Kulturë
Jusuf Buxhovi: Vetëm barazia kushtetuese gjuhës i garanton barazi të plotë!
E diele, 24.11.2024, 06:52 PM
VETËM BARAZIA KUSHTETUESE, GJUHËS I GARANTON BARAZI TË PLOTË!
Nga
Jusuf Buxhovi
Barazia
ligjore e gjuhës nuk paraqet barazi
kushtetuese. Si e tillë ajo u nënshtrohet koninkturave politike në përputhje me
rrethanat. Në Maqedoninë e Veriut qysh
nga Marrëveshjet e Ohrit të gushtit të
vitit 2001, manipulohet me të madhe me këtë standard të arritur, me ç’rast barazia kushtetues e gjuhë shqipe,
që do të duhej të formulohej në nenin e
parë të kushtetutës së Maqedonisë, bartet te
rregullativa ligjore, me çka është deshtë të të eskivohet përjashtimi i
pozitës shtetndërtuese të shqiptarëve në Maqedoni, për ç’gjë, në vitin 2001, plasi edhe konflikti i
armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore-ushtarake
maqedonase. Me këtë rast, është e domosdoshm edhe përkujtesa, se UÇK-ja, fillimisht
proklamoi çlirim dhe bashkim kombëtar
(që ishte një iluzuion), që pas dy javësh do të riformulohet te kërkesa për krijimin e shtetit federal
shqiptaro-maqdonas (që do të ishte kërkesë reale dhe e drejtë), në mënyrë që
ajo, në marrëveshjen e Prizrenit (midis faktorit politik dhe ushtak shqiptar)
të rrudhet tek barazia qytetare, me arsyetimin e imponuar nga ndërkombëtarët se
me të ndryshonte karakterin e shtetit
maqedonas nga ai komb-shtet i shpallur në vititn 1991 tek “shteti qytetar”!
Ndonëse "shteti qytetar", përkundër formulimeve politike të
Marrëveshjeve të Ohrit, nuk do të
ndodhë, meqë në preambulën e kushtetutës gjuha maqedone përcaktohet si gjuhë
zyrtare, bashkë me simbolet e tjera të natyrës kombëtare maqedonase.
Pa
hy te përplasjet e tanishme politike
tepër joparimore rreth kësaj çështje midis faktorit politik shqiptar - atij në opozitë, që deri me dje ishte në
pozitë dhe ban barrën kryesore të manipulimit të barazisë ligjore me atë
kushtetuese dhe shitjes së saj si barazi gjuhësore, kur ajo ishte e kushtëzuar
nga numrat dhe si e tillë diskriminuese madje edhe në raport me të drejtat
elementare njerëzore, që si po shihet
ishte politike dhe konjukturale, dhe pa hy te ai në pozitë, që
realiteti “i barazisë ligjore
të gjuhës nëpërmes numrave”, para se të
problematizohej nga qeveria e
sapoformuar përmes vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, ngritja e kësaj çështje,
pra e pabarazisë së gjuhës shqipe, ose "barazisë së saj ligjore përmes
numrave", është deshtë të jetë kusht jo vetëm për futjen në koalicionin
qeveritar me VMRO-DPMN, por edhe kusht i përbashkët politik shqiptar, që kjo
çështje të shtrohej në rrethanat kur pas ndërhyrjes së Bullgarisë është hapur
çështja e ndryshimit të preambulës së kushtetutës së vendit.
Përkundrazi,
politikanët shqiptarë (pozitë-opozitë ose opozitë-pozitë, krejt një), siç
lëshuan rastin që me marrëveshjen e Prespës, para tri vitesh, kur maqedonasit, me detyriminë greke hoqën
dorë nga “trashëgimia antike greke” dhe iu kthyen sllavofonisë, edhe këtë herë,
në mungesë të platformës për barazinë kushtetuese të shqiptarëve, që përcakton
edhe karakterin e barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe dhe të drejtave
kushtetuese jashtë koniunturave politike të ligjeve, shpatat ia drejtojnë
njëri-tjetrit. Të parët, opozita, duke sjellë argumentin “e barazisë ligjore të
gjuhës”, atij të numrave, që ishte diskriminues dhe me pasoja të rënda
politike, veçmas kur logjika e numrave (20 përqindëshi) do të mund të
ndryshohet sa nga migrimi i shqiptarëve, sa nga trendët gjithnjë e më të
dukshme atje të ndryshimit të identitetit kombëtar me atë fetar e faktorë të
tjerë të natyrës demografikë). Dhe të dytët, pozita, çështjen duke e bartur “te mëkatet” e
politikanëve të deridjeshëm (paçka se shumë prej tyre kanë qenë pjesë e mozaikut
të saj drejtues madje), në vend se këtë ta adresojnë te hapja e çështjes së
barazisë kushtetuese te shqiptarëve, të përjashtuar prej saj, me formulimin e
“pjesë së popullit”, pra etni e
shkëputur, konsitucionalisht më e degraduar se ajo e pakicës dhe nën standardët e kushtetutës së vitit 1974 ku
"kombet dhe kombësitë shpalleshin të barabarta".
Diskursi
i tanishëm i grindjeve të politikanëve shqiptarë, nga njëra anë (opozitës) me
“argumentin” e barazisë ligjore të gjuhës shqipe në një ligj të formuluar “Për
barazinë e gjuhëve të popullatës
joshumicë”, ku shqipja, përmendet në një nën (në kllapa) dhe , nga ana tjetër
(e pozitës) - të mospërmendjes së saj në
formulimin bazik të ligjit, gjë që është e vërtetë dhe kjo shihet edhe nga një
material që para dy ditësh iu dërgua nga BDI-ja opinionit të Kosovës, tregon se
politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut (pozitë apo opozitë), nuk e kanë
përkushtim ndryshimin e pozitës kushtetuese, të popullit të barabartë
shtetformues, por të qallmeve për të qenë në shërbim të politikës maqedonase,
vetëm si qirak i saj.
Është
për keqardhje retorika e njërës anë (opozitës)- se gjuhës shqipe i është garantuar barazia me
ligjin e numrave, dhe tjetrës anë (pozitës),
që atë e shpall "të hapur", pra ligjërisht të
paformuluar, në vend se ky argument të shfrytëzohet për t’u treguar
problemi i vërtetë, pra pabarazia kushtetuese, me çka shpatat ndërshqiptare do
të duhej të drejtoheshin kah zgjidhja e problemit me ndryshime kushtetuese dhe
jo me manipulime ligjore.
Në
këto rrethana, faktori politik maqedonas, pa marrë parasysh çfarë kanë ndodhur
me Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës,
përmes ndonjë formule të kompromiseve politike, mesiguri se do të dalë
fitues. Ndërsa shqiptarët, në pozitë apo opozitë, krejt një, do të vazhdojnë të arsyetojnë degradimin e të
drejtave të tyre kushtetuese me "fitore politike partiake", duke bërë
kështu, që çështjet fundamentale të barazisë të mos adresohen tek preambula
kushtetuese por tek ligjet konikturale!