E marte, 24.12.2024, 01:49 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Para hyrjes së dikurshme

E marte, 17.12.2024, 06:16 PM


Para hyrjes së dikurshme

Nga Blerim Rrecaj

Iu desh të priste dikë. Dhe hyri hapësirës së gjerë të betontë e pllakështruar, rrethuar nga të katër anët me shumëkatëshe, që i ngjante një dhome që tavan kishte qiellin. Ishte një ditë tipike vere, e ngrohtë. Kishte mjaft vetura të parkuara kësaj hapësire, e diku kah mesi i saj ende qëndronin disi në këmbë ato elemente lojërash për fëmijë, që nga kohë e gjatë ishin vjetëruar, ndryshkur e shkërmoqur. Që rrinin si vegla të vjetra muzeale, të pakonservuara. E ende përdoreshin nga fëmijët. Ose edhe shërbenin edhe për endje e aterim harabelësh  a pëllumbash mbi supet e tyre.

Rreth e përqark ca hapësirave të vogla që mbanin dheun e zi e të shkriftë mbuluar me bar, ku më të gjelbërt e ku paksa më të tharë,  kishte ca zambakë të bardhë,  ca trëndafilë, ca lule kadife, ca pisha e drunj që kishin arritur një lartësi të madhe e që qëndronin të mbështetur për mur të shumëkatsheve, si dikush që s'ka kah t'ia mbajë, po që bënin hije, e edhe mbulonin ca dritare fatlume me gjelbërimin e tyre të harlisur. U soll e u përsoll atypari. Përreth kishte ca lokale, njëri nga ta një dyqan rrobaqepësie në një qoshk, pranë një korridori të ngushtë hyrjeje e daljeje,  ku hyje këtu por por edhe dilje për tek rruga e tek ca objekte tjera, pastaj një sallon bukurie për femra, një lokal tashmë i zbrazur ku përpara funksiononte si dyqan ushqimor, në të cilin banorët blinin gjëra që i kishin aq afër e në "dyer shtëpish", e tashmë pritej të hapej kushedi se për çfarë, e nga kush.

Derisa rrinte e kujtonte atë copë kohe që kishte banuar këtu përreth dy vite, pothuajse para dy dekadave. Një mace lara-lara lara kaloi këtej për të shkuar kushedi se ku, duke humbur sysh pas hyrje-daljeje në qoshk të këtij kompleksi banesor. Ndërkohë dikush dilte nga njëra prej hyrjeve, pasi hapte derën e bardhë e hijerëndë prej metali me hapësira mbuluar me xhama trashë e të patejdukshëm. Dikush ndizte veturën, për të dalur e ia mësyer dikah, dikush largohej duke ecur, e dikush o shkundte ndonjë batanije a sofrabez, ose kishte dalë në ballkon për të kaluar ca çaste.

Derisa copëza të tashme jete vazhdonin udhën e tyre, copëza kujtimesh i vërtiteshin mendjes dhe sikur përziheshin duke bërë bashkë e lëmsh kohë e hapësirë. Iu kujtua shprehja "i humbur në kohë e hapësirë". Ndonëse dhe i fituar mund të ishte.

U afrua te njëra nga hyrjet e shumta të këtij kompleksi banesor, sipas shumicës së gjasave, të parit të ndërtuar menjëherë pas vitit dymijë. U mbështet te ky trung bliri që ndodhej afër hyrjes, dhe shihte tashmë fletët e tij tashmë të thara, luleshkundura, e me kokërrzat që kishin mbet për fijesh që mbanin fletët bashkë me to, pa aromë, në disa prej tyte ca fije të endura merimangash që i ndriçonin rrezet e diellit, që dukeshin si fije të akrobatëve ku mund të mbështetej ndonjë pupël pëllumbi, e edhe ndonjë gjë edhe më e lehtë sesa pendla.  Drejtoi vështrimin nga shkallët që të shpinin në pushimoren para derës , e për tek pushimoret pas shkallëve të bardha prej mermeri e paksa të ngushta për t'u ngjitur lart kat pas kati, e në të cilat s'kishte ashensor që të shpiente lart sikurse në ndërtesat që u ngritën më pas. Shikoi dhe trëndafilat të mbjellur para hyrjes që tashmë ishin aq gjatoshë, e siç duket të pakrasitur prej shumë kohësh, që ngjanin me dikë që për ndonjë arsye të fortë nuk ishte qethur tashmë e sa kohë. Iu kujtua, se si kishin ardhur këtu, si kishin bartur gjërat nga shtëpia që priste të shndrtohej në banesë, me një kamionetë dhe me ndihmën e një kushëriri që kishte ardhur nga fshati për t'u ndihmuar. Dhe iu ra këtyre kujtimeve shkurt e trup e vetëtimthi, sikurse një rruge të shkurtë që edhe mund t'i dilte e gjatë. Por nuk u zgjat. Erdhën e u vendosën në katin e para fundmë, do me thënë të pestin, e kësaj shumëkateshje që mbushej me banues, që hyjnin e dilnin, qoftë si blerës, qoftë si qiraxhinj. Kujtoi edhe njëherë dhomat, e ballkonin nga i cili kur hidhje vështrimin nga kryeqyteti në mëngjes shihje perëndimet e diellit, ndërsa nga ana tjetër, diku përtej qytezës perëndimet e tij. Pastaj era e jetës do ta barte edhe nga këtu me teshë e koteshë, me gjithë ato elemente shtëpie, për ta zgjeruar historikun e gjithë këtyre vendbanimeve që nuk ishin të pakta, sa atje e sa këtu. Ndejti edhe ca këtu para hyrjes së dikurshme, sa te bliri, sa te trëndafilat, derisa banorë tjerë të pikërishttashëm hynin e dilnin nga hyrjet përreth, me shkëmbim përshëndetjesh. Pas nja dy ore iu desh të largohej, siç u largua pas dy vjetësh së bashku me familje, për të dal jo fort larg në rrugën matanë, siç u cek kjo gjë edhe pak më lart, (siç doli tash, ku menjëherë pasi doli nga "tuneli hyrës", që mbante emrin e objekt-lagjes, nëse mund të shprehemi kështu, me shkronja të mëdha, menjëherë në të majtë të tij rrinte objekti shumëkatësh me çati por i palyer brenda e jashtë, pa dyer e pa dritare, edhe ky njëri nga objektet e orëve të para të qytezës, që kushedi se për çfarë arsye kishte mbetur kështu siç është, i papërfunduar...)tashmë kur kishin kaluar njëzet vite, e vija e pjerrët tokësore e ajrore prej vendit ku banonte e tash banon është rreth 100 metra, në mes kanë rrugën e zgjeruar kohë pas kohe që tashmë është shumëshiritëshe...Kjo jetë e pshtjelltë, jo pak, tha, me gjithë këto komplekse banesore, që në njëfarë mënyre e shtonin ndërlikueshmërinë, që për ta zbutur do dije e durim...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora