E premte, 27.12.2024, 02:17 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Përfaqësuesja e Kosovës ka nevojë për bijtë e vet në kombëtaret e vendeve të tjera!

E shtune, 16.11.2024, 06:50 PM


Kombëtarja e Kosovës ka nevojë për bijtë e vet në kombëtaret e vendeve të tjera!

Nga Enver Bytyçi

Të premten në mbrëmje në Bukuresht ndodhi sërishmi ajo që pritej. Për të tretën herë kombëtarja e Kosovës u përball me fyerjen më të rëndë që i bëhet në disa stadiume, përfshirë dhe ato të Rumanisë. “Kosova është Serbi”, shkruhet vazhdimisht në pankartat e tifozëve rumunë dhe askush nuk ndërhyn që të evitojë këtë maskaradë rraciste. Ndërkohë tifozët thërrasin me sa fuqi kanë refrenin e vazhdueshëm, “Kosovo is Serbi, Kosovo is Serbi”, si dhe parullën tjetër “Serbia, Serbia”! Gjithnjë himni i Kosovës shoqërohet prej tifozëve rumunë me fishkëllima. Ata hedhin gjithashtu në stadium dhe në fushë sende të forta dhe askush nuk ndërhyn.

Lojtarët e kombëtares së Kosovës i toleruan dy herë këta baditë, që nuk dinë se çfarë është nderi, mikpritja dhe respekti. Por herën e tretë, mbrëmjen e së premtes, ata vendosën të reagojnë. Kapiteni i skuadrës, Armir Rrahmani, është përballur me kapitanin rumun dhe gati sa nuk janë grushtuar. Rrahmani u ka kërkuar lojtarëve që 3 minuta para përfundimit të kohës shtesë, pra të ndeshjes, të largohen nga loja, duke marrë përsipër përgjegjësinë dhe ndëshkimin e parashikuar nga UEFA për këtë largim. Incidentet kanë vijuar edhe në dhomën e zhveshjes, ku një zyrtar i lartë i shtetit rumun ka kërcënuar futbollistëtë shqiptarë. Më pas po ashtu në konferencën për shtyp.

Të gjitha veprimet, nga fillimi i ndeshjes e deri në fund të saj, duket se kishin një skenar dhe një regji të caktuar, gjithnjë në soladarizim me Serbinë në pikëpamje politike. Kjo do të thotë se në disa vende, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovësn, si Rumania, ndeshjet, tifozët, politika, lojtarët, kapitenët e këtyre vendeve, madje dhe trajnerët e shefat e klubeve e të federatave janë të investuara të veprojnë politikisht. Koston e fyerjeve dhe të përçudnimit e merr Kosova dhe lojtarët e saj. Se e gjitha kjo është vënë në lëvizje nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe sponsorizohet prej Beogradit, kjo duket shumë qartë. Liderët e Serbisë po aktivizojnë të gjitha energjitë destruktive, për të krijuar imazhin se “Kosovo is Serbi”!

Jehona e tifozëve serbë, rumunë, madje edhe çekë e të tjerë duhet të godasë veshin e atyre që marrin vendime për rendin botëror e të thonë “Ok, Kosova është pjesë e Serbisë”!

Por Armir Rrahmani dhe lojtarët e tjerë të Kosovës në të gjitha nivelet na japin një mesazh tjetër. Se në Kosovë tashmë është në ardhje një brez tjetër, ai brez që nuk e njeh frikën nga Serbia, siç bën p.sh Halil Matoshi! Eshtë një brez i cili guxon të përballet me kurajo dhe me trimëri për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin kombëtar të Kosovës. Ky brez i ri i sportistëve, këngëtarëve, artistëve, krijuesve dhe të të gjithë rinisë në Kosovë e jashtë saj, janë dhe do të jenë ata që përcaktojnë të ardhmen e shtetit dhe të popullit të Kosovës. Ky është lajmi më i mirë nga ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit në stadiumin e Bukureshtit. Përballja me të njëjtat mjete me ata që duan zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Por kjo ndeshje është njëkohësisht një thirrje për të gjithë lojtarët nga Kosova, kudo që ata ndodhen. Nga Erik Cana e deri të Taulant Xhaka e Xherdan Shaqiri. Nuk do të doja që në ndeshjen e ardhshme të mos ishte me kombëtaren e Kosovës edhe Jasir Asani. Më ra ndërmend emri i tij, sepse e pashë në një intervistë të fliste për ndeshjen Shqipëri-Çeki. Jasiri dhe të gjithë Jasirët e tjerë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, kudo që luajnë, edhe në kombëtaren e Shqipërisë, duhet të japin dorëheqje dhe të shkojnë të luajnë me kombëtaren e Kosovës. Ka ardhur koha që kombëtarja e Kosovës të bëhet kombëtarja më e fuqishme e globit dhe për këtë janë të gjitha mundësitë.

Shpesh herë lojtarët shqiptarë nga Kosova e konsiderojnë jo të fisme të largohen nga kombëtaret që ata përfaqësojnë, sidomos nga “Nëna Shqipëri”, ndonëse nuk rrezikohet “Nëna Shqipëri”, por rrezikohet “Nëna dhe Gjyshja Kosovë”! Si një njohës i mirë i zhvillimeve kam tagrin t’u them se Shqipëria aty ka qenë, aty është e aty do të jetë, me ose pa një kombëtare futbolli dinjitoze. Edhe ta lesh Shqipërinë pa asnjë ushtar, nuk e gjen gjë! Askush nuk ka interes për të! Prandaj dhe asgjë nuk e rrezikon atë. Patriotët shkojnë atje ku “është fronti i luftës”! “Lufta” dhe fitorja jonë është Kosova. Nëse ju të gjithë shkoni në kombëtaren e Kosovës do ta shndërroni atë në një aset plantar të futbollit dhe askush nuk do të ketë fuqinë të denigrojë dinjitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës e as të lojtarëve të tij. Skuadra do të bëhej e mahnitshme! Nëse ju do të shkoni sa më shpejt të jetë e mundur në Kosovë, duke ndërprerë kontratat aktuale, ju do çoni Kosovën në Botërorin 2026. Nëse Kosova kualifikohet në botëror, atëherë rumunët e serbizuar për turpin e tyre do të ulin bishtin si melezët kur shohin ujkun!

Jemi ne, pra janë lojtarët shqiptarë të Kosovës të shpërndarë si korbat, ata që mund ta ndryshojnë këtë situatë. Edhe të premten e kaluar, nëse rezultati do të ishte 2:0 për Kosovën, le të ulurisnin çakejtë e Bukureshtit! Fituesit kanë gjithmonë dinjitet dhe integritet! Prandaj lereni Shqipërinë, lereni Zvicrën apo çdo vend tjetër dhe bashkëngjituni me Kombëtaren e Kosovës. Ndërkohë qeveria Kurti duhet të mendojë seriozisht për ndërtimin e Stadiumit të Prishtinës, si një premisë për sukses të jashtëzakonshëm. Bashkimi me kombëtaren e Kosovës do ta përçudnojë edhe marrëveshjen Rama-Duka-Vuçiq për organizimin e përbashkët me Serbinë të Kampionatit të të Rinjve në vitin 2027!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora