| E hene, 30.12.2024, 06:59 PM |
Pesë kulmet e jetës të heroit, Tafil Buzi
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Emri
i Tafil Buzit është nga më të përmendurit në kryengritjet e viteve 1820- 1850,
kundër Perandorisë Osmane. Këto
kryengritje, përkonin në kohën kur "faraoni i fundit" ëndërronte vete
shkëputjen e Egjiptit nga Stambolli dhe shpalljen e një shteti te pavarur. Duke
shfletuar dokumentet e arkivave të Stambollit rreth kryengritjeve shqiptare dhe
duke lexuar referencat ndaj Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, të bëjnë përshtypje
një sërë korespondencash turke apo dhe të huaja, që dëshmojnë për lidhjen që
ekzistonte mes Mehmet Aliut dhe prijësave shqiptarë. Zhvillimi i lëvizjes kombëtare
në vitet 30-40 të shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para
centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në Perandorinë Osmane në vitet 30 të
shekullit XIX. Me këto reforma, në mënyrë të veçantë me likuidimin e sistemit
të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të pronës private mbi tokën (më 1834),
si edhe me masat për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të
taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e evropianizimit, të
forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila ishte
dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi shtetëror
anakronik, thellësisht shtypës e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme
të popujve të shtypur.
Reformat filluan të
zbatoheshin në Shqipëri qysh në vitet 1830
Ato i dhanë një goditje të rëndë në radhë të parë shtresës së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore. Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë privatë të tokave, të lidhur me Portën e me politikën e saj centralizuese. Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike e politike të vendit. Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare dhe ekonomiko-shoqërore me ta.Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të rëndësishme e në vepra shkencore e artistike ideologët dhe shkrimtarët e parë të Rilindjes, si Naum Veqilharxhi (1797-1854), Jeronim de Rada (1814-1903) etj. Kjo veprimtari synonte, me anën e përhapjes së ideve e të kulturës kombëtare, të forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore në luftë për lirinë, për tërësinë territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare. Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe shtypja ekonomike e politike osmane bënë që ideologjia e kultura kombëtare të zhvilloheshin me vështirësi e në përmasa të kufizuara brenda vendit.
Fshatarësia
dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin detyrime e taksa të rënda që
vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet e
spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave shtetërore, në një kohë kur
ekonominë e popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak,
që i rrëmbente krahët më të aftë për punë. Shqipëria këkronte drejtues në
luftën kundër Perandorisë në këtë situatë. Një prej tyre ishte dhe Tafil
Buzi...
Tafil Buzi dhe lufta e
arvanitëve në Greqi
Shqiptarët
ishin, gjithashtu, një forcë aktive me rol të veçantë si në përgatitjen e
kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit në
përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër
ushtrive osmane u dha dorë e të shpërthenin kryengritjen në mars të vitit 1821,
shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje.
Qysh në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të tëra
shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga
fshatari i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në
fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin osman të mbyllet në
Akropol dhe çliruan Athinën. Një pjesamërrës dhe përkrahës i kësaj lufte ishte
Tafil Buzi. Përgjithësisht gjatë fazës së parë të Revolucionit grek arvanitët,
dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë, duke përfshirë
edhe ata myslimanë, u bënë figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve
luftarake të kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë
(arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin qytetin e
Tripolicës, për çlirimin e të cilit patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm
pasi shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në masë nga
ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen
Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm dezertuan nga
ushtria osmane, por morën pjesë në veprimet luftarake të Revolucionit grek.
Është i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë, të udhëhequr nga
Marko Boçari, të cilët gjatë periudhës së parë të Revolucionit grek mbajtën
barrën kryesore të luftës në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i
pashallëkut të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar urdhrin e
sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk
pranoi të marshonte drejt Athinës për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me
ushtrinë e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët më
1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan
në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve myslimanë nga ushtria
do të përsëriteshin edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në vitin 1825.
Tafil Buzi, lufta e
Beratit dhe detyra për lidhjet me botën e jashtme
Gjatë
verës së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave të
ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos të organizohej një kryengritje e
tillë e përgjithshme dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm operativ.
Sipas këtij plani do të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë
ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së bashku me forcat kryengritëse
të Kavajës, të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë e Shkodrës, do të
sulmonin trupat e qeveritarit të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me
kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e Mahmut Pashës,
që kishte zëvendësuar Emin Pashën në Janinë. Ky ishte plani i parë operativ për
një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte një hap të rëndësishëm në luftën
çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë bashkoheshin në një lidhje
ushtarake mbarëshqiptare dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar
bashkërisht.
Kryengritjen,
ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e
qytetit të Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë që kishin
ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin
ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin
e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet
ushtarake. Ai sapo kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku me Shahin bej
Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për të organizuar një kryengritje dhe
kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat.
Brenda një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë.
Kryengritësit shtinë në dorë magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia
shpërndanë popullsisë. Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës,
të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit e të
Beratit, në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte për lidhje të forta
ndihme e bashkëpunimi ndërmjet këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes
politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën në një kuvend në Berat,
ku vendosën të formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e
cila si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve të
saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi u
ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për lidhjet me botën e jashtme,
veçanërisht me Mehmet Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht për
kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor të rëndësishëm për
dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh ishte në
konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e ndërkrahinor, por
ishte edhe një organ qeverisës, i dalë nga lufta për të zëvendësuar
administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga krerë feudalë,
përfaqësues të zejtarëve e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.
Në
emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës,
kërkesat për të përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave
centralizuese dhe për t'u njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë
shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i
dha hov më të madh kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje hynë
edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte,
kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një garnizon i ri i
përbërë nga 100 ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë të barabartë të nëntë krahinat
e Besëlidhjes. Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan me
kryengritës të dalluar për trimëri.
Dokumentet greke për
Tafil Buzin
Në
dokumentet historike rreth kryengritjeve shqiptare për pavarësi
("Dokumente arkivale osmane"), në një letër të një kronikani grek për
Shqipërinë, më 1835, shkruhej se "Tafil Buzi kishte deklaruar se ishte
njeriu i Mehmet Ali Pashës. Rrebeli në fjalë pohoi se nuk do të largohej së
shërbyeri çështjes së Mehmet Aliut. Nuk ka dyshim se kazatë kryengritese si Vlora,
Tepelena, Dishnica, Tomorrica, Skrapari, Mallakastra, qyteti dhe nahija e
Beratit, Sulova e Verca, të kenë patur korespondence direkte me Memet Ali
Pashën". Ne maj te vitit 1835, përfaqësuesi turk ne Londër, Mehmet Namik,
njoftonte Portën e Larte se ishte takuar me ambasadorin austriak, princin
Estirhazi, te cilit i kane ardhur udhëzimet e Meternich-ut. "Përmes valiut
te Kretës, Mustafa Pasha, pashai i Egjiptit ka nxitur Tafil Buzin.
Korespondencat e tij me krerët shqiptare janë tashme ne duart e Meternich-ut.
Ambasadori austriak do ti paraqesë Ministrisë se Jashtme te Anglisë kërkesën qe
Anglia te porosisë konsujt qe ka ne Shkodër, Kretë dhe Shqipëri si dhe
ambasadorin pranë qeverise greke... Unë i deklarova se konsujt angleze duhet të
përpiqen që ta kthejnë në rrugë të drejtë Mehmet Aliun, që ai të heqë dorë nga
intrigat dhe turbullirat ne këto vise".
Hapi i parë për
sigurimin e vetëqeverisjes dhe roli i Tafil Buzit
Por
plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme nuk u zbatua më
tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë një varg masash për ta penguar
realizimin e tij. Ajo u kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve se
do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar
garnizonet e Durrësit e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh.
Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë pjesë në
hartimin e planit operativ të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë
nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje e përçarje
në udhëheqjen e kryengritjes. Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën
kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit të Shkodrës, ndërsa
popullsia e këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e para
të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës,
që miratoi ndryshimet e bëra në administratën lokale, nënshkroi me të një
marrëveshje për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të
Besëlidhjes së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut pasi u
ndërprenë përsëri reformat centralizuese.
Në
shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në postin e valiut të Rumelisë,
ftoi mjaft krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll,
kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe, kur qeveritari
osman filloi të shkelte marrëveshjen, nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8
000 kryengritës nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën Vlorë-Berat. Këtë
herë kryengritja nuk pati shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në Berat e në
Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi
të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me të cilën u bënte thirrje
shqiptarëve të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të tyre. Kërkesat
kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve dhe i ushtarëve turq nga territoret
shqiptare dhe zbritja e taksave në masën e kohërave të mëparshme. Shpallja e
Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e
atdheut. Këtu për herë të parë flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm
të krahinave kryengritëse. Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një mesazh
Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen e tij. Jehona që
gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa e ndihmës së Mehmet Aliut, e
shqetësuan qeverinë osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të
mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa, nga ana tjetër, dërgoi kundër
kryengritësve forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të ashpër e të gjatë
kryengritësit nuk ishin në gjendje t'i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835 Tafil
Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të
hiqte dorë nga lufta.
Epilog
Në
historinë shqiptare kanë fryrë e po fryjnë shumë erëra të ndryshme, por kur
shkunden faqet e historisë nga pluhuri i
harresës në vorbullën e madhe të kohës, ne gjejmë një kolonë pambarim të
luftarave spektakolare të patritoëve shqiptarë që kanë tronditur botën dhe që
kanë futur në studime gjeneralë të gjithë botës. Një ndër këta luftëtarë të paepur, që familje
dhe zot kishte vetëm Shqiëprinë ishte dhe Tafil Buzi.
Ai
në historiografët shqiptare dhe të huaj, në libra, në tregime ngelet
syshqiponjë, triumfator, një hero
luftarak, i paepur, trim dhe i ditur, praktik, i palodhur, një udhëheqës tipik
shqiptar me kurajë të jashtëzakonshme. Emri i tij është shkruar
pazgjidhsmërisht në pikat më delikate të hsitorisë shqiptare si një gjeni i
kohës ku vepra e tij do të ndriçojë në
çdo kohë.