Mendime
Florim Zeqa: Shumë politikanë, asnjë burrshtetas!
E shtune, 11.01.2025, 06:50 PM
Shumë politikanë, asnjë burrshtetas!
Shkruan:
Florim Zeqa
Politikanët
e sotëm fare nuk mendojnë për shtet, por vetëm për zgjedhje se si të vijnë në
pushtet për të zhvatur pasuritë e shtetit e jo për qytetarët! Politikanët i
shfrytëzojnë qytetarët dhe mërgimtarët vetëm si numra për të ardhur në pushtet,
për t'i harruar më pas, siq thotë populli, si "boren e parvjeme"!
Dëshmia më e mirë e kësaj është fillimi i fushatës zgjedhore tre muaj para
afatit të rregullt zgjedhor për interesat e tyre personale!
Vijimësia e mentalitetit
të njëjtë qeverisës
Pa
dyshim Kosova është më mirë seqë ka qenë në të kaluarën, por nuk është në
nivelin që e kemi pritur dhe dëshiruar. Kjo për shkakun e mentalitetit të ulët
qeverisës të pasluftës në Kosovë.
Një
shtet pa bujqësi të zhvilluar, pa arsim cilësor dhe pa shëndetësi të avancuar
nuk mund të jetë shtet që përmbush kërkesat e qytetarëve, por vetëm mashtrim
për këta të fundit! Janë këto tri hallkat më bazike të një shteti.
Pa
arsim cilësor nuk ka përparim në sektorët e tjerë të zhvillimit të shtetit.
Sado që të gjithë pushtetarët e deritanishëm u krrekosen për ngritje të
cilësisë në arsim, janë rezultatet e PISA-s, ato që po ua thonë të vërtetën e
hidhur të arsimit shqip në Kosovë!
Kusarët
politikë të të gjitha llojeve dhe ngjyrave janë mësuar që të mos e trajtojnë
shtetin si shtëpinë e tyre, por si plaçkë lufte!
Shteti
është një shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve, ku të gjithë duhet të
kontribuojmë njësojë për zhvillimin e kësaj shtëpie të përbashkët, por për
fatin tonë të keq, politikanët nuk e trajtuan asnjëherë si të tillë, por si
pronë të huaj duke e plaçkitur pamëshirshëm nga i pari e deri tek i fundit!
Nuk
ka soj më të keq të njerëzve sesa i atyre që e vjedhin shtëpinë e vet!
E
viteve të fundit është në rritje e sipër numri i atyre politikanëve që po e
vjedhin shtëpinë e përbashkët të quajtur 'Shtet'!
Për
t'u zhvilluar shteti politikanët duhet të kontribuojnë dhe të bëjnë garë se
cili po bën më shumë për shtetin, e jo me vjedhë të gjithë, pasi në fund nuk po
mbetët gjë për qytetarët!
Bartja e hajnisë nga
politikanët tek qytetarët
"Rrushi
e sheh rrushin e piqet", e thotë një fjalë e urtë popullore! Si duket,
edhe qytetarët duke i parë politikanët supermilionerë, ia kanë filluar zanatit
të hajnisë ndaj shtetit, duke mos e kursyer shtetin me vjedhje të vogla, por,
kur të bëhen bashkë këto shuma, atëherë bëhen të mëdha dhe të barazvlefshme me
hajnitë e politikanëve!
Njëra
ndër hajnitë më të përhapura tek qytetarët është ajo e vjedhjes së energjisë
elektrike me konsum enorm gjatë tërë vitit, përmes përdorimit të
kondicionatorëve elektrik të temperaturave (klimave në gjuhën popullore)
sikurse gjatë verës ashtu edhe gjatë dimrit.
Një
gjë nuk e kam ende të qartë, është hajnia trashëgimi gjenetike e shqiptarëve
apo pasojë e pushtimeve të gjata, për shkak se shqiptarët asnjëherë nuk i kanë
pranuar pushtetet e huaja si të tyre!
Kjo
mbetët për t'u vërtetuar në të ardhmen e afërt!
Mbase
është fat i mirë që në gjenin e veprimtarëve nuk është marrja nga shteti, por
dhënja gjithçka për shtetin! Kjo ishte dëshmuar përgjatë viteve të '90-ta, kur
të gjithë së bashku punuam në mënyrë vullnetare për krijimin e shtetit po
llogaritur në asnjë përfitim material nga shteti!
E
themë më mburrje dhe krenari, që për 43 vite veprimtari atdhetare nga shteti,
nuk mora asgjë prej tij, duke dhënë gjithçka nga pasuria familjare dhe ajo
intelektuale deri në ditët e sotme. I tillë do të mbetem
përgjithmonë-shërbëtorë besnik i atdheut tim.
Pa
ngritjen e vetëdijes së shqiptarëve, që karriga me lypë njeriun e jo njeriu me
vrapu pas karrigës, shqiptarët nuk do të kenë shtet të mirëfilltë dhe përparim
sikurse popujt e tjerë të botës së civilizuar. Aktualisht shqiptarët kanë shumë
politikan, por asnjë burrshtetas të përgjegjshëm!
Florim Zeqa, 11 Janar 2025