Kulturë
Hamdi Hysuka: Takim historiko-letrar i Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
E diele, 01.12.2024, 06:55 PM
Takim historiko-letrar i Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
Nga
Hamdi Hysuka
Për të nderë të 80-vjetorit të çlirimit
të atdheut, 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 2-vjetorit të themelimit të
Shoqatës, BShASh "Zëri i mërgimtarit", me mbështetjen e Komunës Novara,
sektori i Kulturës, që drejtohet nga zonja Benedeta Baraggioli, në bashkëpunim
me sektorin e Muzeut, me drejtuese znj. Nikoletta Puricelli, më 24 nëntor 2024
organizoi në sallën solemne "Arengo Sotto Museo" të Novarës, takimin
solemn historiko-letrar me temë: “Në nderim dhe përkujtim të lirisë".
Merrnin pjesë artistë, aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, recitues,
drejtues të Shoqatave Kulturore Artistike, diplomatë, familjarë e të ftuar.
Siç është traditë, veprimtaria filloi
me krenarinë e dy shteteve, himin shqiptar dhe himnin italian. E para
mirëseardhjen në Novara na e uroi mederatorja e mirënjohur, Etleva Rrapa.
Ndërsa me fjalë përshëndetëse u paraqit kryetarja e BShASh "Zëri i
mërgimtarit", znj. Trandafile Molla (Baja). Së pari, ajo falenderoi poetët
e poeteshat e ardhur nga të gjitha anët e atdheut dhe diasporës: piktorë e
skulptorë, muzikantë e instrumentiste, valltarë e këngëtarë; artisten
internacionale znj. Aksinje Xhoi, aktorin internacional Antonjo Gjonaj,
skulptorin internacional z. Ilirjan Xhixha me bashkëshorten, piktoren znj.
Ilira Xhixha; shkrimtaren Angela Kosta dhe fabulisten e fëmijëve me banim në
Angli, znj. Alma Mehmeti; poeten Afërdita Podvorica dhe të gjithë
bashkatdhetarët, pjesëmarrës të veprimtarisë poetike në nderim të datave
historike të kombit tonë. Fjala e kryetares u përqëndrua në festën e flamurit,
simbol i nderit, identiteti kombëtar shqiptar, frymëmarrja e çdo atdhetari.
Pastaj vijoi me periudhën e LANÇ, e cila nuk mund të kuptohet pa pjesëmarjen
dhe forcën madhore të nënave e grave aktiviste shqiptare, pa ndihmën e rinisë
shqiptare dhe të pionierëve që mes flakëve të batares, rriteshin e
burrëroheshin para kohe.
-Le të dalë nga kjo vatër e ngrohtë,
nga kjo ndërtesë antike e hershme, kulturale; -theksoi ajo, -urimi i zjarrtë
për atdheun tonë të dashur dhe gjithë popujt: Paqe! Ta gëzosh, Atdhe,
80-vjetorin e lirisë dhe ndër shekuj flamurin kuq e zi! Shqipëri, festofsh
gjithmonë e lumtur dhe në qiellin tënd të kaltërt pa ré, të valojë i lirë
simboli i flamurit kuq e zi! Në vazhdim jehoi kënga shqiptare, e cila vlerat
kombëtare i ngre lart me vargjet:
Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj,
për këto male, për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.
-Kam kënaqësinë t'ju përshëndes në emër
të LShK-së, -tha në fjalën e tij gjatë hapjes së Orës poetike "Shqipëri,
zemra jonë", prof. dr. Shyqri Galica, ndërsa manifestimit i uroi realizim
dinjitoz, i cili u zhvillua me përkushtim dhe shtrirje të gjerë kombëtare e
kulturore. Manifestimi i 24 Nëntorit pa dyshim ka rëndësi të veçantë për
kombin, sepse këto festa gjithmonë na kanë bashkuar dhe na kanë bërë krenarë
për rrjedhat e tyre. Ju shpreh urimet me rastin e festave tona kombëtare dhe
uroj pjesëmarrësit që të kalojnë çaste të këndshme me këtë program shumë të
pasur artistik.
Në vazhdim z. Galica i njohu të
pranishmit me vlerat letraro-artistike të vëllimit me poezi të zgjedhura
"Shqipëri, zemra jonë!". Siç shkruan në parathënie publicisti, shkrimtari
dhe studiuesi Ndue Dedaj, gjithmonë është bukur kur poetët mblidhen për të
shqiptuar para njëri-tjetrit poezitë e tyre, si në një festival muze. Aq më
shumë kur kjo ndodh në një vend të huaj, në këtë rast Italia. Edhe në mos paçin
poezitë gjithnjë figurshmërinë e duhur artistike, kanë shpirtin shqiptar që
vibron në vargje, duke të kujtuar dashurinë e rilindasve tanë të mëdhenj për
Shqipërinë. Në këtë kuptim poezia që i kushtohet Atdheut është përherë e
freskët, iluminuese, drithëruese. E tillë vjen dhe përmbledhja poetike "Shqipëri,
zemra jonë!", me zëra poetikë nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, ku
kemi në emigrim aq shumë poetë. Në këtë botim të BShASh "Zëri i
mërgimtarit", mbizotërojnë poezitë kushtuar Atdheut, Shqipërisë, Kosovës,
Çamërisë, Preshevës, Tomorit, Rozafès, Reçakut, Lirisë, Pavarësisë,
Skënderbeut, Nënë Terezës, Norës e Shotës, Nolit dhe Çerçiz Topullit, siç janë
të ndjera poezitë për poetët martirë Blloshmi e Leka etj, poezi ku rroket
gjithë përjetime e përsiatje e djeshmja dhe e sotmja, flamuri dhe heroizmi,
stinët dhe motet, vendlindja dhe lapidarët, plisi e guri, lumi dhe deti, qyteti
dhe fëmijëria, kitara dhe simfonia, njeriu dhe fjala, gruaja dhe dashuria,
amaneti dhe iluzioni. Motivet e atdheut askund nuk gjallijnë më shumë se në
këto fletë. Dhe janë aq shumë gra dhe vajza në këtë libër që thurin vargje për
atdheun, jetën, dashurinë.
Në sallë u ngjit dibrani Nehat Marku,
me banim në Perugia, mësues i gjuhës shqipe, president i Lidhjes së Mësuesve
Shqiptarë në Itali, kryetar i Shoqatës Atdhetare "Ilirida" në
Foligno, i cili me kënaqësinë dhe privilegjin që ndodhej mes poetëve e të pranishmëve
të tjerë në sallë, recitoi vargje të shkodranit Vinçens Prendushi,
ish-folklorist, poet, publicist e përkthyes.
Pas recitimit të tij plot ndjenja,
fjalën e mori z. Myrteza Mara, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve "Petro
Marko" Vlorë, i cili u ndjé i nderuar dhe i emocionuar, që ndodhej në këtë
veprimatri në nderim të jubileut të tetëdhjetë të çlirimit të Atdheut dhe 112-
vjetorit të Festës së Flamurit, ditës së shenjtë të Pavarësisë. Duke
falenderuar nismëtarët, veçanërisht znj. e nderuar Trëndafile Molla (Baja) për
këtë organizim të përsosur, vazhdoi se të ndërmarrësh nisiativa të tilla është
përgjegjësi, është seriozitet që kërkon ide, mbi të gjitha pasion, vizion, punë
dhe vetëm punë. Atdheu feston jubileun e 80-të, i cili është gëzimi, keranria e
gjithë shqiptarëve, kudo në botë. Me qirinjtë e ndezur, mbi tortën e urimit, me
këngë shpirti të gjithë brohorasim: Gëzuar jubileun e çlirimit, atdheu ynë i
shtrenjtë!
Ndër të tjera theksoi se Nëntorët tanë
janë të kuq si gjaku i dëshmorëve, janë themel historie, sepse më 28 nëntor
1912 u lidh besa e madhe me Plakun e urtë, folozofin dhe mendjendriturin Ismail
Qemali. Nëntorët tanë janë diell mbi kështjellën e lavdisë të kombit, ku
shqiponja rreh krahët në fluturim.
Në intermexon muzikore me klarinetë
instrumentisti Emir Koni interpretoi pjesë të shpirtit dhe të kulturës
shqiptare. Veprimtaria vazhdoi me recitime poezish të zgjedhura nga nxënëset e
shkollës shqipe "Ardhmëria" Rijalda Sadiku dhe Rijana Humolli, me
urimin: "E gëzofshim Pavarësinë gjithmonë me një gjuhë e një
flamurë!"
Poeti Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit
letrar "Pjetër Budi" Mat, gjatë fjalës së tij tha se në historinë e
popullit tonë ngjarjet më të mëdha kanë ndodhur në nëntor. Historikisht, më 28
nëntor 1443 Gjergji i Gjon Kastriotit ngriti në bedenat e Krujës flamurin e kuq
me shkabë dykrenore, duke ligjëruar fjalët simbolike: "Lirinë nuk e solla
unë, atë e gjeta mes jush"... Kaluan 469 vjet robëri dhe errësirë osmane,
derisa më 28 Nëntor 1912 Plaku i Shqipërisë, Ismail Qemali, ngriti në Vlorë
flamurin e kuq po me shqiponjë dykrenore, i cili u bë flamuri i kombit tonë të
përbashkët dardano-arbëror, i përjetësuar "Nëntori i Dytë". Dhe pas
atij viti kaluam dallgë të mëdha, aq sa Konferenca e Londrës e viti 1913 na
sakatoi, na mori kryeqendrat Prizren, Dibër, Gjakovë e Strugë, për t'ia kaluar
Serbisë. Por pas pushtimit fashist më 7 prill 1939, si popull, arritëm
organizimin më të madh mbarë popullor "pa dallim feje, krahine e
ideje" dhe më 17 nëntor 1944 çliruam Tiranën, ndërsa më 29 Nëntor të atij
viti u arrit çlirimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë. Ishin partizanët tanë
ata që si komb na radhitën midis fitimtarëve të mëdhenj antifashistë. Një
tjetër Nëntor fitimtar erdhi për Shqipërinë, Nëntori IV, 8 Nëntori i vitit
2010, dita kur u vendos që dhe ne shqiptarët të lëvizim lirshëm nëpër vendet e
Bashkimit Evropian, pa vizë e pa pengesa.
Mes emocioneve të shumta moderatorja
Etleva Rrapa, e lindur për moderime aktivitetesh të mëdha, siç e cilëson poeti
Agim Bajrami, ftoi në skenë një nga gratë më heroike, më humane të popullit
shqiptar e kudo në diasporë, znj. Flora Brovina: mjeke, poete, artiste dhe
partiote. Pyetjes për një mesazh të saj si mjeke, ajo iu përgjigj:
-Të shërojmë plagët e së kaluarës!
Ndërsa si artiste për gjithë shqiptarìnë dha mesazh zemre: "Gruaja
shqiptare ka zemër të madhe. Ajo është heroinë"! Pastaj nga krijimtaria e
saj poetike recitoi poezinë "Atdheu", kushtuar festës sonë më të
madhe, ditës së Flamurit, UÇK-së dhe komandantit Adem Jashari. Mes emocionesh
dhe duartrokitjeve znj. Flora Brovina iu dorëzua statuja e qëndresës heroike.
Më pas, zv. kryetari Myftar Gjonbalaj,
u ndal në historikun e krijimit të BShASh "Zëri i mërgimtarit", kur
shkrimtarë dhe artistë shqiptarë, larg atdheut, më 6 nëntor 2022, me dëshirë
themeluan bashkimin e tyre në Novara. Gjatë dy viteve janë zhvilluar veprimtari
me promovime librash, ekspozita të artit figurativ, përkujtime të datave
historike etj. Për t'u theksuar është botimi i dy përmbledhjeve poetike me
poezi të zgjedhura: "Zëri i mërgimtarit" dhe "Shqipëri, zemra
jonë". Duke u ndalur në disa nga vlerat e bashkimit të talenteve në poezi
dhe art figurativ në pikturë e skulpturë, zv. kryetari tha se, edhe pse në mërgim,
atdheun ata e kanë të parë, të pandarë në frymëmarrje, në varg dhe ide.
