Kulturë
Brumbulli: Shqiptarët janë të lëvizshëm si zhiva
E hene, 02.02.2009, 08:38 PM
Nga shtypi humoristik i diasporës. Brumbulli (1931)
Gjergj Bubani, i treti nga e djathta (lart)
Shqiptarët janë të lëvizshëm si zhiva
Përgatiti Baki Ymeri
Funksioni teraputik i shtypit humoristik ndërlidhet me nevojën e shpirtit për zbavitje. Fletorja humoristike “Brumbulli” delte para 80 vitesh në Bukuresht (1931/1933). Koleksioni i saj, gjendet në Bibliotekën e Akademisë Rumune. Redaktor kryesor ishte një korçar: Gjergj Bubani, ish/redaktor i gazetës “Kosova”, autor i pseudonimit Guri Malisori. Punë e çuditshme kjo e shqiptarëve! Të gjithë janë të lëvizshëm si zhiva. Pas një të shkuare të krisur, e braktisin 300 refugjiatë Shqipërinë (1991) dhe vijnë e vendosen në një zonë periferike të Bukureshtit (Tudor Gociu). Disa me vizë e disa pa vizë, disa me pasaporta të rrejshme e disa pa to, disa në këmbë disa me makinë, disa me tren e disa me aeroplan, arritën deri në Amerikë e Filipinë. Vetëm njëri prej tyre mbeti këtu: dr. Përparim Demi. Gjeti punë, e mori nënshtetsinë, dha kontribut për komunitetin shqiptar dhe familjen e vet. Falë mençurisë së tij, jeton në Ballkan, porsi një amerikan.
Dy historianë shqiptarë (Dhimitër Polena dhe Xhelku Maksuti), ua mësonin rumunëve, historinë e Rumanisë. Një kosovar (Ismet Dërmaku), shkruan për një korçar (Nikolla Naçon), dhe një korçar i palaramanizuar (Gjergj Bubani), shkruan për Kosovën. Pas kthimit të tij nga Bukureshti në Tiranë, derisa ishte drejtor i Radiodifuzionit shqiptar, autoritetet komuniste e burgosën pse i kishte bërë publike në revistën e tij masakrat serbe në Kosovë (Kosova, 1932/33). Kishte kërkuar madje, edhe pavarësinë e saj, qysh para 80 vitesh (1932). Arestimi i tij kishte ndodhur sapo kishte mbaruar lufta, kur lëvizte një miqësi e rrejshme ndërmjet Gjarpërit të Gjirokastrës dhe Shkurtabiqit të Beogradit. Për çlirimin e tij nga burgu dha kontribut një bukureshtar me prejardhe boboshtare: dr. Nikolla Xhamo, diplomati i parë i Rumanisë në Tiranë. Nominalizimi i një shqiptari për ta përfaqsuar një vend të huaj në Shqipëri inkuadrohet në spektrin e besimit të madh që kishin rumunët te arnautët e Bukureshtit.
Pos Kosovës (1932) dhe Kuvendit Kombëtar (1934), Gjergj Bubani redakton edhe një gamë gazetash tjera shqiptare, më e njohura ndër to duke qenë, Shqipëria e Re (1919-1935). Brumbulli, faktikisht ishte, jo vetëm gazeta, por edhe pseudonimi i tij. Këtë e vërejmë në shpinë të një fotografie, të vitit 1931, me do vargje humoristike, që meritojnë ta shohin dritën e botimit:
Shtatë veta, pesë gjela,
Dhe dy zoga, gjith dembela,
Që dinë vetëm të hanë,
Te Milua në mehanë,
Në k(u)adro një ditë duall,
Tek po kundërmonte shuall,
Në koliben e Qir-Nuçit,
Tyryfryçit!
Firmosin: Brumbulli, Dhimitër Kristesku, Rina Antoniu, zonjusha Ekonomu, Kapitan Shantoja, i cili u arratis nga Shqipëria në Rumani, ngase e kishte ndërmend ta vriste Zogun. Gjergj Bubani është i pari në fotografi: djaloshi me pantallona të bardha. Në bazë të fotografisë që e gjeni në luginë të këtij shkrimi, kuptojmë se të gjithë janë shqiptarë, të fotografuar para mehanes së një shqiptari në brigjet e Detit të Zi.
Brumbulli i Bubanit konsiderohej si fletë humoristike që shkruante “prej së gjithash dhe për të gjithë”. Duke bërë fjalë për shqiptarët në Rumani, Aleko Vançi boton artikullin qesharak Dëshmorët e Thimit (Viti I, Nr.4, Konstancë, 12 janar 1931). Në zyrën e gjëndjes civile të Bukureshtit, u çfaqën një ditë Thimiu, i biri i Angjes me shokët e tij: Niska Kërçmari dhe Nuçka Mballomaxhiu. Përëndia, që s’ka tjetër punë, i kish falur Thimiut një djalë të bukur. Babai fatlum, duke patur miq të njohur gjithandej, vate t’i regjsitrojë sipas rregullit. Të gjithë ishin të rinj. Për fat të keq, “këtyre filizave të Shqipërisë plakë”, të plakur mes pleqve e plakave të Bukureshtit, u mungonin fotografitë. “Miqtë tanë ishin të atillë që, sikur të ronte profesori gjerman Wirkow (i cili, kur vizitoi muzeumet e spitaleve të Bukureshtit, e njojti prej së largu kokën e shqipos, dhe e lëvdoi përpara asistencës) e (sikur) t’i takonte gjëkundi rrugës, do t’i blinte sigurisht të gjallë, e do t’i ekspozonte në muzeumin më të madh të Berlinit”.
