| E enjte, 07.11.2024, 06:54 PM |
MIRASH IVANAJ, “MINISTRI i HEKURT”
Legjenda e arsimit shqiptar në
librin e bashkëkohësit Lazër Radi
Një njeri që e mban vazhdimisht dorëheqjen në xhep, s’mund
të jetë ndryshe, veç njeri i ndershëm dhe atdhetar i pathyeshëm. Jeta e Mirash
Ivanajt ishte e lidhur me idealet dhe jo me kolltukun apo interesave vetjake. - Lazër Radi
Nga Kadri Tarelli
Çuditem me vete, kur
mendoj, si më ka shpëtuar nga dora ky libër “Mirash Ivanaj, Ministri i Hekurt”,
që mbart mbi shpinë vlera njerëzore, ndershmëri, atdhetari e shqiptari. Me
dëshirën e madhe që ta kem në bibliotekën time personale, ose të paktën ta
kisha lexuar që në ditët e para të botimit. “Më mirë vonë se kurrë”, - thotë i
mençuri. Ma dhuroi miku dhe lexuesi i palodhur Vasil Puci. E lexova dhe po e
rilexoj, pavarësisht tronditjes që më sjell, pasi jeta e këtij njeriut të ditur
ka shumë thyerje, që shkon nga një pedagog i përkushtuar në shkollat e mesme të
kohës, publicist dhe kritik i ashpër, ministër arsimi dhe reformator me emër të
ndritur, më pas lufta dhe pushtimi i Shqipërisë e detyrojnë të marrë udhët e
mërgimit, ku vështirësitë janë të pranueshme. Por s’mbaron këtu.....!
Siç po shikoj edhe
komentet mbi këtë libër, bindem se Lazër Radi është i pari autor që shkroi me bindje
në mendje dhe me zjarr shpirti, për ta nxjerrë nga heshtja dhe fshehja, këtë
figurë të reformatorit të madh. Nuk jam besimtar, por çuditërisht vlerat dhe
njerëzit me vlera kurrë nuk humbasin. Vjen një kohë, që jo rastësisht, do të
dalë dikush, siç është Lazër Radi, që do të nxjerrë në shesh, floririn e
fshehur apo të hedhur në baltë, për ta pastruar dhe shkëlqyer në rreze të diellit.
“Floriri mbetet flori, kudo që ta hedhësh”, - thotë populli.
Mirash
Ivanajt, Dr. Lazër Radi, në veprën e tij “Misteret e një ministri”, gjen dhe
citon arsyet pse u kthye Mirashi: “Unë erdha në Atdheun tim. Zani i
këtij atdheu asnjëherë nuk reshti së thirruni. Këtij zani i’u binda. Me gjithë
pleqninë time, me mjete shumë të vështira, i pluhnosur dhe i zhigatun, sa as
unë vetë as të tjerët nuk po më njihnin, u ktheva në Atdhe”.
Në
të vërtetë, siç e pohon edhe vetë Prof. Ivanaj, nuk e njihte situatën në
Shqipëri dhe rrezikun që kanosej atij dhe atdheut të tij. Puthi tokën në
kufi, (Zakon i bukur për mërgimtarët që ktheheshin në mëmëdhe), dhe pas mjaft
peripecish arriti në Tiranë. “Të gjitha rrugët më binin vetëm këtu në Atdhe!”,
shprehet ai, kur e pyesnin: Pse u ktheve...?.
E gjitha kjo kohë,
duket si një udhëtim me pak telashe e dhimbje, por është vetëm një pjesë, sepse
shtatë vitet e fundit të jetës së tij, në prag të gjashtëdhjetë-vjetorit, provoi
burgun, “Ferrin dantesk” të komunizmit shqiptar, si i dënuar apo i ndëshkuar pa
asnjë faj. Por zhgënjimi ngriti krye, tashmë si i burgosur, ndaj shprehet: -
“Nuk ia fal vetes që u tregova naiv dhe i besova Enver Hoxhës......”. Ashtu siç
besuan shumica e intelektualëve që nuk u larguan, por mbeten në vend, apo u
kthyen për t’i shërbyer vendit dhe kombit, të bindur në pafajësi dhe në misionin
e tyre: “dijet në shërbim të atdheut dhe kombit”. Kur po shkruaj këto pak
radhë, më kumbojnë në vesh fjalët e shkrimtares vlonjate, znj. Vilhelme
Vrana-Haxhiraj, (Vivra), kur thotë: “Shpikja më e madhe e komunizmit ishte
Lufta e Klasave. Më e egra që ka njohur bota. Që i trajtoi si tradhtarë dhe
antikombëtarë gjithë fisnikët dhe intelektualët me kulturë perëndimore”.
Nuk kam arsye të
shtjelloj kohën e çudirave dhe krimet e pa dëgjuara të shqiptarëve ndaj
shqiptarëve. Është folur e shkruar aq shumë, megjithëse ende ka shumë për të
thënë, pasi një pjesë e këtyre intelektualëve të zëshëm, siç ishte edhe “heroi”
ynë Mirash Ivanaj, veç ndëshkimit fizik, qëllimisht u lanë në “harresë”. Pyetja
“Pse”, besoj vlen, por nuk gjen përgjigje, aq më pak gjen vend në zallamahinë e
krimeve politike të viteve të para të pas luftës. Mjerë ai që futej në listat e
njerëzve të dyshuar apo të pa dëshiruar. Çdo fjalë, rresht apo faqe e këtij
libri, është një plotësim i amanetit të At Zef Pllumit: “Rrno për me tregue!”.
Në këtë libër, që unë
e quaj “monografi jete dhe vepre”, mund të ndalem shkurt në disa pjesë:
Si fillim,
të gjitha nga pak: fëmijëria dhe shkollimi në
Beograd dhe Romë, ku morri dy diploma (letërsi dhe drejtësi), me vlerësimin
maksimal. Zotërues i disa gjuhëve të huaja, (të gjalla e të vdekura), me
kujtesë të jashtëzakonshme, por tepër i ndershëm në fjalë dhe besë shqiptarie.
Kthehet në mëmëdhe edhe punon si pedagog e publicist, me ide të thekura
kombëtare. Në vitin 1923, dy vëllezërit Martini dhe Mirashi, së bashku themeluan
revistën “Republika”, si një mjet për të shpalosur idetë atdhetare në
realitetin e ndërlikuar shqiptar, ku vendi kryesor ishte dhe mbeti Arsimi Kombëtar
Shqiptar. Ide që do të gjejë zbatim pak vite më pas, me shtetëzimin e shkollës,
në Reformën Arsimore të vitit 1933.
Më tej, “Ministër dhe reformator i pa arritshëm”, - shprehet autori. Unë do të shtoja model i një burri shteti që
nuk tundohet nga kolltuku, paraja dhe pasuria, as nga ryshfeti dhe servilizmi,
as nga dukja e mburrja vend pa vend. E gjitha mbështetur në dije të thella, mendime
të qarta dhe te puna e madhe për ta bërë më të mirë në interes të vendit.
Reforma arsimore ishte dhe mbeti vepra më e madhe, më e ndritshme, më e lakuar
e më lakmuar e “Ministrit të hekurt”, Mirash Ivanaj.
Lexuesi nuk ka nevojë
t’i thuhen hollësitë e shumta të ndërthurura bukur në këtë libër, të cilat vetiu
të tërheqin magjishëm, pasi kështu zbehet dëshira dhe e panjohura që të bën të
mos e lëshosh nga dora. Por unë në vazhdim, dua të sjell një lloj legjende që
qarkullon te njerëzit në formë tregimi apo dialog, mes Mbretit Zog i I-rë dhe
profesorit Mirash Ivanaj, i thirrur në zyrën mbretërore:
Ballë për ballë dy
luanët, njëri mbret dhe tjetri dijetar, ku pyetjet dhe përgjigjet janë fare të
shkurtra:
Mbreti: - A e di pse
të kam thirr......!?
Profesori: Tani do ta
marr vesh......!
- Ke shkruar shumë, se
qeveria nuk po e zgjidh problemin e arsimit shqiptar......!
- Do vazhdoj të
shkruaj, deri sa të gjejë zgjidhje.....!
- Vazhdo të
shkruash....., po ju a mund t’i zbatoni ato që thua?
- Po, mundem! Veç me
vullnetin tuaj!
Mbreti urdhëron
sekretarin: - Mirash Ivanaj, që sot emërohet ministër i Arsimit shqiptar.
– Pranoj, por me dy
kushte, - thotë profesori, - E para: Mësuesi të nderohet dhe rroga të jetë sa e
një kryetar Bashkie dhe e dyta. - Në
punët e arsimit mos ndërhyjë askush veç titullarëve dhe specialistëve të
fushës.
– I pranoj, - thotë
Mbreti, por kam edhe unë një kusht: - Të mbyllen shkollat greke....!
– Jo vetëm shkollat
greke, por edhe ato katolike e disa të tjera, - përgjigjet flak për flakë
profesori, tashmë Ministër i Arsimit. Por..... Nëse reforma dështon, - vazhdoi
Ivanaj, - apo juve ju këmbehet mendja, unë menjëherë jap dorëheqjen.
Dikush mund të thotë,
se nuk është shkruar gjëkundi kjo histori e shkurtër. Pse duhet ta besojmë? -
Mbase, por unë e besoj, sepse më pëlqen, aq më shumë, kur njihem me faktin se
pas dy vjetësh 1933-1935, Lidhja e Kombeve e dërgoi çështjen në Gjykatën e
Hagës, ku u vendos me votë, 8 me 3, duke detyruar Mbretërinë Shqiptare të
ndryshonte ligjin. Mbreti u thye, ndërsa Ministri dha menjëherë dorëheqjen. Të
tillë burra shteti i duhen Shqipërisë. Më shumë më shtohet besimi në
“legjendën” që citova pak më lart, kur po lexoj fjalët e Mbretit, thënë
Mirashit: “Qeveri ma të mirë Shqipnia s’ka për të pas, deri sa të mos jetë
kryeministër Ivanaj, sepse është i drejtë, i paanshëm dhe i zoti”. Faqe 38
Vazhdimi: Ish ministri Ivanaj nuk e meritonte jetën e thyer keq dhe kulmin e hidhur.
E imagjinueshme, e pa besueshme, por e vërtetë: Jeta në burg, një tmerr i
vërtetë.....!
"O
Zot, qysh i duron këto batërdi/ që bëjnë veprat e krijuara nga ti?/Kush sundon,
më thuaj: këta apo ti?!". Besoj
mjaftojnë këto tre vargje thurur në çast dëshpërim nga Mirashi i burgosur, ku
përmblidhet e gjithë dhimbja, si ofshamë pikëllimi, vuajtje dhe zhgënjimi.....!
Poezia “Lamtumirë o botë! Lamtumirë o jetë!”. Faqe 247.
Autori i librit e
përshkruan imtësisht jetën në burg, pasi u ndodh në të njëjtën qeli me Mirashin,
pra përjetimet na vijnë të gjalla, të prekshme. Është një kapitull tepër i
rëndë për ta lexuar, pasi ndjeshmëria mund të përjetohet edhe pasi e ke mbyllur
librin. Megjithatë, unë po vendos disa shprehje, që mund të jetësohen edhe si
aforizma apo citate, ku në formë lakonike përmblidhet një filozofi e tërë prove
dhe dhimbje fizike, shpirtërore e morale:
- Burgu është prova më e ashpër dhe e pamëshirshme
për njerëzit e ndershëm.
- Në burg, më tepër se kudo tjetër njihen vlerat e
njeriut.
- Aty dallohet më së miri karakteri i tjetrit,
dinjiteti, burrëria, ndershmëria, toleranca, e gjithçka tjetër.
- Vetëm aty në atë vend tmerri, personaliteti i
njeriut zhvishet nga çdo llustër e jashtme e nga çdo shtirje e mundshme
teatrale.
- Në burg bien të gjitha maskat dhe secili njeri e
dëshmon veten ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e veta të pa
tjetërsueshme.
- Në burg dallohet dhe ndahet qartë fisniku dhe
horri.
