Kulturë
Llesh Ndoj: Kur lexon ‘vetveten’ në faqet e një triptiku biografik, me tjetër autor
E marte, 12.11.2024, 06:50 PM
KUR LEXON “VETVETEN” NË FAQET E NJË TRIPTIKU BIOGRAFIK, ME TJETËR AUTOR
-
Mbresa nga leximi i romanit në tre vëllime i autores emigrante Franga Kola
Peraj –
NGA
LLESH NDOJ
Prolog.
U njohëm me Franga
Kolën rreth dyzet vite më parë, kohë kur ishim bashkëstudentë në Fakultetin e
Veterinarisë, dega zootekni, në ish - Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz, sot
Universiteti Bujqësor i Tiranës. Më ishte ngulitur në mendje e sy portreti i një
goce me tiparet e një djali çapkën, por edhe më kishte krijuar përshtypje të
mira nga se ishte njëra prej studenteve me rezultate të dallueshme mes shokëve
e shoqeve të kursit. Vitet rrodhën e udhët e jetës u ndanë, për t’u riparë edhe
njëherë kalimthi pas rreth njëzet viteve.
Libri në tërësi ka
funksione përbashkuese mes njerëzve që ndoshta kurrë nuk i ke takuar në jetë,
jo vetëm me autorin, por edhe me personazhet e tij. Ato më fatlumet prej tyre
bëhen “shokë e shoqe” virtuale, madje mund të bëhen idhuj e imitohen prej
shumëkujt. Natyrisht që, siç e shkrova më sipër, me Franga Kolën, autoren
emigrante të disa librave, nuk takohesha për herë të parë, por nga ky “takim
virtual” përmes faqeve të shumta të romanit të saj trivëllimesh pagëzuar me
titullin “Shiriti i verdhë” (V.I), “Reflektimi i jeshiles” (V.II) dhe “Shih e
shkruaj” (V.III), u befasova pozitivisht dhe kjo shoqëri virtuale me të m’u duk
se më bëri të mendoj se e njoh atë që në klasën e parë të arsimit fillorë,
ndonëse atëherë nuk e dija as se ku bie Lezha, e deri para pak më shumë se
njëzet viteve kur u ritakuam rastësisht e krejt shkurt në pazarin e qytetit të
Lezhës. Ashtu si autorja Franga i vendos ngjarjet në librin e saj si “leximi i
një shiriti të verdhë” që ka regjistruar ngjarjet e jetës së saj, njejtë “ky
shirit” nisi të më “xhirojë” edhe filmin e jetës sime, me projeksion në
ngjarjet e këtij romani. Rrallë herë skenat nuk përputheshin…
Parë në këtë
këndvështrim, romani i Frangës paraqet vlera të shumëfishta, kujtese për brezin
tonë e më herët dhe njohëse e reflektive për brezin më të ri, sidomos fëmijët
tanë, apo ata që kanë patur fatin të kishin një fëmijëri më të paqtë e larg
varfërisë që sundonte në fshat. Ngjarjet e romanit zhvillohen në një terren
gjeografik të kufizuar, në një fshat verior pak të njohur e pa ndonjë histori
të veçantë mbresëlënëse, në fshatin Mërçi të Lezhës, ku kujtesa të sjellë vetëm
Kishën e tij shekullore dhe Kuvendin e njohur të Arbërit të vitit 1703 nën
kujdesin e Papës shqiptar Klementi XI, apo përreth tij, kryesisht aty ku
autorja ka zhvilluar aktivitetin e saj jetësorë e shkollorë, me disa “skena” të
shkëputura jashtë tyre, por ky mjedis paraqitet në libër si një mjedis tipik
fshati me të gjitha karakteristikat që ne jemi mësuar t’a njohim atë. Franga, autorja
e romanit, ka një aftësi të veçantë përshkruese dhe me artin e saj të fjalës i
jep jetë gjithshkaje që vendos në fokusin e saj, herë duke e madhëruar në sytë
e mendjen e lexuesit, herë tjetër duke e zhytur atë në batakun e fushës, e
batakun e kohës. Kroi, udha, pusi, kopshti, kanali, përroi, ura, kërcujt në
mal, lulebleta, lugu i thiut, qerrja, karroca, dhia, delja, gomari…., asgjë nuk
kalon pa e regjistruar shiriti i saj i kujtesës në fëmijërinë e hershme dhe nuk
mungon të na e shfaqë një ndjesi të tillë edhe neve në faqet e këtij romani të
bukur. Gjithshka vjen bukur, me një gjuhë të thjeshtë e të pasur. Ngjarjet e
romanit kanë në qendër autoren, familjen e saj, klasën e shoqërinë e shkollës,
punën e jetën e saj. Edhe pse ngjarjet janë në thelb të thjeshta e në dukje pa
ndonjë rëndësi të vaçantë, ato marrin peshë se janë ngjarje të jetuara e të
përjetuara nga secili prej nesh, i lindur, rritur e jetuar në kushte të
përafërta me ato që ka jetuar ajo, dhe çka është më e rëndësishmja, janë një
realitet që është regjistruar vërtetë në ashtin, jo vetëm në “shiritin” e
memories së autorit, e jo një krijim laboratorik i një shkrimtari që ndoshta
kurrë nuk e ka shkelë fshatin. Ato transmetojnë një peshë emocionale të
jashtëzakonshme tek secili lexues. Aq bukur e ka paraqitur gjithë zhvillimin e
ngjarjeve në familje, apo mjediset e tjera ku ato marrin udhë, sa gjatë leximit
të pushton një ankth i jashtëzakonshëm në pritjen e vijimit e të mënyrës së
përfundimit të tyre.
