Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e Shtypit të Lirë
E marte, 07.01.2025, 07:00 PM
AT GJERGJ FISHTA PËR ROLIN E SHTYPIT TË LIRË
Në
përvjetorin e kalimit të tij në amshim (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940
Nga
Frank Shkreli
Shpesh
gjatë viteve, me 30 dhjetor, normalisht dhe modestësisht, por me respektin më
të madh dhe me mirënjohjen më të thellë, kam kujtuar përvjetëtorët e kalimit në
amshim të At Gjergj Fishtës, një prej kolosëve të shqiptarizmës dhe mbrojtësit
të përbetuar të drejtave të shqiptarëve dhe të interesave të tyre kombëtare në
trojet e veta shkullore. Ndonëse pak me vonesë -- më mirë vonë se hiç – duke pasur
parasysh se nuk vura re ndonjë shënim në median kryesore shqiptare, ndonjë
kujtim të këtij përvjetori të kalimit në amshim të françeskanit e poetit
shqiptar At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) -- kësaj figure të
madhe të Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare – gjithnjë i harruar dhe i
përjashtuar, zyrtarisht, me eiptetin armik i popullit e bashkpuntor fashist.
Pra,
kanë kaluar 85-vite nga dita e kalimit në amshim të Atë Gjergj Fishtës – nga 30
dhjetori i vitit 1940 – dhe mediat kryesore shqiptare të cilat pretendojnë se
janë të lira – 35-vjet pas “shembjes” së komunizmit në Shqipëri – preferojnë të
injorojnë data të tilla, të figurave të
tilla kombëtare si Fishta – me shpresën se po të mos “kujtohet”, At Gjergj
Fishta dhe veprat e tija, në heshtje, do të “harrohen”. Dhe nëqoftse ai nuk përmendet kur e kërkon
rasti, siç janë përvjetorët –-- më në fund, përjashtimi i tij nga letërsia dhe
historia e shqiptarëve, do të përjetësohet – ashtu siç e dëshironte regjimi
sllavo-komunist i atëhershëm dhe apologjetët e sotëm, të atij sistemi
anti-kombëtar sllavo-aziatik.
Dihet
se At Gjergj Fishta njihet më së miri si poet, por ai ka shkruar shumë edhe në
prozë. Janë këto shkrime në prozë që janë më shumë të një natyre politike. Ai
në të vërtetë e ka filluar veprimtarinë e tij gazetareske si shkrimtar e poet,
me botimin e gazetave e revistave, quajtur “Posta e Shqipnisë”, revista “Hylli
i Dritës”, “Orën e Maleve”, Gruen Shqiptare”, e tjera.
Si
për shumë çeshtje të botës së atëhershme shqiptare, Gjergj Fishta e ka përdor
shtypin si një shkollë kombëtare dhe vatër kulture. Shkrimet e tij në poezi e
sidomos në prozë, sipas At Daniel Gjeçajt, “tërheqin, nxisin, zemrojnë,
pasurojnë mendje e shpirt, madhërojnë, mësojnë e qortojnë.” Është vështirë ta marrim me mendë se çfarë do
të mendonte At Gjergj Fishta për shtypin shqiptar të sotëm, në përgjithësi. Nga
ato që dimë nga shkrimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës ës tij, pak e
shumë, e dijmë se ç’mendonte ai për rolin dhe rëndësinë e shtypit të lirë, në kohën
kur ai jetonte. Veprimtaria e tij bazohej në besimin në Zotin dhe në Lirinë e
veprimit. Ai ka themeluar “Hyllin e
Dritës” me moton; “Ubi Spiritus Domini, ubi Libertas” – Aty ku është shpirti i
Zotit, aty është edhe Liria”. Për
Fishtën, shkrimtari e gazetari i lirë është një edukator i Kombit shqiptar.
Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që duhet
përdorur mirë, pa e abuzuar, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, me një rast.
Atëherë
cili duhet të jetë roli dhe qëllimi i një shtypi të lirë, sipas Fishtës, bazuar
në shkrimet e tia, në Shqipërinë e 1913-s, të posa dalur nga robëria shumë
shekullore dhe terri i padijes, nga 5-shekuj robëri. Kështu është shprehur ai
me rastin e themelimit të revistës Hylli i Dritës; “Që e Përkohëshmja jonë
(Hylli i Dritës (HD)) të arrij me ngjallë shpresën ndër zemra të Shqiptarëve se
prej Hyut, ditë më të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”, ka shkruar Fishta në
artikullin e parë botuar në HD I, 1913.
At
Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se në atë artikull, Gjergj Fishta, “ka thekësua
shumë mirë misionin dhe qëllimin e revistes françeskane, Hyllit të Dritës,
qëllim i cili, sipas tij, ka për objekt, mbi të gjitha, Zotin e Kombin, Dijen e
Fenë, Lirinë e Përparimin, Moralin e Kulturën.”
Hylli i Dritës i Fishtës dhe Albania e Konicës, konsiderohen si më
prestigjozet që janë botuar deri më sot në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.
Në
fillim të shekullit të kaluar, Atë Gjergj Fishta do theksonte me forcë rolin e
shtypit të lirë për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë
nga robëria e gjatë shekullore otomane. E do polemizonte me forcë me
“kalemxhnjtë” e kohës, duke këkuar që gazetat, “Nëse duen me e përdorue
përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit,
për me davarit terrin e mizorinë, e me përhapë të drejtën e qytetninë, ata
duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona… domethanë që të ketë mbrendë
gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve, e për t’i
pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike, etj, etj.
Përndryshe tue kenë se nuk u del koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet,
gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej
tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i përgjegjen
kësaj detyre të naltë, ashtë se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e
shkarravinave të veta. E këta njerz, sa
ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen
mbi të tjerë si gjyqtarë e mësues, e mbahen si prijësa të Kombi e atdhetarë të
flakët.”
Po
këta të njëjtit, mandej sipas tij, me “rrena, me të shpifuna e me trillime
gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi (me shrkrimet e tyre) u marrin, nepër
fletore, nderën burrave ma të kenun të shoqënive ma të zgjedhuna e herë
ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna të rrêjshem, i marrin nëpër
gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim,
janë murtaja e njerëzimit, qelbësina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi
njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për
shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej
mbrapshtinash, porsi çakaj të tërbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër
gazeta të poshtnueme”. (Marrë nga Kombsija e Kleri katolik, sipas Radio
vatikanit)
A
thua Fishta do kishte të njëjtin mendim mbi një pjesë të madhe të shtypit të
sotëm në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, 35 vite pas shembjes së
një perandorie tjetër të errët gjysëm shekullore – atë të perandorisë
sllavo-komuniste ndërkombëtare?! Cili do duhej të ishte sot roli i gazetarit
shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mërgim – në rrethanat e liriës e
demokrackisë në çerek shekullin e parë të XXI?!
Për
Fishtën, shkrimtari e gazetari është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa
shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që e përdor mirë, pa
e abuzuar, katedër edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa me një rast
për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit. “Në një mënyrë të posaçme roli i
fletoristave (gazetarëve). Gjithkush e di fuqinë e madhe që kanë fletoret në
shpirtin e nji populli. Këto janë ato që shëndrisin mendjen e nji populli dhe
drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet
që këto të jenë shkrue e rregullue mirë. Për ndryshe, në vend që me kenë faktor
i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa,
At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit në një shoqëri, si ajo shqiptare. Fishta besonte në rolin pozitiv të gazetarit
dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si vatra të
atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si armë
mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur eksiztencën
tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar
Fishta për rolin e gazetarëve.
Ndërsa,
studiuesi dhe njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si
poet e prozator, i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerzve të
pendës Fishta priste shumë. “Mbi të
gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në sjellje, guxim në punë,
sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në shpërblim. Ata lypset të
jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e
të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të
disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë.”
Po
gazetaria e sotëme në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në
mërgim, çfarë mund të mësojë nga At Gjergj Fishta -- në këtë përvjetor të
kalimit të tij në amshim -- mbi rolin që gazetarët shqiptarë duhet të luajnë
sot, si mbrojtës të së Vërtetës dhe si farkues të karakterit kombëtar fisnik
shqiptar?
“Shpëtimi
i nji populli nuk mund të mbështetet vetëm në trajtën e qeverimit, por duhet
marrë në kujdes edhe shpirti që e frymëzon atë.” (Fishta në Hylli i Dritës,
III, 1923, 104)