Mendime
Idriz Zeqiraj: AAK i kërkon opozitës bojkot koalicionit me LVV!
E enjte, 07.11.2024, 06:53 PM
AAK I KËRKON OPOZITËS BOJKOT KOALICIONIT ME LVV!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Është e sikletshme të analizosh
informacionet e eksponentëve të partive-banda të PAN-it. Synimi i tyre para,
gjatë dhe pas luftës së Kosovës ka qenë pushteti, qoftë edhe me dhunë e
përgjakje. Kreu i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, edhe pas çerek-shekulli
krime dhe hajni nga PAN-i, pjesë e të cilit është partia e tij, ka fytyrë të
organizojë fushatën për kthimin e bandave në pushtet!
Mbrojtësi i krimit dhe të kriminelëve,
Tahiri, zbulon se "partitë opozitare të vendit kanë biseduar me
njëra-tjetrën, që të mos bëjnë koalicione me Lëvizjen Vetëvendosje".
Bojkoti është mënyra më e keqe, për të ardhur ke pushteti. Në fakt, ai nuk e do
as LDK-në brenda, sepse i donë vetëm "komandantët" pa ushtarë të
PAN-it në pushtet! Por, është i vetëdijshëm se pa numrat e LDK-së, nuk e
realizojnë poshtërsinë e planifikuar.
Kjo dëshmon se eksponenti i AAK-së,
Tahiri, së bashku me PAN-in e tij, janë në panik, në pritje të humbjes së radhës.
Prandaj kanë sforcuar, qoftë edhe artificialisht dhe me afera të sajuara,
parafushatën të nismuar jashtëligjshëm, ende pa u hapur ligjërisht fushata.
Nëse LDK-ja i filloi dhe i bëri disa nga reformat e premtuara, PAN-i,
respektivisht, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, as që e filluan asnjë reformë.
Gjithçka mbeti si më parë, me krime, hajni, haraç masiv, zhvatje zyrtare të
buxhetit shtetëror, përrmes makro-falsifikimit të "Dëshmive të
Veteranit", duke tejkaluar shifrën e 40 mijë "veteranëve" të
rremë, shumësia e të cilëve PAN-i i bëri klientelë partiake të tij në proceset
votuese zgjedhore.
Thënë troç, "komandantët" pa
ushtarë të PAN-it, nuk e durojnë opozitarizmin dhe duan pushtet, madje pa i
zgjedhur mjetet dhe metodat. Paniku i humbjes është tmerrues. Përveç mungesës
të pushtetit, rrjedhimisht, të zhvatjeve, hajnive zyrtare, disa procese të
filluara, si përmirësimi i sistemit të drejtësisë, përmes VETTING-ut dhe
verifikimi i pronave, pasurisë pa mbulesë reale. Është pikërisht makro-hajnia e
"komandantëve" PAN-istë, me bandat e tyre, që sunduan për dy dekada
radhazi, që ka bllokuar ndër vite Vettingun dhe reziston ta dështojë atë dhe
nismat tjera ligjore, të cilat kërkon t`i realizojë qeveria aktuale e LVV. Dhe,
është kjo arsyeja tjetër, që eksponenti markant i PAN-it, Besnik Tahiri, që
ngulmon, madje me çdo kusht, kthimin në pushtet. Dhe, në vend të bllokimit që u
kanë bërë proceseve, të nismuara nga pozita aktuale, me ardhjen e opozitës në
pushtet, t`i heshtë dhe zhbëjë proceset në fjalë. Veç kësaj, tashmë, Gjykata
Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ka siguruar prova dhe fakte, duke hartuar
dosje faktike, për krimet serike ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, gjatë
dhe pas luftës në Kosovë. Krimet numerike, gjithsesi duhet të kenë edhe përmasën
e përgjegjësisë, në raport me shumësinë e viktimave, tërësisht, të pafajshme.
LDK ndryshe nga PAN, koalicion vetëm me
LVV
Ka një angazhim enorme të opozitës, për
ta ndalë marshimin e LVV, për ta vazhduar mandatin e dytë saj. Ndjesi keqardhje
ka për LDK-në, e cila u viktimizua nga një rreth vizioz i brendshëm, me flirtim
me kreun e PDK-së, Hashim Thaçin, duke bërë shërbime fatale për llogari të tij.
Përndryshe nuk ka afera kriminale dhe as keorruptive, hajnore. LDK-ja u rrëzua
dhunshëm nga qeverisja meritore me LVV, nga ndërhyrja e jashtme, në koordinim
me disa hafije të brendshëm. LDK-ja përgjatë opozitarizmit 4 (katër) vjeçar, ka
punuar shumë, për të qenë, në mos në krye, të paktën pjesë e qeverisjes. Ajo ka
shansin e artë për t`u bërë, sërishmi, kryezonjë, si në epokën rugoviane. Duhet
pranuar se lidërshipi i ri ka qenë ekip mobil dhe fort i përkushtuar, për ta
ringritur rejtingun, namin e partisë, e cila, nën drejtimin e Presidentit
Rugova, e bëri paqen dhe luftën, duke e shpenë Republikën e Kosovës në
pavarësinë e saj. Lidershipi i ri i partisë, duke i lënë në harresë shumë nga
bashkëpunëtorët të vyeshëm e besnikë të kryetarit Rugova, sikur miratoi
veprimet përjashtuese, më saktë, spastruese të pararendësve të tij. Dhe, kjo do
ta këtë koston e saj.
Është për shumë keqardhje se disa
kuadro të afërm të ish-kryetarit Mustafa, kurrë nuk u pajtuan me humbjen e
pozitave, të cilat i gëzuan për gjatë kohë. Ngecja e reformave të pritshme
partiake, u dha rast disa të lënduarëve nga anashkalimi, ta sulmojnë
lidërshipin e ri, pa u merakosur se po dëmtojnë partinë. Ekziston frika e
bazuar se të tillët e duan dështimin e kryetarit aktual. Një klauzolë e
brendshme, e dalë nga strukturat e partisë, e lënë të hapur mundësinë e
shkarkimit të kryetarit, në rast të
humbjes të zgjedhjeve. Por, sa logjike
do të ishte kjo masë ekstreme, në rastin e LDK-së, kur udhëheqja e shkuar e
kishte sjellur atë në 10 %, sepse 2 % i përkisnin Pacollit.
Aq më pak, kur dihet se rrënimi i
LDK-së ishte, pothuajse, i qëllimshëm, sepse koalicioni me PAN-in, përgjakës të
LDK-së dhe Kosovës, bëhej përsëritshëm, në kundërshtim të plotë me vullnetin të
anëtarësisë dhe të elektoratit të partisë. Humbjen spektakulare, të pritshme të
LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, shefat e partisë ua faturuan,
falsifikueshëm, dy zonjave luftarake dhe shumë të respektuara, nga shumica
absolute e shqiptarëve të përbotshëm, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani. Ishin
mësuar mjeranët uzurpues të LDK-së, t`i largonin kuadrot e Dr. Rugovës, me -
heshtjen e qetë -! Por, kësaj radhe, karrieristëve të thekshëm, "sharra u
hasi në gozhdë", sepse çikat e zgjuara dhe skajshëm të dinjitetshme të
Kosovës, nuk e pranuan "pensionimin" e dhunshëm politik!
LDK-ja ka krijuar një bazë solide, për
ta ndryshuar statutin aktual të saj, nga opozitë në pozitë. Gjeturia e
përgjegjshme e lidershipit të saj, përgjatë procesit fushatorë dhe atij
zgjedhorë, deri në kompozimin e qeverisë së re, do të përcaktojë, në një masë
të madhe, fatin e LDK-së, respektivisht, rreshtimin e saj në pozitë. Ajo duhet
të bëjë një fushatë ndryshe nga opozita tjetër, të faktuar dhe pa shpifje
monstrume "alla komuniste", siç veprojnë partitë-banda të PAN-it,
përkatësisht, PDK-AAK-NISMA. Shpifjet groteske dhe mohimi i gjithçkaje të LVV,
e rrezikojnë PAN-in të mos besohet për asgjë. Dhe, ky është ai sforcimi
fushatorë apo në zhargonin pezhhorativ lehaqener. Prandaj, në shkrimet e mia,
për të qenë i saktë, e bëj dallimin e qartë dhe nuk "e fus në një
thes" LDK-në me subjektet tjera të opozitës rrast të inkriminuara.
Lëvizja Vetëvendosje duhet të lirohet
nga megollomania e tipit të Isa Mustafës së "zgjedhjet i fitoj me duar në
xhepa!" Sulmet shpifëse të orkestruara e korale të bandës së bashkuar të
PAN-it, nuk duhet t`i heshtë, me mendimin se "as shej nuk më bëjnë!"
Përkundrazi, LVV duhet të qëndrojë "me këmbë në tokë", duke demantuar
përflakshëm dhe faktueshëm "të bëmat" kriminale të eksponentëve të
partive-banda të PAN-it. Ato kanë mbushur kupën e krimeve dhe të hajnive industriale,
të cilat jo vetëm nuk mund ta sfidojnë LVV, por janë kandidate potenciale, për
t`i shpallur të jashtëligjshme.
Horrakët: Hashimi-Vuçiq-Isa dhe
Rama-Grenell, prishën koalicionin LVV-LDK!
Edhe pse LVV pretendon se do të fitojë,
bindshëm e mjaftueshëm, së bashku me -GUXO- dhe -ALTERNATIVA-, pa pasur nevojë
për koalicione shtesë, realizimi i fitorës kërkon një angazhim serioz, për ta
amortizuar fushatën shpifëse të PAN-istëve. Realisht, skena politike në Kosovë
është keqas e kontaminuar, e toksifikuar. Andaj ka pak hapësirë për të zgjedhur
partner për koalicion. Partizat pa mëkate janë minore dhe nuk kanë peshën e
nevojshme, që mund të kërkojë koalicioni qeveri-formues. Partitë e PAN-it, për
përmasën e krimeve, me dosje tmerruese, do ta dëmtonin këdo që ta pranonte në
koalicion, sepse do të akuzohej se po kthen krimin dhe kriminelët në pushtet,
të cilët vota e popullit i largoi nga pushteti të turpëruar me fund.
Mundësi e vetme reale për koalicion të
natyrshëm dhe të pranueshëm, që garanton sukses për Kosovën, janë LVV-LDK.
Argumentimi i këtij koalicioni ideal, është udhëheqja - me duar të pastra -.
Dihet botërisht se këto dy subjekte politike, nuk kanë struktura vrastare dhe
as afera hajnore. LDK-ja është e njohur për korrektësi me partnerët e
koalicionit, madje më shumë se sa kërkohet për një partneritet. Koalicioni
jetëshkurtër LVV-LDK, funksiononte mrekullisht mirë, me ministrat profesional
dhe të përgjegjshëm të LDK-së, përfshi edhe vet kryetarin Lumir Abdixhikun.
Ishte forca madhore që urdhëroi
prishjen e atij koalicioni. Horrakët: Hashimi-Vuçiq-Isa dhe Rama-Grenell,
prishën koalicionin LVV-LDK! Edhe pse kryetari i deputetëve të LDK-së, Arben
Gashi, e denoncoi "enigmën" se "emisari Grenell na dha afat një
javë, për ta prishur koalicionin me LVV të Kurtit", ndoca nga Qendra e
LDK-së vazhdojnë të gënjejnë se, gjoja, "VV-ja e prishi koalicioin, me
përjashtimin e ministrave të LDK-së nga Qeveria"?! Hajde rrenë, hajde!
Vërtet, kryeministri Kurti mësoi dallaveret Thaçi-Grenell dhe vendimet e tij
ishin "ngile" për hileqarët. Horrakët nuk merakoseshin fare, për
krizën që kalonte Kosova në kohë të Pandemisë vdektare, kur popullit i mungonin
vaksinat elementare.
Kam punuar tej dy dekadave me Donikë
Gërvallën dhe i besoj asaj, duke njohur sinqeritetin proverbial të saj, kur më
thotë: "Këta, (udhëheqja e LVV), as nuk vjedhin vetë dhe as nuk lejojnë të
tjerët të vjedhin". Dhe, vërtet, përgjatë katër viteve qeverisje, nuk ka
pasur afera korruptive. Krejt e kundërta ka ndodhur përgjatë qeverisjes
kriminale të PAN-it.
Ideja e hedhur nga eksponentët e
partisë të kriminalizuar, AAK, Besnik Tahiri, për ta bojkotuar çfarëdo
koalicioni të opozitës me LVV, është ogurëzezë. Sepse çdo variant që sjell,
sërishmi, "komandantët" në pushtet, është gjëmë për Kosovën. Është sa
provokative, aq edhe kriminale për popullin e Kosovës, të përballën përsëri
viktimat e pafajëshme me persekutorët. Asgjë të mirë nuk i vjen Kosovës, nga
ata që e përgjakën dhe e zhvatën Kosovën, për dy dekada radhazi. Kushdo që do
ta ndihmonte kthimin e PAN-it në pushtet, do të bëhej pjesë e krimit. Për
LDK-në bëjmë pyetjen logjike: A më mirë LVV në pushtet, qoftë edhe me disa
premtime të parealizuara, apo një bandë vrastare, prepotente, mujshore, e cila
abuzimin me pushtetin e ka parësi, normë, tashmë, të provuar përtej dy dekadave
të shkuara. Pajtimi i LDK-së me idenë obskure të bojkotit të LVV, me armën e
mosbërjes të koalicionit, përkundër vullnetit të anëtarësisë fisnike, do të
ishte turpërimi me fund i saj dhe tradhti - njëheresh. Kujdes nga eksperimentet
"alla Isa Mustafa", sepse do ta pësoni si ai!