Kulturë
Cikël me poezi nga Kujtim Morina
E diele, 22.12.2024, 06:48 PM
Kujtim Morina
Mendoj për ty në këtë
mbrëmje
Mendoj për ty në këtë mbrëmje,
Sa vite ka që s'jemi parë
Ti erdhe kur doje dhe ike prapë
Si bleta që merr pak nektar.
Pastaj erdhi vjeshta, erdhi dimri
Dhe pranvera erdhi përsëri
Por si bleta që nuk shkon më tek e njëjta lule,
Edhe ti bredh andej, këndej, nuk e di.
Mbase ke mbetur në zgjua dhe kujton kohët e bukura
Dhe s'të bën zemra të më thërrasësh.
Vitet ikin dhe mbase kopshti ka ndryshuar
Dhe as vrulli dhe energjia nuk janë të parët.
Rri në verandë dhe shoh mbrëmjen që bie.
Mengadalë,si koha që ikën pa u ndier.
Fluturojnë zogj në ajër dhe nuk e di nga shkojnë.
A thua, takohen më pas fluturimeve!?
Në Sarajevë
Po
dëgjoj këngë jugosllave sonte
në një restorant në Sarajevë.
Kam nostalgji kur i dëgjonim këto këngë
në vitet 80 në Shqipëri.
Sikur na hapnin horizonte,
si iriqi kur del në liri,
edhe një lëndinë e vogël i duket e mrekullishme
krahasuar me ferrën ku jeton.
Kush kishte një radio dore,
ishte i privilegjuar,
Mund t'i dëgjonte këto këngë kur të donte.
Pale kur kalonte rrugës përmes pazarit,
me zërin e radios ngritur në qiell,
Sa e kishin zili njerëzit!
Dhe ai i shijonte edhe më tepër këto këngë
në mosvëmendjen e Sigurimit.
Bie gjethja
Bie
gjethja prej pemës
Nuk pret ta heqin, as ta këpusin
Njeriu s'e ka kuptuar esencën e mëmës natyrë,
Prandaj shpiku luftën
Bie gjethja prej pemës
E zverdhur, e vyshkur, kupton se nuk vlen më.
Mirëpo njeriu nxiton drejt së pamundurës
pastaj rrëzohet, vdes, pa u plakur ende.
Bie gjethja prej pemës,
Duket se e ka kryer ciklin e plotë
Ia lëshon vendin një tjetre të re
Por jo pa kaluar dimrin me ngricë e të ftohtë.
Bie gjethja prej pemës
Pastaj shkelet, thahet, bëhet humus
I shërben së ardhmes, i shërben jetës
Të ripërtërihet natyrshëm, pa rendje, pa ngut.
Nëna në shtrat
Ne nuk rrimë gjithë natën zgjuar me të.
Ajo rrinte me ne.
Sado që i themi fjalë të mira
Nuk i këndojmë dot ninulla në djep.
Ëndrrat e saj janë për ne, jo për veten.
A thua do t'ia dalë djali ose vajza, thotë,edhe pa mua.
Nuk na i thotë të gjitha, si ne dikur asaj,
E ruan dhimbjen për vete, nuk e ndan krejt me ne.
Nëna në shtrat, kurorë e jetës,
Lule e vjeshtës, këngë e pranverës.
I shkundi mirë
gjethet
I shkundi mirë gjethet dhjetori i egër,
si frutat e fundit të vjeshtës së vonë
Akoma këto këtu! E dua të pastër vendin,
kur të fryjë veriu me ngricë e me borë.
Nuk i duroj këto mbulesa, tha muaji i mrrolur,
që stinën e ftohtë e mori në dorëzim
Të më dëgjohet kuja pa fund e paanë,
si luani që shkon vërtik me turfullim.
I shkundi mirë pemët dhjetori i kërthndeztë,
Qielli me tokën të mos ketë ndërmjetës,
derisa ta pastroj zonën nga ushtari i fundit,
të krihem në pasqyrën e tokës dhe të qiellës.
Tundi, tundi fort, dimër mizor, derisa të mos mbesë asnjë!
Se kështu pastrohet toka për pranverën tjetër.
Kur mendon se e ke zhbirë dhe nuk mbin më asgjë,
prite se do të zërë prapë e fuqishme fara e jetës.
Dimri i parë pa nënën
Fryjnë erërat nga të katër anët
Dhe s’ka kush të të mbrojë.
Është bërë më ftohtë sivjet.
Mbërthehem me një qyrk të trashë
Dhe prapë mërdhij.
Më duket një dimër i gjatë pafund
A thua do të dalë pranvera e të ngrohem pak.
Ajo është një engjëll që më sheh nga lart në qiell
Dhe prapë më ruajnë bekimet e saj.
Dimër i ashpër sivjet.
A do të mësohem pa ty, nënë,
Të të mbaj si diçka të shtrenjtë, të padukshme
Që as nuk e zotëron, as nuk heq dorë prej saj,
si shpirti që e ndiejmë por s'e shohim.
Për Zemra Shqiptare, 22.12.2024