E enjte, 26.12.2024, 07:30 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha & Tefik Basha: Brukseli - Selia e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian

E merkure, 06.11.2024, 09:09 PM



BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...

BRUKSELI- SELIA E KOMISIONIT EVROPIAN DHE KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Pasi menduam se kishim shkelur çdo cep të Parisit dhe kishim ndier gjithë bukurinë e tij, befas një mendim i ri na goditi, si një fllad i freskët pas një dite të gjatë. Agoni, me një shkëlqim në sy, tha: "Babë, a shkojmë në Belgjikë? Të vizitojmë Brukselin!" Një ide e papritur, por e mrekullueshme, që menjëherë ndezi një shkëndijë entuziazmi tek ne të gjithë. Tefiku, me buzëqeshjen e tij të ngrohtë, e miratoi me gëzim propozimin dhe pa u menduar gjatë, vendosëm të udhëtonim drejt një tjetër aventure. Fillimisht menduam të marrim trenin nga Parisi, me çantat tona të vogla në krah, u nisëm drejt stacionit. Posa arritëm aty, shpejt u përballëm me një surprizë të hidhur – treni për Bruksel sapo ishte nisur. "Kur është treni tjetër?" pyetëm me shpresë. "Pas dy orësh," na tha një vajzë me një buzëqeshje të lehtë. Dhe në atë moment, ndjeva se dita e planifikuar për Brukselin po shkonte dëm.

Tefiku, i zhgënjyer, po pyeste veten: "Çfarë të bëjmë tani?" Por Agoni, me intuitën dhe shpirtin e tij aventurier, e gjeti zgjidhjen për ne: "Pse nuk marrim një makinë me qira? Besoj se do të arrijmë atje më shpejt se treni që sapo u nis." Një ide e shkëlqyer, dhe e pranuam menjëherë. Fati ishte me ne, pasi pranë stacionit ndodhej një agjenci për makina me pagesë. Pa humbur kohë, morëm një makinë dhe u nisëm drejt Brukselit.

Vetura ishte pajisur me një navigator, duke na bërë udhëtimin shumë më të lehtë. Sfida e vetme ishte të dilnim nga labirinti i rrugëve të Parisit, por me shkathtësinë e Agonit pas timonit, arritëm të kalojmë pa probleme jashtë qytetit, dhe më pas, rruga drejt Brukselit u shndërrua në një udhëtim të qetë dhe të këndshëm.

Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, para përmendores së Rober Shumanit, Bruksel, 2014

Teksa udhëtonim drejt Brukselit, një qytet që për ne kishte një domethënie të veçantë, nuk mund të mos ndienim një lloj emocioni të veçantë. Ky qytet ishte për ne një simbol, një vend ku vendimet më të rëndësishme për Kosovën tonë ishin marrë aty. Dhe tani, ndërsa i afroheshim atij, ndienim një përzierje emocionesh, mes respektit dhe kuriozitetit, për ta parë me sytë tanë këtë vend që e kishim njohur vetëm përmes ekranit të televizorit.

Agoni voziste me mjeshtëri nëpër rrugët e rrafshuara dhe të qeta të Perëndimit, duke ecur me një shpejtësi të qetë, të denjë për një udhëtim të gjatë. Vetura ishte komode, e ruajtur mirë, si të na kishte përgatitur një shtrat udhëtimi. Ndërsa largoheshim nga zhurma e Parisit, bëmë një ndalesë në periferi për të marrë gjërat më të domosdoshme për rrugë: ujë të freskët, kafe të ngrohtë dhe një sërë pemësh të lëngshme. Nuk munguan as sandviçët e përgatitur me përshutë lope, të cilët më vonë u treguan si shpëtimtarë të urisë sonë në rrugë.

Ishte një ditë pushimi, dhe si për mrekulli, rrugët dhe parkimet ishin të lira nga çdo  pagesë. Ishte sikur Brukseli na kishte hapur dyert e tij pa kërkuar asgjë në këmbim. Parkimi i veturave ishte një barrë që nuk e ndjemë atë ditë, dhe kjo ishte ndër bekimet e vogla që e bënin udhëtimin tonë edhe më të ëmbël.

Sabile Keçmezi-Basha& Tefik Basha, Ndërtesa e Komisionit Evropian, Bruksel, 2014

Kur iu afruam Brukselit, prisja një qytet të madh e të ndërlikuar, por ndodhi e kundërta. Çdo gjë që kishim dëshiruar të vizitonim, ishte aty, përpara syve tanë, në shuplakë të dorës. Sa herë që lëviznim, dukej sikur qyteti na tregonte një tjetër sekret të bukur. E parkuam veturën në një vend strategjik, që të mos e humbnim nga sytë. Agoni, gjithmonë i kujdesshëm, fotografoi vendin ku e lamë makinën, dhe pastaj, aventura jonë filloi.

Pa e kuptuar mirë, kishim zbritur pranë sheshit kryesor të Brukselit, një hapësirë e gjerë me kalldrëm, e mbushur me turistë nga çdo cep i botës, që sikur ne, nxitonin të përjetonin qytetin sa më shpejt e sa më shumë. Autobusët turistë qëndronin aty, duke bartur vizitorët nga një cep në tjetrin, ndërsa ne, të magjepsur nga turma dhe zhurma e gjallë, u bashkuam me ta në këtë lumë njerëzish. Rrugët e ngushta të qytetit ishin të mbushura me dyqane që hapnin dyert e tyre ngadalë për hir të fundjavës. Edhe pse ishte e diel, jeta në Bruksel zhvillohej me një ritëm të qetë, por të pandalshëm. Restorantet e ngrohta kishin hapur dyert për turistët dhe vendasit, duke i mirëpritur me buzëqeshje dhe me kafe aromatike, të shoqëruar me kifle të freskëta. Ishte mëngjesi i një dite të zakonshme në këtë qytet, por për ne, çdo gjë kishte një magji të veçantë.

Edhe ne nuk mundëm t’i shpëtonim tundimit të aromës së kafes. Ulëm në një lokal të vogël dhe, me kënaqësi, shijuam kafet tona të nxehta. Për mua, ajo kafe kishte një shije që nuk e kisha ndier prej kohësh, si të kishte mbledhur brenda saj gjithë shijen e udhëtimit, të aventurës, dhe të kësaj dite të mrekullueshme që sapo kishte nisur.

Ndërsa shijonim kafetë dhe bisedonim për shpejtësinë me të cilën arritëm në këtë qytet, befas na kujtua që askush nuk na ndali në ndonjë kufi. Nuk kishte asnjë kufi ndërmjet Francës dhe Belgjikës. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse rruga na dukej aq e shpejtë dhe e lehtë. Dhe vërtet, çfarë vlere kanë kufijtë që ndajnë tokat dhe njerëzit? Pse bijat dhe bijtë e Adamit të mos jetojnë të lirë, pa pengesa, të bashkuar në paqe dhe harmoni?

Një mendim më i thellë na ktheu pas në kohë, te kujtimi i atyre mbi 45 viteve kur ne, një popull me të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtin komb, qëndruam të ndarë mes veti, pa guximin as të ëndërronim kalimin e kufirit mes shqiptarëve. A mos vallë kjo ndarje na shoi dashurinë për nënën Shqipëri? A mos ndali ëndrrën e shqiptarëve se një ditë, do të jenë bashkë, të lirë, një komb? Jo, asnjëherë. Përkundrazi, sa më shumë që na ndalonin, aq më fort rritej dashuria, aq më shumë madhëronim Shqipërinë në mendjet dhe zemrat tona.

Armiku mbeti armik, dhe për gjithë ato vite, kurrë nuk arriti të na bindë se njerka mund të jetë më e dashur se nëna. Falja i qoftë njerkës dhe të gjitha njerkave të mira që ishin si nëna për fëmijët jetimë. Por për ne, asgjë nuk mundi ta zbehte ndjenjën për atdheun. Shqiptarët nuk qëndruan duarkryq. Ata u organizuan, luftuan në çdo mënyrë, për të sjellë ditën kur do të ishin të lirë e të barabartë me kombet e tjera. Koha na dha të drejtë: kufiri u  thye, Kosova u bë shtet falë dashurisë sonë për tokën nënë dhe përpjekjeve tona të drejta.

Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha& Agon Basha, Sheshi i madh i Brukselit, 2014

Bisedonim e debatonim për padrejtësitë historike, ndërkohë që përreth formoheshin radhë për ushqim. Radhë... gjithkund radhë... edhe këtu, si në Paris. Pa e vënë re, ishim ulur në një nga rrugët më të frekuentuara të Brukselit, ku gjëmonin turistët dhe restorantet ishin të mbushura plot. Ora kishte kaluar dhjetën prej kohësh, dhe ndoshta ishte koha për një mëngjes të shpejtë. Shihnim të tjerët që, për shkak të mungesës së kohës, merrnin mëngjesin me vete dhe ecnin, duke e konsumuar rrugës.

Vendosëm të bëjmë të njëjtën gjë. Gati në çdo restorant, ushqimi i shpejtë ishte i njëjtë: patate të skuqura. Duhej të prisnim në radhë për to, dhe radhët ishin të gjata. Nuk e dinim kur do të vinim në radhë, po të mos kishte qenë një student i Tefikut që takuam aty. E çuditshme si shqiptarët, kudo që ndodhemi në botë, e gjejmë njëri-tjetrin dhe menjëherë krijojmë një ndjenjë mbrojtjeje e solidariteti ndaj kombasit tonë.

Pa pritur, studenti i Tefikut e përqafoi profesorin e tij me dashuri të madhe, dhe ne mbetëm të habitur nga ajo skenë. Ishte një çast çmalljeje e ngrohtë, një takim që na mbushi zemrat me emocion. Ai na tregoi me krenari se punonte pikërisht në atë restorant dhe nuk mundi ta përmbante mallin kur e pa profesorin e tij duke pritur në rend. Me një bujari të heshtur, na shërbeu pa u vërejtur nga të tjerët dhe na ftoi në shtëpinë e tij. Koha nuk na premtonte për vizita, por bisedat e tij, plot me humor e shaka, na bënë të ndiheshim sikur koha ndaloi. Qeshnim pa ndalur, dhe bashkë me të, shumë bashkëkombës tanë u mblodhën rreth nesh.

Kur më në fund u përshëndetëm, ai na ftoi për drekë, por koha ishte e pamëshirshme dhe nuk mundëm të premtonim asgjë, sepse orët që na mbetën duheshin shfrytëzuar deri në maksimum.

Ndërsa dita ecte, qyteti Bruksel mbushej gjithnjë e më shumë me njerëz, dhe ne ndiheshim të detyruar ta vizitonim tërësisht. Makina na ndihmoi të arrinim në çdo cep të tij, ndërkohë që Tefiku, si një udhërrëfyes i palodhur, kishte lexuar dhe shënuar të gjitha vendet që duheshin parë. Falë tij, plani i vizitave ishte i qartë dhe navigatori na drejtonte drejt caqeve tona gjithandej qytetit.

Gjatë rrugës, ai na tregoi disa fakte interesante që kishte lexuar në internet për Belgjikën. E njohur zyrtarisht si Mbretëria e Belgjikës, ky vend i Evropës Perëndimore kufizohej me Holandën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Francën. Me një sipërfaqe prej 30,689 kilometrash katrorë dhe më shumë se 11.5 milion banorë, Brukseli ishte jo vetëm kryeqyteti, por edhe qyteti më i madh i saj.

Ai përmendi me pasion përzierjen kulturore dhe gjuhësore të Belgjikës, ku flamandishtja flitej në veri dhe frëngjishtja në jug, ndërsa Brukseli ishte një oazë dygjuhësie. Gjermanishtja, ndonëse e folur nga një pakicë e vogël, kishte po ashtu vendin e saj në këtë mozaik gjuhësor. Në jetën e përditshme dhe në politikën e vendit, këto dallime gjuhësore reflektoheshin në çdo hap.

Pastaj, duke shtuar ngjyrat e këtij përshkrimi, Tefiku na foli për klimën e butë detare të Belgjikës, ku reshjet ishin të pranishme gjatë gjithë vitit, dhe për peizazhin që kalonte nga relievi i rrafshët bregdetar deri te malet e larta të Signal de Botrange, pika më e lartë e vendit.

Në atë çast, duket sikur Brukseli, me gjithë ngarkesën e tij historike dhe bukurinë e tij të shumëfishtë, na përqafonte ashtu si studenti kishte përqafuar profesorin e tij më parë – me ngrohtësi dhe përmallim.

Brukseli, zemra e Mbretërisë së Belgjikës dhe kryeqyteti i padukshëm i Bashkimit Evropian, qëndron si një qendër e rëndësishme politike dhe kulturore. Në këtë qytet të madh takohen historitë e së kaluarës dhe të ardhmes, teksa selitë e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian e bëjnë atë nyje të rëndësishme ndërkombëtare. Ndërsa NATO gjen po aty shtëpinë e saj politike, Brukseli mbetet gjithashtu një magjepsje për turistët, që e vlerësojnë jo vetëm për rëndësinë e tij diplomatike, por edhe për bukuritë e tij të pafundme.

Ashtu si qyteti i mrekullueshëm i Bruges, Brukseli është një perlë e gjallë, një metropol e stërmadh që përbëhet nga 19 komuna të lidhura si në një mozaik të bukura urbane. Në qendër të këtij mozaiku qëndron komuna e qytetit të Brukselit, me rreth 145,000 banorë, por zona metropolitane e zgjeruar përfshin më shumë se një milion shpirtra, të përhapur në një sipërfaqe prej 32 kilometrash katrorë.

Brukseli është një qytet që mirëpret çdo stinë, me klimën e tij të lagësht dhe të butë, të ndikuar nga afërsia me Oqeanin Atlantik. Megjithatë, periudha më e pëlqyer për vizitorët mbetet koha nga maji deri në shtator, kur moti është më i ngrohtë dhe më i këndshëm. Në qershor, korrik dhe gusht, qyteti gumëzhin nga jeta, ndërsa temperaturat mesatare ngjiten deri në 17 gradë, duke ofruar një klimë ideale për eksplorim. Dhe në dimrin e ftohtë, kur qielli mbulohet me re dhe Brukseli përjeton freskinë e dhjetorit deri në shkurt, qyteti mbetet po aq magjepsës, duke ofruar një qetësi të ftohtë dhe bukuri dimërore.

Brukseli, me gjithë madhështinë dhe historinë e tij, mbetet një vend ku koha ndalet për t’u shijuar dhe përjetuar thellë, qoftë në pranverën e freskët apo në dimrin e heshtur.

Në rrjedhën e kohës, aty ku lumi Zena rrjedh qetë, u ngrit vendbanimi i parë rreth vitit 580, kur mbi adën e tij të ndrojtur u ndërtua një kishëz e thjeshtë. Por historia e madhe do të shënojë vitin 979 si themelimin e vërtetë, kur fortifikimet e para të përhershme u ngritën si mbrojtës të kësaj toke që shpejt do të bëhej legjendë. Emri i Brukselit, i përthyer nga holandishtja e vjetër "Bruocsella", flet për fillimet e tij modeste: një "shtëpi në moçal", ku natyra dhe njeriu do të thurnin historinë.

Gjatë mesjetës, qyteti nisi të lulëzonte si një qendër tregtare e rëndësishme, falë pozitës së tij gjeografike strategjike, një urë mes botëve dhe tregtive të mëdha të kohës. Në shekullin e 15-të, Brukseli u ngrit si kryeqyteti i Holandës Bungur, duke u bërë zemra e një mbretërie që do të ndikonte për shekuj me radhë. Historia e qytetit mbart mbi supe ndikimet e fuqive të mëdha: Holanda, Spanja, Austria, dhe Franca, të gjitha lanë gjurmët e tyre në këtë tokë të ndërlikuar dhe të larmishme.

Por plagët më të thella Brukseli i mbarti gjatë dy luftërave botërore, kur shkatërrimet dhe betejat e rëndësishme e kthyen qytetin në gërmadha. Megjithatë, si një feniks që ngrihet nga hiri i tij, ai u rindërtua me shpejtësi, dhe vitet gjashtëdhjetë të shekullit të 20-të shënuan rilindjen e tij. Në 1967, Brukseli u bë selia e Komunitetit Ekonomik Evropian, dhe po atë vit, shtëpia e Paktit të NATO-s, duke e vendosur qytetin në qendër të diplomacisë botërore.

Sot, Brukseli është një qytet që gumëzhin nga jeta diplomatike, duke u radhitur si vendi me numrin më të madh të diplomatëve pas Nju Jorkut. Në secilën rrugë, çdo ndërtesë mban mbi vete peshën e historisë, një përzierje e mrekullueshme e së kaluarës dhe të ardhmes që ndriçon përmes diplomacisë dhe përparimit.

Sabile Keçmezi-Basha, Manneken Pis, Bruksel, 2014

Aeroporti shtrihet vetëm 11 kilometra larg zemrës së Brukselit, dhe ky qytet kompakt e i ngrohtë të fton të endesh lehtë nëpër të. Cilindo hotel të zgjedhësh, ke në duar çelësin e të gjitha pamjeve magjepse që ky qytet ofron. Në zemër të tij, qëndron krenar Grand Markt, një nga sheshet më të ruajtura dhe më të bukura të Evropës, që lartësohet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Aty, shtëpitë e esnafit të shekullit të 17-të shpalosin stilin e barokut, ndërsa arkitektura e periudhës gotike dhe shkëlqimi i stilit francez të Louis XIV i japin sheshit një ndjesi të përjetshme madhështie.

