Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Përmendorja e Gjergj Kastriotit në Tuz
E marte, 03.12.2024, 06:58 PM
PËRMENDORJA E GJERGJ KASTRIOTIT - SKENDERBE NË TUZ TË MALËSISË SË MADHE
Mbrojtësit
t’Atdheut e të Qytetrimit Europian
NË
KUADËR TË 112-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Nga
Frank Shkreli
Dy vjet më parë ishte njoftuar nga
Kuvendi Komunal i qytetit të Tuzit në Mal të Zi, miratimi i vendimit për të
vendosur në Tuz të Malësisë së Madhe, përmendoren e Heroit të shqiptarëve,
Gjergj Kastriotit -Skenderbeut. Vendimi i para dy viteve nga Komuna e Tuzit u
bë realitet ditën e 28 nëntorit, 2024, të Pavarësisë së Shqipërisë. Shtatorja e Heroit Kombëtar dhe të
përgjithmonshmit të shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skenderbe u vendos në qëndër
të komunës Tuz, ku morën pjesë qindra qytetarë të Malit të Zi, nga trojet
mbarëshqiptare dhe përfaqësues të mërgimtarëve nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, njoftoi Ali Salaj, korrespondenti i Zërit të Amerikës në gjuhën
shqipe në një raport nga Malësia e Madhe.
Me këtë rast, Zëri i Amerikës, citon njërin prej nismëtarëve të
vendosjese së shtatores të Heroit Kombëtar në Malësi të Madhe, nënkryetarin
aktual të Parlamentit të Malit të Zi, Zotit. Nikollë Camaj, të jetë shprehur se
Gjergj Kastrioti do të rrijë krenar përballë Bratilës së Ded Gjon Lulit, ku
gërshetohet me përpjekjet e Malësisë ndër shekuj për ta arritur lirinë
kombëtare: “Kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për Malësinë”, është shprehur
Nikollë Camaj, “por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Kemi Gjergj
Kastriotin- Skenderbeun përballë Bratilës ku, u ngrit flamuri, për herë të
parë, pas vdekjes së kryetrimit të Kombit shqiptar. Është, vërtetë, një gjë e
madhe dhe dua të falenderoj çdo njerin që ka vendos qoftë edhe një guralec në
këtë projekt madhështorë”, ka thënë Zoti Camaj për Zërin e Amerikës. Ndërsa, Kryetari
i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, vuri në dukje se
inaugurimi i përmendores në Tuz rithekson vlerat e Gjergj Kastriotit si një
udhërrëfyes i kombit shqiptar, krye-hero dhe frymëzimi i qëndresës së tyre. “Për shqiptarët në Malin e Zi është një ditë
shumë e rëndësishme dhe me rëndësi historike për për ta, të cilët rrezikohen
nga asimilimi. Simbolika e inagurimit të bustit në Malësi është një shenjë e
zhvillimit të shqiptarëve dhe përforcon bashkimin rreth identitetit dhe vlerave
kombëtare për të cilët ne jemi krenar”, ka thënë Z. Faik Nika.
Në përurimin e shtatores së Gjergj
Kastriotit -Skenderbe në Tuz ishin të pranishëm shumë mërgimtarë shqiptaro-amerikanë
të larguar nga ato troje shekullin e kaluar dhe gjatë dekadave të kaluara.
Ishin malësorët mërgimtarë të atyre trojeve shekullore, ata të cilët mbuluan
financimin dhe shpenzimet për ngitjen e këtij monumenti madhështor mu në
sheshin kryesor të Tuzit, në qëndër të Malësisë së Madhe. Për Zërin e Amerikës
foli edhe përfaqësuesi i shoqatave të mërgimtarëve në SHBA, Zoti Ndrek Gjolaj.
Ishin ato organizata e shoqata të malësorëve që kontribuan për ngritjen e përmendores.
Ndrek Gjolaj e cilësoi vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në Tuz, “si
një festë të madhe për shqiptarët kudo që janë”, duke uruar: “Gëzuar Malësisë
dhe mbarë malësorëve kudo që janë përmendoren e Gjergj Kastriotit që po
vendoset sot dhe ta gëzojnë brez pas brezi”, është shprehur për VOA-n shqip, Zoti
Gjolaj, kryetar i Shoqatës Malësia e Madhe në Detroit.
Dita e ngritjes së shtatores së Gjergj
Kastriotit-Skenderbe në qëndër të Malësisë së Madhe ishte vërtetë një ditë
solemne, jo vetëm për shqiptarët nën Malin e Zi, por për mbarë shqiptarët e
“gjakut të shprishur”, pa dallim e kudo që jetojnë, anë e mbanë botës. Përfaqsues
të gjithë atyre, atje të mbledhur në Tuz për të nderuar figurën e madhe, të
gjitha kohërave, të Heroit legjendar të shqiptarëve. Ishte një ditë që kujton
krenarinë e shqiptarëve ndaj një të kaluare të lavdishme të historisë së tyre,
por edhe një rast për të qenë shpresëdhënës për të ardhmen e shqiptarëve në ato
troje që, për fat të keq, po zbrazen dita ditës, për arsye të politikave anti-shqiptare
vendase të udhëhequra nga politikat e koridoreve antishqiptare në Beograd e
Moskë. Por ajo që na shqetëson edhe më
shumë në këtë mes, është arroganca zyrtare dhe mungesa e politikave
bashkrenduese kombëtare të udhëhequra nga Tirana e Prishtina zyrtare, të pakën
për të krijuar sadopak kushtet – politike dhe ekonomike--për shqiptarët që përballen
me asimilim -- dhe për të ngadalësuar largimin biblik të shqiptarëve nga trojet
e veta – të përmasave që mund të thuhet se nuk ka ndodhur ç’rej kohës së Gjergj
Kastriotit -Skenderbe.
Megjithë këtë klasë politike aktuale të
papërgjegjëshme – politikisht dhe kombëtarishit, zhgënjyese dhe arrogante
përball krizave kombëtare -- anë e mbanë trojeve shqiptare -- urdhri nga bronzi
i shtatores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Tuz të Malësisë së Madhe që u
përurua në Ditën e Madhe të Pavarësisë së Shqipërisë pak ditë më parë, bën
thirrje për bashkim. Sepse bashkimi kombëtar, me një mendje e një qëllim -- mbi
të gjithë përçarjet dhe ndasitë midis shqiptarëve ishte dhe mbetet sot e
përgjithmonë, synimi kryesor i Gjergj Kastriotit për të ardhmen e shqiptarëve,
për bashkim. Gjergj Kastrioti në Tuz të Malësisë së Madhe, “U porosit të rinjve
të Shqipërisë: urdhri fillon nga bronzi, afrohuni të rinj
dhe shtrëngoni duart fort me të moshuarit, me të moshuarit, për një betim të
përbashkët që është nderim për të vdekurit dhe mbrojtje të të gjallëve. Pa këtë takim mes jush dhe të moshuarve, do të kishte një
përplasje qytetërimesh. Mos harroni se agimi i së
nesërmes do të lindë, sepse agimi i sotëm ka ardhur. Ka vlera të pavdekshme
në jetën e njerëzve. Para syve tanë është i gjithë
skenari kalimtar në të cilin njerëzimi kryen tragjedinë e madhe të palingjenezës
së tij, në të cilën njerëzimi duket se ushqehet me gjak. Në skenën kalimtare, ndër imazhet që mbeten të patundura në dritën
e historisë është ajo e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me ëndrrën e tij të madhe
për një atdhe të ringjallur, me sytë plot vizione tragjike dhe ogure të paepur.
0 popull i Shqipërisë, bujar! Njerëz të fortë, ju i keni dhënë njerëzimit, një
nga heronjtë më të shkëlqyer të të gjitha kohërave… Si atëherë ai fluturon
drejt vendit të fëmijërisë së tij të hershme, tokës së ëndrrave të tij shpresat
e tij, dhe ai e kthen flamurin e tij në tribunat e Krujës…pranon edhe sot si
funksionin e atëhershëm të qytetërimit perëndimor, ai që kishte kuptuar fatet historike të popullit të tij: ai e kuptoi se
Shqipëria i përkiste Perëndimit…”. (Gennaro
Cassiani: Orazione (Ligjëratë) – Me rastin e festimeve kastriotjane në
500-vjetorin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, Romë, 1968).
Nga Tuzi i Malësisë së Madhe, Gjergj
Kastrioti-Skenderbe u bën thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë që të
mbrohet identiteti kombëtar dhe vlerat pro-perëndimore të shqiptarëve, ashtu
siç i mbrojti ai për të pakën një çerek shekulli, 500 e ca vjet më parë – me vizionin,
nderin, burrërinë dhe trimërinë e Skenderbeut – simbolit historik të kohezionit
evropian dhe pan-shqiptar?!
E kam thenë dhe vazhdoj
të them se për shqiptarët sot, vlerat e Gjergj Kastrioi -Skenderbe nuk gjënden
as tek Putini e Vuçiqi dhe as tek Erdogani. Popujt që këta pëprfaqsojnë sot,
historikisht, kurrë nuk i kanë dashur të mirën Kombit shqiptar. Ashtu është
edhe sot. “Udhëheqësit” aktualë të shqiptarëve që pretendojnë “vlerat e
përbashkëta” me Perëndimin demokratik, në të vërtetë kanë treguar me sjellje
dhe me vepra se, e ndjejnë veten më rehat në shoqërinë e Erdoganit, Vuçiqit dhe
Putinit, se sa me vlerat e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbe. Kombi
shqiptar nuk ka nevojë të kopjojë vlerat as identitetein e askujt kombëtar.
Shqiptarët kanë vlerat dhe identitetion e vet, kanë simbolin e vet përbashkues
dhe përfaqsuesin e vërtetë të njohur nga e gjithë bota -- të vlerave
perëndimore: Gjergj Kastriotin- Skënderbeun. Shqiptarët nuk kanë
nevojë për shëmbëlla liderësh autoritarë, arrogantë që mbjellin vetëm vdekje
për popujt e vet dhe për tjerët.
Por me vendosjen e
shtatores së Gjergj Katriotit- Skenderbe në Tuz të Malësisë së madhe, malësorët
e sotëm kanë zgjedhur rrugën e Skenderbeut dhe të vlerave dhe trashëgimisë së
tij, për të gjithë shqiptarët, qoftë në Shqipëri, Kosovë e mbarë trojet tona
ashtu edhe në mërgim. Me ndihmën e tyre, të pakën mërgimtarët malësorë në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përpiqen, që simbolikisht, të pakën me një
monument kushtuar atij, të mbajnë fjalën dhe amanetin e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut:
të besës, nderit, bashkimit e të burrënisë, duke kujtuar Kryetrimin,
shtet-ndërtuesisn dhe të përgjithmonshmin e shqiptarëve.
Për fat të keq, indiferenca zyrtare shqiptare ndaj figurës dhe
vlerave të Gjergj Kastriotit-Skenderbe po kërcënon drejtimin kastriotjan,
pro-perëndimor të shqiptarëve, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të
krenohet para botës së qytetëruar kudo që gjëndet fisi i shqiptarit: në trojet
shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Sot e tutje, Gjergj Kastrioti
edhe nga Tuzi i Malësisë së Madhe, ashtu siç bën nga prania e tij në Evropë e
deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerat e tija pro-perëndimore,
Skenderbeu vazhdon t’u tregojë shqiptarëve kudo, rrugën që duhet ndjekur – se
Ai duhet të jetë, jo vetëm, simbol i vlerave dhe kohezionit evropian – por edhe
një simbol i përgjithëmonshëm i kohezionit, vlerave dhe identitetit kombëtar i mbarë-shqiptarëve,
pa dallim!
Shtatorja e Gjergj Kastriotit -Skenderbe në qendër të Tuzit, Malësi e Madhe