Kulturë
Shefqet Dibrani: Zakonisht dashuria mendohet si e pamundshme të përkufizohet
E hene, 30.12.2024, 06:50 PM
ZAKONISHT DASHURIA MENDOHET SI E PAMUNDSHME TË PËRKUFIZOHET
(Ose një libër i veçantë në fushën e poezisë
shqiptare)
Emmy
Krosi, “TAEDIUM VITAE - koha tepricë e vetes”, poema, botoi Shtëpia Botuese “KLUBI I POEZISË - Tiranë”,
Tiranë 2023, faqe 130. ISBN 9 789928 337481
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Emmy Krosi, shkrimtare, studiuese
letrare dhe poeteshë, me librin “TAEDIUM VITAE - koha tepricë e
vetes”, shënon një hap serioz në fushën e poezisë duke sjell një vepër e
llojit të veçantë, ndër më të veçantit që për vete kam lexuar në letërsinë
shqipe. Me mitologji greke e të lindjes, me figura biblike, me shprehje
liturgjiake, personazhe nga etnosi dhe epika shqiptare, personazhe të shumta
nga letërsia, filmat, nga topika e historisë botërore, vende e ngjarje qoftë
nga filmat e gjithë universi e bëjnë veprën të kompletuar e cila sfidon secilin
studues i cili njohjet e tija i ka të orientuara brenda një tematike a fushe
përkatëse. Kuptimi i këtyre poemave kërkon njohje të shkëlqyer të gjuhësisë
shqipe dhe të njohjes në thellësi nga fusha e fonetikës, morfologjisë,
sintaksës dhe shtresëzimet tjera gramatikore dhe leksikore.
Leximi dhe kuptimi i këtyre poemave, nuk
mjaftojnë njohurit e njohjes së shkronjave dhe leximit shkronjë për shkronjë: poemat
janë përplot simbolika të veçanta e të
rralla, pastaj në një lexim më të kujdesshëm dallohen edhe figurat letrare e
stilistike të cilat Emmy Krosi i ka futur në funksion të vargut poetik, prandaj
leximi, madje i disahershëm, i këtyre poemave është jo vetëm nevojë por
domosdoshmëri, sepse strukturimi i vargjeve nuk është rrjedhë e ujëvarave, ka
kuptimin shumëdimensional, me nënkuptime që kërkon njohje gjuhësore të fjalëve,
trajtat dhe fjalëformimet si forma të drejtshkrimit për t’i kuptuar dhe dalluar
mjaftë fjalë e nocione që të detyron me i konsultuar fjalorët shpjegues
përkatës.
Me një fjalë, ky libër i destinohet një
shtrese elitare e cila leximin e ka luks, ndërsa studiuesit e kanë pasion për
tu thelluar në thellësitë tematike për të arritur një interpretim sadopak dhe
të përafërt me atë që ka tematizuar poetesha Emmy Krosi, e cila edhe me trajtën
e të shkruarit të emrit të saj krijon problematika dhe mënyra të interpretimit,
nëse kemi të bëjmë me një poeteshë shqiptare ngase vistri i shumtë i figurave
poetike krijon një hamendje se kemi të bëjmë me një libër të madh nga letërsia
botërore.
Emmy Krosi, është ambicioze por edhe e
guximshme. Në kulturën e shkrimit letrar dhe të studimeve të gjertanishme është
treguar si njohëse e mirë e letërsisë, prandaj me një guxim të pashoqe, ajo
lavdron por edhe kundërshton motive e teknika të leximit letrare, së këndejmi
edhe për poezinë e sotme shqipe, duke i parë çasjet dhe pikëpamjet e shtruara
të saj edhe ndaj veprave të shumta të personaliteteve të njohuar në shkallë
kombëtare.
Libri “TAEDIUM VITAE - koha
tepricë e vetes”, e bën poeteshën të veçantë dhe ndër veprat më të kompletuara
në fushën e poezisë shqiptare. Personalisht mua, në shumë vargje më ka
hamendësuar, ngase përveç veprave të klacizimit botëror dhe atyre si te Homeri,
në gjithë këtë ngarendje për të shkruar libra, ajo është më e Veçanta,
karakteristike dhe dashamirëse e tepruar, për gërshetimin artistik të figurave
mitike, biblike e liturgjiake brenda vargut të saj poetik, andaj është tepër e
vështirë (veçmas për mua), për ta klasifikuar dhe për t’i renditur
metaforat, dhe imazhin psikologjik që përcjell poezia e saj, e cila sigurisht
do të lë gjurmë pozitive edhe brenda arkipelagut të sotëm të poezisë shqipe,
sidomos për mënyrën e shtjellimit të motivit dhe ndërtimit të konceptit poetik,
që nga mitologjia greke e ajo e Orientit, deri tek aspekte biblike dhe të
liturgjisë fetare nga lindja, gjerë në të tashmen jo vetëm moderne, por edhe
deri te lirika postmoderne. Edhe vokabulari i saj, është i pasur, i thelluar, i
rëndomtë, i zakontë e gjerë në banalitet e perversitet shprehës, fjalë e
shprehje të njohura por më pak të ndeshura në vargun poetik, sidomos nga një
femër dhe kjo femër nuk është as amerikane, as franceze por puro shqiptare, e
cila është futur guximshëm nëpër misteret historisë e të mitologjisë duke
torturuar pozitivisht lexuesin, sidomos atë kategorinë që leximin e bënë në
mënyrë të shkujdesur, pasi kjo poezi përveç njohjes dhe koncentrimit lexuesin e
dëshiron të kujdesshëm. E një situatë të tillë e determinon kultura magjepse e
vargut lirik dhe mundësia e interpretimit të poezisë së saj, për shkak të
nivelit artistik të vargut poetik, varg ky i veçantë dhe i kundpërsëritshëm që
ngërthen njohje universale në fushën e letërsisë, gjiuhësisë, etnografisë,
mitologjisë dhe nocionte biblike e liturgjike gjerë në fushën e psikologjisë,
psikoanalizës dhe të kuorizitetëve nga fusha të shumta e më të ndryshmet, me
simbole e simbolika të papërsëritshme.
Poema e parë: “TANI ËSHTË KURRKUNDI, PËR TY SOLOMON!”, e ndarë në 20
nokturne dhe në 8 ndarje me pyetje sugjestive, por si tërësi është sendërtuar
si një “Kontradiktë midis pamundësisë së qenësishme dhe absolutes së saj”,
(Johann Wolfgang von Goethe), e cila në vetvete ngërthen tipare nga
psikoanaliza e Karl Gustav Jung, sidomos kur bëhet fjalë për “Ego”
karkteret e individit, kur kemi të bëjmë me moralin e çburrëruar, neverinë,
marrëzinë, çmerinë, depresionin, tradhtinë dhe pabesinë. Poetesha është “ulur në urën e vjetër/ erëkalbësirë,/ për të peshkuar",
(faqe 7). Ndërsa strukturën e ndërtimit duket si një masë "e qullët e
jetës/ në lumin e pisët/ me plastikë barërat palosen", (poa aty, faqe
7), duke e rikthyer vargun nga lashtësia në të tashmën e ndotur nga borllogu i
hedhur nëpër lumenj, "ku peshqit shqyejnë Unin tim,/ në zgjedhoren e
parë të foljes mëngjesore...", (faqe 8), kurse "lypsarët dhe
lesbiket,/ përqafojnë vetvetn në kupolat e plehrave/ erëkalbur", (faqe
10), në kohën kur dihet se "uji, (është) një element i lëngët",
i cili rrjedh furishëm. Te kjo poemë, nëndarja e shtatë përbëhet vetëm nga dy
rreshta, dhe si e tillë qëndron bukur, dhe ka mesazhin e vet brenda saj.
NË NOKTURNIN E SHTATË
eci gjithmonë mëngjeseve me mjegull
por gjurmët i lë vetëm pas...
Faqe 15.
Se poetesha ka Unin e saj, s’ka dyshim ajo shprehet se "nuk
mund ta hedh veten/ nëpër thashethemet e fun(d)ditës,/ nga mësimet që ndodhin
nesër...", (faqe 25). Në ndarjet e veçanta bën pyetjen sugjestive
"A MUND TË FLASIM?", ajo shkruan: "kur dimri të thinjet,/ mos
e lër vetëm muzgun e përkuqur,/ që prek ndjenjën,/ mbi një vetullhënë,/ i
madhërishëm qielli,/ kur mbyll sytë...", (faqe 33).
Poema “Tani
është kurrkundi, për ty Solomon!”, i përngjan edhe "Komedisë
hyjnore”, të Dante Aligerit si dhe veprave të
Homerit, “Iliadës dhe Odiseut”, por nuk përjashtohet mundësia
edhe me veprat e ndonjë filzofi të lashtë grek a romak! Sido qoftë shtrirja e
lëndës deri në antikitet e bën poeteshën Emmy Krosi të paarritshme, një
poeteshë që ngjitet “shkallëve të diellnuara”, (faqe 9), të vlerës dhe
individualitetit krijues, ndërsa për letërsin shqipe vëllimi me poema “TAEDIUM
VITAE ose koha tepricë e vetes”, është një vepër e rrallë dhe me vlerë
në shkallë kombëtare. Nga ky lexim i kujdesshëm, s’ke se si të mos i thuash
poeteshës “të puthsha mendjen”, e pastaj ajo me “ditë të tëra”,
le të “zhbiroj/ errsinat e mendjes” së saj, (faqe 19), pasi siç shkruan
vet ajo “dashuria mendohet zakonisht/ si e pamundshme të përkufizohet”, (faqe
37).
Poema e dytë: “TAEDIUM VITAE ose koha tepricë e verës”, nga e
cila pagëzohet edhe libri, është një poemë tjetër e ndarë në pesëmbëdhjetë
kohë, si dhe në kohën e tashme, në kohën e tashme e kryer, në kohën e tashme e
pakryer, në kohë e pafundme..., (kjo në katër nëndarje), si dhe koha e
tashme e (art)FRYMËS, e ndarë në njëzet e dy pjesë, të cilat bashkërisht
shtjellojnë dukuri të përditshme me të gjitha anët negative dhe përplasjet e
pandalshme. Por si poemë është një dramë më vet, është një novelë e strukturuar
në formë të poezisë. Ja disa vargje: “Akoma avullon vera/ me firmën e
frymëmarrjes së rërës”, “kurdoherë këmbët merr osh,/ si gratë nëpër oda, në
natën e kanagjerit”, e në këto rropllama morbide as poetesha nuk e di “sa
i shkon fatura dashnorit...”, dhe ka një metaforë të fuqishme ku thotë se “retë
(janë të) ngarkuar me ujë”, prandaj edhe bie shi, supozojmë ne?!
Kjo rropatje e ditës, duket edhe nga
vargjet: “kur hija e mjegullës mbulon tokën,/ kur s’kemi më fjalë,/ kur
s’kemi më ndiesi,/ kur s’kemi më bebëza,/ kur s’kemi më përralla në kohë të
reja dhe të/ vjetra”, (faqe 57), sepse “Gjuha dhe fjala janë
t’vdekshme,/ kur zhvokshin çdo dru nga lëkurat shekullore,/ n’ajri,/ n’hije,/
n’lartësi,/ n’qiellni,/ ku gjaku,/ shpirti,/ dëshira,/ dhe zemrat janë eshkna
q’përndezin kohën/ erën, shiun, natyrën dhe dashurinë e purpurt të Hyjit!”,
(po aty, faqe 57-58). E në aspektin gjuhësor e stilistik, mjafton të krahasohen
prapashtesat e njëjta nëpër shumë vargje: “tinzisht,/ errësisht,/
thellësisht/ ëmbëlsisht,/ butësisht/ mrekullisht,” si dhe “përfundimisht,/
egërsisht, dhe triumfalisht”, (faqe 74). Po ashtu edhe “mendimet,
kujtimet, dyshimet”, “U marrofsh, u harrofsh, u mallkofsh”, që nuk
janë të vetmet shembuj, i përmendëm këta sa për ilustrim artistik.
Poema e tretë: “KOHA E (TEJ)SHKUAR E PËRDHOSJES SË REPUBLIKËS ose
Republika e Babrukës”; Poema e katërt: “PËR TY AMERIKË, si
mirënjohje për presidentin Bill Klinton”; Poema e pestë: “POEMË”; Pema
e gjashtë: “DETRAVE TË JUGUT”, që kundrohen dhe shtjellojnë motive
tematike, parë nga kendvështrimi i poeteshës Emmy Krosi.
Vëllimi me poema “TAEDIUM VITAE ose
koha tepricë e verës”, e Emmy Krosi, përmbyllet me Poemën e shtatë: “KOHA
E KLITHMËS TËNDE KOSOVË”, e cila është një krijim shumë i bukur artistik.
Poemës i paraprinë poezia e Ali Podrimjes “Unë, biri yt Kosovë”, andaj e tërë
poema duket sikur një zgjerim i përmbajtjes së poezisë së cituar nga Ali
Podrimja, kurse në Këngën XII, poetesha shprehet: “Ka ardhur pranvera
(jote) Kosovë?/ Pranvera,/ me duart e stinës së gjelbër”, (faqe 123),
kurse sot karvanet e kosovarëve “po nisen,/ drejt Shëngjinit,/ Durrësit,
Vlorës,/ drejt Adriatikut të vjetër dhe të ri,/ (se “Rruga e Kombit”
qenka plot, plot, plot,)/ Drejt detit patriotik,/ drejt plazhit patriotik,/
drejt turizmit patriotik”, (faqe 125). Epiteti “drejt detit patriotik,/ drejt plazhit
patriotik,/ drejt turizmit patriotik”,
është i saktë, i qëlluar the thellësisht i shtjelluar.
Për bukurinë që ka poema në fjalë, këtu
më poshtë po rishkruaj Këngën XIV, për të parë pikurimin artistik të vargut
poetik që shkruan Emmy Krosi.
XIV.
Më në fund Kosovë!
Erdha!
Mbrrina me trastën e
mijërave fjalëve,
që më grindën,
që më nervozohen,
aq tejkanjoze,
aq mburravece,
aq xheloze
si kryqe të mundimit
tim
i vara në qafë,
se fjala qenka e para;
- thotë Bibla
të përshëndes:
Tu(ngjat)jeta Kosovë!
Faqe 126.
Në shumë raste gruaja, qoftë edhe nënë,
në jetën e sotme, sipas kësaj poezie merrë epitetin e saktë, çfarë nuk do të duhej
të ishte. Pastaj një mal me sakrifica, një det fisnikërie humane e njerëzore,
janë analogji të cilat shpeshherë të torturojnë gjer në marrëzi, vargje këto me
një grotesk larg secilës vlerë që duhet t’i posedojë shoqëria e sotme, me
gjithë këtë zhvillim mediatik e dixhital.
Poemat e Emmy Krosit, sendërtohen nga
një grua e liruar nga komplekset dhe paragjykimet, përplot terma erotik që
kundërmojnë nga sjelljet jo njerëzore, ku seksi oral e sperma kanë ndërtuar
simbolikën e çfrenuar të tragjikes, dhe bashkë me pijet alkoolike dhe
narkotikët shpjegojnë jetën e shoqërisë moderne e cila me këtë avaz është duke
shkuar kah shpërbërja, dhe më tepër është duke vuajtur nga inferioriteti e
kompleksi, se sa bie fjala për dinjitete njerëzore, aty ku dominojnë vlerat dhe
humanizmi si shenjëzime të këtij persekutimi kulturor.
Mbi të gjitha këto anomali qëndron e
fisme poetesha Emmy Krosi, andaj edhe poemat e saj duhet të jenë pjesë e
trajtimit profesional duke operacionalizuar koncepte e motive, parë nga
këndvështrime të shumta e të ndryshme, pasi përmbajtja e librit “TAEDIUM
VITAE - koha tepricë e vetes”, është krijim lirik me vlera të lartë
artistike, qoftë si përmbajtje e qoftë për anën estetike të saj.
St. Gallen, 08 dhjetor 2024.