Edhe pse janë ngjarje
të përditshmërisë së jetës në një fshat të asaj kohe, lexuesi e ndjek linjën e
tyre me kuriozitet, si të kishin ndodhur në hënë a në ndonjë planet tjetër.
Kontradiktat brenda familjes, sidomos mes dy kryefamiljarëve të saj, babait e
nënës, zhvillohen pa u ndalur, herë me tone të ashpra, e herë më të zbutura,
por asnjëherë mosekzistente, ashtu si koha e portretizonte luftën e klasave, si
forcën shtytëse të zhvillimit shoqërorë. Por ndryshe nga ajo, kjo kontradita e
brendshme në familje, as në teori, nuk sillte zhvillim. Përkundrazi… Jo vetëm
kjo, por struktura e ngjarjeve dhe rendi i gjërave në familje shihen si
“zvogëlim” i ngjarjeve me përmasa kombëtare, apo edhe vetë këto ngjarje brenda
qelizës shoqërore shihen të projektuara në ekranin e madh të skenës kombëtare.
Babai ishte “Maja e lapsit”, dhe ashtu si i Madhi i vendit, ai kishte
autoritetin absolut mbi gjithshka, ishte pronar i gjithshkaje, deri edhe i
jetës së pjestarëve të tjerë të familjes! Ai bënte planifikimin, organizimin,
bilancin, zhvillonte kritikën, jepte detyra, merrte e jepte borxhe… Të tjerët…?
Asnjë fjalë, asnjë pretendim, përveçse mobilizim për realizimin e detyrave të
planit e autokritikë kur punët nuk shkonim mire, e për të cilat ata dhe vetëm
ata, ishin përgjegjës, ndërkohë që arritjet kurdoherë i atriboheshin
udhëheqejes së mirë nga lart e planfikimit përfekt të punëve. Franga e ngre
shumë lart stekën e goditjes së saj edhe me humorin e hollë, me cinizmin, me
emrat e personazheve jo realë, ku sidomos bie në sy përdorimi i emrave të kafshëve me “goditje”
të largët, në menyrë metaforike tipizon fenomenet negative të bashkëpunëtorëve
të Sigurimit, qylgjinjtë, servilët, shkuesinë etj. Jo vetëm mjedisi ku ka
“xhiruar” shiriti i verdhë i autores është një mjedis i vogël, por edhe koha që
ky shirit pasqyron është relativisht e shkurtër, megjithatë nuk mund të mos
theksojmë faktin se ajo, si i gjithë brezi ynë, ka kaluar nëpër tri etapa të
rëndësishme: faza e fundit e pronës private dhe ajo fillestare e hedhjes së
bazave të sistemit të kaluar, socializmit, konsolidimi i tij bashkë me
fillimfundin e kësaj periudhe eksperimentale njerëzore, dhe e ashtuquajtura
demokraci. Në këtë planpamje, rreth 55 - 60 vite “xhirim” në këtë shirit
memorie, flasin sa për shekuj e sjellin ngjarje nga më tipiket përmes penës së
autores, që nga më të thjeshtat e deri tek ato më komiket, apo tragjiket.
Humori i saj i hollë dhe i keëndshëm ka origjinë popullore vendase, është tipik
e përfaqësues, aq sa shpeshherë i gjithë romani mund të mendohet si një
megakomedi në të cilën, gjatë leximit, sa herë shfleton një faqe të duket se po
ndryshon një akt në skenën e madhe imagjinare. Disa herë autorja shprehet edhe
përmes vargjeve komike, mbushur me fjalë e stilizime popullore zonale, por edhe
kur rrëfimi i saj është jo në varg, ruhet njëlloj intonacioni, ritmi dhe një
lloji rime, herë e dukshme e herë e brendshme, e denjë për një vepër komike.
Thashë diku më lart se në planin vertikal ngjarjet zhvendosen bukur sa në
familje, në klasë, apo brigadë, e deri në nivelin më të lartë të organizimit
shoqërorë bashkëkohor, bile ky vertikalitet zbret deri tek individi dhe shfaqet
në monologjet e tij të brendshme, apo në shprehjet e tyre përmes veprimeve
konkrete. Në vertikalitetin e brendshëm, atë të mendimeve, autorja i zhvillon e
shtjellon ngjarjet mjaft bukur, duke e vendosur veten herë si në një gropë, apo
batak si i thotë në dialektin vendas, gjë që nënkupton kohën, regjimin,
pamundësinë e ecjes përpara, ndërkohë që përballë forcës tërheqëse apo goditëse
që synon zhytjen e saj më në thellësi të kësaj grope, siç pati ndodh me pendën
e qeve në batak, ajo lartëson forcën që e tërheq lart, kthjelltësinë e
mendimit, pozitivitetin e ndjenjës së bukur, shpresën…
Libri i Franga Kolës
ve në lojë, me gjithë forcën e shpirtit, sistemin e kaluar. Në se do të ishte
shkruar para nëntëdhjetës, pa asnjë dyshim, do të ishte libri më i bukur
“anti”, dhe do të meritonte të quhej jo “Shiriti i verdhë”, por “Libri i
verdhë”, i cili do të mund të qarkullonte vetëm fshehtas, poshtë rrobave të
bollshme të veshjes mirditore, kallmetore, zadrimore apo malësore, ndoshta në
barrën me kërcuna a në karrocën e Bishtcubit e ajo, autorja e tij, me siguri do
të kishte bërë një burg të mirë brenda burgut të madh ku zhvillohen gjithë
ndodhitë e tij. Edhe pse i shkruar në tjetër sistem, Franga i ka qëndruar
besnike “leximit” të shiritit të verdhë të kujtesës dhe kjo frymë “anti” nuk
vjen në të tashmen, ku të gjithëve tani na ka “ardhë” goja, por në të djeshmen,
ndaj ky lloj qëndrimi antisistem vjen përmes humorit, emrave të përzgjedhur,
metaforave të bukura, e jo si një fjalim elektoralo - politik bashkëkohorë.
Enveri vjen në libër si Leveri, Mao Ce Duni si Maocedruni, Hrushovi si
Groshqorri, ish Byroja me dymbëdhjëtshen e saj, here si 12 perënditë e Olimpit
e herë si 12 perënditë e batakut, zyrat e këshillit si nevojtore, gropa apo
thesi i haleve, kodra e thatë etj. Romani pasqyron bukur zhvillimet
kundranatyrore të kohës përmes dramës së shpyllëzimeve pa kriter, duke u “qarë
hallin” edhe hardhucave, apo bretkocave nga hapja pa kriter e kanaleve dhe
disiplinimi i ujërave, pasi edhe për ato ishte dhënë “urdhëri i mbledhjes”
(kolektivizimit), ndaj edhe ishin zhdukur. Ja sa bukur e sjell vdekjen e
diktatorit autorja: vdiq Leveri por mbeti gjallë “Maja e lapsit”, dmth vazhdimësia…
Jo vetëm “për t’mos u
mbetur hatri”, por me qëllim të mirë për konservimin e tyre, autorja përdor me
shumë kënaqësi e kujdes fjalë e emra të zhargonit popullor, përfaqësues të
zonës ku ka lindur dhe është rritur, të cilat ndoshta gradualisht po humbasin
jo vetëm përdorimin por edhe kuptimin dhe njohjen e tyre, të tilla si vroga,
qepeni, fija (ujë përzier me hi), sqolla, furka, gjymnerët, shputa e shtrojca,
çardak, burg, tlanat (ushqimi i derrave), gradencë, groshtare, kokruk, vanga,
teja, babune, gostë thiu, meznik apo koronik, kizë, tllarë, vekë etj. Vend të
posaçëm zenë edhe disa shprehje tipike popullore të zonës me të cilat ajo
“luan” bukur për të përcjellë kumtin që i ka vënë detyrë vetes.
Konflikti është kudo i
pranishëm në këtë vepër, herë i dukshëm e herë i fshehur, herë i rëndë e herë
tjetër më i lehtë, shpesh i ndërlikuar, por gjithnjë ka një rreze drite që asaj
“i shfaqet në shirit - memorien” e jetës së saj dhe që e deshifron bukur edhe
për lexuesin, herë si besim, herë si bamirësi, herë si nënë e urtë, si shoqe,
si kunatë, si vlla, si…, duke mos lejuar zhytjen e personazheve e ngjarjeve në
amulli e duke hapur horizonte për lexuesin. Ka ky konflikt disa kulme në
vetvete, si letra e babait për t’a larguar atë nga fakulteti, momenti kur autorja
- personazh zbulon papritur se ai njëherë e “kishte varur” të ëmën në teje
(litar) në burgun e shtëpisë, përpjekjet për nisjen ushtar me patjetër të
Jorgos (vëllait), vetëm që të mos shkonte në shkollë, apo thirrja nga sekretari
i partisë me kërkesën e të atit etj. Përmasa të bukura marrin ngjarjet në
aspektin vertikal të pasqyrimit të traditës dhe zakoneve të trevës, gjithnjë
përmes përditshmërisë së zhvendosjes kohore të ngjarjeve. Vetë fshati Mërçi ku
ka lindur dhe është rritur autorja, i ndodhur në një zonë me tipare etno -
kulturore të spikatura mirditore, por edhe me marredhënie fqinjësie, shoqërore,
miqësore e jetike me Kallmetin e veçantë në çdo aspekt, me Zadrimën e bukur, me
malësorët e mrekullueshëm, por edhe duke qenë fqinj me qytetin e Lezhës, është
një mozaik interesant e frymëzues. Franga nuk mungon t’a sjellë atë herë pas
here në faqet e librit të saj. Nuk mungojnë në libër as zakonet e këqija, apo
veset, e në se do të mungonin ato, do të thoja se “shiriti i saj i memories”
nuk ka pasqyruar qartë realitetin apo nuk ka regjistruar me ndershmëri kohën e
ngjarjet. Bile vetë Anga, personazhi kryesor i librit të Frangës, ishte
“fejuar” që në djep, gjë që vjen në libër si “amanet i hallës”, e bëhet burim
zhvillimesh vijuese që ndiqen me kuriozitet nga lexuesi, por që edhe vetë ajo u
jep një zgjidhje të guximshme e të pa parashikueshme, duke na dhënë njërin nga
zhvillimet kulmore të ngjarjeve në libër, sepse kështu janë përzgjedhur
kunatat, janë martuar shoqet e saj e plot raste të tjera. Horizontalisht
ngjarjet e tejkalojnë fshatin e Lezhën, sepse ato tani vendosen sa në qytetin e
Lezhës, ku ajo përfundon arsimin e mesëm, e deri në Tiranë ku shkoi për herë të
parë për të parë në spital vllajin e sëmurë, që nuk e harron kurrë, apo më tej
duke kaluar më vonë edhe kufirin drejt Italisë fqinje, gjë që krahas dilemave
të natyrshme e vështirësive të mëdha që e shoqërojnë, sjell edhe horizonte të
reja për të, por edhe për një brez të tërë që gjetën atje një atdhe të dytë e
ku ëndërrat e tyre morën krahë, por jo si në një livadh me lule. Përshkrimi
linear i zhvillimeve ndërpritet herë pas here dhe e hedh autoren në ngjarje të
pajetuara prej saj, treguar nga të afërmit apo njohur nga historia. Kjo e
shmang dukshëm rrezikun e njëtrajtshmërisë cfilitëse për lexuesin dhe e bën
lëndën tërheqëse dhe shumë interesante.
Libri ka në vetvete
disa pika kulmore, mes të cilave do të veçoja ndarjen nga jeta të vllait të saj
të parë, kujtesa për të cilin do të shenjonte autoren dhe gjithë familjen në
vijueshmërinë e jetës, konflikti i vazhdueshëm në familje dhe divorci i
prindërve, vendimi i personazhit kryesor, Angës (Frangës), që kundër vullnetit
të babait të saj, të shkonte në shkollë të lartë, duke prishur praktikisht edhe
“amanetin e hallës”, apo fejesën e pa shpallur që në djep, udhëtimi për në
Itali dhe vështirësitë e përshtatjes atje, bashkë me zhvillimet e tjera që e
shoqërojnë, por edhe arritje dhe ngjarje të bukura si fejesa e saj me Takun,
arritur përmes ngjarjeve thuajse dramatike, martesa e marrëdhënia me dy
vëllezërit më të vegjël, ardhja në jetë e fëmijëve të mrekullueshëm,
marrëdhënia konstante e dashurisë në çift, që vijnë si kaltërsia e horizontit,
apo qartësia e shpresës dhe e perspektivës.
Gjuha e Frangës në këtë roman është shumë e pasur. Ajo përdor metafora
të bukura, bazuar në gjuhën e pasur e të trashëguar të zonës, por kjo duket se
nuk i mjafton. Duke patur njohuri të thella shkencore në shumë fusha, duke qenë
nxënëse e studente shembullore, por edhe e lexuar, autorja nuk mungon t’i
tipizojë ngjarje e fenomene me gjuhën e shkencës së matematikës, gjeometrisë,
fizikës, astronomisë, biologjisë, gjenetikës e shumë fushave të tjera, pa e
bërë abstrakte situatën, as duke e vulgarizuar shkencën. Në roman autorja luan
bukur me ngjyrat: të verdhën e kujtesës së fëmijërisë, të gjelbërtën e
qartësimit të perspektivës dhe të kaltrën e besimit dhe shpresës. Të tri
volumet e këtij romani kanë si redaktor z. Berat Batiu dhe shoqërohen me një
parathënie të shkurtër prej tij, kopertinën e ka ideuar piktori i njohur,
njëkohësisht personazh i librit, Gjergji Kola, dhe janë botuar cilësisht nga
Shtëpia Botuese “Fidani”, Prizren.
Në vend të epilogut:
Njohja virtuale me
Frangën, përmes librave të saj, më konfirmoi fatmirësisht se nuk kisha qenë
aspak i gabuar me atë të mbeturën e saj në kujtesën time si një vajzë e
thjeshtë, e zgjuar, plot humor, e me paraqitjen e sjelljen e saj si të një
djali të shkathët. Ngjarjet në këtë roman pasqyrojnë besnikërisht këtë portret
të saj, reflektojnë shkallën e thelluar të njohjes prej saj të jetës,
realitetit, letersisë dhe shkencës, dy fakultetet e mbaruara, qartësinë e
mendimit e guximin e veprimit, gjë që i kanë dhënë asaj një rol mjaft vendimtar
në familjen e prindërve, por edhe të saj. E dëshmon këtë më së miri edhe ky roman
i bukur në të tri vëllimet e tij dhe krijmtaria e saj më e gjerë. Këtu më duhet
të korigjoj veten pak: në fakt unë e paskësh njohur Angen, personazhin e
romanit të pashkruar atëherë, ndërsa Frangën, autoren e tij, jo plotësisht. Më
kishte shpëtuar çuditërisht një tipar i saj: aftësia për të folur kaq shumë e
kaq gjatë pa e ngatërruar asnjëherë fillin e rrëfimit e pa përsëritur vetveten.
Jo! Kurrsesi nuk po them se njoha një “llafazane”, por u binda se ajo është një
shkrimtare, romanciere e komediane, e vërtetë, që asokohe as që e kisha
menduar! Ah, se gati harrova: edhe flokët e veshjet i mban të prera si çun,
veçse ndryshe nga e ëma, nënë Lezja 91 vjeçare, me mendjen e një 19 vjeçareje,
të cilën pata fatin t’a njoh të prezantuar dy herë nga Franga, një herë në
kafe, e pastaj gjërë e gjatë në fletët e romanit të saj. Autorja nuk përdor
bojë flokësh, rimel qerpikësh, as kaçurrela tipike të
zonës fqinje, as ata “brirët”, si u thotë ajo rregjave (gërshetave) të flokëve
tek mirditoret, dhe “bora” e moshës, por edhe halleve e vuajtjeve të jetës, ka
bërë vend dukshëm mbi ta…
Shumë urime Franga e
romanit, shkrimtarja e njohur, Franga jonë e mirë dhe përherë e qeshur, edhe në
halle e vështirësi.
LLESH NDOJ, intelektual, poet e studjues
Lezhë,
10 nëntor 2024