Kulturë
Engjëll Sedaj: Vepra e Pjetër Bogdanit nga aspekti i traditës kulturore të Kosovës
E premte, 10.01.2025, 06:43 PM
Vepra e Pjetër Bogdanit nga aspekti i traditës kulturore të Kosovës
Nga
Engjëll Sedaj*
Duke
lexuar me vëmendje veprën “Çeta e Profetëve”, sidomos parathëniet dhe
përkushtimet, që i prijnë asaj, pastaj disa relacione dhe letra, kujtojmë se në
jetën e tij të shkurtër, por shumë të vuajtur, pothuajse prej vitit 1630, deri
më 1689, që është edhe viti i vdekjes së tij, Pjetër Bogdani, pjesën dërrmuese
e kalon në Shkup (1677 – 1689) dhe në Kosovë, ku e ka arritur formimin
atdhedashës, gjuhësor dhe konfesional, që përbëjnë një njësi të pandarë dhe
bazament të fuqishëm për një aktivitet të gjithanshëm, si në punët e
përditshme, ashtu edhe në punën politike, kulturore, shkencore dhe artistike –
letrare.
Në
këto treva të vendlindjes dhe të veprimtarisë ekleziastike, ai e ka arritur
vetëdijen e lartë të bashkëjetesës dhe botëkuptimin e bashkëveprimit, për
ideale të përbashkëta me popujt e tjerë, siç janë: serbët, kroatët, bullgarët
dhe të tjerët. Të gjithë këta popuj, sidomos në qëndresën antiturke të tyre, ai
sheh një platformë të shëndoshë për të zgjeruar veprimtarinë e tij
atdhedashëse. Në Çiprovec të Bullgarisë, kishte mësuar shkollën fillore, me
kroatë kishte studiuar në Loreto, kurse patrikun e Pejës Maksimin e viziton,
duke shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim për një kryengritje gjithëballkanike.
Në
fakt. Pjeter Bogdani edhe veprën e vet “Çeta e profetëve” në një mënyrë, ia
kushton një kroati, Andrea Zmajeviqit, dashamirit të popullit shqiptar, për të
cilin këndon:
Ban
– Baroni prej Tivari,
Zmajeviq,
o drita e jonë;
Ruen
Arbenin i pari
Posi
Krishti mal Synonë
Edhe
nga këto katër vargje, nga këto evokime të emrave të historisë karizmatike
shqiptare dhe krishtere, të organizuara mirë në kuptimin rimor dhe ritmik,
kujtojmë jo vetëm gjerësinë e mendimeve dhe aftësinë e poetit të talentuar për
të kënduar poezi, por edhe kombinimin e harmonishëm të idealeve të tij më të
larta, që ishin Krishti, Arbëni dhe bashkëjetesa, në kuptimin e paqes dhe
atdhedashurisë.
Raporti
e mira, që i kishte ai me klerikët e dioqezave të veta, ku shërbente, në
Shkodër dhe në Shkup, me udhëheqësit e dioqezave të tjera, siç janë: Shjefen
Gaspari, Gjergj Vladanji, Grigor Barbadiku, me kolegët dhe miqtë e tjerë, që në
mënyrë dinjitoze e në formë të ndryshme e përshndesin botimin e veprës së tij,
mandej aktiviteti i dendur politiko – shoqëror, sidomos në lidhjet që kishte me
Vjenën, Venecien, Romën dhe Dubrovnikun, të cilin aktivitetet e kujtojmë edhe
nga relacionet dhe letrat e tij, tregojnë pjekurinë e P. Bogdanit, për t’i
shtruar problemet e kohës dhe për t’i zgjidhur ato mbi baza të shëndosha, duke
pas gjithherë parasysh mjerimin e madh të Arbënit dhe Serbisë. Në një relacion
të tij, ndërmjet tjerash, lexojmë: “ Unë këtu shfaqa gjithë dijen dhe kujdesin
tim për të gjetur mënyrën më të përshtatshme si ta çlirojmë Serbinë dhe Shqipërinë
nga robëria turke.
Këto
dy koncepte Shqipëria dhe Serbia, që ishin në lidhje me territorin e tij
administrativ – kishtar dhe gjuhësor, ai i ka mishëruar edhe në librin e tij,
duke i krahasuar madje edhe “nëna në dheun e Arbënit e të Serbisë, ku bëjnë ato
britme të mëdha, të rrahura, të gërvishura fytyrash me thua deri në rrjedhë të
gjakut” (II, III, 1,18) me mundimet dhe vuajtjet e nënës Mari, para t’birit të
gozhduar të saj. Në fakt, veprën e punoi me kujdes të madh dhe dashuri i
frymëzuar nga dëshira e flakët “për të ndritunë atë të vobek dhe t’Arbënit dhe
të Serbisë, silli e madhe pjesë flet arbënisht”.
1.
Bogdani, me mallëngjim evokon vendlindjen, Gurin “ndë Hast, Ssangjakijet e se
Dukagjinit, dioqesit…së Preserendit”, dhe shumë vende të tjera, siç janë:
Prishtina, Trepça, Janjeva, Shëngjeçi, Novobërda, Shkupi etj, si dhe Duvani,
drini e Vardari.
Prejardhjen
e vet e thekson posaçërisht, për të treguar se “me djerës të madhe” iu kishte
dashur t’i përmirësonte shumë fjalë në Shkodër. Më sa duket, pikërisht P.
Bogdani, për të parën herë në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare e zë në ngojë
emrin Kosovë (… e si Vardari ndëpër Scupt, e ndëpër Kossovet’).
Duke
paraqitur “pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit” të shën Marisë virgjër, P.
Bogdani e bën krahasimin, duke evokuar vendet gjeografike nga treva kosovare
kësisoj: Zogu i egër, në të shumtën e herës, është më i bukur se ai, që rritet
në duar të njerëzve e në pluhurin e shtëpisë ngjit vatrës. Kështu edhe pemët,
që preken nuk piqen mirë, por më të shumtën e herës kalben. Drini dhe Buna, kur
dalin jashtë brigjeve të tyre dhe rrjedhin nëpër balten e Hasit e të Zadrimës,
apo Sitnica e si Vardari, nëpër Shkup e nëpër Kosovë gjithnjë ecin dhe janë më
të turbullta, duke bartur me vete pleh e baltë, se kur ecin rrugës së vet.
Siç
dihet, në Prizren, kishte marrë pjesë aktivisht në luftë, kundër turqve dhe
pikërisht këtu sëmuret rëndë nga murtaja, kurse në Prishtinë vdes, në prezencën
e Pjetër Karagiqit, famullitarit të Trepçës dhe pasardhësit të tij, në fronin e
arqipeshkvisë së Shkupi.
Megjithatë,
P. Karagiqi, sikundër edhe Gjon Nikollë Kazazi më vonë, lajmërohen edhe nga
fshati Zym, në aftësinë e të cilit do të ketë qenë Guri i Hasit. Emri i këtij
katundi malor, del i shënuar në vitin 1330, në kristobulën e Deçanit (Goraj),
si dhe në një tefter turk të fundit të shek. XVI. Këtij fshati disi i humbin
gjurmët pas Bogdanëve, mbase nga pasojat e luftërave të shpeshta dhe rrënimeve
të shumta nga ana e turqve. Mirëpo, ky lokalitet zgjon interesim, jo vetëm për
të konstatuar saktësisht vendlindjen e P. Bogdanit, por edhe për të ndriçuar
një traditë më të largët, në historinë tonë kulturore dhe letrare.
A
ishte vallë Guri pikërisht në lokalitetin e tanishëm, të quajtur Kishëzat e
Shegjeçit afër Mazrekut, ku ndodhet edhe një tumë e madhe, apo aty diku afër
Zymit, mbetet të konstatohet saktësisht. Sidoqoftë, Shengjeçi dhe Guri, bashkë
me tri katunde të tjerë, përbënin famullinë e Shën Marisë, që atë botë e
udhëhiqte famullitari Andrea Bogdani (1600 – 1683). Gjatë vizitës ipeshkëvnore
më 23 nëntor 1641, thotë Gjergj Bardhi, “prej Suha Rekës kaluam në Gurin (e
Hasit), ku, qëndruam dymbëdhjetë ditë” dhe pastaj, duke kuptuar “se e gjithë
Serbia ishte infektuar nga murtaja, u strehova në Prizren”. Nga ky relacion i
Gj. Bardhit, kuptojmë se në katundin Guri ishte qendra famullitare, në të cilën
jetonin nja “550 frymë të krishtene”, në përbërjen e së cilës kishte edhe pesë
fshatra të tjerë.
Kjo
famulli kishtare dhe sidomos Kisha e Shën Marisë, do të lënë mbresa të
pashlyeshme në P. Bogdanin dhe do të ndikojë edhe në punën letrare të tij.
Fytyra e Shën Marisë, e paraqitur nga ai, është mbase proza më e bukur
agiografike në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare.
Tregojnë
shenjtërit, qe e kishin parë sa ishte gjallë të lumen virgjër Mari, se qe më e
bukura krijesë, që kurdoherë kishte qenë e mundur të dalë nga dora e Zotit,
mjeshtërit të të gjithë rruzullit. As e madhe, as e vogël, por e lartë sa
duhet, e zeshkët, po shumë e bukur, fytyra e saj ishte si e gjatë, sytë e
mëdhenj si më të verdhë, vetullat e zezë si ark, hundën e kishte të gjatë, por
fort të bukur, me shtat të njëmendët të zbukuruar prej Tënzonë me të gjitha
bukuritë; goja e vogël, buzët e kuqe, dhëmbët e vegjël e të bardhë si bora,
flokët e vizëllueshme si ari.
Këtë
frymëzim mbi gruan më të bukur dhe nënën më të dashur. Që kurdoherë ka krijuar
gjeniu evropian në të gjitha artet e bukura, P. Bogdani e ka pranuar kryesisht
këtu, në trevën kombëtare. Vetëdija e tij patriotike, thellohet edhe më tepër
nga rrethanat e vështirësuara të luftës dhe të presioneve të vazhdueshme nga
armiku aziatik. Këto rrethana e vejnë në lëvizje fuqinë e madhe të qarkullimit
të jetës dhe ndjenjat e tij, për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar.
Nga
një letër e tij, drejtuar Kongregacionit të Romës nga Loreto, në vitin 1647,
kuptojmë se i kishte vdekur nëna dhe se, meqë po zhvillohej lufta në Kosovë, i
lutet të nderuarit epror që ta dërgonte jashtë kolegjit, për të studiuar
teologjinë morale dhe mjekësinë. (Pietro Bogdani albanese, havendo ricevuto
lettere della patria nelle quali oltre la morte della sua madre…, si ancor per
li continui runiori della guerra che in qualle parti, suplica l’E. V. Vogli
compoartirli la sua gratia che possi dimoror fuori del collegio per studiar la
morale et un po di medicina, avvengnade la sudetta sua patria per mancamento di
medici).
Nga
këto të dhëna kuptojmë, se edukimi i tij ishte i motivuar, që të vihej në
shërbim të popullit të vet në çfarëdo mënyre që ta kërkonte ai dhe se qysh si
nxënës tetëmbëdhjetë vjeçar, ishte më se emocional, që interesat personale t’ia
nënshtronte kërkesave të popullit, që barte barrën e rëndë të pushtuesit mizor.
Siç
dihet, vendveprimi i tij ishte i natyrës misionare dhe në të gjitha mënyrat
vihej në mbrojtjen e qytetërimit
evropian nga sulmet barbare. Kjo veprimtari, nuk lidhet vetëm me konceptin e
vetëqenies së kombit shqiptar, me idenë e qëndresës etnogjuhësore e kulturore e
të çlirimit nga pushtuesit e huaj, por edhe me idenë e madhe të përparimit. Ja
se si e paraqet martirizimin e të krishterëve:
Tue
vum roe gjithe ato të këqia e pësime e martirizime qi kershtenimi i vobek i
regjenisë Arbenit e Serbisë peson prej Turkut për nder të Zotit tinë Jezu
Krishtit, me dijtun gjithë mej ndërequnë si duhet për shpirt, nukë kishinë me
pasë gja mangu për nji të vërtete shenjteni, posi nukë mëngon, e pa udhe Turqit
mej munduem perse janë të kërshtenë.
Megjithatë,
ky pushtues kishte hasur në rezistencën më të madhe në vendet malore, ku
ruheshin më mirë gjuha dhe tradita popullore. Shikuar nga aspekti kosovar, këto
treva ishin në Malësinë e Hasit të Thatë, ku ishin ardhur Bogdanët. Këta
malësorë, të cilët, “pesonjenë shumë e nuk druene për hu ( = uri) e etje e janë
më zemërorë se të tjerët”, shkruan P. Bogdani, “kurrë nuk përvihenë ( =
nënshtrohen) ndjerë nd’anet Sangiakevet, Chieffalij te nji kaq t’madhi Mizuar (
= tiran) që ban ne djersunë gjithë shekullinë”. Biri më i madh i këtyre
malësorëve zemërorë, ishte padyshim P. Bogdani.
Ç’është
e vërteta, për prindërit[15] dhe farefisin e gjërë të tij, nuk kemi mjaft të
dhëna. Mirëpo, disa momente nga formimi i tij atdhedashës, gjuhësor dhe
konfesional, mund t’i kuptojmë më mirë, duka pasur parasysh rolin e madh të
ungjit të tij, Andreut, pastaj një traditë më të gjatë e më të pasur të jetës
kulturore kosovare, si dhe disa rrethane ekleziatike (kishtare) dhe mjaft
karakteristike në trevat e Hasit të Thatë apo të Hasit të Gurit, ku, sipas të
gjitha gjasave, do të ketë qenë vendlindja edhe e Andre Bogdanit.
Kush
ishte ky njeri i devotshëm, që krijoi një plejadë njerëzish të shkolluar dhe
patriotë, të cilët, do t’i njohë Evropa?
Në
një relacion të tij, dërguar më 1670 në Romë, thotë se në shkollën e tij të
Janjevës kishte tubuar 25 nxënës.
Ndonëse
kjo është një temë më vete dhe zgjon interesim edhe nga aspekti i traditës
kulturore kosovare, këtu duhet thënë se Andrea Bogdani, ishte më i merituari
për edukim, shkollimin dhe në përgjithësi për formimin e Pjetrit, si dhe të
disa Bogdanëve të tjerë dhe e një plejade të tërë intelektualësh kosovarë, siç
ishin: Pjetër Mazreku (missionario e maestro di scuola…), Gërgur Mazreku (1650)
dhe Vinçenc Matoviqi, të cilët, ishin edhe mësues në shkollën e Janjevës, të
cilën e kishte themeluar pikërisht Andrea Bogdani.
Ç’është
e vërteta, në vitet e dyzeta të shekullit XVII, shkolla kishte edhe në Prizren,
Suharekë dhe gjetiu. Në një relacion të Shtjefen Gasparit, të dërguar më 1671,
ndërmjet tjerash, lexojmë: “Ho trovato, che lui (sc. Gregorio Masarek E.S.)
esercita con ogni puntualita l’officio di parocho, tiene scuola a favore di
quella gioventu instruando la nella lettere e buoni costumi” (kam takuar se ai
(sc. Geg Mazreku) ushtron me çdo përpikëri detyrën e famullitarit, mban
shkollën në dobi të kësaj rinie duke i mësuar në letërsi dhe në zakone të mira.
Se
ishte i devotshëm dhe shumë i përshpirtshëm A. Bogdani, tregon fort mirë dhe
iniciativa, që u ndërmor, për beatifikimin e tij, qysh në kohën e P. Bogdanit.
Kërkesa është bërë në emër të popullit, kurse të nënshkruarit ishin: P.
Karagiq, misionar i Trepçës, N. Baciq, misionar i Malit Zi, Giovanni Jankoviq,
misionar i Shkupit, Mark Mazreku, misionar i Novëbërdës, Vinçenc Vlashiq,
misionar i Kratovës, Giovanni Bogdani, misionar i përgjithshëm (mis Commune),
T. Rospasani, misionar i Prizrenit dhe Pjetër Toliq.
Sipas
gjasave, po të kishte jetuar më gjatë Pjetri, puna e beatifikimit të tij do të
kishte përfunduar me sukses. Ky beatifikim, që deri më sot ka mbetur vetëm
dëshirë e zjarrët, tregon se fytyra e Andreut, arqipeshkvit të Ohrit dhe më
vonë të Shkupit, në popull ishte shenjtërore, sepse edhe në kërkesën e cituar më lart thuhet:
“Posvetio se stari gospodar i biche mir po svemu svetu”.
S’ka
dyshim, se kjo ishte një vlerë historike e madhe në edukimin dhe formimin e
drejtë të të tjerëve, sidomos të P. Bogdanit. Të përmendim këtu një moment
karakteristik për shkollimin e Pjetrit se e kishte “përcjellur personalisht në
Kolegjin Ilirik të Loretës” dhe se ai (Andreu) në romë, kishte hequr dorë nga
ndihma e zakonshme, që i takonte dhe rregullisht i vinte nga Roma, në dobi të
nipit të tij, për ta specializuar dhe për t’u doktoruar nga filozofia dhe
teologjia, që do të jenë bazë përgatitore, për të shkruar “Çetën e Profetëve”.
Për
një ndihmë të konsiderueshme edhe në hartimin e kësaj vepre nga ana e Andreut
shkruan edhe Pjetri, duke thënë: “Ky zotëri fort i urtë më dha fort zemër për
të vazhduar në këtë vepër edhe duke më ndihmuar pas masë në shumë fjalë shqipe,
të cilat me lehtësi i dinte dhe i përdorte, pasi që kishte bërë edhe ai një
gramatikë fort të mirë latinisht – shqip”.
Pikërisht
duke përkujtuar, në treqind vjetorin e vdekjes, fytyrën e P. Bogdanit, dëshiroj
të vë në dukje këtë moment mjaft të rëndësishëm të traditës sonë , të
shëmbëlltyrës së ndritshme e me përmasa evropiane të tij, për t’i zënë në gojë
edhe disa emra të tjerë të traditës letrare kosovare jo vetëm të kohës së tij,
siç na paraqiten, bie fjala, si poet të shkolluar Luk Bogdani dhe Lek Suma, por
edhe për të kaluar madje drejtpërdrejti në kohën Rilindjes Evropiane, kur edhe
trevat tona paraqiten, si të thuash, të integruara me idetë më përparimtare të
humanizmit dhe të renesansës.
Duke
bërë përpjekje, se në punën kërkimore, kemi arritur të kuptojmë edhe një emër
të ri dhe të panjohur në mjedisin tonë shkencor dhe letrar, emër dhe vepra të
tij të shkruara, që sipas të dhënave me të cilat disponojmë, na shpijnë në një
periudhë parabarletiane. Në fakt, në këtë traditë të largët kosovare, na
udhëzon vepra e P. Bogdanit, humanistit të madh shqiptar të shekullit XVII, e
cila vepër tregon për një traditë mjaftë të gjatë të shkrimit shqip. Pikërisht
në viset veriperëndimore shqiptare, siç është konstatuar edhe më parë, kemi të
bëjmë pra me një traditë nga më të hershmet në letërsinë shqiptare, jo vetëm me
autorë të shumtë, por edhe me më të rëndësishmit.
Në
kohën e fundit e kemi pranuar lajmin gazmor, për një traditë letrare edhe më të
largët, të kohës së Skënderbeut, kur një kosovar, i quajtur Martin Segoni, nga
Novobërda, i bashkohet panteonit të madh të Rilindjes Evropiane. Ky klerik i
shkolluar në Padovë, doktor i së drejtës civile dhe kishtare, në kohën e fundit
të jetës së tij kishte shërbyer ipeshkëv në Ulqin, ku edhe kishte vdekur në
vitin 1485. duke qenë bashkëkohanik i Skënderbeut dhe i epokës së bujshme
historike të tij, nuk është çudi, që ky humanist, i cili, për vete thotë se
është natione chatarensis (me kombësi kotoras), shkruan për shqiptarët dhe
luftrat e tyre kundër osmanëve. Siç ishte e zakonshme në atë kohë, ai
shqiptarët i quan epiriot (Epirotice gentes); te ai kemi të dhëna edhe për
qytetin Arbana, të cilin e lidh rruga me Apoloninë: Haec regio vulgo Albanus
nuncupatur, diu sub Arbanitorum domino habita.
Në
këtë rast, duhet thënë, se mbi jetën dhe veprat e M. Segonit, mund të flasim në
bazë të të dhënave të publikuara të Agostino Pertusit, i cili, edhe i ka
zbuluar dorëshkrimet e tij në Bibliotekën Ambroziane të Milanos, kurse
shkollimi i M. Segonit në Padovë, ku, do të botojë librin e tij P. Bogdani nja
20 vjet më vonë, tregon për lidhjet, që kishin trevat tona me qendrat më të
mëdha të humanizmit evropian.
Në
historinë e letërsisë shqiptare, tradita kosovare, apo thënë në mënyrë më
precize, tradite hasjane, pra nuk fillon me P. Bogdanin, por shumë më herët,
diku përpara frat Palit të Hasit, për të cilin, Dh. S. Shuteriqi, thotë se
“mund të jetë prej Hasit të Malësisë së Madhe ose prej Hasit të Thatë, prej nga
ishte edhe P. Bogdani”, dhe se do të ketë shkruar edhe poezi të tjera të
përshpirtshme. Po të kishte qenë rregulltar, ndoshta edhe Pjetër Bogdani, do ta
kishin njohur vetëm si të Hasit, siç nuk ia dimë mbiemrin as frat Palit, autorit
të Ditës së gjyqit, për të cilin, na tregon Pjetër Budi.
Në
parathënien e ‘Doktrinës së kershtenes’ (1618), ai nuk e apostrofon vetëm
emrin, por edhe titullin e veprës së Palit të Hasit. Këtu duhet theksuar, në
mënyrë të veçantë, se Pjetër Budi, punën e vet edhe në këndin e poezive të
Doktrinës e paraqet si përkthim, kurse të frat Palit si origjinale, duke thënë:
“Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të ditës Gjyqit, qi i gjeta shkruom
Atit shumë ncë ndershmit ncë devotshmit frat, Palit prej Hasit; të cijt ende me
do të tjera të nshtuome, disaherë tue i shkruom (…), hina për tjera gjuhush tue
i nkthyem mbë gjuhu tonë”. Pali, jetoi përpara vitit 1596 dhe mund të ketë
përdorur alfabetin e Buzukut, që trashëgoi Budi.
Në
fakt, pikërisht në vitin 1617, kur edhe i kishte përgatitur këto shkrime, P.
Budi shërben në Prokupje, kurse më parë (1599 – 1616) në Shkup, si vikar
gjeneral i gjithë Serbisë. Edhe për P. Budin e dimë pra se ka shërbyer në
Kosovë, por nuk dihet saktësisht, se ku ishin takuar këta dy burra bujarë dhe
cilit kuvend i takonte frat Pali, pararendësi i Budit dhe i Bogdanit.
A
ka qenë ky autori i dytë, që njohim nga shekulli XVI i trevës kosovare dhe ky
poet i parë i letërsisë shqiptare nga familja e Bogdanëve apo jo mbetet të
hulumtohet dhe të konstatohet. Sidoqoftë, tradita katolike hasjane, ishte
atëbotë mjaft e fuqishme dhe kishte
arritur një shkallë më të lartë, pikërisht në kohën e Andreut dhe të Pjetër
Bogdanit.
Duke
ndjekur këtë traditë kosovare të shkrimit, apo si të thuash, traditë të tyre,
ne shohim një hallkë lidhëse ndërmjet frat Palit dhe mjedisit, ku, shërbente
ai, apo të atij mjedisi rregulltarësh, që përbënin shoqërinë e tij të
françeskanëve. Në mungesë të të dhënave, këtu mbesim në supozimin se frat Pali,
do t’i ketë takuar ndonjë kuvendi në Hasin e Thatë. Mirëpo s’ka dyshim, se ai
ishte rregulltar dhe se i takonte pikërisht urdhrit të françeskanëve, të cilët
tek ne gjithherë janë quajtur fretër.
Mbase
ky moment, pra rregulltarësia e tij, do të ketë ndikuar që ai nuk mund t’i
botonte veprat e veta të shkruara në gjuhën shqipe. Këtë punë mund ta bënin më
lehtë vetëm prelatët e lartë, të cilët, jo vetëm që kisihin autorizime të
jepnin lejen e botimit (imprimatur), por edhe ishin të njohur dhe pranuar te
autoritet e Romës dhe gjetiu.
Duke
u mbështetur në këtë logjikim, ne kemi shfaqur mendime, se dom Gjon Buzuku nuk
ka qenë rregulltar, jo vetëm pse kishte autorizime për ta botuar librin, por
edhe pse ai veten e quan don (dominus), pra zotëri, siç janë quajtur gjithmonë
priftërinjtë shqiptarë të ritit latin, prelatët e lartë dhe të tjerë.
Meqë
jemi te P. Bogdani nga aspekti i traditës kosovare, duhet thënë, se tanimë
është pranuar mendimi, se ky Hasjan e kishte njohur veprën e Buzukut dhe kishte
propozuar që të (ri)botohet ajo. Në një relacion “mbi gjendjen shpirtërore dhe
kohore të ipeshkvisë së Shkodrës dhe të Tivarit në Shqipëri për vitin 1665”, që
është mbase më i gjati prej të gjithëve, që kishte dërguar ai në Romë, ndërmjet
tjerash, shkruan: “- Duke pasur parasysh, se ata na mohojnë dhe se mi i madhi
rrezik, është shkatërrimi i shpirtit në këto vende, një punë shumë e nevojshme
dhe e dobishme, për mirëqenien e popullit, do të ishte dija dhe edukimi
kishtar; aq më tepër turqit do të jenë të huaj, sa më shumë që ne të
krishterët, të bëhemi studiues dhe të vyeshëm.
