Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shpallja e Pavarësisë, akt me rëndësi historike
E merkure, 27.11.2024, 06:58 PM
SHPALLJA E PAVARËSISË - AKT ME RËNDËSI HISTORIKE
112-vjetori
i shpalljes së pavarësisë
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u
paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur
përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se
se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në kuadrin
e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan
ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe greke
kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes
shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali
deklaroi në Trieste se “...sapo të
mbërrinte në Shqipëri do të shpallej pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e
përkohshme...”. Në Vlorë tanimë ishte formuar komisioni për përgatitjen e
mbledhjes së kuvendit kombëtar. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën
në Durrës më 21 nëntor 1912. Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në
qytetet flamurin kombëtar. Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të
ndihmuar nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të
Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej
kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në
Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi
kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur ... “ shkruan Ismail Qemali në
kujtimet e tij.
Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u
dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i
mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë
ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor
Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe
Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27
nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen
kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi
Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u
shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të
gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Delegatët të Kuvendit ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni
Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga
Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati: Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani,
Babë Dud Karbunara; nga Skrapari: Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga
Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola, Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra,
Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu, Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe
Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti,
Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom
Nikollë Kaçorri; nga Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal
(apo Xhemal) Deliallisi, Ymer Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa
Merlika-Kruja; nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish
Biçaku; nga Peqini: Mahmud Kaziu; nga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi;
nga Gjirokastra: Azis Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova,
Petro Poga, Jani Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora;
Tepelenë: Feim Mezhgorani; nga Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga
Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga
Delvina: Avni Delvina; nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga
Pogradeci: Hajdar Blloshmi; nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep
Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka, Mid’hat Frashëri, Mehmet pashë Derralla
(i Tetovës), Isa Boletini, Riza Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel
Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia shqiptare e Bukureshtit: Dhimitër Zografi,
Dhimitër Mborja Emanuel, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.
Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më
29 nëntor. Për shkak të rrethanave të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan
Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun
e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua
nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e
Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë
serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare
mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për
t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të
gjitha viset shqiptare.
KUVENDI KOMBËTAR I VLORËS - Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga
28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi mori vendime që ndërlidheshin me
hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen ndërkombëtare të tij.
Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia. Duhej caktuar një përfaqësues
që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Detyrë parësore
ishte njohja e pavarësisë.
Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin, ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në rrethanat e krijuara
nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga
Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan
dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë
e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë
përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit. Oratorët
atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj.
me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
* * *
Në shpalljen pavarësisë
morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua nga 40
delegatë. Pas shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Vlorës formoi qeverinë e
parë të Shqipërisë së pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Pjesën në gjuhën shqipe të deklaratës e hartoi Luigj
Gurakuqi. Deklaratën e shkroi Shefqet Dajiu. Deklarata është e shkurtër dhe
është shkruar me dorë. Deklarata e Pavarësisë ka këtë përmbajtje:
“Në
Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetari
Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria,
të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e
lirë e mosvarme”.
Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë kanë qenë:
Ismail Qemal Vlora (1844-1919) - Ngriti flamurin në Vlorë. Kryetar i
Qeverisë së Përkohshme, ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator. Më 28 nëntor,
ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë.
Nënshkroi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”.
U zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të
shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar
1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të
Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të
dyshimta më 24 janar 1919.
Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917) - Klerik i lartë, atdhetar dhe
veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në lëvizjen politike, kulturore dhe
kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit të viteve 1905-1907, hyri si
ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte
gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e
Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të
Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Deklaratën e Pavarësisë
e nënshkroi me siglën ”Kaçorri“.
Vehbi Dibra Agolli (1867-1937) - Klerik i lartë, veprimtar i lëvizjes
kombëtare shqiptare. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, mbështeti
alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912, në
krye të delegatëve të Dibrës, mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u
zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes
shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920
mbështeti përpjekjet për rimëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur
shqiptar.
Jorgji Karbunara (Bab Dud
Karbunara) (1842-1917) - Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes
Kombëtare. Punoi për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Në Kuvendin Kombëtar
të Vlorës ishte përfaqësues i Beratit. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën ”J. Karbunara“. Në këtë Kuvend, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.
