Kulturë
Blerim Rrecaj: Dërgimi i një shkrimi pa fotografi
E merkure, 13.11.2024, 06:54 PM
Dërgimi i një shkrimi pa fotografi
Nga
Blerim Rrecaj
Kisha
pas shkruar një skicë me titullin "Ditë përpjekjesh", në të cilën
paskësha lënë ca shënime për përpjekjet e ne të dy shokëve, derisa punonim në
një gazetë bashkatdhetarësh me bashkëpunëtorë nga të gjitha viset shqiptare e
që botohej në shtetin zviceran. Si u bëmë ne pjesë e kësaj gazete? Është një
histori e këndshme që fillon me një letër, që vendosëm ta dërgonim me anë të
postës elektronike në drejtim të kësaj redaksie, që numrat e gazetës shtypur në
letër, shumë nga kopjet i sillte, i shpërndante nëpër Kosovë, ku ato mirreshin
falas nga lexuesit, nëpër pikat shpërndarëse, si nëpër dyqane, qendra tregtare,
kiosqe. Sapo e morëm vesh këtë gjë, nisëm edhe ne ta mirrnim, për të parë se
çfarë do na ofronte në faqet e saj. Vazhdonim ta mirrnim me gëzim këtë gazetë
të përdyjavshme, për të lexuar në të shkrime interesante e autentike nga të
gjitha trevat shqiptare e mërgata jonë e shtrirë nëpër anë të ndryshme të
globit. Në të shihnim idenë ku bashkoheshin tokat e kokat, por edhe zemrat
tona. Shfletimi e leximi i kujdesshëm na mjaftonte për të parë punën,
seriozitetin, profesionalizmin, kreativitetin, objektivitetin për historinë,
traditën, realitetin, aktualitetin, kulturën, artin, sportin, suksesin në
lëmenjtë nga më të ndryshmit, edhe sfidat, ndryshimet, rrjedhat e përgjithshme
të shoqërisë e kombit, në këtë periudhë kohe të quajtur globale.
Ku
e lamë, ah, po, te letra. Ishin ulur në një verandë të Parkut të Qytetin, kur
po hartonim një letër me pak rreshta, të cilën do ta dërgonim nga laptopi që
kishim me vete. Në ndërkohë që po bisedonim, na u kthye letra nga njëri prej
prijësve e bashkëpunëtorëve të gazetës. Letra na pëlqeu, dhe na ftonte që nëse
do të donim, të ndjeheshim e të bëheshim pjesë e gazetës që nga ky çast.
Pranuam. Pastaj, ditë pas dite e javë pas jave, takoheshim zakonisht në
kryeqytet, duke ardhur se kush nga një qytezë më e afërt e sekush nga një qytet
pak më i largët, për të filluar bisedat nga të cilat do të dilnin ide, plane,
vrull e vrapim pas temave të ndryshme. Sa e sa thirrjet, takimet, ngarendjet
pas burimeve të informacionit, për të shkruar raporte, kronika, reportazhe,
intervista, portrete, ndonjëherë edhe editoriale, që i dërgonim në adresën e
bashkëpunëtorit me të cilin nisëm letërkëmbimin, e që zinin e u bëhej vend në
mesin e shumë shkrime tjera të kolegëve që s'i njihnim personalisht. Fjala
nxirrte fjalën, tema temën, rruga e terreni jo rrallë sillte të paparashikuarën,
e spontanitetin. Kur mblidhnim materialin, zinim vend nëpër internet-kafetë e
kryeqytetit, kryesisht të koncentruara në një vend, njjëra prej tyre na bënte
"konak dite" shumë më shpesh, që zbrisnim shkallëve, për te lokali
përdhesë, që e cilësonim si një lloj bodrumi, i cili mblidhte mjaft
njerëz-klientë, e na dukej vend më i rehatshëm e më i qetë.
Pas
përmendjes së letrës dhe rrjedhat e jetës
pas saj, po duhet të kthehem te shkrimi i skicës që e përmenda në
fillim. E cila bën fjalë për prapaskenat ose ndoshta edhe paraskenat e punës që
bënim, derisa përfundonim shkrimet e nisura, e në të shumtën e rasteve
ndodheshim pranë njëri-tjetrit, pavarësisht se nga kush realizohej. Një miqësi
e bashkëpunim i hershëm që vazhdonte, të ishte mjaft i frytshëm.
Fillimisht
po marr tre rreshtat e fundit të skicës së përmendur, se ashtu po duket se mund
të ndërtohet ura që do të lidh brigjet e këtij rrëfimi.
"Derisa
shkruaj kështu më kujtohet dita kur ndoshta kanë kaluar pak më shumë se një vit
bashkë me përpjekjet për ta fotografuar një krua në Gërmi. Përpjekje që kishin
rezultuar pa sukses. Po ua lë vet ta imagjinoni atë ngjarje sepse s'dua t'u
lodh juve e as veten..."
Ja,
që tash pas kaq kohe kur kthehem te ky kujtim, që më doli në udhë, sikur po
vendos të ju lodh edhe juve edhe veten. Shpresoj të mos ju lodh shumë, por ta
shohim se si do vëjë rrjedha e kësaj rrëfenje, ndoshta do të na sjellë edhe
çaste çlodhjeje, çaste freskie, çaste këndellëse, çaste të bukura, e frymë
nostalgjie. Pse, jo, nëse kjo është e mundur.
Pra,
ishim diku në fillimet e punës sonë me këtë gazetë bashkatdhetarësh, e cila u
përmend më lart. Kishim krijuar tashmë një përvojë në sferën mediale, që pas
përfundimit të Shkollë së Lartë "Faik Konica", kush në një medie e
kush në një tjetër, shumë prej tyre të dy bashkë e pothuajse në çdo hap, diku
fare shkurt e diku pak më gjatë, por me ndërprerje mjaft të shpeshta, që për të
mos e lënë fajin jetim, po themi se nuk është faji jonë, në këtë sferë
veprimtarie komplekse, te një vendi dalur nga robëria në tranzicion, ose jemi
ata që pranojnë pjesën e fajit kur për këtë jemi të vetëdijshëm. Sidoqoftë
përpjekje e përpjejekje për të mos e
lënë fajin të na kthehet në fat, jemi me fat që bashkarisht përpiqemi të bëjmë
diçka me vlerë e diçka të mirë, në këtë rrugëtim të përbashkët.
Përsëri
ku e lamë e ku na mbeti, sikur na ndihmon e na zgjat dorën edhe një herë ky varg poeti.
Një
ditë, duke ecur udhës malore të Gërmisë, që i bie rreth e qark brenda saj, në
mbretërinë e drunjve, zogjve, florës e faunës së saj mbresëlënëse, ndalemi te
udha që fillon pas një kthese, aty i hedhim sytë te një krua që rrjedh, i rregulluar me gurë e me pllakën që tregon tre
emrat e njerëzve që kanë rregulluar këtë krua. Aty shohim edhe emrin e njërit
prej profesorëve të njohur, dhe koleg-bashkudhëtari, thotë se qenka mirë të
mendojmë për një shkrim për këtë krua ku qenka pjesëmarrës edhe profesori,
njëri nga vizituesit më të shpeshtë të Gërmisë. Ia nisim të gërmojmë për këtë
krua, për këtë thesar, i cili është njëri nga të tjerët që stolisin magjishëm
Gërminë e bukur.
Takohemi
me profesorin në njërën nga zyret e Institutit Albanalogjik. Dëgjojmë e marrim
shënime për atë që na rrëfen, bukur e këndshëm. Pas këtij bashkëbisedimi,
flasim edhe me dy-tre persona tjerë për ta pasuruar shkrimin tonë. Zëmë vend
pranë një kompjuteri në internet kafe, e kolegu me mjeshtri e thur shkrimin
duke më pyetur, se si po i duket, e shoh për kureshtje them, duke shtuar ndonjë
gjë në të, pasi për mjeshtëri shkrimi ka kohë që edhe sa vijonim studimet, por
edhe pastaj e ke dëshmuar këtë me shkrimet që ke publikuar, janë të një niveli
të lartë e të dëshiruar.
E
konstatojmë se duhet të dërgohet ky shkrim, pas gjithë këtij angazhimi
disaditësh, dhe për ta ilustruar e dokumentuar po na duhet edhe fotografia e
tij. S'kemi fotoaparat me vete. Vrapojmë pas tij. Dikë që e telefonojmë nuk
është tash në Prishtinë, dikush s'ka, e dikë nuk e gjejmë në shtëpi. Drejtohemi
kah dyqane të fotografëve, për të marrë një edhe me qera po të jetë e mundur,
dhe blejmë një të tillë që na thuhet që është njëpërdorimsh, e për të cilin po
dëgjoja për herë të parë. Pak, pothuajse aspak s'më kujtohet se s'i ishte ai
aparat. Siç duket do ia lë mikut tim të kryejë punë me të. Ia mësyejmë Gërmisë
me autobus. Drejt e te kroi. Një shkrepje. Derisa zbrisnim lugut të gjelbër të
Gërmisë, pamë një diell që po perëndonte magjishëm, e që lë mbresa të këndshme.
Kur kthehemi te dyqani ku ishim na thonë se shkrepja nuk ka rezultuar me
sukses. Nuk jemi të sigurt, nuk dijtëm ta përdorim a s'i ishte puna e tij. Kjo
s'kishte rëndësi, shkrimi do të dërgohej pa "fytyrën e kroit", që do
të zinte vend në një faqe të gazetës sonë...