Me interes u prit fjala e kryetarit të
Shtëpisë së Shkrimtarëve Durrës, poetit Agim Bajrami, i cili tha se duke ardhur
nga Durrësi në Novara, në përfytyrimet e tyre forcohej mendimi se këtu gjejmë
një grupim të fuqishëm shqiptarësh, grupim i mrekullueshëm artistësh, poetësh
dhe aktivistësh të çeshtjes sonë kombëtare. Nuk ka gjë më fisnike kur, fëmijëve
që lindin përtej bregut, përtej deteve tanë, t'u m?kosh çdo ditë gjuhën e bukur
shqipe, ku fjala e saj tingëllon me gjuhën e nënës. Me këtë rast ai falenderoi
kryetaren Trandafile Molla (Baja), e cila "Zërin e mërgimtarit" e ka
thyer në një tribunë të fuqishme ku gjemon fjala dhe mendimi i madh shqip,
tribunë ku mblidhen vëllezërit e gjuhës sonë të përbashkët dhe korifejt e
gjuhës së bukur poetike. Sipas tij, një nga vlerat më të mëdha të BShASh
"Zëri i mërgimtarit" është fakti që, edhe pse larg atdheut, mbetemi
si një familje e madhe, që nuk ka burrë të na ndajë. Në mbyllje z. Bajrami
përshëndeti auditorin me poezinë "Zemra jonë e përmalluar", e autores
Trandafile Molla (Baja). Pastaj në emër të Shtëpisë së Shkrimtarëve Durrës, për
vlerat e saj të pakontestueshme, për aktivitetin e saj të palodhur, si dhe për
vëllimet e saj poetike, i dha Certifikatë mirënjohjeje me motivacion: "Për
vlerat e spikatura letrare, kontributin e rëndësishëm në promovimin dhe
përhapjen e zërit dhe kulturës shqiptare në Diasporë".
Të tjera emocione dhuroi takimi në
skenë me artistin internacional të kinematografisë shqiptare, aktorin dhe
regjisorin z. Anton Gjonaj. Por surprizë e bukur ishte një zonjë e thjeshtë,
malësore, Mimozë Kurtulaj, e cila me fjalë të parë tha se ndjehej krenare që
është shqiptare. Mes emocionesh ajo tregoi se malësia ka shumë tradita, nga të
cilat veçoi xhubletën, veshje për nënat dhe gratë malësore.
Një mik i shtrenjtë nga trojet
kosovare, i mbijetuari i luftës së Kosovës, gazetar, aktivist, maratonomak,
sfidues i majave të maleve, Maxhun Smalji, u ngjit në skenë.
-Shumë prej jush, -u shpreh i
emocionuar, -syri, zemra dhe mendja ime ju ka kërkuar, ndaj gëzohem që ju shoh
këtu dhe ju përshëndes një nga një.
Në vazhdim moderatorja ftoi në skenë
poetët e pranishëm: Fatmir Neli, Eda Miri, Bajrush Hazizi, Vladimir Muça, Fali
Ndreka, Raffaele Iacaruso, Lumo Kolleshi, të cilët recituan poezi të zgjedhura
nga krijimtaria e tyre. Ndërkohë poeti Fatmir Neli emocionet e sallës i
zhvendosi në Mat, në vendlindjen e Pjetër Budit, aty ku ushtron veprimtarinë
Klubi letrar "Pjetër Budi". Për këtë kuvend krijuesish dhe artistësh
shqiptarë në të dy brigjet e Adriatikut, në emër të letrorëve të klubit solli
përshëndetjet më të ngrohta.
Daljen në skenë për të përshëndetur e
kërkoi dhe emigranti martaneshas, Shefqet Jashkuri, me punë e banim në Gjenoa.
Por takimi me fabulisten nga Anglia, znj. Alma Mehmeti dhe kënga e vajzës së
saj, Sara Kaso, kushtuar gjysheve, ia la radhën vlerësimeve. Për merita në
fushën e letërsisë kombëtare shqiptare, të kulturës e të artit shqiptar, për
kontributin e dhënë me poezi në vëllimin "Shqipëri, zemra jonë!", në nderim
të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, 112-vjetorit të Pavarësisë dhe
2-vjetorit të themelimit të Shoqatës së BShASh "Zëri i mërgimtarit"
ndau Çmimet letrare "Jeronim de Rada", "Ibrahim Kodra",
"Aleksandër Moisiu" etj.
Hamdi Hysuka,
Klubi letrar
"Pjetër Budi" Mat