- Në këtë
drejtim Mirashi ishte me të vërtetë kolos. Atë njeri nuk e merrje vesh asnjë herë,
nëse ishte i ngrënë apo i pa ngrënë, i etur apo i ngopur. Faqe 192
Në fund: Poema “Epopeja e njeriut”, nga dy vëllezërit Martin dhe Mirash Ivanaj,
drama “Zjarri i Shën Elmos” dhe ditari “Na qi shpëtimin e gjetëm në t’ikun”,
janë, si të thuash, veprat e shkruara, të lëna e të gjetura me mundim.
Autori i librit i
kushton një analizë të hollësishme poemës “Epopeja e njeriut”, të cilën vetë e
ka përkthyer në shqip, sidomos gjetjes së autorësisë: është Martini apo Mirashi...?
Më vjen mirë që shtrydh të gjitha hamendësimet e mundshme, për t’i shkuar të
vërtetës deri në fund, për të bindur veten dhe të tjerët, pasi duhet të jetë
rast unik në botë, që një poemë të ketë dy autorë. Kam parasysh poezi të
ndryshme, jo studim temash dhe kapitujsh, ku ndahen rolet e secilit shkrues apo
krijues. Dhe, në fund gjendet zgjidhja duke vënë në punë logjikën: “Mbas
vdekjes së Mirash Ivanajt në spitalin e burgut, nën jastëkun e tij u gjet nj
torbë e bardhë bezeje. Në të gjendesh një llullë duhani e përdorur, një gërshet
mjaft i madh vajze apo gruaje, me flokë biond në gështenjë .....”. Besoj
kaq i mjafton autorit dhe lexuesit të arrijë në përfundimin: “Ruajtja e
gërshetit tregon jo vetëm ndjenjat e fuqishme të rinisë,..... por ai gërshet
ishte peng i një ngjarje të pa zakontë në jetën e tij, .... si shpirt romantik
dhe tejet sedimental”. Faqe 279.
E kuptueshme: Autori i
vargjeve plot ndjenja të holla dashurie dhe të fuqishme në stil e përmbajtje,
ishte vetë Mirash Ivanaj.
Një gjë më bën përshtypje
në këtë analizë sa letrare dhe dokumentare, si vlerë e shtuar e librit, që më
ngazëllen. Besoj kështu do të ndjehet çdo lexues i kënduar, sepse autori Lazër
Radi asnjëherë nuk përsërit mendim apo fjali dhe nuk përdor të njëjtën fjalë
brenda fjalisë apo frazës. E gjitha, falë kulturës së të shkruarit, pasi në të
kundërt, përsëritja e prish cilësinë e krijimit dhe shkrimit.
Këtu mund të shtoj: ky
libër përmbledh në formë shteruese gjithçka të shkruar e jetuar, lidhur me
jetën dhe veprën e Mirash Ivanajt. Por asnjë autor i librit monografi, ashtu si
edhe vetë Lazër Radi, nuk pretendon dhe nuk ka çelësin e portës së mbyllur. Ajo
mbetet e hapur për këdo dhe kurdoherë. Nëse gjenden të tjera dokument, do t’i
bëjnë nder duke e plotësuar.
Nuk e teproj duke u zgjatur në vlerësimet për
autorin, pasi më vijnë në ndihmë fjalët e të dituri Viktor Hygo, që thotë: “Në momentin e vdekjes, njerëzit e mëdhenj lindin! Ata e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre
statujën”.
Ndërsa unë do të shtoj pa frikë, se autori Lazër
Radi është ai që e ringjalli dhe i ngriti monument atdhetarit, shtetarit dhe
poetit Mirash Ivanaj, duke e vendosur në libër, pikërisht në panteon të vlerave
të kulturës Shqiptare, duke porositur: “Mirash Ivanaj, atdhetari dhe reformatori i madh
i shkollës sonë kombëtare, e meriton mirënjohjen e kombit dhe brezave të
ardhshëm!”.
Mirënjohje Lazër Radi! Me këtë vepër i ke ngritur
edhe vetes përmendore, për t’u falënderuar dhe mos u harruar në kohë, nga
brezat që do të vijnë.
Kadri Tarelli
Durrës. Vjeshta e
parë, 2024.
Shënim: 22, shtatori, 2024, shënon 71-vjetorin e largimit nga jeta të prof. Mirash Ivanaj.