Kulturë
Violeta Allmuça: Mesazhi i një tregimi
E shtune, 28.12.2024, 06:56 PM
MESAZHI I NJË TREGIMI
Shkruan:
Violeta Allmuça, Shkrimtare
Angjelina Marku e ndërlidh tregimin e saj të shkurtër, me
arsyen dhe titullin “Albani nuk flet shqip?”. Rrëfimi i çiltër, me një stil të
thjeshtë përshkohet nga ndjenja të thella në mjedisin ku ne jetojmë larg
atdheut tonë. Zëri i një fëmije të pezmatuar që ndikohet për shkak, se ai nuk
ka mësuar të flasë gjuhën shqipe na prek të gjithëve. Krijimet artistike shpesh
nuk janë një çelës që hapin gjithçka dhe kudo, por një mundësi për kthimin e
vëmendjes drejt mësimit të gjuhës amtare nga shqiptarët e rinj.
Albani një nxënës që jeton në Vjenë, personazhi i vetëm
në këtë tregim kërkon të bëhet shembullor. Sigurisht që ka edhe Albanë të tjerë
që nuk flasin shqip. Autorja dhe të gjithë ne trishtohemi sepse në radhë të
parë prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Po ashtu
edhe mësuesit duhet të jenë të përkushtuar për t`u mësuar nxënësve shqiptarë
gjuhën e të parëve. Në një shkollë tjetër në Austri nxënësit shqiptarë që
ndjekin mësimin shqip, kishin kritikuar prindërit e tyre që nuk i çonin në orët
e mësimit të gjuhës shqipe. Ishte iniciativa e fëmijëve dhe mësueses që të
mësonin gjuhën shqipe. Pra vetë fëmijët shqiptarë duan ta mësojnë gjuhën
shqipe. Është e drejta e gjithsecilit të besojë fëmijët.
Tregimi i shkurtër i Angjelina Markut “Albani nuk flet
shqip” përbëhet prej 200 fjalësh që autorja mund t`i zgjeronte edhe më shumë,
skicave të Ali Bekteshit dhe Arbër Hajdarit që gjithashtu duhen vlerësuar,
tre-katër personazheve të zakonshëm të cilët na zbulojnë temën dhe përmbajtjen
e tregimit nëpërmjet gjuhës fëmijërore. Të shkruash sot për fëmijët është diçka
e bukur. Mjetet shprehëse letrare dhe të figurshme si krahasimi, simboli e të
tjera që përdor autorja na sjellin një tregim të zhdërvjellët.
Pasi i ka mëshuar fenomenit të mësimit të gjuhës shqipe
çdokush kupton se integrimi njerëzor arrihet edhe me integrimin shpirtëror të
gjeneratave, nëpërmjet gjuhës, traditës dhe vlerave shqiptare. Rëndësia e të
qenit një model kuptimplotë e frymëzon Albanin që të bëhet inkurajues për veten
dhe për të tjerët. Përmes këtij tregimi, fuqia e thirrjes së vendlindjes i
kërkon Albanit të përballet me prindërit e tij që e kanë anashkaluar
trashëgiminë e të mësuarit në gjuhën shqipe. Ai fajëson prindërit!
“Pse ma keni vënë emrin Alban dhe
nuk ma keni mësuar gjuhën shqipe? Unë
mburresha me origjinën time! Unë krenohesha
me flamurin kuq e zi dhe vendin e shqiponjave!”.
Pse?
Kur një fëmijë e kupton sadopak jetën kërkon të mësojë
prej saj. Albani nuk flet shqip, por neve na vjen keq, pasi ai dhe çdo fëmijë
tjetër që nuk mëson edhe gjuhën shqipe e humbet identitetin e vet.
Dilema e Albanit ishte të njihte vendin e origjinës së
tij. Kur u kthye në Vjenë i premtoi familjes, se kur të rritej do të kthehej në
vendlindjen e prindërve.
A është ky një mesazh për të gjithë ne, familjen,
shkollën dhe mësuesit që shqiptarët kudo që jetojnë të flasin gjuhën e etërve
të tyre? Unë besoj se po! Ne ecim udhës së shpresës! Kështu mendon edhe
Angjelina Marku e cila e mbyll tregimin me Happy end, (fund i lumtur) dhe na
jep mesazhin më të qartë:
-Mësoni të flisni gjuhën tonë të bukur, të shkruani
gjuhën e Naim Frashërit që ka thënë, se gjuha shqipe është: “gjuh që flisjin
Perënditë”, At Gjergj Fishtës që shkruan: gjuha shqipe është, “porsi kanga e
zogut t`verës”, Shtjefën Gjeçovi që ka thënë: “Gjuha është burim i dijes dhe
fryma e një Kombi”, që siç thotë Populli: Gjuha ruhet, atje ku shkruhet.
Të mësosh gjuhën shqipe është krenari për çdo fëmijë
shqiptar që e merr atdheun kudo me vete, në zemrën e tij. Atdheu është
gjuha dhe gjeneza e çdo shqiptari.