| E enjte, 14.11.2024, 07:00 PM |
NUMRI I TË VRARËVE NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË UKRAINËS – SEKRET I PALËVE NDËRLUFTUESE
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Numri i ukrainasve
dhe i rusëve të vrarë apo të plagosur në luftë që zgjatë tashmë dy vjet e
gjysmë ka arritur një milion, shkruan Wall Street Journal.
Shënim: Wall
Street Journal (WSJ), shkurtimisht Journal,
është gazetë amerikane me qendër në New York City, me fokus në biznes dhe
financa. Funksionon sipas modelit të abonimit. Për të pasur qasje apo akses në
artikujt apo në përmbajtjen e saj, lexuesit duhet të paguajnë. Botohet gjashtë
ditë në javë nga Dow Jones & Company, një divizion i News Corp. Numri i
parë u botua më 8 korrik 1889. Prej vitit 2023, me një tirazh prej 609,650
abonentë shtypi, është gazeta më e madhe e ShBA-së. Ajo ka 3.17 milionë
abonentë digjitalë, e dyta më e madhe në vend, pas The New York Times.
* * *
Rusia dhe Ukraina
nuk kanë publikuar vlerësime zyrtare për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve.
Shifrave që i kanë publikuar herë pas here askush s’u ka besuar. Në një
vlerësim sekret të Ukrainës të fillimit të këtij viti flitet për 80.000 ushtarë
ukrainas të vrarë dhe për 400.000 të plagosur.
Vlerësimet e
shërbimeve perëndimore të informimit për humbjet ruse ndryshojnë. Sipas disa
burimeve, flitet për gati 200.000 mijë ushtarë të vrarë rusë dhe për rreth
400.000 të plagosur.
Humbjet i
shkaktojnë probleme edhe Rusisë ngase për të përparuar në lindje të Ukrainës,
përfshin në radhët e ushtrisë ushtarë jo mjaft të stërvitur. Po ashtu tenton
t’i kundërvihet hyrjes së forcave ukrainase në rajonin e Kurskut. Por, Ukraina
ka një popullsi shumë më të vogël se Rusia, ndaj pasojat e humbjeve njerëzore,
për të janë më të mëdha. Ukraina e ka çerekun e numrit të përgjithshëm të
popullsisë së Rusisë.
Kjo luftë do të
ketë pasoja afatgjata për këto dy vende ndërluftuese të cilat për shkak të
problemeve ekonomike dhe tronditjeve shoqërore, kanë pasur rënie të popullsisë
edhe para luftës. Sipas vlerësimeve të qeverisë dhe të demografëve, në
dhjetëvjeçarin e fundit Ukraina ka humbur të paktën dhjetë milionë njerëz.
Ukraina e sotme
dikur ka qenë pjesë e perandorisë ruse. Putini disa herë ka thënë se dëshiron
ta kthejë këtë vend në gjendjen e atëhershme. Ai e mohon identitetin ukrainas
dhe shtetësinë ukrainase dhe pohon se shumica e popullit ukrainas janë të
krishterë sllav dhe ortodoks. Rrjedhimisht, ata janë pjesë e kombit rus.
- Për Putinin, demografia është prioritet.
Ai dëshiron ta shfrytëzojë Ukrainën dhe popullin e saj për konsolidimin e
bërthamës sllave të Rusisë – thotë për Wall Street Journal politologu bullgar Ivan Krastev, autor i librit për
demografinë evropiane.
- Por, për Ukrainën dilema
është ekzistenciale: Sa njerëz mund të humbni në luftë, para se ta humbni
ardhmërinë tuaj? – pyet Krastevi.
Masa më efektive e Putinit për shtimin e
numrit të popullsisë ruse para invadimit në Ukrainë ishte aneksimi i Krimesë në
vitin 2014. Sipas Krastevit, ky aneksim i shtoi Rusisë 2,4 milionë njerëz.
Politologu bullgar vlerësimet e veta i bazon në regjistrimin e fundit të
popullsisë në Rusi.
Rusia e shtonte popullsinë e vet duke
zaptuar territore, por lufta pati efekt dëshpërues për demografinë e saj të
brendshme dhe për tregun e punës. Prej fillimit të invadimit në Ukrainë, mbi
600.000 rusë kanë ikur nga vendi. Kanë ikur kryesisht të rinj profesionalë të
cilët kanë pasur mundësi të shpërngulen në vende të huaj.
