Faleminderit
Agron Tufa: Rugova ose - në anën tjetër të dëshpërimit
E enjte, 05.12.2024, 08:27 PM
RUGOVA OSE – NË ANËN TJETËR TË DËSHPËRIMIT*
Nga
Agron Tufa
Ibrahim
Rugova më vjen në përfytyrim gjithmonë si një antirup, - nëse kërkojmë një
metaforë të qëndrueshme, - një antitrup vendimtar që ndaloi procesin e
dekompozimit rrënues të organizmit identitar shqiptar, të shoqërisë shqiptare
të Kosovës, në pikën më kritike të dëshpërimit të një populli të tërë që po
zhytej në agoni. Organizmi i popujve shpesh ka përpunuar në thellësitë e veta
të misterta një “vaksinë” të tillë mbijetese, për ta ndaluar në një pikë
kritike gangrenizimin e përgjithshëm e fatal të shoqërisë, pas së cilës fillon
kthesa e madhe e shërimit, përtëritjes dhe ngritjes në këmbë.
* * *
Ibrahim
Rugova zotëroi patrazueshëm një dhunti të kthjellët parashikuese, ndonëse në
çaste apokaliptike, kur gjithkujt i rrëshqiste toka nën këmbë, - një dhunti të
pabesueshme, të ngjashme me vegimet profetike të plqeve të Testamentit të
Vjetër. Në një In memoriam që pata shkruar ditën e vdekjes së tij, pata
përdorur metaforën e profetit Moisi që e nxorri popullin e vet nga skllavëria e
Faraonit dhe i priu përmes shkretëtirës për në tokën e premtuar. Kanë kaluar
vite dhe kjo analogji nuk me duket aspak e tepëruar: liria e popullit të
Kosovës, sado propagandë spekulative të bëhet, nuk i reziston dot të vërtetës:
ishte shtegu i Rugovës që e nxorri popullin e Kosovës nga zgjedha dhe shfarosja
serbe, ishte qëndrimi i tij i duruar, gjakftohtë, i përmbajtur, me organizimin
e shtetit paralel, me refuzimin total të pushtetit të pushtuesit, me fjalën e
tij në kancelaritë euroamerikane që me durimin e pikës që gërryen gurin, zgjoi
ndërgjegjen e Perëndimit dhe solli ndërhyrjen e politikës dhe formacioneve
luftarake shqiptare dhe përfundimisht - ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s në çlirimin
përfundimtar të Kosovës.
* * *
Kur
Raymond Aaron pohon se “historia krijohet nga individë” , ai nuk ka parasysh me
këtë banalizimin e “kultit të individit” në shoqëritë totalitare staliniste,
por thelbin e marrëdhënies intensive me tjetrin, nga del në pah një subjekt i
caktuar i privilegjuar, një lloj "uni" transcendental. Dhe ky “unë”
transcedental ishte Rugova. Ai e njihte mirë mendimin filozofik perëndimor,
veçanërisht atë francez, andaj vepra e Aronit “Demokracia dhe Totalitarizmi” e
ka shtyrë natyrshëm që herët (që nga zgjimi i vetëdijes nacionale të protestave
me 1968) tek dilema alarmuese ekzistenciale, se çfarë do të zgjedhë:
demokracinë apo totalitarizmin? Nuk bëhet fjalë për zgjedhje të rrafshit
individual, por për konfrontim të hapur e refuzues gjithëpopullor me
totalitarizmin e shumëfishtë ideologjik e nacional serb - e gjitha nën kushtet
e një horizonti të mbyllur, një rrethi vicioz të terrorit nacional, ku liritë
likuidohen me shpejtësi dhe mprihet thikat për kasaphanën ballkanike. Si t’ia
bëje me përballimin e dëshpërimit? Ka një dialog të Jupiterit me Orestin në
dramën “Mizat” të Jean-Paul Sartre:
“Jupiteri:
- Çfarë duhet të bëjmë me dëshpërimin?
Oresti:
- Sido që të jetë: ata janë të lirë, jeta e vërtetë njerëzore fillon në anën
tjetër të dëshpërimit”.
* * *
Rugova
vazhdon të përmbahet, të zotërojë qartësinë njëlloj, si në ditën e themelimit
të LDK më 23.12.1989, si ndaj presioneve (kujtohet thënia “Kryet mund t’ma
ndërroni, mendjen s’ma ndërroni!”) , si gjatë luftës dhe bombardimeve: ai
mbetet si ai adresati epiko-lirik i Kiplingut:
If
you can keep your head when all about you
are
losing theirs and blaming it on you
if
you can trust yourself when all men doubt you
but
make allowance for their doubting too;**
por,
s’kemi të bëjmë këtu aspak me një pozicion idealist. Rugova i ka bërë llogaritë
tejt të esëllta e realiste dhe ka përsiatur shumë kohë rreth tyre. Dhe kur
intervistuesit e provokojnë këtë qetësi e qartësi botëvështrimi, ai u
përgjigjet: “...në Ballkan, të gjithë jemi të vegjël. Edhe serbët. Janë gjashtë
a shtatë milionë shqiptarët, gjashtë a shtatë milionë serbë, nëntë milionë
bullgarë, dhjetë milionë grekë. Do kuptuar se të gjithë ne jemi të vegjël,
duhet të bashkëpunojmë, të jemi miq nesër, të integrohemi, secili aty ku është.
Kjo nuk është tragjedi” . Kur përgjigjet me kaq qartësi, vazhdon të pijë shumë
duhan, të bëjë sipas rastit, humor të zi kur flet për ndëshkimet serbe. Rrëfen
sesi “dënimet serbe përfshijnë edhe pemët, të cilat priten në rast se trupi i
tyre formon një “V” të fitores”… Dhe padyshim, thotë disa të vërteta
paradoksale, si: “Ata e kanë pushtetin,
ne autoritetin”; “populli pa dyshim më i shtypur i ish Jugosllavisë krijoi
njeriun më të lirë” ; “rrallë në historinë tonë kemi qenë kështu të bashkuar”;
“në sajë të organizimit tonë, ia kemi dalë që terrorin ta “banalizojmë”
ngapak”; “Në dimër të madh macja e miu flenë bashkë”!
* * *
Enveristët
shqiptarë nuk ia falin Rugovës as edhe pas vdekjes dhe hedhin baltë mbi të në
gjoja ditarët e tyre qesharakë e të stisur . Kësi literature të ulët, shpifëse
e përlyese mund ta ndeshësh në rrjete sociale apo libra të sponsorizuar,
sidomos në mërgatë e diasporë.
Si
duket këtë kategori të pandryshueshme komunistësh fanatikë ka parasysh edhe
françeskani i madh i mbramë, At Zef Pllumi, kur shprehu vlerësimin e tij ditën
kur Ibrahim Rugova u largua për në përjetësi:
“Ibrahim
Rugova u sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u
luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin
europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai
ishte ma i dituni e ma i urti i të tanve…”.
---------
* Fragmente të një eseje
të gjatë në dorëshkrim mbi Ibrahim Rugovën. (Fragmentet hidhen me rastin e 80
vjetorit të Rugovës).
** Në munç të mbash në
kokë terezinë
Kur shokët çmenden dhe
fajtor të nxijnë;
Në munç të kesh besim,
kur të dyshon
Kushdo, dhe s'ka njeri
që të beson;
(sipas
përkthimit të F.S. Nolit)