| E diele, 17.11.2024, 06:57 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Në
fillim të pranverës i bën 87 vjet. Është dobësuar shumë fizikisht nga vitet e
pleqërisë. Ecën me shumë vështirësi, por duart ende i punojnë dhe ja fryti i
fundit i artit të qendisjes, të cilin ia kishte mësuar nana e saj, këtu e 70
vjet më parë.
Shikoni
motivet artistike në këto çorape të punuara me aq kujdes!
Janë
motive që vijnë nga thellësitë e shekujve dhe domethënien simbolike të të
cilave sot ne mund ta mësojmë vetëm nga tekstet e antropologjisë kulturore.
Deri
në gjysmën e dytë të shekullit 20, gratë e këtij vendi, krahas njëmijë punëve
të shtëpisë, duhej të kryenin edhe atë të sigurimit të veshmbathjes për
anëtarët e familjes. Njësoj si në kohët e moçme.
Brezi
i fundit i këtyre heroinave të heshtura përditë po pakësohet. Ato po ikin në
heshtje, ashtu siç edhe jetuan në heshtje. Në heshtjen e diktuar nga ligjet
mizogjene të shoqërisë patriarkale. Nana ime i takon brezi grash. Këtij brezi
pa historinë sociale të të cilit njohuritë tona mbi të kaluarën do të mbesin
shumë të mangta. Për të mos thënë njohuri të pavërteta.
_________
Ky
është Manastiri i Sokolicës. Ndodhet në zemër të Shalës së Bajgorës. Vetëm pak
hapa larg nga Kulla e Isa Boletinit. Me shekuj bajgorasit i kanë shërby këtij
manastiri serb. Me roje dhe me punë bujqësore. Vetë Isa Boletini mbante
titullin e vojvodës për faktin se ishte kujdestari kryesor i këtij manastiri.
Në fillim të shekullit 20 aty ishte vendosur një nga qendrat kryesore të
agjenturës serbe, e cila po bënte përgaditjet për pushtimin e Kosovës, që do
ndodhte vetëm pak vite më vonë. Në konakun e Sokolicës banonte Arif Hikmeti,
agjenti i Serbisë, i cili propagandonte abetaret shqip me alfabet arab dhe i
cili, më vonë, po me udhëzimet agjenturore serbe, do të përfshihej në
rrebelimin e Haxhi Qamilit në Shqipëri. Në shumë raste, kuptohet për llogari të
Serbisë, ai do t'ia dilte t'i bënte për vete Isa Boletinin dhe shaljanët e tij
përmes peshqesheve e dhënies së armëve falas. Ndërsa sot, pasardhësve të këtyre
shërbëtorëve të Sokolicës u pengon ngritja e një kishe katolike shqiptare në
Bajgorë. Kaq mjafton për ta kuptuar se cili është patriotizmi i tyre.
_________
Artin
Ahmeti, pronari dhe drejtuesi i librarisë “Artini” në Prishtinë, është një ndër
botuesit më të mirë në krejt hapësirën e botimeve shqiptare. Miqësia jonë ka
nisur nga një bisedë spontane rreth librave, këtu e shumë vite më parë. Aq
shumë libra i kam dhuratë prej tij, saqë ato sot përbëjnë një bibliotekë më
vete. Në fotografinë e mëposhtme gjenden katër botimet e fundit, që do t’i
shtohen kësaj biblioteke. Dy prej tyre, Gjergj Kastrioti, Mbreti i Shqipërisë,
i autorit amerikan Clement C.Moore, dhe Leka i Madh, i historianit britanik
William Woodthorpre Tarn, janë kthyer në shqip me një virtuozitet shembullor
nga njëri prej historianëve më të mirë dhe më enciklopedik në krejt
historiografinë shqiptare, Col Mehmeti.
Vërtet,
sot interneti është kthyer në burim të pashmangshëm të informacionit, por libri
fizik vazhdon t’i ruaj vlerat e tij të domosdoshme për ata që duan të mendojnë dhe
të hulumtojnë e krijojnë në botën e kulturës e të diturisë.
Libri,
siç thotë Umberto Eco, është si shpikja i rrotës: është shpikur njëherë dhe nuk
mund të zëvendësohet më me asgjë.
_________
Është
e qartë se çështja e imigrantëve ishte njëra ndër përparësitë që i siguroi
fitoren Trumpit në zgjedhje. Po ashtu kjo çështje është duke e fuqizu të
djathtën gjithandej Perëndimit.
Arsyeja
për këtë qëndron tek argumenti themelor i të djathtës, i cili është se të huajt
mund të vijnë dhe të qëndrojnë në Perëndim, por me një kusht: ata duhet ta
pranojnë mënyrën perëndimore të jetës, sistemin e vlerave të saj. Nuk mundesh
që pasi ke ikur prej Afganistanit apo Sirisë, shkaku i urisë apo persekutimit,
në vendin që të ka gjetur strehë e punë ta sjellësh edhe Afganistanin apo
Sirinë. Nëse nuk je në gjendje t'i lësh prapa Afganistanin dhe Sirinë, ti duhet
të kthehesh atje.
E
majta po shkërmoqet gjithandej, sepse argumentet e saj rreth imigrimit vuajnë
nga falsitetet e multikulturalizmit banal.
Ndërkaq,
liberalët e kanë trenin e fundit që të korigjojnë naivitetet e tyre dhe të
bëjnë më të mirën e tyre, e cila konsiston në shmangien e çarjes së madhe me të
djathtën, çarje që përbën rrezikun e rrëshqitjes të kësaj të fundit në gabimet
e rënda të së shkuarës.
_________
Mesi
i shekullit 14. Europa gjendet nën kthetrat e murtajës, Black Death, siç njihet
në histori. Gjithandej qytetet dhe katundet nxijnë nga kufomat e njerëzve që
s'ka kush t'i fus në dhe. Të pafuqishme për ta luftuar pandeminë shfarosëse me
mjete sanitare e medicinale, autoritetet fetare e politike bëjnë me gisht nga
hebrenjtë, duke i fajësuar si shkaktarë të saj. Turmat rrëmbejnë hanxharët dhe
thikat e sulen mbi ta. Pogromet gjakosin rrugët dhe shtëpitë. Hebrenjtë vriten
masivisht. Shtëpitë u digjen. Pasuritë u merren. Sinagogat u përdhosen. Një
histori të tillë e lexova në Sinagogën e Erfurtit, njëra ndër më të moçmet në
Europë. Sot bakteri i murtajës nuk përbën kurrfarë rreziku medicinal, por
murtaja e antisemitizmit vazhdon të jetë shumë e përhapur. Bashkë me mekanizmin
e moçëm të pushteteve për të shpikur armiq për dështimet e tyre dhe fajësuar të
tjerët për problemet që nuk mund t'i zgjidhin.
_________
Mbase
e kemi harru, por një përjetimi i këtillë religjioz, në shkallë globale, i
rezultatit të zgjedhjeve në Amerikë nuk ka bërë vaki ndonjëherë.
Ata
që ishin kundër Trumpit rikthimi i tij po u duket si diçka apokaliptike, fundi
i demokracisë, i Amerikës, i NATO's, i dominimit të Perëndimit, me pak fjalë:
fundi biblik i kohëve.
Ata
që ishin pro Trumpit, rikthimin e tij po e përjetojnë si një lloj ringjallje,
jo vetëm amerikane, por edhe globale. Si ardhje e një epoke të re ungjillore.
Ky
përjetim religjioz i ndryshimeve në politikën amerikane, na tregon, më shumë se
çdo gjë tjetër, se Amerika vazhdon të perceptohet si kombi pa të cilin bota e
ka të vështirë ta mendojë të ardhmen.
_________
E
përmenda një natë në Pressing dhe po e shkruaj edhe këtu: Le të organizohen tri
debate publike mes kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit. Një
për dialogun, një për ekonominë dhe një për sektorët vitalë të shtetit, arsimin
dhe shëndetësinë. Përmes këtyre debateve qytetarët mund të kuptojnë se a kanë
këta kandidatë realisht ide konkrete për zgjidhjen e problemeve të këtij vendi
apo e tëra që ofrojnë është vetëm retorikë boshe për veshët e militantëve të
partive të tyre.
Ky
është kuptimi dhe vlera e vërtetë e demokracisë dhe e zgjedhjeve.
Retorika
politike e shoqëruar me ide konkrete e racionale mund të gëlltitet disi, por
kur asaj i mungojnë këto ide, atëherë ajo merr tiparet e një ofendimi të hapur
që i bëhet intelektit njerëzor.
_________
Në
kohët e moçme njerëzit ngjiteshin në male për të folur me zotat, por ata, siç
poeziton Holderlin, një ditë na braktisën dhe tash ngjitja në male ka veç
frymën e një proteste kundër zhurmës mbytëse të qyteteve, kundër llafazanërisë
demokratike të tyre, kundër faktit se kush zhurmon më fort, dëgjohet dhe
nderohet më shumë.
Në
fillim të kohëve moderne Dekarti vendosi parimin: Mendoj, pra jam! Ndërkaq,
sot, në llafazanërinë demokratike, të metastazuar nga rrjetet sociale,
ekzistencën nuk e përcakton ky parim, pra mendimi, por zhurmimi. Zhurmoj, pra
jam!
_________
Marco
Rubio, njeriu që Trump e ka zgjedhur për Sekretar të Shtetit, ish me prejardhje
kubaneze. Pasardhës i familjeve që u larguan nga Kuba për në SHBA gjatë kohës
që pushtetin në Kubë po e merrnin komunistët e Fidel Castros dhe Ernesto Che
Guevarës. I ndikuar shumë nga trashëgimia familjare ( sidomos nga gjyshi),
Marco Rubio kish fort averzion për chegevaristat. Qysh thonë në gegnisht: S’po
mujke me i bajtë hiq.
_________
N’past’ mbetë
që talibanët me kollare dhe promovuesit e endogamisë, martesës brenda lidhjes së gjakut, të na e
mbrojnë familjen, na paska marrë lumi.