![]() |
Gjergj Bubani, Rina, Dhimitri etj (1931) |
Me kuaj, nga Korça e deri në Vllahi
Oficeri i gjëndjes civile, i cili rrinte në një sallon të madh, me fotelje të veshura me katife, kollitet dy herë dhe i jep urdhër qatipit, ta thërrasë Thimin me dëshmorët. Me të hyrë brenda, Thimi i drejtohet ofiqarit në një rumanishte të çalë: “Ju përshëndes zoti oficer! Kam ardhur te zotëria juaj për të më kaluar në regjistrin tuaj. Jam një fabrikant i madh në Bukuresht, por kam dyqanë edhe në Plojesht. Vij nga Korça plakë dhe kam katër vjet shkollë. Kur erdha në Vllahi, erdha me një qiraxhi, ngarkuar në kalë ngase isha fëmijë”. Pas tij, vjen dëshmori i parë. Paraqitet me emrin Niskë Zgjebaraku, edhepse, emri i tij i vërtetë, ishte Nuçkë Teveqelxhiu. Sa herë që na shkruante Xhelal Gjura nga Tirana, shqiptarët që i shisnin shqiptarët, i konsideronte si “zgjebsha”. Teveqelxhiu dukej si një mushkë Greqie. Kalimera, zoti oficer! – i drejtohet ofiqarit bukureshtar, duke e përshëndetur greqisht. Oficeri i gjëndjes civile, së pari e pyet për emrin, e pastaj për rrugën ku banon. Teveqelxhiu i Nuçkës përgjigjet : Banoj te Kovaçi. Nuk po të kuptoj mor vëlla, ia pret ofiqari: Je turk, grek, kovaç apo shqiptar. Mos banon vallë në Rrugën Kovaçi?
Po, po! Ia kthen korçari i Bukureshtit: Nuk jam kovaç, por jam shqiptar. Vij nga Orhan Çifliku. Kam ikur kaçakçe nga asqerllëku. Nuk kam teskere. Kur dëgjon se ka kaluar kufirin pa pasaportë, Thimi ngriu nga frika. Pas tij, hyn dëshmitari i tretë. “Oficeri u mërzit dh’i lutet Thimit t’i bëjë terxhumanë (përkthimin). Thimiu ndërhyn me dashamirësi. –Të pyet nga je? –Unë?...Jam nga Dardha! –Sa vjet i ke? –S’di besa. Dale t’i numëroj: 9 në Vllahi, 13 në Greqi, 8 në Anadoll, e 26 në Dardhë. Sa bëjnë këto? Dhe ja kështu, ca me të qeshur, e ca me të mveshur, merr fund rrëfimi mbi dëshmorët e Thimit, dhe hallet e kurbetqarëve tanë, që nga koha e turqve, e deri te ajo e komunistëve, që na ndiqnin pse ia hedhnim fajet sistemit, që i la pa fabrika, fshatrat e Dërvenit.
Tejmatanë shtallës, shungullonin ujërat e Përroit të Hallës
Numri 6 (20 janar 1931), i kësaj fletoreje, sjell edhe barcoleta. Më e njohura është ajo që e ka dëgjuar autori nga Idrizi Haqifit. Nuk kemi pse mos t’i besojmë, ngase ky i fundit, edhe përnnga natyra, nuk ishte qejfprishës. Ishte i buzëqeshur dhe shakaxhi. I kishte rrëfyer asokohe Aleko Vançit mbi kishën katolike të Shipkovicës, rrënjët e së cilës i gjen sot e kësaj dite tejmatanë Përroit të Kishës. Barcoleta, që mban titullin Përgjigja e priftëreshës, jepet toskërisht. Priftëresha e priste priftin, me një qejf të papërshkruar. “Jashtë në obor, dy zoq ndiqen me një mijë naze, nëpër lulet e çelura. Në dejt e priftit, vlonte gjaku shqiptar. Syt’e priftëreshës shkrepëtinin nga gëzimi. Fajet i kishte prendvera, sipas autorit të barcolestës. Prifti pyet: -Ç’bëjmë, moj priftëreshë? Hamë dhe pastaj flemë apo flemë më parë dhe pastaj hamë? – Si të duash, uratë, e pastaj hamë! ia kthen priftëresha. Funksioni teraputik i shtypit humoristik, siç duket pra, ndërlidhet me nevojën e shpirtit për zbavitje. Pse rrinë pijetoret, e mbushura me burra, ku kultivohet shpifja dhe përbuzet kultura? Pse i toleron Tirana kufomat e forumit Çamëria të kultivojnë fushatë antishqiptare, antikristiane dhe antiamerikane! Këta s’janë burrra, por dembela, që mendojnë vetëm për pela. E dini se ç’thoshte Visar Dodani për njërin prej tyre, para 100 vitesh: “Shqipëtar ësht i vërtet’, po budallë sa të duash. Grindavec, nopran, sheret, ç’thot ay, duhet të thuash (dhe ti)!”.