Rusia tradicionalisht mbështetet në
migracionin e punës nga Azia Qendrore, por lufta e pakësoi, në mos edhe e
ndërpreu, ardhjen e punëtorëve imigrantë. Kjo e përkeqësoi mungesën në rritje
të fuqisë punëtore në Rusi për arsye se Siberia dhe Lindja e Largët shënojnë
rënie të shpejtë. Ekspertët të lidhur me
qeverinë publikisht e kanë paraqitur idenë për importin e punëtorëve nga Koreja
e Veriut.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka pasur efekt
katastrofik ndaj popullsisë ukrainase. Sipas regjistrimit të fundit të
popullsisë të vitit 2001, Ukraina ka pasur 48 milionë banorë. Në fillim të
vitit 2002, para invadimit rus, ky numër ra në 40 milionë, duke përfshirë
rajonet si Krimeja të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë filloi në shkurt
të vitit 2022. Sipas Kombeve të Bashkuara, që atëherë kanë ikur nga Ukraina mbi
gjashtë milionë vetë. Po të llogarisim këtu edhe pjesët e vendit të pushtuara
nga Rusia, rezulton se popullsia e përgjithshme në territorin që ndodhet nën
kontrollin e Kievit, tani ka rënë në 25 apo 27 milionë.
Hulumtuesi në Institutin për Demografi
Ptoukha, Oleksandër Gladun thotë: “Para luftës Ukraina ka pasur mbi 42 milionë
banorë, kurse në fillim të viti 2024, në territorin nën kontrollin e Kievit ka
pasur rreth 29 milionë banorë. Një
pasqyrë më e saktë e numrit të popullsisë në Ukrainë do të kishim vetëm pasi të
kalojnë disa vjet nga mbarimi i luftës, kur do të mund të dihet numri i
personave që do të kthehen”.
Në rënien e
numrit të popullsisë në Ukrainë nuk ndikon vetëm numri i të vrarëve.
Lindshmëria në Ukrainë ka rënë në shkallë të ulët. Sipas të dhënave të
qeverisë, në gjysmën e parë të këtij viti kanë vdekur tri herë më shumë njerëz sesa
që kanë lindur. Sipas të dhënave qeveritare, në atë periudhë kanë vdekur rreth
250.000 vetë, kurse kanë lindur rreth 87.000 foshnja, që është 9 për qind më
pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2021, para invadimit
rus, kanë lindur mbi 130.000 foshnja.
Mënyra ruse e luftimit ka për qëllim po
ashtu që ta bëjë Ukrainën të papërshtatshme për jetesë. Sulmet ruse me predha
dhe me fluturake pa pilot kanë nxjerrë nga përdorimi pjesë të mëdha të rrjetit
energjetik të Ukrainës, duke përfshirë edhe centralet elektrike. Si pasojë,
popullata ballafaqohet me ndërprerje të mëdha rryme dhe nxehjeje. Kjo mund të
ndikojë që gjatë këtij dimri një numër i konsiderueshëm i ukrainasve të
kërkojnë strehim jashtë vendit.
Palët ndërluftuese, Ukraina dhe Rusia, e
fshehin numrin e viktimave të luftës. Kryetari i Ukrainës Volodimir Zelenski tha në muajin shkurt se deri tani janë vrarë
rreth 31.000 ushtarë. Disa ish-zyrtarë politikë dhe të sigurisë thonë se
fshehja e numrit të vërtetë të të vrarëve ka për qëllim të qetësojë shoqërinë.
Fshehja e numrit real të të vrarëve do të ndihmonte në vazhdimin e mobilizimit
të popullatës për t’i dërguar në fushëbetejë.
Zelenski refuzon t’i mobilizojë meshkujt
midis 18 dhe 25 vjet që paraqet pjesën kryesore të të gjitha forcave luftarake.
Ish-zyrtarët ukrainas thonë se Zelenski vepron kështu për arsye se pjesa më e
madhe e këtyre meshkujve ende s’kanë pasur fëmijë. Po të vriteshin këta rekrutë
të rinj apo të plagoseshin e të bëheshin të paaftë, situata demografike e
ardhshme do të përkeqësohej akoma më tepër – thonë demografët ukrainas.
Për këtë arsye drejtuesit e luftës në
Ukrainë nuk u janë bindur thirrjeve të partnerëve perëndimorë për të dërguar në
fushëbeteja më shumë njerëz. Me fjalë të tjera, Ukraina ka zbatuar mobilizim të
pjesshëm. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve qeveritarë dhe ushtarakë, mosha
mesatare e luftëtarëve ukrainas tani është mbi 43 vjet. Për ta shtuar numrin e
luftëtarëve, Kievi ka rekrutuar një numër të vogël personash të dënua dhe të
huaj.
Numri i civilëve të vrarë mbetet i
panjohur. Sipas vlerësimeve të organizatës joqeveritare Human Rights Watch, vetëm pushtimi rus i qytetit portual Mariupol
në juglindje në vitin 2022, mori mbi 8.000 jetë.