E marte, 14.01.2025, 01:28 PM (GMT)

Faleminderit

Lekë Mrijaj: Homazh në përvjetorin e 19-të të kalimit në amshim të Shkëlqesisë së tij Imzot Mark Sopi

E diele, 12.01.2025, 06:54 PM


Homazh në përvjetorin e 19-të të kalimit në amshim të Shkëlqesisë së tij Imzot Mark Sopi, ish-ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës

Shkruan: Lekë Mrijaj

Sot, më 11 janar 2025, në këtë 19-vjetor të kalimit në amshim të Shkëlqesisë së tij, Imzot Mark Sopi (1996-2006), ish-ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, kujtojmë jetën dhe veprën e tij të përndritur, si dhe thirrjet e tij të guximshme për Kishën Katolike, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sipas burimeve dhe dëshmive faktike, Imzot Mark Sopi ishte ipeshkvi i dytë shqiptar (pas Imzot Nikë Preles) në Dioqezën e Shkupit-Prizrenit, pas largimit të Imzot Lazër Mjedës menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, i cili e drejtoi Kishën Katolike në Kosovë në një kohë shumë të vështirë për popullin shqiptar.

Ai erdhi në krye të hierarkisë së Dioçezës kishtare katolike të Kosovës në një periudhë (1996-2006) kur Kosova dhe shqiptarët e saj përballeshin me një presion të tmerrshëm nga barbarët mesjetarë, të ushtruar nga politika shoviniste, okupuese dhe egërsia e pushtetit serb. Ajo kohë ishte një periudhë e errët për grigjën dhe popullin e tij shqiptar, i cili gjendej në një udhëkryq historik, kur ekzistenca e tij ishte e kërcënuar dhe shumë aspekte të jetës kombëtare dhe shpirtërore ishin në rrezik.

Pavarësisht nga këto kushte të vështira, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, qëndroi i palëkundur, duke udhëhequr me guxim dhe besim përballë çdo vështirësie. Në këtë kontekst të pasigurisë dhe dhunës, Imzot Marku i kushtoi një vëmendje të madhe ruajtjes dhe përforcimit të jetës shpirtërore të besimtarëve dhe përgatitjes së klerit të Kosovës. Kjo do të thotë se zhvilloi aktivitete që synonin ngritjen e nivelit shpirtëror të popullatës (pa dallim feje) dhe avancimin e formimit teologjik të klerikëve, si brenda Kosovës ashtu edhe në diasporë.

Ai u angazhua për ndihmën e popullit të tij në përballimin e dhunës dhe masakrave, që ishin të shumta gjatë periudhës së luftës, duke qëndruar pranë besimtarëve të tij dhe duke u ofruar atyre mbështetje shpirtërore dhe praktike. Në këtë mënyrë ai zbatoi me përpikëri dhe në mënyrë shembullore fjalën e Jezusit: “Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11), i cili u tregua një bari i përkushtuar për popullin e tij, duke sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e vlerave shpirtërore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve të Kosovës.

Në çdo hap të shërbesës së tij, ai dëshmoi dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit dhe kombit, duke u bërë shembulli i vërtetë i një udhëheqësi shpirtëror dhe kombëtar.

Pikërisht në kohën e okupimit serb, Shkëlqesia e tij, Imzot Mark Sopi, luajti një rol të rëndësishëm në nivelin ndërkombëtar dhe politik, duke u angazhuar në konferenca dhe takime me prijësit politikë dhe fetarë të vendeve të ndryshme, si dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ai ishte një zë i fuqishëm edhe në periudhën e luftës dhe pas saj në mbështetje të çështjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, duke kërkuar vazhdimisht lirinë dhe të drejtat e popullit shqiptar, si dhe duke përçuar mesazhe të qarta për liri, unitet dhe qëndresë të Kosovës.

Ndaj veç tjerash e veçojmë fjalimin e tij historik të mbajtur më 18 maj 2005 në Uashington, Imzot Marku ishte ai i cili e shfaqi madhështinë e një uudhëheqësi të palëkundur shpirtëror dhe atdhetar. Si Prelat i Kishës Katolike të Kosovës dhe si një zë i fuqishëm për të drejtën dhe lirinë, ai tha: “Evropa nuk është në gjendje ta zgjidhë çështjen tonë politike në Kosovë. Jeni ju (Amerikë) ata që e keni nisur procesin dhe mund ta përfundoni drejt, ashtu siç duhet.”

