Kulturë
Ervin Nezha: Paqja e përgjakur e Adamit - "Simulakrumi i një mëkati”
E diele, 05.01.2025, 06:49 PM
Paqja e përgjakur e Adamit - "Simulakrumi i një mëkati”
-
ftesë për lexim
Nga
Ervin Nezha, shkrimtar
Atje
ku ka një Adam ka edhe një plagë të hapur në brinjë, një Evë, një djall dhe një
paqe të prishur. Kjo është përmbledhtazi e gjithë panorama simbolike e romanit
“Paqja e përgjakur e Adamit” e shkrimtarit Agron Tufa — mbi këtë shasi
strukturore qëndrojnë “të montuara” të gjitha kuptimet, përsiatjet, poetika e
ironisë, fryma narrative, thyerjet kronologjike të një megateksti që i ngjet
një dallge që duke i afruar bregut zmadhohet me peshën e një cikloni.
Romani
i Tufës përbëhet nga dy pjesë lehtësisht të dallueshme, të veçuara mekanikisht
por edhe stilistikisht prej njëra-tjetrës edhe për faktin se shërbejnë si
njëlloj gracke, gjysmë ideore e gjysmë ndërvepruese, që përplaset dhe kujdeset
që hapësira për heroin e romanit, Adam Zaganjorin, të mos zgjerohet. ( Zgjerimi
është perspektivë për liri ).
Fabula
e romanit është në dukje e thjeshtë: Adam Zaganjori, emigrant, kthehet i nxitur
nga pronari i tij italian, të hapë në atdhe një fabrikë të prodhimit të tapave
të shisheve. Puna për Adamin ecën vaj, fabrika shumëfishon klientët, Adami ka
një shtëpi të mirë, ka para dhe ka një familje të lumtur. Kjo është “Parajsa e
Adamit”, jeta e qetë që ai ka ëndërruar. Por kjo është paqe e përkohshme dhe e
brishtë, ngase në “kopshtin e tij” ka hyrë edhe një “gjarpër”, shoku i
fëmijërisë Visar Hoti.
Këtu
fillon ngjizja e mëkatit të madh, kafshimi i frutit të ndaluar, “mëkati i Evës”
që e largon Adamin nga Toka e premtuar dhe e kthen parajsën e tij në vendin ku
përplaset e keqja me të keqen, ndyrësia me të paturpshmen; ku çdo iluzion,
hamendje dhe dyshim, është një e vërtetë që pret vetëm të konfirmohet. Por
mjeshtëria e autorit qendron në faktin se lexuesi nuk arrin të identifikojë të
vërteten ulëritëse në momentin e duhur. Kjo vjen për faktin se deduktimi,
shpërndarja e rasteve, bëhet në trajtë gjysmë të fshehtë. Domethënë, narratori
ka të vërtetën e vet krejt të hapur që është afër kanoneve morale, ndërsa
personazhet kanë të vërtetën e tyre krejt personale por të mbyllur. Kjo e mban
zgjuar lexuesin edhe kur intriga fle.
Në
pjesën e dytë të librit situatat lëvizin më shpejt. Tashmë “dallga e madhe
narrative” përmbyt personazhe dhe ngjarje, madje në momente të caktuara
rrezikon edhe vetë narratorin — që arrin të mbijetojë vetëm falë ca
“marifeteve” akrobatike mjaft të rrezikshme — që nuk ka më asnjë fuqi të
frenojë ngjarjen apo personazhet. Intrigat e mbjella që në pjesën e parë të
librit tashmë janë hardhisur, dhe të luftosh kundër tyre është një luftë
sfilitëse dhe e pabarabartë. Adami e humbet qëndrueshmërinë individuale për
faktin se në çdo situatë ai ndjehet i bllokuar, jo më nga mungesa e iniciativës
si në fillim por nga dyshimi në gjithçka. Çdo personazh, sado “i parëndësishëm”
në tekst, zotëron shumë më tepër informacion për të (babai i sëmurë, vëllezërit
tutkunë, madje edhe nëna e vdekur ) sesa di ai vetë për veten. Kjo e mbush me
ankth ngaqë i duket se jeta e tij, para se të niste furtuna, ishte një çështje
që i përkiste vetëm atij dhe nuk ia kishte marrë mendja se kjo jetë u kishte
bërë përshtypje edhe të tjerëve. Përmes një realizmi psikologjik, personazhet e
Tufës janë në një evoluim të vazhdueshëm, ata bëjnë kthesa në mënyrën se si e
perceptojnë realitetin por nuk kanë asnjë mundësi të abstenojnë lidhjen me
realitetin, ngase jo vetëm që janë pjesëmarrës, por janë njëherazi edhe fokusi
edhe sfondi i këtij realiteti.
Në
fillimet e romanit, veç aftësive praktike të Adamit, jepet edhe fakti se ai
është piktor amator dhe kërkon të thellohet në art. Kjo është një premisë se
Adam Zaganjori e ka jetike krijimin e një bote të trilluar paralele, një
parajse ku do mund të arratisej për të rilindur; por kjo tentativë që merr hov,
vjen edhe zbehet. Për herë të parë as arti nuk mundet ta rilindë njeriun, për
faktin se bota e vërtet, ajo e njëmendësisë, arrin ta gllabërojë botën ende
embrionale të Adamit. Në pjesën e dytë, kjo botë perspektive, e cila tenton të
lindë në pjesën e parë, shkërmoqet. Adami i ka humbur tashmë të gjitha:
familjen, punën, paratë, fabrikën, nuk bëhet dot piktor, ngase nëse do të behej
ndoshta do të kishim idenë e një stabilizimi të qëndrueshmërisë individuale
dhe, praktikisht, një fillim të ri. Por dëmi që ka pësuar Adami është i
parikuperueshëm dhe është shumë vonë që Adami të këmbejë identitetin e tij për
të filluar një jetë të re. Tentativën e fundit për këtë gjë e bën Visar Hoti,
“gjarpri i kopshtit”, që pasi ka marrë gjithçka do nga Adami dhe pasi e ka bërë
kopshtin e tij një vend mëkatesh të parrëfyeshme, shtrin dorën e të ligës për
të përvetësuar edhe Adamin. Refuzimi është logjik. Finalja ka nota artifice, më
tepër se dramatike, por kjo është logjike ngaqë narratori kujdeset që kjo botë
e molepsur të shkatërrohet. Projekti i Adamit të tij, njëjtë si projekti i
Adamit të Zanafillës, është një dështim. Njeriu është i lidhur pazgjidhmërisht
me mëkatin, ndërsa “Kopshti i Edenit” herët a vonë do të përlyhet në mëkat.
E
sugjeroj këtë libër për lexim sepse çdokush mund të nxjerrë brenda tij
këndvështrime e lexime të përvojave personale dhe të çuditet se sa e ngjashme
është historia e jetës sonë me atë të Adamit.