Elmas Boçe (1850-1925) - Në vitin 1880 mori pjesë në
organizimin e degës së Lidhjes së Prizrenit në Gjirokastër. Ndihmoi në hapjen e
shkollës shqipe të Gjirokastrës “Liria”.
Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me
siglën ”Elmas Boce”
Qazim Kokoshi (1882-1945) - Veprimtar për përhapjen e gjuhës
shqipe, atdhetar, njeri me pikëpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në
Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin e
Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921
u zgjodh deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Regjimi komunist e
arreston dhe burgos. I izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.
Jani Minga (1872-1947) - Veprimtar i shkollës shqipe, i
Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike të viteve 1920-1924. Ishte ndër
nismëtarët e hapjes së klubit patriotik ”Labëria” dhe i shkollës së parë shqipe
në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin
e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”J. Minga”.
Rexhep Mitrovica (1888-1960) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare,
intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës
mori pjesë si delegat i Pejës. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së
Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit
“Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh senator i Kosovës në Këshillin
Kombëtar të Lushnjës.
Dhimitër Tutulani (1875-1937) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në
nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin
1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit. Në vitin 1920 - delegat në
Kongresin e Lushnjës. Në vitin 1925 ushtroi detyrën e kryetarit të Bashkisë së
Beratit.
Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në
vitet 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si
Dom Nikollë Kaçorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me
delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë – si delegat i Durrësit - në
mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me
siglën “Abas Dilaver”.
Shefqet Dajiu (1882-1946) - Veprimtar i përhapjes së gjuhës
shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si
përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e
nënshkroi me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 ishte deputet i
Elbasanit në parlamentin shqiptar. Në vitin 1945 arrestohet. Vdes në burg në
vitin 1946.
Xhelal Koprencka (1876-1919) - Nismëtar për hapjen e shkollave
shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi.
Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e
firmosi me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.
Hajredin Cakrani (1860-1940) - Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi
ngushtë me klubet atdhetare ”Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. Delegat i
Mallakastrës në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Hajredin Cakrani”.
Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.
Iljaz Vrioni (1882-1932) - Nënkryetarit i Lidhjes së Prizrenit,
deputet, ministër, kryeministër. Delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës.
Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920
zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë
kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si ministër i Jashtëm, ministër i
Plotfuqishëm i Shqipërisë në Paris.
Murad Toptani (1867-1918) – Poet dhe publicist. Delegat i Tiranës
në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e
Pavarësisë e firmosi me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së
Vlorës, kushëriri i tij, Esat pashë Toptani, ia dogji shtëpinë dhe gjërat që
ndodheshin brenda si: librat, korrespondencën, antikuarë.
Luigj Gurakuqi (1879-1925) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare,
ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e
Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar Komisioni për njësimin e alfabetit.
Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës. Bashkë me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin
e Greçës ose “Librin e Kuq” (1911).
Memorandumi i hartuar shqip dhe frëngjisht, përmbante 12 kërkesa për vendosjen
e një vilajeti shqiptar autonom brenda Perandorisë Osmane. Më 1912 ishte ndër
organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Përfaqësues i Shkodrës në
Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Luz
Gurakuqi“. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i
delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin
Kombëtar. Përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër
i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari të Italisë më 2 mars 1925.
Spiridon Ilo (1876-1950) - Atdhetar. Shoqëroi Ismail Qemalin në
udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
“Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në
luftimet kundër shovinistëve grekë.
Thanas Floqi (1884-1945) - Jurist, veprimtar i lëvizjes
kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes. Deklaratën e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Thanas V. Floqi“. Më pas punoi si jurist në
administratën shtetërore në Vlorë.
Lef Nosi (1873-1946) - Veprimtar i lëvizjes kombëtare,
albanolog, studiues, deputet, ministër. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Lef Nosi“. Në qeverinë e
Ismail Qemalit, caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar
pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me
vdekje. U pushkatua në vitin 1946.
Nuri Sojliu (1870-1940) - Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe
atë të Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Delegat i
Strugës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
”Nuri“. Mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike të viteve `20.
Ferit Vokopola (1887-1967) - Teolog, ekonomist, poet, publicist,
ministër, deputet. Delegat i Lushnjës në
Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën ”M. Ferit
Vokopola“. Në vitet 1923-1939 përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).
Ymer Deliallisi (1873-1944) - Delegat i Shijakut në Kuvendin e
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e
firmosi me siglën ”Ymer“. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut
në Kongresin e Lushnjës, ku edhe zgjidhet senator.
Xhemal Deliallisi (1880-1941) - Delegat i Shijakut në Kuvendin e
Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Xhemmalyyddin bej“.
Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në
administratën e Princ Vidit (Wilhelm
Friedrich Heinrich Princ zu Wied, 1876-1945).
Mustafa Merlika Kruja (1887-1958) - Deputet, ministër, kryeministër,
albanolog. Delegat i Krujës në Kuvendin
Kombëtar të Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Mustafa Asim
Kruja”. U zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më
pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Më 1919 ishte sekretar i
delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës
në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Me ardhjen e komunizmit u
detyrua të arratisej. Vdiq në ShBA më 27 dhjetor 1958.
Abdi Toptani (1864-1942) - Ministër. Në vitin 1902 organizoi
kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit dhe të Shupalit kundër
dhunës së administratës osmane. Aktin e Pavarësisë e firmosi me siglën “Abdi”.
Ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.
Veli Harxhi (1850-1914) - Intelektual i formuar. Veprimtar i
klubit patriotik të qytetit. Në Kuvendin
e Vlorës përfaqësoi Gjirokastrën. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
“Veli Harçi”.
Nebi Sefa (1861-1942) - Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen
e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e
Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet
`20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave të Fan Nolit.
Mid’hat Frashëri (1880-1949) - Intelektual, deputet, atdhetar,
ministër. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) ku u zgjodh kryetar i
Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Delegat i
Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën
“Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të
Përgjithshme. Në periudhën janar 1923 – dhjetor 1925, ministër Fuqiplotë i
Shqipërisë në Athinë. Më 1941 është një nga themeluesit e organizatës
nacionaliste – Balli Kombëtar. Në nëntor 1944 u detyrua të largohet nga
Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Komunistët e detyruan të birin e Abdyl Frashërit (1839-1892), të ikte
nga Shqipëria. Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949.
Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957) - Atdhetar, ministër. Mori pjesë në
kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, delegat i
Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh
drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës
së Dytë Botërore, u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mid’hat Frashërit. Në
vitin 1951 u arrestua dhe u burgos, derisa vdiq, më 1957.
Qemal Karaosmani (1875-1949) - Atdhetar, deputet. Delegat i
Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. U caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga
Durrësi për në Vlorë. Aktin e Pavarësisë kombëtare e nënshkroi me siglën “Qemal
Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe për disa vite
ishte asamblist. U persekutua nga regjimi komunist.
Sali Gjuka (1876-1925) - Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen
e përgjithshme të viteve 1910-1912. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si
përfaqësues nga Kosova dhe si delegat i Pejës, i Gjakovës, i Plavës e Gucisë.
Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh
këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për
qarkun e Beratit.
Dhimitër Berati (1888-1970) - Diplomat, ministër. Në Kuvendin e
Vlorës mori pjesë si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Aktin e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën “D. Beratti”. U emërua sekretar i kryetarit të
Qeverisë, anëtar i Pleqësisë. U caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e
qeverisë së Vlorës. Më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në
Konferencën e Paqes në Paris.
Dhimitër Mborja Emanuel (1884-1945) – Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në
emër të kolonisë së Bukureshtit. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dh
Emmanuel”. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë “Komuniteti
ortodoks shqiptar i Bukureshtit”. Më 1924 mbështeti qeverinë e Nolit. Ishte
kundër regjimit komunist.
Dimitër Zografi (1878-1945) - Atdhetar. Delegat i kolonisë
shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin e Vlorës. Vendimin e Pavarësisë e firmosi
me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e
padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe nënshkroi
protestat drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.
Pandeli Cale (1879-1923) - Atdhetar, ministër, deputet. Në
kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së
Korçës. Mori pjese në mbledhjen e Bukureshtit të mbajtur më 5 nëntor 1912.
Shoqëroi Ismail Qemalin për në Shqipëri. Delegat i Korçës në Kuvendin e Vlorës.
Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën "Pandeli Cale". Zgjidhet
anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Mori pjesë në lëvizjen patriotike që çoi
ne Kongresin e Lushnjës më 1920. Po atë vit ishte prefekt i Korçës, ndërsa në
shkurt 1921, deputet në të parin parlament të Shqipërisë.
Qemal Mullaj (1881-1966) - Atdhetar, deputet. Delegat i Lushnjës
në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Qem. Mullaj”.
Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës I Botërore, u largua
nga Shqipëria. U kthye në atdhe më 1920, për t’u rimarrë me politikë. Deputet
në parlamentin e parë të Shqipërisë.
Bedri Pejani (1885-1946) - Delegat në Kongresin e Dytë të
Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Përfaqësues
i Plavës, i Gucisë, i Gjakovës dhe i Pejës në mbledhjen e Vlorës. Aktin e
Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga
nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944
- kryetar i saj. Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq në vitin 1946, sapo
doli nga burgu.
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937) - Mjek, atdhetar. Dr. Myrteza Ali Struga,
së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit dhe të
Strugës për në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dr.
H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit dhe i Strugës ishte delegat në
Kongresin e Lushnjës më 1920.
Aristidh Ruci (1875-1950) - Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen
e përgjithshme më 1911. Delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë.
Aktin e pavarësisë e nënshkroi me siglën “A. Ruci”. Më 1937 u zgjodh anëtar i
kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare.
Zyhdi Ohri (1872-1938) - Atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900
u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Delegat i Ohrit në
Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte
pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë
në Kongresin e Lushnjës.
* * *
QEVERIA E PËRKOHSHME E VLORËS - Pasi u zgjodh në detyrë të re, I.
Qemali dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Në vend të tij u zgjodh
myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli,
ndërsa nënkryetar Lef Nosi. Nga
Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912 doli edhe qeveria e përkohshme.
Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj
Gurakuqi – ministër i Arsimit, Myfit
Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet pashë Derralla – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga – ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi – ministër i Postë-Telegrafëve. I. Qemali mbajti edhe
portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme.
Pas kësaj Kuvendi zgjodhi Pleqësinë e cila do të kishte 18 anëtarë. Kryetar u zgjodh Vehbi Agolli.
Për shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali i njoftoi Fuqitë e
Mëdha, shtetet ndërluftuese ballkanike dhe qeverinë e Rumanisë. Ai kërkoi
largimin e ushtrive të shteteve të Aleancës Ballkanike nga trojet shqiptare. U
deklarua qëndrimi asnjanës i shtetit shqiptar në Luftën Ballkanike.
* * *
Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për
popullin shqiptar. Ajo mbylli një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për
t’u liruar nga zgjedha e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut
dhe për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar synimet e
rilindësve. Hapi edhe një epokë luftërash dhe përpjekjesh të tjera për ta
mbrojtur pavarësinë e fituar nga fqinjët grabitqarë, për ta siguruar bashkimin
kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e
përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri
deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim deri
në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e
të Kumanovës, në lindje, për të vazhduar në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Plavë e
Guci, në Hot e Grudë, deri në Malësi.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë
shqiptarëve, të të gjitha trevave që i dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e
trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në
rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar dhe e të
gjitha trojeve shqiptare.
Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta historike
e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e
veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo e drejtë buronte
nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin dhe me
historinë e vet. Këtë të drejtë populli shqiptar e kishte fituar me sakrifica
të mëdha në llogoret e luftës. Ishte një e drejtë që i takonte për ndihmesën e
vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy
hallkat themelore të zinxhirit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare. Shqipëria
ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi osman. Kjo vonesë u shkaktua nga
faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe politikë të brendshëm dhe të jashtëm, që
vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke determinuar ritmet
e zhvillimit të saj. Ngecja ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë ishte një
faktor që e vonoi shtrirjen e forcave organizuese dhe drejtuese të lëvizjes
kombëtare që si pasojë e vështirësoi dhe vonoi shpalljen e pavarësisë. Fuqitë e
Mëdha gjatë shekullit XIX përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit – serbët,
grekët, rumunët dhe bullgarët për t’i formuar shtetet e tyre të pavarura, ndërsa
ndaj çështjes shqiptare mbajtën një qëndrim mospërfillës.
Shqiptarët janë popull me tri fe, me shumicë myslimane. Por
i bashkon një ndërgjegje e vetme kombëtare. Ndarja në tri fe, me shumicë
myslimane ndikoi që Evropa e krishterë t’i shohë si një popull i huaj për të
dhe i afërt me turqit myslimanë. Këtë fakt e shfrytëzonte sidomos Rusia para
kancelarive perëndimore.
