E enjte, 26.12.2024, 12:57 PM (GMT)

Speciale

Paulin Zefi: Katedralja e Shën Nikollit - Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit

E hene, 25.11.2024, 07:00 PM


Katedralja e Shën Nikollit/Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: Historia, arkitektura dhe zbulimet arkeologjike

Nga Paulin Z. Zefi

Katedralja mesjetare e Shën Nikollit, mbi të cilën është konceptuar dhe ndërtuar Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vitet 1979-1981, përfaqëson një ndër objektet më të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare në të gjithë hapësirën shqiptare, duke iu referuar peshës specifike që mbart ky objekt në historinë e popullit shqiptar. Brenda kësaj kishe, më 2 mars 1444 është zhvilluar edhe ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pra Kuvendi i madh i princave arbër me në krye heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili ishte ideatori dhe organizatori i këtij kuvendi në të cilin u realizua Besëlidhja e Lezhës; Bashkimi i parë politik, ushtarak dhe ekonomik i popullit tonë dhe u hodhën themelet e ndërtimit të një shteti të mirëfilltë arbër me orientim të pastër europiano-perëndimor. Mirëpo, Katedralja e Shën Nikollit siç do të shohim më poshtë nga rezultatet e gërmimeve arkeologjike, ka një vertikale shumë më të thellë historike. Në fund të viteve 40 të shek. XV, në rrethana të papërcaktuara historike, ndoshta nga ndonjë inkursion turk, kjo kishë u rrënua dhe për këtë arsye Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i dërgon një letër Papa Kalikstit III, që ta ndihmojë financiarisht për ndërtimin e saj (1). Më 15 shtator 1457, Papa Kaliksti III lëshon indulgjenca për këdo që do të japë donacione për të mundësuar rikonstruksionin e katedrales së Shën Nikollit në Lezhë, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (2). Sipas A.Serra, kjo dëshirë e Kastriotit na shtyn të mendojmë: ishte thjeshtë çështje admirimi, kjo e restaurimit të Kishës së Shën Kollit, apo parandjenjë, që e shtynte të mendonte se pikërisht në këtë tempull, aq të dashur për zemrën e tij, do të bënte pushimin e mbramë (3)"? Në vitin 1459, ky objekt u rindërtua, duke u ngritur në rangun e Katedrales (4). Më 17 janar 1468, në këtë objekt religjioz u varros trupi i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, dhe më 5 shtator 1478 (5), kur qyteti i Lezhës u pushtua nga sulltan Mehmeti II Fatih, ushtarët osmanë u dyndën brenda katedrales së Shën Nikollit,  duke hapur varrin e tij dhe duke i ndarë eshtrat midis tyre për t’i përdorur si hajmali. Këtë version e mësojmë nga  biografët më të hershëm të Kryeheroit, si: Dhimitër Frangu (6), Martin Segoni (7) dhe Marin Barleti. Në vitin 1580 kjo kishë kthehet ne xhami, duke u njohur si Xhamia Selimie, por braktiset nga osmanët në vitin 1620 (9), pasi aty vdiqën 3 muezinë, të cilët ishin rrëzuar nga këmbanarja, duke thirrur besimtarët islam në faljen e namazit (10). Në fund të shek. XVIII ky objekt rindërtohet dhe rikthehet sërish në funksionin e xhamisë (11). Ndryshimet që ndodhën në kishë, gjatë procesit të kthimit të saj në xhami, janë pasqyruar qartë në mbylljen e absidës dhe në shkatërrimin e varreve te prelatëve të kishës nga ana e turqve (12). Në fund të shek. XIX, pranë Xhamisë Selimie, e njohur edhe si Xhamia e Pazarit, u bë zbulimi i një pllake mermeri me një mbishkrim në turqisht ku thuhej: “Këtu gjenden eshtrat e shqiptarëve të vdekur përpara prijësit t’Albanezve”, një zbulim për të cilin foli shtypi i kohës më 1898 (Bukuresht) dhe që çeli diskutimin mbi vendvarrimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (13). Ndërsa, në vitin 1908, në këtë objekt kulti ndërtohet një minare prej guri, duke zëvendësuar atë prej druri që ndodhej mbi muret e këmbanores mesjetare (14) dhe Xhamia Selimie funksionoi si e tillë pa ndërprerje deri në vitin 1967. Gjatë ekspeditave arkeologjike të udhëhequra nga Frano Prendi në fund të viteve 60 të shek. XX, brenda këtij monumenti janë zbuluar katër shtresa kulturore të përfaqësuara nga mbeturina konstruksionesh të periudhave të ndryshme (15). Shtresa e parë, e cila kronologjikisht është edhe më e vjetra, përfaqësohet nga një konstruksion romak i shek. III dhe në këto kushte është shfaqur mendimi se kemi të bëjmë me një tempull pagan (16). Shtresa e dytë përfaqësohet nga strukturat e një ndërtese të periudhës bizantine të shtruar me dysheme llaçi gëlqereje, të përzier me grimca të imëta tullash (17). Shtresa e tretë përfaqësohet nga themelet e një kishe mesjetare paraturke dhe shtresa e katërt, po nga një kishë tjetër paraturke, e cila është mbivendosur mbi të parën (18). Të gjitha këto faza ndërtimesh dhe rindërtimesh reflektohen qartë në muret dhe në shtresat e dyshemesë së Katedrales së Shën Nikollit (19). Dhjetë vite më vonë, në vitet 1978-1979, në hapësirën e brendshme të kishës u kryen përsëri disa gërmime, të cilat nuk janë botuar asnjëherë, por ekzistojne sot vetëm si raporte dhe dokumentacion arkivor gërmimesh (20). Më 23 korrik të vitit 1978 (21), në qendër të katedrales u gjetën pjesët e ruajtura të një monumenti, që përfaqësohej nga shkallët e një bazamenti (22). Ai ka formën e një drejtkëndëshi me përmasa 1.96 x 2.86 m, me dy rradhë gurësh të mbivendosur, ndërtuar me blloqe të skuadruar, që lidhen nga sipër me ganxha hekuri, të vendosura në kanale e në gropa të posaçme me anë të plumbit të shkrirë dhe ky objekt është i vendosur me aks giatësor veri-jug, paralel me rrugën kryesore të qytetit, rreth 20 m në perëndim të saj (23). Në fillim, u mendua se bëhej fjalë për zbulimin sensacional të bazamentit mbi të cilin mund të ishte vendosur sarkofagu i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por shumë shpejt, me zbulimet e tjera të kryera nga ana e jashtme përqark katedrales në të njëjtin nivel, me të njëjtën teknikë dhe në të njëjtën shtresë kulturore, u bë e qartë se kishin të bënin me një objekt më të hershëm të periudhës romake (24), i cili është datuar në shek. I-II pas Kr. (25). Megjithatë, në lidhje me përcaktimin e vjetërsisë dhe të funksionit të këtij objekti, në Akademinë e Shkencave të R.P.S.SH. u bënë dy konsulta me pjesëmarrjen direkte të Prof.Aleks Budës. Më 21.08.1978 u shfaqën mendime të ndryshme dhe shumë kontradiktore, por në konsultën e zhvilluar më 30.10.1980, mendimi përfundimtar i të gjithë pjesëmarrësve ishte që ky objekt i zbuluar, i cili i plotësonte të gjitha kushtet e një bazamenti varri monumental, të ishte objekt studimi për të ardhmen dhe u vendos që të ruhet i mbyllur në një dhomë të betonuar në qendër të katedrales (26). Mirëpo, niveli stratigrafik i gjetjes (shekujt I-II pas Kr.), forma, konstruksioni, përmasat dhe orientimi i këtij bazamenti dyshkallësh, sipas G.Hoxhës, tregojnë se kemi të bëjmë, jo me nje bazament varri, por me bazamentin e një monumenti antik në trajtë piedestali, që mund të ishte një obelisk përkujtimor, një bazament statuje e një kalorësi, një cipus, një stelë varrore apo një altar (27). K.Zheku ka qenë i bindur se mbi këtë bazament qëndronte nje statujë monumentale (28), por G.Hoxha argumenton se versioni i pranisë së nje altari duket më i mundëshëm, sepse kjo tipologji bazamenti është mjaft e njohur në altarët kushtimorë apo perkujtimorë të periudhave helenistike dhe romake (29). Gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitin 1979, u zbuluan edhe 6 varre të prelatëve kishtarë pranë absidës së katedrales dhe këta varre u gjetën pjesërisht të dhunuar, pa inventar objektesh, por sarkofagët ruheshin në një gjendje relativisht të mirë (30). Në këto varre u zbuluan një sërë objektesh arkitektonike të hedhura nga turqit gjatë shkatërrimit të kishës (31). Pas ndërhyrjeve rrënjësore, që u kryen në vitet 1978-1981 nga “Atelieja e Monumenteve të Kulturës së Tiranës”, nën drejtimin e L.Lazimit, K.Zhekut dhe Th.Karanxhës, më 23 nëntor 1981 inaugurohet përfundimi i Memorialit të Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që shohim sot, ku brenda ruhen vetëm strukturat origjinale të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit (32). Ky monument historik i kultit të krishterë ka një planimetri të thjeshtë me këto përmasa: 18.50 m gjatësi dhe 9.40 m gjerësi. Ndërsa, gjatësia e përgjithshme e objektit nga hyrja dhe deri në absidë është 22.10 m. Muret perimetralë të kishës janë të ndërtuar me gurë të çrregullt gëlqerorë dhe të lidhur me llaç gëlqereje. Trashësia në të gjithë gjatësinë e tyre është 0.70 m. Lartësia maksimale e mureve arrin deri në 5.40 m, në anën perëndimore, ku gjendet hyrja e saj dhe pjesa më e ulët e mureve shënohet në anën lindore, në absidë, 2.50 m (e matur nga jashtë). Navata e kishës ka këto përmasa: 17.10 m gjatësi dhe 8 m gjerësi. Absida gjysmërrethore ka një rreze të brendshme prej 2.36 m (x 2 = 4.72 m) dhe pranë pjesës jugore të saj, në një gropë të betonuar me 28 cm thellësi, është konservuar skaji verior i absidës së ndërtimit pararendës. Kamarja në anën e djathtë, pranë absidës, e cila është 1.65 m lartësi nga dyshemeja dhe që ndodhet direkt mbi afreskun e Shën Nikollit, ka këto përmasa: 37 cm gjerësi x 32 cm lartësi dhe 29 cm thellësi. Kamarja në anën e majtë, pranë absidës, e cila është 2.33 m lartësi nga dyshemeja, ka këto përmasa: 65 cm gjerësi x 55 m lartësi dhe 40 cm thellësi. Shumë pranë kësaj kamareje, por që ndodhet në skajin më lindor të murit verior, 2.53 lartësi nga dyshemeja, është edhe një kamare e vogël me përmasa: 23 cm lartësi x 22 cm gjerësi dhe 50 cm thellësi. Hyrja e katedrales ka këto përmasa: 2.53 m lartësi x 1.73 gjerësi dhe ndërsa pjesa e saj e brendshme është më e madhe: 2.85 m lartësi x 2.20 m gjerësi. Hapësira e brendshme e kishës ndriçohet nga tri dritare të ngushta dhe të mbuluara me hark të mprehtë, të cilat ndodhen në murin e saj jugor (33). Elementi më interesant është një fragment i harkuar dhe i gdhendur me gjethe akanthi, i cili gjendet në ftontonin e kishës, mbi portën e hyrjes (34). Ekziston mendimi se ky gjysmëhark, që duhet datuar përpara shek. XII, vjen nga ndonjë dritare e kishës më të vjetër ose i takon një cihoriumi (35). Po ashtu, në fasadën e jashtme perëndimore të kishës ruhen ende disa fragmente pikturash murale, të cilat janë të palexueshme, por që mendohet se mjaftojnë për të na treguar se kisha duhet të ketë patur edhe një portik, gjurmët e të cilit janë zhdukur plotësisht nga shndërrimet e vazhdueshme (36). Muret e Katedrales së Shën Nikollit paraqiten pa dekorim të brendshëm me piktura murale, si pasojë e dëmtimit dhe ndryshimeve të shumta që ka pësuar ky monument, duke nisur që nga kthimi i tij në xhami në vitin 1580 dhe deri në vitet 1978-1981 kur u krye edhe restaurimi i tij. E vetmja gjurmë e pikturës murale, e cila i ka mbijetuar kohës dhe ndryshimeve të lartpërmendura, ndodhet në anën jugore të murit lindor të Katedrales, pranë absidës. Fragmenti me përmasa 1.28 m lartësi dhe 0.69 m gjerësi, paraqet figurën e pajtorit të kishës, Shën Nikollin, i cili, në ndryshim me shumë paraqitje të tjera që njohim deri më sot, është pikturuar me veshje aristokrate veneciane dhe jo me veshjen tradicionale të Etërve të Kishës. Kjo pikturë është realizuar me teknikën e afreskut dhe paraqitet mjaft e dëmtuar si në aspektin viziv dhe atë estetik, sepse lakunat e shumta të madhësive të ndryshme, që janë shkaktuar nga rënia e fragmenteve të pikturës, kanë krijuar copëzimin e imazhit piktorik aq sa nga portreti i shenjtorit nuk ka mbetur asnjë gjurmë e tipareve të tij. Restaurimi i fundit, që është bërë në vitin 2018, duke kryer pastrimin e plotë të sipërfaqes së pikturës nga depozitimet e paqëndrueshme me solucion 3A, heqjen e mbushjeve të vjetra me llaç duke përdorur dalta të vogla e bisturi dhe më pas, duke i borduruar buzët e afreskut dhe stukuar pjesët e dëmtuara me një material të posaçëm me ton neutral, ka bërë të mundur parandalimin e rënies së mëtejshme të pelikulit piktorik, konsolidimin e pjesës së padëmtuar dhe përforcimin e lidhjes së afreskut me suportin