Kulturë » Ypi
Edison Ypi: 24 orë nga jeta e një Fatkeqi
E hene, 06.01.2025, 06:56 PM
24 orë nga jeta e një Fatkeqi
Nga
Edison Ypi
Në
jetën e Fatkeqit koha nuk rridhte në rend kronologjik.
Ishte
më se zakonshme që një ditë që niste, ta zemë, muajin e ardhshëm, të vazhdonte
pardje, dhe të përfundonte pasnesër.
Lidhja
e jetës së Fatkeqit me Matematikën dhe Numerologjinë ishte diçka që sot e kësaj
dite vet Fatkeqi dhe të tjerë nuk e kuptuan kurrë. Nga ky kënd, 24 orët në
vazhdim, janë një ilustrim.
Fatkeqi
priste me durim të shihte pas mesnate në televizorin pajisur me kanoçe dhe
antenë të bëra vetë me tuba bakri dhe zhivë të kuqe nga e nëndetseve të Pasha
Limanit ndonjë film të zgjedhur nga Claudio G. Fava te "Cinema di
Notte".
Kur
filmi mbaronte, që të mos e kapte paniku i orëve të vogla, Fatkeqi nuk e shihte
sahatin. Mbulonte kokën dhe flinte.
Gjatë
atyre pak orëve deri në gdhirje, strukur brenda gjumit dhe në kërthizë të
ëndërrës, pra në zgëqin më të largët dhe më të qetë të kohë-hapësirës, atje ku
diktatura e proletariatit me klithmat e sukseseve dhe urratë e fitoreve nuk
mund të hynte, Fatkeqi lodhej e cfilitej të gjente sekretin e papërsosmërisë së
botës përmes njohjes së thellë të numurit irrcional Pi.
Fatkeqi
flinte dhe ëndërronte pa merakun e zgjimit vonë për në punë. Fatkeqit s'i
lypsej orë me zile, ku-ku muri, këngë gjeli, lehje qeni, kuisje maçoku, çfryrje
zagari, shkrofëtimë kali, muuu lope, pëllitje gomari. Sapo niste zhbirilimin e
Pi-së duke pyetur veten nëse Universi është newtonian apo ajnshtajnian,
gjeometria është euklidiane apo llobaçevskiane, një sqepar pas koke i çante
kafkën. Fatkeqi ndalte hulumtimin, zgjohej, hidhte sytë rrotull, vinte në vete.
Në respekt të zbatimit me përpikmëri të ritit të përditshëm trashëguar brez pas
brezi nga gjyshërit në shekuj, komshiu çante dru për sobën mbi dysheme që pa
gdhirë. Lamtumirë jetë evolucionare darviniane. Nga ai moment, pretendimi për
ekzistencë sadopak të arsyeshme, bëhej pluhur e hi.
Megjithatë
menderjeta vazhdonte.
Nëse
ndodhte që, për ndonjë arësye, zgjimin me sqepar kokës, Fatkeqit nuk ja bënte
ai lart, me qysqi, çekan a sharrë ja kryente me përpikmëri komshiu poshtë, ai
majtas, tjetri djathtas, dikush para a dikush pas, derisa Fatkeqi kthehej në
fatnxirë, Klithma e Munchut shndrrohej në Mozart, koka kovaçhanë, jeta varr.
Kur
më së fundi fusha e betejës ishte zbrazur, irracionalja Pi nuk ishte zbërthyer,
drutë ishin çarë, sobat ishin ndezur, gjakrat ishin ngrohur, kurrizet ishin
tharë, mëngjezi i Fatkeqit invadohej nga një tjetër tmerr edhe më i egër, edhe
më i pamëshirshëm: Radioja shtetërore.
E
dhunshme dhe e lodhëshme si futja e një kokërr molle brenda një kokërr arre,
thirrja në ndihmë e radios për ta bërë Fatin e Fatkeqit qymyr, shkaktonte
çorroditjen definitive të mardhënieve mes psikiatrisë, gravitacionit,
fiziologjisë, matematikës, gjeometrisë.
Haberet
me fitore imagjinare mbi armiq hiporetikë, traktora që çajnë arat, rendimente
të larta, tejkalime planesh, në radio i lexonte dikush me zë derri, kancer në
tru, tumor në fyt, qurra nëpër turi.
Çfarë
arrinte rrëmujshëm në veshët e Fatkeqit nga dëgjimi i jehonave të radiove të
komshiut, komshiut të komshiut, komshiut të komshiut të komshiut, ishte një
vuajtje verbale para të cilit mallkimet e ndërsjellta të Djallit me Zotin janë
komplimenta. Gjatë mishmashit të zërave që për shkak të distancave të ndryshme
të radiove nga vinin, në veshët e Fatkeqit arrinin në kohë të ndryshme,
qëllonte që fjalët "sukses", "rendiment",
"rrethim", "tufëzim", "mjelëse",
"proletar", "tufëz", "rrogëz",
"traktorist", "armik",
arrinin edhe njëkohësisht si batare kalashnikovi, ose në një rend pa
rend që të kujtonte irracionalen Pi.
Krismat
e sqeparëve dhe sëpatave, përplasjet e dyerve, ulurimat nëpër shkallë, me
kalimin e orëve harroheshin, zallamahia shterrej.
Por
fillonte tjetra. Puna, ofiçina, fabrika, zyra, kooperativa. Ku sekretari i
partisë ishte më budallai, kryetari i sindikatës më paraziti, spiun i shokëve
më bastardi.