Këto fjalë të shprehura para kongresisteve në Kongresin Amerikan ishin më shumë se një apel apo me konkret një thirrje politike; ato ishin një mesazh i thellë shpirtëror dhe kombëtar, që artikulonte dhimbjen dhe aspiratat e një kombi të vuajtur. Në to përmblidhej zhgënjimi ndaj indiferencës evropiane, që shpesh tregoi paaftësi (apo mosdashje) për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga padrejtësitë gjenocidale dhe pasojat e një regjimi totalitar e okupues serb.

Nga ana tjetër, imzot Mark Sopi e pa Amerikën jo vetëm si një aleat politik, por si simbol të humanizmit dhe të drejtësisë universale. Ai, u drejtoi një mesazh të qartë fuqive amerikane: ata në krye me Bill Klintonin ish Presidentin Amerikan (dhe Aleancën Veri Atlantike) ishin ata që kishin nisur një mision shpëtimi për Kosovën, qe duhej ta çonin atë deri në fund.

Në thelbin e mesazhit të Shkëlqesisë së tij qëndronte bindja se paqja dhe drejtësia nuk mund të ndërtoheshin mbi kompromise të përkohshme, por mbi respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndërtimin e institucioneve të drejta sovrane e euroatlantike. Ai besonte se çdo zgjidhje e drejtë për Kosovën duhej të reflektonte vlerat universale të lirisë dhe të barazisë.

Fjalimi i tij në Uashington ishte një thirrje për ndërgjegjen globale, një lutje që mishëronte aspiratat e një populli për të jetuar në liri dhe paqe. Zëri i tij i guximshëm dhe i sinqertë mbetet një testament i dashurisë së tij për Kosovën dhe për njerëzimin vullnetmirë.

Sot, në këtë përvjetor të 19-të të kalimit të tij në amshim, kujtojmë Imzot Mark Sopin si një ipeshkëv të përkushtuar dhe një figurë të jashtëzakonshme shpirtërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai mbetet një frymëzim i përjetshëm për brezat e rinj, duke na kujtuar se thirrjet për përshpirtëri, drejtësi dhe liri të Kosovës nuk duhen heshtur kurrë.

Lavdi veprës shpirtërore dhe kombëtare të Shkëlqesisë së tij, Imzot Mark Sopi! Pushoftë në paqe!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: Pesë kulmet e jetës të heroit, Tafil Buzi Flora Sela - Kastrati: Nënë Tereza mes tri shesheve erdhi në Atdheun e të parëve Lekë Mrijaj: Prof. Hil Ndrecaj, mësuesi i Gjuhës Shqipe dhe udhërrëfyesi i brezave të shumtë shkollorë të qytetit të Klinës Klajd Kapinova: Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane Marie Shllaku (1922-1946) Gjekë Gjonaj: Dodë Prëka Lucaj, kapidani guximtar, përherë në shërbim të nevojave të trieshianëve Kristinë Oroshi: Heroina Bardha Krosi pas një qëndrese katërvjeçare mbytët me torturë nga komunistët Kadri Tarelli: Vilhelme Vrana Haxhiraj në 80-vjetorin e saj Agron Tufa: Rugova ose - në anën tjetër të dëshpërimit Prend Buzhala: Homazh për Sejdi Berishën Florim Zeqa: Kosovë, urime Datëlindja e Shpëtimtarit! Gjon Keka: Dora e bekuar e presidentit Rugova me miq i vendosën themelet e Kosovës së pavarur Nue Oroshi: Rikthimi i Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika Kruja në Krujë Klajd Kapinova: Prof. Sami Repishti - Asgjë nuk kam harruar, por shumë kam mësuar Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument! Bedri Tahiri: Luftëtari që përtëriu historinë e Galicës Florim Zeqa: Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Luan-Asllan Dibrani: Arbër Gashi - Mbrojtës i identitetit kombëtar, sfidues ndaj Islamit Politik! Lekë Mrijaj: Në varrezat e qytetit të Pejës u varros motra Drita Krasniqi, kryeinfermiere në Spitalin e Pejës Fran Gjoka: Një mësues si Gjelosh Toma do të mbetet përjetësisht në kujtesën e brezave Luan-Asllan Dibrani: Zëri i Gjergj Kabashit dhe i Revistës 'Drini' në mbrojtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora