Editorial
Fran Gjoka: Problemet e sotme të shkollës, janë sa të vështira aq dhe emergjente
E hene, 23.12.2024, 07:00 PM
PROBLEMET E SOTME TË SHKOLLËS, JANË SA TË VËSHTIRA AQ EDHE EMERGJENTE
NGA
FRAN GJOKA
Reformimi i
shkollës është një sistem shumëplanësh dhe bashkëpunues i shumë faktorëve e
aktorëve, ku japin ndikimin e tyre në forcimin cilësor të arsimit. Realisht sot
sistemi që pretendon emrin, nuk po funksionon e për rrjedhojë mekanizmi i
drejtimit dhe i menaxhimit subjektiv të arsimit ka ardhur gjithnjë në rënie.
Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive, që realisht kanë mbetur në
letër, por është një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në
rang qarqesh dhe bashkive të vendit.
Drejtimi i shkollës nuk bëhet as nga militantët dhe as nga mësues të
zakonshëm
Jo kushdo mund të bëhet
drejtues arsimi, pavarësisht nga dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. E parë në
këtë këndvështrim mendojmë se militantizmi, e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor
të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs,
kanë vepruar, duke emëruar gjithnjë mbi bazën e kritereve të tjera, si ato
nepotike, partiake, e pse jo edhe korruptive e servile, të cilat e kanë kompromentuar rëndë realizimin e
reformës, duke krijuar kështu mendimin e gabuar se drejtor shkolle, arsimi
rajonal apo vendor mund të bëhet kushdo.
Në këtë kuptim, është paradoksale dhe i afrohet një shërbim i keq institucionit
të arsimit dhe të ardhmes së tij, ku drejtori, që ka fituar të ashtuquajturin
konkurs, ka më pak përvojë e përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e
tjerë. Është shkruar e shkruhet, është folur e flitet shumë për drejtimin, për
drejtuesit e shkollave. Sa e si përzgjidhet drejtuesi? Sa efektiv e mjeshtëror
është ai? Faktet dëshmojnë se konkurset apo opinionet, rekomandimet në emërime
janë larg atyre që kërkon realiteti, koha, kërkesat në shërbim të reformimit.
S'ka më të çmuar e realist se syri i kolektivit. Përse? Zotësia apo
specializimi, posti drejtues efektiv rrezaton në kolektiv. Ai që merr postin e
drejtorit a të drejtoreshës ka peshën e malit mbi supe. Pra, trinomi:
Sinqeriteti, zotësi, dhe përkushtim, ia kalojnë çdo "konkursi", çdo
hamendësimi opinionesh nga lart. "Një shembull në praktikë, - thoshte
ideologu i shquar Sami Frashëri,- është më mirë se një mijë fjalë të bukura".
Shembulli rrezaton aftësinë, taktin, vlerat, shpirtin krijues dhe nxit,
organizon kolektivin pedagogjik. Drejtuesi me grada e konkurse (Sigurisht edhe këto duhen) por që i mungon
shembulli i reformës, sinqeritetit e provat e përditshme si veprimtar, kurrsesi
nuk gëzon respektin e trupës pedagogjike. Korrektësia drejtuesit nuk i falet të
bjerë në grackën e konfromizmit apo të bajraktarizmit. Drita e dijeve rrezaton,
kur udhëheq shembull, me kompetencë, si prijës e masovik. Problemet e sotme të shkollës
janë sa të vështira aq edhe emergjente. Të bëjnë përshtypje qoftë drejtues të
qeverisë, qofshin drejtues shkollash ku flasin "me duhet" ,
"duhet", "edhe duhet"! Koha dhe dukuritë kanë nevojë për
veprues reformues, vetëveprues, shëmbëllim në praktikë, takt, durim, e mbi të
gjitha masivitet e premtim të punëve me kolegët, me prindërit. Takti i
drejtuesit dhe i mësuesit është parësor, ku të shoqëruar me përkushtim e
"peshoren" e fjalës, sigurisht të çojnë në arritje. Puna pa zotëruar
atë çka e kërkon realiteti e koha ngjan me pemën pa kokrra. Kërkesat e reja kërkojnë
përkushtim të ri, vlerësim serioz të dukurive.
Pesha dhe përgjegjësia e një drejtuesi shkolle është e madhe, ajo kërkon
zotësi drejtimi dhe kualifikim të lartë
Shtrojmë pyetjen: -Sa
psikolog është drejtori, po mësuesi?
Pesha e rëndë në shërbim të edukimit nuk arrihet me konstatime, me këshilla,
por me durim, veprim, e mbi të gjitha me zotërim të punëve të njohjes së
kolegëve (vlerave e halleve) të njohjes së nxënësve të kulturës e traditave të
familjeve të nxënësve. I ashtuquajturi portal "Mësues për Shqipërinë"
është huazuar keq në arsim. Është paradoks i vërtetë praktikimi i kësaj formule famëkeqe për mësuesinë
shqiptare, ku fare mirë dihet se në Itali
dhe në disa vende të BE bazohet në meritë dhe është vërtetë kuptimplotë.
Për Italinë,
mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse mësuesit motivohen dhe u krijohen
kushte optimale për punë e jetesë. E kundërta po ndodh në sistemin tonë arsimor
ky portal po shërben si fasadë djallëzore e MAS, DARP, DAVP, ku si pasojë ka
sjellë një paligjshmëri të vërtetë, që po i bëhet me emërimet dhe shkarkimet e
mësuesve.
Me keqardhje
shikojmë aty-këtu liberalizëm të theksuar në veprimtarinë mësimore edukative të
punës në shkolla shtetërore, ndryshe po ndodh në disa nga shkollat private, ku
zotëron rregulli dhe disiplina në kuota optimale. Kurse në disa nga shkollat
publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësve dhe informacioni i
prindërve për shkelje disiplinore në shkolla. Adoleshenca e sotme është futur
rrugës inkriminimit dhe prindërit heshtin apo s'dinë të punojnë me fëmijët në
aspektin edukativ.
Me keqardhje
dëgjojmë çdo ditë ngjarje makabre të adoleshentëve në rrethinat e shkollës dhe
jashtë saj, që po trondit çdo ditë mbarë opinionin publik shqiptar. Me
keqardhje vëmë re, MAS nuk ka impenjimin e duhur për të parë nëse është e
domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha
hallkat e sistemit para universitar. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime
abuzive, nga media e shkruar dhe auovizive. Me këtë sistem arsimor çdo ditë në
rënie, shtrohet detyrë të përzgjedhim drejtues që kanë guxim intelektual, persona
jopolitik dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë
dy synime te mëdha: Aktin e pastrimit, dhe të ndryshimit, duke filluar nga
drejtimi në shkolla, në rang rajonal dhe vendor të vendit. E themi këtë, se
kemi drejtues rajonal dhe vendor që kanë hyrë në vitin e tetë apo të dhjetë të
punës, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik e
didaktik, në një kohë që kemi plot breza të tërë të rinjsh që janë të shkëlqyer
në një apo dy mastra shkencorë apo profesionalë, e që mbahen larg institucionit
të arsimit rajonal apo vendor të vendit.
Administrata e arsimit ka shumë shkresa burokratike dhe pak zgjidhje konkrete
Me keqardhje
shikojmë një administratë të fryrë rajonale dhe vendore, që fatkeqësisht janë
kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga
lart dhe që në shkolla pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur në besimin
absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesit dhe vështirësitë e punës
së tij me nxënësit nuk merret askush. Fatkeqësisht, u hoq kontrolli inspektoratit
rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë i MAS. Shpresoj të rikthehet,
sepse drejtuesit dhe mësuesit në shkolla do të jenë më impenjativ për punën e
tyre mësimore-edukative.
Sado të flasim e
të shkruajmë, përsëri është politika që ka ndërhyrë dhe ka shkatërruar sistemin
arsimor, janë simpatizantët drejtues të arsimit që po e mbajnë gjallë politikën
e ditës në arsim. Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit
dhe të nxënësit, për peshën e rëndë të çantës, për Altertekstin që është
kritikuar gjithnjë dhe Ministria hesht, për librat e mbingarkuara me materiale
pa vlerë, për asimilimin e vështirë të marrjes e njohurive, për uljen e numrit
të nxënësve në klasa etj. Konkretisht çfarë po ndodh në tekstet shkollore? Ku
janë vlerat intelektuale e kombëtare? Po bota akademike pse hesht përballë
këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të
tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore edukative, të cilat mund të
përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë edhe mbi të gjitha
vlerat tona të çmuara kombëtare.