Puna
fillonte me...punën.
Jo-jo,
puna nuk fillonte me punën. Puna fillonte me leximin e Zërit të Popullit. Dhe,
po ashtu si pas diplomacisë kërrcasin topat, pas leximit të Zërit fillonte
muhabeti i sportit, futbollit.
Pas
mbarimit të muhabetit të sportit andej nga ora 11, puntorët u afroheshin me
përtesë tornove, inxhinierët duke gromësitur teknogreafave, bujqit plugjeve,
mësuesit nxënësve. Por ndërkohë kishte ardhur mesdita, pushimi, çlodhja. Klasa
puntore, klasa intelektuale, bashkë me atë kooperativiste, shtronin gazetat,
shtrinin picetat, hiqnin kapakët, futnin gishtat brenda kavanozave nxirrnin
lëtyrarat.
Fol
e mbllaçitu, kërrciste muhabeti veshmëvesh me njëritjetrin:
-Ata
gjermanët kanë futboll dhe ekonomi të fortë, por atë dreq politike s'e kanë
gjë.
-E
more vesh atë hallon që erdhi nga Amerika, atë që ja zbathën edhe çorapet dhe e
lanë cullak në mes të rrugës ? Kur e pyetën te shkallët e avionit kur do vinte
përsëri, hallua u tha: Lahuni një herë, të keqen hallua lahuni. Hihiqni një
herë zhulin, pastaj llafosemi mbase vij prap kur të qethen leshtë.
-Më
gjej një tranzistor BFR90 për kanoçe satelitare.
-Ta
gjej, por ça po të duhet, ende s'ka satelita.
-Ta
kem gati kur të ketë satelita.
-Kosovarët
e kan në terezi. Shtëpi po. Tokë po. Emigracion po. Makinë po. Katund me rrugë
të sfaltuar po. Telefon po.
-Mos
i beso rrenat që thon për Hamit Matjanin. Hamiti është dëshmori i parë i
NATO-s.
-Mu
ka bo gurrmazi si tub qenefi nga qelbësirat që hamë. Shëëëëëët se na more më
qafë. Tu paska mërzit jeta. Të paska marrë malli për Spaçin, Burrelin.
-Veç
të iki nga ky vend i mallkuar, do vete të jetoj në Groenlandë me fokat dhe
arinjtë e bardhë. Kur Groenlanda të bashkohet me USA, bëhem shtetas
statunitens.
-Nuk
bëhet Shqipëria. Diktatura e proletariarit ka infektuar dherin. Më jep nja 1
milionë ton dinamit t'a përmbys truallin arbnor. T'i çoj në hale të gomerëve
veprat e pes' vjeçarëve, digat, kombinatet, uzinat, tunelet, repartet
ushtarake, emulacionet socialiste, të tëra.
-Nuk
pres dot dot sa të bëhet Shqipëria hi dhe hiri Shqipëri përsëri. Nuk jetohet në
këtë truall të nëmur ku gdhihesh qen dhe ngrysesh majmun.
-Një
shoku im nja 30 vjeç ka lënë pas dore femrat, ka harruar seksin, i është
mërzitur jeta në këtë vend, dëshiron të jetë nja 80, mallkon mamin dhe babin që
nuk e ngjizën dikund tjetër në botë, por në këtë skëterrë.
-Deshën
të arratisen. I sharruan me kalaahnikov mbi telat me gjëmba. I tërhoqën zvarrë
me traktor me litar nëpër disa fshatra që t'i shihnin dhe të zinin ment.
Traktorist ishte kunati i njërit prej të zvarriturve.
-Një
ishullar, pasi dogji Makbethin dhe hirin e futi në një epruvetë. U tha
ishullarëve: Kjo kryevepër, sado tragjike, krahasuar me tmerre që po ndodhin
këtu, është një pikë në oqean.
Fatkeqi
dëgjonte dhe heshtëte.
Në
mbarim të menderpunës, Zoti ishte bërë Djall. Djalli Zot, materia antimaterie,
meriadianët dhe paralelet lëmsh, busulla çakërdisur, nxitimi gravitacional
dhjetfishuar.
Pasdite
muzikë dhe libra.
Botë
tjetër ajo e pasdites. Newtoni krahaqafë me Ajnshtajnin. Formulat funksiononin.
Gjeometria kuptohej. Trigonometria bindej. Pi çfaqej më pak irracionale.
Në
mbrëmje Fatkeqi bënte ndonjë Xhiro në bulevard, ku u ngjizën kta legenat, kta
hajdutat e sotëm që mbahen për politikanë, biznesmenë, burra shteti.
Kur
me afrimin e muzgut, muzika dhe vargjet e poezive, bëheshin lakrimogjene,
Fatkeqi qante fshehtas.
Në
mesnatë, kur afrohej "Cinema di Notte", fillonte dehja. Por me të
mbaruar filmi, proporcionet, simetritë, rralloheshin. Busulla bënte naze.
Gjeometria nuk bindej. Trigonometria gjithashtu. Derisa vinte horrori mëngjezor
me çarje drush me sqepar mbi dysheme nga komshiu lart, radio me habere nga
syçelësia e Sigurimit, kooperativat, rrethimi borgjez, dhe gjiçka niste nga e
para, me shpresë se herët a vonë të paktën Aritmetika do vinte në vete, dhe 1
edhe 1 do bënin 2, çka për Fatkeqin dhe të tjerët, nuk ndodhi kurrë në këtë
Atdhje.