Prandaj,
duhet të kujdesemi, që me çdo kusht të sigurojmë ndonjë libër, më të cilin
misionarët dhe priftërinjtë në këto vende, do të ngadhënjenin mbi errësirën e
injorancën …
Nga
këto libra janë: “Ungjilli në gjuhën shqipe, Pasqyra e të rrëfyemit, Rituali
romak në gjuhën shqipe, dhe Doktrina e vogël në gjuhën shqipe”.
Për
“Ungjijtë në gjuhën shqipe”, të propozuar për botim në plan të parë, është
thënë edhe më parë nga M. Shambra dhe Dh. S. Shuteriqi, se mund ta ketë quajtur
kësisoji P. Bogdani “Mesharin” e Buzukut, përkatësisht se titulli i këtij libri
të parë të botuar në shqip ishte kësisoji, ngase meshtarin edhe sot e quan
ungjill.
Sidoqoftë,
P. Bogdani, kishte libra, madje një bibliotekë të tërë, për të cilin ai vetë në
parathënien e “Çetës së Profetëve”, por me rëndësi është se ai kishte interes
të shtuar për librin në gjuhën shqipe: mësimin e këtyre librave kishte edhe
gramatikën latinisht – shqip.
Edhe
nga kjo vepër e humbur, por e dëshmuar, kuptojmë se tradita e hartimit të
veprave, për t’i botuar ato, ekzistonte. Tashti kishte ardhur koha, për të
krijuar një vepër kapitale, siç ishte “Çeta e Profetëve”, që do t’i përmbushte
kërkesat e mëdha në literaturën homilike, si dhe për ta begatuar gjuhën shqipe
me shprehje koncepte të reja të kulturës evropiane që, siç thotë ai, “ai
mirëfilli qish po flasene italianisht, bukurë të kumbon e të kallëzon
arbënisht”.
Në
fakt, një lidhje të ngushtë midis poezisë së P. Bogdanit dhe pararendësve të
tij, sidomos në tetërrokshin popullor të poezive popullore kishtare të P.
Budit, si dhe midis prozës agiografike dhe letërsisë popullore shqiptare, mund
të hetojë edhe lexuesi i rëndomtë.
Nga
një analizë e drejtë dhe në krahasim me letërsinë popullore, edhe fytyra e
Krishtit, që është personazhi kryesor i këtij romani të parë në historinë e
letërsisë shqiptare (mendojmë në pjesën e dytë të “Çetës së Profetëve”), mund
të konstatohen shumë tipare të kreshnikëve dhe të atyre burrave të urtë që të
flasin me parabola, sikur edhe fytyra e Shën Jozefit “landetaar”, e paraqitur
sipas modelit të fshatarëve të trevës së tij dhe personazhe të tjera, me një
porosi të atij parimi filozofik e “të së vërtetës ungjillore”, si “një krue i
gjallë”, siç thotë I. Rugova, “ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi
dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shterret
leht”.
Në
fakt, duke u nisur nga një koncept i arsyeshëm dhe real i vetëdijes kolektive
të popullit mbi përkatësinë dhe orientimin e tij kah vlerat evropiane, P.
Bogdani e ka vënë theksin në idetë patriotiko – fetare të qëndresës dhe të
lëvizjes masovike revolucionare ballkanike me përmasa të pasqyrimit të
vuajtjeve shpirtërore, të dramave, të përjetimeve me popullin dhe kulturën e
tij që po dëmtohej rëndë.
E
madhe dobij, e frujt ashtë pra ma ndrequnë këtë shkallë t’urtisë, e me të
shkruem bukurë me shkyretuem,e me dijtun, se si duhete nierit temelitunë meu
percielle saa ashtë mbe ketë jetë, me fyjtitë shpirtit vet, ende të popullit,
të mos lane dijen, egjuhen’ e dheut meu duarune….
Po
deshëm të jemi më konkret, duhet thënë se, duke lexuar veprën e P. Bogdnait,
pastaj relacionet dhe letrat e tij, kuptojmë se frymëzimi i jetës dhe shumë
simbole të artit letrar janë nga trevat kosovare. Pashtriku, “Mal Prisrend mai
nalti”, i tij në aspektin letrar. Me të drejtë është krahasuar me Olipmin e
amshuar, ku i kanë njomë buzët Homeri dhe Virgjili, Ndre Mjedja dhe Asdreni me
shokë, kurse Sibila Delfica, kryesorja dhe më e madhja prej të gjithave në
gravurën e librit, e cila sibilë në një mënyrë, e bashkon kulturën e lindjes me
të perëndimit, në veprën e P. Bogdanit, quhet edhe Hasjana. Afër saj gjendet
Prizrensja, (Cumea), Shkupjanja, (Frigia), Shkodranja (Libica), etj. Mirëpo,
vetëm Hasjana e mban librin në dorë, në të cilin shkruan:
Këndoj
Birr’e madh mbi Qiellt të Lumit Atë.
Në
fakt, kjo është poezia dhe njëra prej më të gjatave, që ia kushton këtyre
profeteshave misterioze, duke zgjeruar kështu teologjinë e tij, biblike në
përfshirjen e një pjese të veprave të ashtuquajtura apokrife mbi sibilat, të
cilat, përmes Shën Augustinit, hyjnë edhe në atë sekuencën liturgjike:
Dies
irae, dies illa teste David cum Sibylla.
Ç’është
e vërteta, asnjë element nuk e ngrit e vlerën letrare të veprës së P. Bogdanit
më lart se poezitë mbi sibilat, të cilave edhe piktori ia kushton më të bukurën
gravurë.
Në
një letër, të dërguar nga Padova, më 16 nëntor 1685, që është edhe viti i
botimit të veprës së tij, P. Bogdani, ndërmjet tjerash. Shkruan: “Le sibile ho
volute farle far vestite alla albanese e serviane per dare in humore povera
gente e consolare al maglio che ho potuto”. (Sibilat, kam dashur t’i punoj të
veshura, sipas veshjes shqiptare dhe serbe, për t’iu dhënë një ngjyrë të atij
populli të varfër dhe për ta ngushëlluar aq sa kam pasur mundësi). Kjo gravurë
e librit të tij “Çeta e Profetëve”, bashkë me tri gravurat e tjera, që është
një cilësi e pamohueshme e veprës, tregon për gërshetimin artistik të idealeve
të mëdha, që gjërat e panjohura të vendit të tij t’i paraqesë para botës mirë, pothuajse në të gjitha artet e lira
(artes liberales), duke i kaluar kufijtë e botës shqiptare, me shtrirje të
hapët tematike e me tehun e vet përparimtar.
Thirrjen
e ngrohët, që u bën bashkëkombësve “të mos lanë dijeninë e gjuhënë e dheut me
dvarunë”, siç thotë A. Kostallari[30], nuk e sheh të veçuar, por e vendos në
një kuadër të gjerë evropian e universal “posi lefton gjithë dheu e shekulli
për te vet” dhe këtë realizon në rrafshin e teologjisë biblike, duke mishëruar
në artuin e letërsisë personazhet më të njohura, siç ishin shën Maria, Krishti,
Mojsiu, Davidi, Sibilat, etj.
Pikërisht,
këtu qëndron ajo notum in novum (e njohura në të renë), të cilën aq shumë e
preferon Horaci dhe proprie dicere (shprehje e posaçme), si element kryesor i
gjithë kësaj vepre letrare, e cila edhe në mjedisin e tij kosovare kishte një
traditë. Ndryshe s’mund ta kuptojmë paraqitjen fenomenale të P. Bogdanit,
formimin e tij operues si shkrimtar e dijetar, mjetet komunikuese gjuhësore dhe
artistike – letrare të vendit të tij, në ndërlidhje harmonike me traditën
evropiane, e as nivelin e lartë artistik të kësaj vepre letrare, të shkruar në
prozë dhe në poezi.
Duke
pasur parasysh ato 133 vargje në gjuhën shqipe mbi Sibilat, si dhe disa
dhjetëra vargje origjinale dhe të përkthyera të tjera, kuptojmë se P. Bogdani,
nuk ishte vetëm, siç thuhej në mesjetë clericus et litteratus, por edhe poet, i
frymëzuar me motive kombëtare, kosovare.
*Referati i lexuar në Seminarin për 300 vjetorin e vdekjes
së imzot Pjetër Bogdanit.
Fordham University, 7 tetor 1989, New York