Për të shkuar në
rrënjët e problemit, duhet të kthehemi tek qëllimi themelor i mungesës totale
të menaxhimit intelektual të arsimit, që me keqardhje themi se askush nga
drejtuesit qendror apo vendor s’e kanë marrë ende seriozisht dhe të kemi një përgjigje
urgjente se si duhet ndryshuar, drejtuar dhe administruar në të ardhmen e
shpejtë arsimi ynë kombëtar. Ajo që e vyshk shpirtin e arsimit, pa mëdyshje
është politika. Përse? Sloganet boshe, formalizmi, këshillat falsë, fjalori i
shthurur e amoral i politikanëve, grindjet e shpifjet e tyre ndaj
njeri-tjetrit, ashtu sikurse tik-toku e celulari bëjnë të kundërtën e edukimit,
e shfuqizojnë rolin e mësuesit e të drejtimit të shkollës. Fëmijët sot kanë
ngarkesë të madhe jashtë librave e punëve të mira në klasë a shkollë. Përse?
Shumicën i tërheq shembulli negativ. Pra, sistemi i arsimit kurrsesi nuk përparon
pa gjetur "çelësin e shpirtit" të arsimit. Çelësi i shpirtit është
dëshmia e suksesit, është shtylla kurrizore e sistemit të arsimit.
Faktet dëshmojnë
se çelësi i drejtimit është ndryshkur, ka nevojë të gërshetohet me blerimin e
shpirtit në drejtim të dijeve e të edukimit. Sa lexojnë e zbatojnë drejtuesit?
Sa fryte u jep ecuria konkrete në shkollë e komunitet? A kanë shkallën e vërtetë të një vatre
komunitare: me veprimtari, me dhomë muze, me histori shkolle?! Çdo ditë mbetet
që drejtuesit të mbajnë pasqyrë për ecurinë reformuese, mësimore-edukative.
Shërimi më i çmuar
i kombit e i brezave është që me zell e veprime konkrete të reflektojnë shpirti
i sistemit bashkëkohor të arsimit. Flitet e shkruhet për seminare, për
reformim, për evidenca e planëzime, për rolin edukativ të nxënësve. Sigurisht kjo
është anë e mirë dhe vlen, por nëse vlerësojmë frytet e gjendjen konkrete e
aktuale të arsimit duken sheshazi e në plotësi boshllëku edukativ, formalizmi e
burokratizmi pedagogjik janë të veshur me qyrk demokratik. Përse? Nën petkun e
lirisë, të lidhjeve të ngushta me nxënësit e të mbajtjes afër mësuesve
frenohet, tulatet bien në formalizëm, kurse drejtuesi bie në konformizëm. Pra,
nxënësi di të respektohet, vlerësohet, por kurrsesi nuk duhet heshtur e tulatur
para dukurive negative, para shfaqjeve të pahijshme, para përsëritjes së gabimeve.
Autoriteti, lidhjet formale, mos guximi për t’u përballur e vyshkin, e thajnë
autoritetin dhe shpirtin e arsimit. Një i moshuar na tha: " Arsimi në ditët
tona është gati si lisi pa lena e si i sëmuri që i dhemb zemra. Lisi pa lena
shpejt mbetët i tharë, i sëmuri rëndë nga zemra shpejt ndërron jetë".
Zotësia e mjeshtëria
pedagogjike e psikologjike e drejtuesit të shkollës dhe e mësuesit matet me
punë që bën e frytet që korr me të vështirat, me tipat që sjellin probleme në
shkollë në komunitet. Sigurisht që mendja e nxënësit është nën sulmin e
internetit, tik-tokut e të plot dukurive negative që shfaqen në ekrane me
fjalorin bajat e tepër vulgar, të mjaft politikanëve, deputetëve, analistëve që
grinden etj. Sistemi arsimor pretendon
emrin, po shpirti i arsimit? Ky shpirt merr jetë nga drejtimi korrekt, krijues
e i guximshëm, nga vetëmohimi e vetë kualifikimi, në proces në punën frytdhënëse
mësimore-edukative.