Shqiptarët mund ta arrinin qëllimin duke u bazuar në forcat
e veta dhe kur të krijohej një koniunkturë ndërkombëtare e favorshme për ta. Me
shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike u ndeshën interesat e kundërt të Fuqive
të Mëdha. Atdhetarët shqiptarë, nga platforma politike për autonomi kaluan në
atë të pavarësisë. Kjo u realizua kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur
Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga ruajtja e status
quo-së në gadishull dhe kur planet e fqinjëve grabitqarë për ta zhdukur
Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e
Lidhjes Trepalëshe.
Vendimi historik i shpalljes së pavarësisë drejtohej jo vetëm
kundër politikës së fuqive të Antantës (Anglisë, Francës, Rusisë) dhe
grabitqarëve ballkanikë, por edhe planeve të caktuara të fuqive të Lidhjes
Trepalëshe (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë). Austro-Hungaria dhe Italia,
në atë kohë ishin për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Pavarësinë e saj e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes
shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet. Ata e shihnin
popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave
drejt perëndimit të Shqipërisë, drejt Adriatikut dhe si mbështetje për
depërtimin dhe shtrirjen e tyre në Ballkan.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, siç u pa nga vendimet e
padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) të gjashtë Fuqive të
Mëdha, nuk arriti të bashkonte në një shtetet të vetëm të gjitha territore
etnike dhe historike shqiptare dhe popullsinë shqiptare. Megjithëkëtë, shpallja
e pavarësisë pas pesë shekujsh robërie nën sundimin osman, përbën ngjarjen më
të madhe në historinë e kombit shqiptar gjatë shekullit XX.
Sundimi pesëshekullor osman në Shqipëri, kishte për pasojë:
- copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e
Ambasadorëve (1913);
- ngecjen ekonomike të Shqipërisë gjatë gjithë shekullit XX;
- lindjen e regjimeve antidemokratike dhe diktatoriale;
- shtypjen e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë – në
Greqi, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, përfshi edhe gjenocidin dhe
pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Me formimin e shtetit të pavarur shqiptar u krijuan premisat
dhe baza shtetërore dhe politike për ta mbajtur gjallë çështjen e çlirimit dhe
të bashkimit të trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të kauzës
shqiptare në Ballkan.
* * *
Konferenca e Ambasadorëve (17 dhjetor 1912 – maj 1913) - Me
fillimin e konfliktit ballkanik çështja shqiptare u vu në qendër të luftës
diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Austro-Hungaria dhe Italia ishin për një
Shqipëri autonome ose të pavarur dhe me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e
tyre. Për Austro-Hungarinë Shqipëria do të ishte një gardh që do të pengonte
shtrirjen e sllavizmit në gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik. Për
Italinë, Shqipëria do të ishte si një bazë për depërtimin drejt Lindjes. Në
anën tjetër, Rusia përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet në Ballkan
nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të
tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.
Të shqetësuara për “paqen evropiane”, Fuqitë e Mëdha
zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e
zgjidhjeve të pranueshme.
Më 17 dhjetor 1912, përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha
– Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë u mblodhën
në Londër për të shqyrtuar problemet e shtruara nga Lufta Ballkanike (1912).
Konferenca u drejtua nga ministri i Jashtëm anglez Eduard Grej (Edward Grey). Që në ditën e parë, konferenca mori në
shqyrtim çështjen shqiptare: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i
kufijve.
* * *
Grabitqarët ballkanikë (Serbia, Greqia, Mali i Zi) -
Që në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, shtetet aleate të
Ballkanit i paraqitën Konferencës pikëpamjet e tyre për ndryshime territoriale,
që duhej të bëheshin në gadishull pas lufte. Përveç krahinave greke të
Thesalisë, Greqia kërkonte edhe vise
të Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi
shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone të
rretheve të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsi
vendase. Qeveria serbe përfshinte në listën e kërkesave të
saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në
Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë për
aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufij të tij me Shqipërinë të
caktohej lumi Mat, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.
Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe
Qeveria e Vlorës. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë
e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse,
Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën,
Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të
mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Memorandumi hedhtë
poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe,
për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial”
për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet shqiptare
kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët
të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit
turk në Ballkan.
Lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua ndërmjet
Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Monarkia e dyfishtë doli në mbrojtje të të
drejtave të shqiptarëve. Ajo synonte ta përdorte shtetin shqiptar si faktor të
ekuilibrit të ri në Ballkan. Duhet theksuar se në raste të caktuara, për
kompromise në dëm të shqiptarëve ishte edhe Vjena. Ajo i paraqiti Konferencës
një projekt-hartë të Shqipërisë.
Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës edhe nga
Rusia, e cila parashikonte një cungim edhe më të madh të tokave të Shqipërisë.
Sipas këtij projekti, jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeteshin Shkodra dhe
e gjithë treva veriore e Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi. Mbeteshin
jashtë edhe të gjitha qytetet dhe tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të
Kosovës dhe të Manastirit deri në liqenin e Ohrit. Në jug mbeteshin jashtë
Shqipërisë Korça, Delvina, Saranda dhe gjithë Çamëria.
Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në
kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca dhe nga Anglia. Në
shenjë proteste, Vjena i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej nga
Konferenca. Tani Italia u rreshtua në anën e Vjenës.
Shënim: Në vitin 2014, busti i kontit Leopold Berhtold u vendos pranë bashkisë së Shkodrës.
* * *
Konferenca e Ambasadorëve nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen
e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik. Ajo vendosi të mos
përfillte asgjë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit
shqiptar me forcat e vendit. Nuk i përfilli aspiratat dhe interesat e popullit
shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për
të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet
hegjemoniste dhe ekspansioniste të shteteve ballkanike. Me kufijtë që u caktuan
në Londër, jashtë Shqipërisë mbeti më tepër se gjysma e trojeve dhe e
popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra: Kosova në
veri, Çamëria në jug, të cilat jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më
pjellore me nëntokë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të
lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të madh në luftën me armë për
çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.
Më 12 gusht 1913 Eduard Grej deklaroi: “... kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha... kufijtë e
Shqipërisë u caktuan kësisoj në të mirë të paqes në Evropë”. Me fjalë të
tjera, Konferenca e Ambasadorëve në Londër flijoi Shqipërinë dhe shqiptarët “për hir të paqes në Evropë”. Hipokrizi
dhe qyqari e paparë në historinë e botës. Pas një viti shpërtheu Lufta e Parë
Botërore. Ç’u bë me paqen në Evropë?! Ku mbeti, zoti Grej, paqja në Evropë?!
* * *
ÇËSHTJA SHQIPTARE SOT - Sot shqiptarët ballafaqohen me
çështjen e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Për ta zgjidhur drejtë këtë
çështje, duhet të marrin mësim nga e kaluara. Duhet t’ia bëjnë me dije
Perëndimit se janë popull perëndimor, madje jo me fjalë por me vepër. Duhet të
funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Sot e kësaj dite Beogradi, Athina
dhe Moska u thonë kancelarive perëndimore: “Mos
i mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian
në Ballkan dhe Evropë”. Vlera kombëtare shqiptare me përmasa botërore janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail
Kadareja.
Aleate e përjetshme e bijve të Ilirisë dhe të Arbërisë është
Amerika. Shqiptarët janë populli më
proamerikan në botë. Çlirimi i Kosovës nga UÇK-ja, me ndihmën e Amerikës,
është rast që ndodh në mbarë rruzullin tokësor, një herë në dy mijë vjet.
Kosova është zemra e shqiptarizmit dhe dhimbja e shqiptarizmit. Kosova është
tokë e shtrenjtë dhe e shenjtë e kombit shqiptar. Ajo s’ka për t’u shtruar
kurrë para hordhive të egra barbare serbe, të mbështetura nga Rusia. Kosova, sa
më parë duhet të bëhet anëtare e NATO-s. Në Kosovë duhet të vendoset sa më parë
një bazë
ushtarake e fuqishme dhe e përhershme e ShBA-së. Gjatë gjithë historisë
politike të kohës më të re (1850-2021), Rusia vepron kundër interesave jetikë
të kombit shqiptar.
Shqiptarët duhet të dëshmojnë para ShBA-së se posedojnë
aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Dielli shqiptar lind në Perëndim.