e tij. Siç e përmenda pak më lart, në vitet 1978-1981, me qëllim për të evidentuar vlerat historike të Katedrales së Shën Nikollit, është realizuar një ndërtim krejtësisht i ri, i trajtuar me një kolonadë rreth e rrotull, brenda të cilit ruhen pjesët origjinale të katedrales së shek. XIV-XV (37). Numri i kolonave është 28, një numër simbolik, dhe gjerësia e tyre është 0.50 x 0.50 m. Ndërtimi i ri, i cili mban sipër kolonadës një kornizë të dalur, në pamjen kryesore të volumit dhe në qendër të kornizës ka të vendosur përkrenaren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Platforma e Memorialit, e cila ka një lartësi prej 11 m dhe që deri në vitin 2018 ka qenë e mbuluar me kapriatë ondoluksi, ka këto përmasa: 35 m gjatësi dhe 20.40 m gjerësi, duke mbuluar një sipërfaqe të përgjithshme prej 714 m. Brendësia e kishës, me një dysheme të shtruar me pllaka të daltuara, është e pajisur me bustin ikonë të Kryeheroit, vepër e Odhise Paskalit, që është vendosur në qendër të absidës mbi një piedestal të ndërtuar me dy blloqe të mëdhenj gëlqerorë me lartësi 1.05 m, të realizuar sipas modelit të mureve antikë ilirë. Dyshemeja e absidës qëndron 55 cm më lart se sa ajo e navatës së kishës. Në pjesën lindore të navatës, mbi një bazament të ulët graniti me ngjyrë të gjelbër në të errët dhe të mbuluar me një pllakë të madhe mermer karare, janë vendosur Përkrenarja dhe Shpata e betejës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por që në projektin fillestar ka qenë planifikuar të vendoset edhe Mburoja e tij (38). Të dy fasadat e kishës (veriore dhe jugore) janë hijeshuar me mburoja bronzi, ku paraqiten në reliev 25 betejat kryesore që populli jonë me në krye Gjergj Kastriotin-Skënderbeun ka zhvilluar kundër pushtuesve osmanë, por edhe atyre venecianë dhe anzhuinëve gjatë ekspeditës në Italinë e Jugut (1461-1462) në ndihmë të mbretit Ferdinandi i Aragonës. Hyrja është e pajisur me një portë masive të stilizuar prej bronzi, e cila përbëhet nga dy kanate me peshë 550 kg x 2 = 1.1 ton. Ndërtimi i ri në kompleks është i veshur dhe i shtruar me pllaka mermeri me ngjyrë gri të çelur dhe hyrja kryesore është realizuar me një ngritje prej 6 shkallësh të ndara në dy pjesë të barabarta (3 & 3), që të çojnë gradualisht në platformën e ndërtimit të ri, në qendër të të cilit ndodhet monumenti. Në fund të kësaj platforme është vendosur një panel mozaiku me Flamurin tonë Kombëtar me "Shqiponjën dykrenare" brenda saj në të dyja anët, e cila është realizuar me derdhje në bronz dhe ky panel mbyll perspektivën e hapësirës së ndërtimit të ri nga hyrja kryesore (39). Vlerësimi i rrugës antike, që kalon përmes Lisit të Poshtëm është bërë edhe gjatë shtrirjes së saj në pjesën e platformës, ndërsa i gjithë ambienti përqark është lënë si rezervat arkeologjik, në mënyrë që në të ardhmen të zhvillohen gërmime arkeologjike për zbulimin e monumenteve dhe të shtresave kulturore të periudhave të ndryshme të ekzistences dhe zhvillimit të qytetit të Lisit, nga Antikiteti e deri në kohët tona (40). Për herë të fundit, Katedralja mesjetare e Shën Nikollit dhe Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut së bashku me Muret antike ilire të Lisit të Poshtëm, janë restauruar dhe rehabilituar plotësisht në vitin 2018, nëpërmjet një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare në kuadrin e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.” Kapriata e re është realizuar me profile hekuri, që mban të fiksuar panelet me xham struktural me ngjyrë të kaltër të çelur. Katedralja mesjetare e Shën Nikollit është shpallur Monument Kulture i kateg. I, nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr.1886, më dt.10.06.1973. Ky monument, i cili mund të quhet pa mëdyshje si “Pasaporta Kulturore e Bashkisë Lezhë”, është një ndër objektet më të vizituara nga turistët e huaj në Republikën e Shqipërisë dhe shërben si një pikë shumë e rëndësishme e “Peligrinazhit Patriotik??”, duke tërhequr çdo vit më mijëra vizitorë.

BIBLIOGRAFIA:

1) F.Prendi, Vendvarrimi i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 245.

2) L.Tacchella, Giorgio Castriota Skanderbeg e i romani pontefici nel secolo XV, f. 24-25; A.Castriota Scanderbeg, I Castriota Scanderbeg d’Albania, f. 35.

3) A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 37.

4) M.Shuflaj, Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, Botimi II, f. 99.

5) S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 174.

6) D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 221-222.

7) A.Pertusi, Martinon Segono di Novo Brdo Vescovo di Dulcino: un umanista serbo-dalmata del tardo Quattrocento: vita e opere, Istituto Storico Italiano per il Medio Evo, Roma, 1981, f. 145.

8)M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 494.

9) J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 135.

10) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86.

11) L.Lazimi, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8 Nëntori”, 1981, f. 118.

12) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.

13) K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405-1468), f. 475.

14) M.Sirdani, Kërkime mbi vorrin e Skanderbegut, në: Hylli i Dritës, Nr. 4, Shkodër: 1932, f. 181-194.

15) F.Prendi, Vendvarrimi i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 245.

16) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 37.

17) F.Prendi, Vendvarrimi i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 245.

18) A.Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, f. 116.

19) L.Lazimi, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8 Nëntori”, 1981, f. 118.

21) A.M.H. Lezhë: L.Gjeçi, Raport gërmimi 1978, f. 9.

22) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 38.

23) Ibidem, f. 38-39.

24) L.Gjeçi-N.Përleka, Përpjekje për të rënë në gjurmët e varrit fizik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, "Dorëshkrim”, Lezhë: Shkurt 1988, f. 7-8.

25) G.Hoxha, Të dhëna të reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8.

26) L.Gjeçi-N.Përleka, Përpjekje për të rënë në gjurmët e varrit fizik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, "Dorëshkrim”, Lezhë: Shkurt 1988, f. 8, shënimi nr. 32.

27) G.Hoxha, Të dhëna të reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8.

28) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 38-39.

29) G.Hoxha, Të dhëna të reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8-10.

30) A.M.H. Lezhë: L.Gjeçi-N.Përleka, Raport gërmimi 1979, f. 4.

31) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.

32) L.Lazimi, Përkujtimorja e Skënderbeut, në: Monumentet, 2, Tiranë: 1984.

33) A.Meksi, Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f. 113.

34) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.

35) A.Meksi, Kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f. 113.

36) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.

37) L.Lazimi, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8 Nëntori”, 1981, f. 118.

38) Ibidem, f. 119.

39) Ibidem, f. 119.

40) Ibidem, f. 119.

P.S. : Kopjimi dhe shpërndarja e këtij materiali studimor, por sidomos shfrytëzimi i fotove, skicave dhe planimetrive të vjetra, ku pjesa dërrmuese publikohen për herë të parë, “nuk lejohet pa miratimin e autorit”!

Si referencë për shfrytëzimin e plotë të të gjithë materialit duhet të përdoret:

Paulin Zefi, Katedralja e Shën Nikollit/Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: Historia, arkitektura dhe zbulimet arkeologjike: in: "Dielli/The Sun (botuar nga Sokol Paja)”, New York, USA: November 23, 2024.

Paulin Zefi

Lezhë: 23.11.2024.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora