Mendime
Florim Zeqa: Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!
E hene, 25.11.2024, 06:51 PM
Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!
Shkruan:
Florim Zeqa
Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata
elektorale e partive politike, më shumë po vërehen ngjashmëritë sesa dallimet
mes tyre! Aq të përafërta janë bërë partitë politike saqë vetëm nga logot
dallohen, por jo edhe nga premtimet sa megalomane, po aq edhe mashtruese, të
cilat më shumë u ngjajnë patateve të kalbura në thes sesa mekanizmave politik
të një vendi demokratik!
Sulmi ndaj mediave,
mjerim i pushtetit autokratik
Të
gjitha partitë janë të "mira" apo thënë ndryshe, janë bërë një e keqe
e domosdoshme për mirëmbajtjen e sistemit aktual politik, sa të korruptuar po
aq edhe të kriminalizuar vendit tonë, ku nuk funksdionon ligji dhe as
drejtësia.
Dikur
dallonte, sot edhe LVV nuk dallon më asgjë nga partitë e tjera. Ngase edhe ajo
për katër vite në pushtet është zhytyr thellë në hajni, korrupsion, krim të
organizuar, nepotizem, punësime partiake dhe abuzime me buxhetin e shtetit
sikur të ishin që dyzet vite në pushtet!
Partitë
opozitare po na shiten si të "virgjëra" pas qeverisjes 20 vjeçare,
andaj janë mobilizuar si asnjëherë më parë për rikthimin e pushtetit! Pas
mobilizimit të partive opozitare në Diasporë, Albin Kurtit i ka hyrë frika në
palcë për humbjen e pushtetit!
Kësisoji
LVV për ta vazhduar mandatin qeverisës dhe për të mbuluar korrupsionin e lartë qeveritar
do të jetë e detyruar që ta merrë me vete në koalicion një parti politike
opozitare të mbushur me afera korruptive dhe kriminale nga e kaluara qeverisëse
dhe jo vetëm kaq!
LVV-së
medeomos i duhet njëra nga partitë opozitare për të ripërtërirë marrëdhënjet e
tendosura me SHBA-të dhe BE-në, si alibi për themelimin e Asociacionit njëetnik
serb në veri dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arrirtura nga
qeveritë paraprake!
Duke
e nuhatur këtë rrezik të madh, Albin Kurti e ka filluar një betejë të paparë
ndaj analistëve dhe gazetarëve, ndaj atyre që ia nxorën në shesh të gjitha të
palarat e qeverisjes së tij katërvjeçare.
Po
e bën këtë për faktin se për këto katër vite e vetmja opozitë reale e Albin
Kurtit ishin mediat e pavarura, përkatësisht gazetarët e guximshëm dhe
intelektualët që u përballen të vetëm me qeverinë e arrogancës së numrave në
Kuvend.
Riciklim i pushtetit në
dëm të qytetarëve
Në
mungesë të një alternative të re politike, qytetarët e vendit dhe mërgimtarët
janë të detyruar (torturuar) që të votojnë përseri të njëjtat parti politike
dhe liderë partiak, të njëjtat figura të tejëkonsumuara dhe ricikluara, nga
njëri në tjetrin krah politik, por edhe anonimët dhe adoleshentët e afruar
nëpër parti të ndryshme jo pse kanë begrand politik, por pse kanë lekë dhe
biznese, prej të cilëve presin të fitojnë më së shumti materialisht liderët
partiak.
Për
habi, asnjëra nga partitë politike nuk kanë angazhuar në listat e tyre
zgjedhore intelektualë të kalibrit dhe intelektualë nga Diaspora, por vetëm
servilë dhe puthadorë të pushtetit, vagabond e militantë partiakë të cilët 24
orë në ditë rrinë në rrjetet sociale duke sharë e kërcënuar kundërshtarët
politik!
Thënë
edhe më qartë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 nuk do të bëhet fjalë për
ndryshimin, por vetëm për vazhdimësinë e qeverisjes me mentalitetin e njëjtë
qeverisës të korrupsionit dhe krimit të organizuar pa i pasur frikën ligjit dhe
drejtësisë politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar në shtetin e kapur!
Abuzimi i ambasadave për
qëllime partiake
Në
tubimet kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së punëve të jashtme, znj.
Donika Gërvalla-Scwarz nëpër Ambasada dhe Konsullata valojnë vetëm flamujt
partiak në vend të flamujve shtetëror të Republikës së Kosovës! Paradoks ky i
paparë dhe i padëgjuar në përfaqësitë e shteteve demokratike!
Kësisoji
kryeministri dhe kryediplomatja pasi i shkatërruan dhe denigruan përfaqësitë
diplomatike të shtetit që përfaqësojnë, i kthyen Ambasadat dhe Konsullatat e
Republikës së Kosovës në çerdhe të partive politike, përkatësisht të LVV-së,
pasi GUXO dhe Alternativa nuk janë subjekte zgjedhore, por vetëm leva të
pushtetit të shkrira në listën e Lëvizjes Vetëvendosje!
Florim Zeqa
23.11.2024