të Shën Terezes. Po japim disa fjalë të tij me
rastin e hapjes solemne. Dr. Dom Lush
Gjergji: “Hevzi Nuhiu, i cili e pati
këtë frymëzim, e pa këtë shkëmb, këtë gur, sikur gjithë ne, por në gurë,
sikurse Mikelangjelo i famshëm dikur i cili e pa Moisiun e robëruar, ashtu edhe
Hivziu e pa Nënë Terezen në këtë gurë dhe na e dhuroi portretin e saj që me
buzëqeshje, me mirësi, me dashuri, uratë të na mbron para zotit prej çdo të lige e prej çdo të keqeje.”
Në
njërin nga këndet e sheshit, Fevziu skalit Shotë Galicën heroinën shqiptare në
zemër të Kalabrisë, në Shën Sofia, aty jo larg ateliesë së tij. I duhet,
frymëzimi merr formë nga kënaqësia e shpirtit që përjeton nga mundi i mendjes
dhe duarve të tij. Ai vet është skulptor e poet që i jep shpirt personazheve që
ngushëllojnë sadopak kur gërryen malli për legjendat e mësuara nga gjyshërit.
Nuk
kanë të ndalur frymëzimet dhe veprat artistike të Hevziut derisa shumë nga ato
do jenë pjesë koleksionistë e Henry Moore-së
i njohur me koleksionet artistike në gjithë globin. Disa nga emrat e
veprave: Kosova e zbrazët, Ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dashuria e
Nënës, Nëna Terezë, Gruaja me veshje kombëtare, Përqafimi, Shotë Galica, Lodhja
e jetës, Të përndjekurit, Familja, Pamja poetike, Gruaja ulur, Meditimi e shumë
tjera punime anë e këndë Kalabrisë, Italisë e më gjerë. Ai mori pjesë me veprat e tij të artit në
shumë ekspozita në Kalabri, Itali dhe qendra tjera në kontinent.
Nga gjithë këto që përjetova nga shumë vizita në Kalabri e Sicili
është, se të vizitosh Shën Sofinë e Shën
Mitrin pa e takuar Hevzi Nuhiun është mangësi e pa falshme.
Mjeshtri
i madh, Ibrahim Kodra thotë: Ai në veprat e tij jep një liri poetike të veçantë
për t’u trajtuar , si një nxënës primar i Henry Moore-ust”. Kur gjeniu i pikturës jep një vlerësim, kjo
është vula e madhërisë së autorit.
Përmes artit të tij tregon gjendjen e tij shpirtërore si pjesë e
tërësisë kulturore e historike të popullit të tij. Këtë do ta shprehë Zoti
Giuseppe Maadoi: “Në veprat artistike të Hevzi Nuhiut rrezaton shenjtëria për
vlerat e etnisë së tij të cilat zgjerohen natyrshëm dhe përfshijnë në mënyrë
tërësore njeriun”
Si
pjesë e grupit të Prof. Rexhep Rifatit
Shën Sofinë dhe Shën Mitrin e vizituam tri herë ku gjithnjë shoqërues e
kishim skulptorin Hevzi Nuhiu. Dhe çuditërisht, në tri vizitat moti ishte me
shi. E fundit ishte me grupin e studentëve shqiptarë nga Zvicra. Hevziu me
shpjegimet e tij të lente përshtypje të një cicëroni profesionist.
Hevzi
Nuhiu u lind në fshatin Çerevajkë në malësinë e
Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje,
gjimnazin në Preshevë ndërsa studimet në
gjuhën shqipe dhe Letërsi në Akademinë e Shkupit. Nga viti 1983 jeton dhe vepron në Shën Mitër
Korona ( San Dometrio Corone), rrethina e
Kozencës, pjesa e Kalabrisë ku dallohet me fshatrat arbëreshe në Itali. Hvziu ka gjetur një
ambient të rehatshëm për punë, ku ruhet
arbërishtja me ritet e veçanta të cilat arbëreshët morën nga atdheu, Arbëria e
Gjergj Kastriotit Skënderbeut.