Sabile Keçmezi-Basha, Bruksel, 2014

Në anën jugore, Bashkia, ndërtuar në vitin 1402, ngrihet si një monument i lashtësisë  dhe hijeshisë. Brenda saj, çdo kënd flet me bukurinë e pikturave të tavanit dhe muraleve që sjellin gjallëri historisë së qytetit të Brukselit. Përballë saj qëndron Shtëpia Mbretërore, dikur një furrë buke e thjeshtë e njohur si Shtëpia e Bukëpjekësit, ku aroma e historisë dhe bukës gërshetohen me shekujt.

E gjithë kjo skenë, çdo dy vjet në gusht, mbulohet me një tapet lulesh që shpërthen në ngjyra dhe gjallëri, duke krijuar një atraksion të magjishëm që mbledh shikime nga mbarë bota.

Nëpër rrugët e qytetit, ndodhet një simbol që i përket Brukselit në një formë të veçantë: Manneken Pis. Një djalë i vogël prej bronzi që urinon, i krijuar në vitin 1619, por me rrënjë që shtrihen deri në vitin 1388. Kjo statujë, edhe pse e thjeshtë, mbart një legjendë fisnike – se një djalosh shpëtoi qytetin nga shkatërrimi duke urinuar mbi fitilin e një bombe, dhe kështu, në nder të tij, u ngrit ky monument. Ai ka edhe një gardërobë të pasur për çdo rast: që nga kostumi i Baba dimrit deri tek kostumet popullore nga vende të ndryshme të botës.

Dhe në një qoshe tjetër të qytetit, një tjetër statujë – Jeanneke Pis – qëndron në heshtje, e krijuar në vitin 1950, por më pak e njohur se vëllai i saj i famshëm.

Më në veri, Pallati i Drejtësisë ngrihet madhështor, si një simbol i Brukselit dhe Belgjikës. Ndërtesa gjigante e gjykatës, e ndërtuar në shekullin e 19-të, mbulon 26,000 metra katrorë. Kupola e saj e artë lartësohet në qiell, duke arritur 104 metra, ndërsa që nga maja e saj, syri mund të përqafojë një pamje të gjerë e mahnitëse të Brukselit, një qytet që përherë ndriçon mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Katedralja e Shën Michael e ngritur mbi themelin e shekujve, kjo katedralë gotike e Shën Michael qëndron si një roje e Brukselit, kushtuar shenjtorit mbrojtës të tij. Ndërtimi nisi në shekullin e 13-të dhe, si një poemë guri që zgjatet në kohë, u përfundua në shekullin e 15-të. Fasada e saj me dy kulla që arrijnë lartësinë e 69 metrave i fton vizitorët të ndalen për një çast, për të admiruar madhështinë e brendshme, ku çdo mur flet për historinë e shenjtëruar të qytetit.

Në vitin 1958, për Ekspozitën Botërore, një strukturë unike ngrihej në qiellin e Brukselit—Atomium, një molekulë hekuri, e zmadhuar 165 milionë herë, për të shndërruar çelikun dhe aluminin në art të përjetshëm. Brendësia e saj i hap dyert vizitorëve, duke i çuar me ashensor në topin më të lartë, ku një restorant ndan qiellin me tokën dhe ofron një pamje mahnitëse të qytetit. Ky monument, një gjigant modern, mbetet ndër atraksionet më të dashura të Brukselit.

Park Mini-Evropa, një udhëtim nëpër kontinent përmes një parku miniaturë, ku përmasat e larta të historisë zvogëlohen me kujdes në 25 herë më të vogla. Mini Parku i Evropës ofron një vështrim në më shumë se 350 monumente të famshme evropiane, ndër to Kulla Eiffel, Kulla e Anuar dhe vullkani Vezuv, që edhe në përmasa të reduktuara, frymojnë madhështinë e tyre. Disa prej tyre, në të vërtetë, janë të lëvizshme, duke sjellë gjallëri në këtë udhëtim miniaturë nëpër Evropë.

Agon Basha& Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Atomium, Bruksel 2014

Brukseli është një thesar me mbi 90 muze që ftojnë shpirtin në një eksplorim të pafund. Muzeu i Kakaos dhe Çokollatës shpalos ëmbëlsinë e artit të shkrirë, ndërsa Muzeu i Arteve të Bukura i jep jetë pikturës     dhe skulpturës. Muzeu i Komikeve fton me ngjyrat e fantazisë, ndërsa Muzeu i Arkitekturës Moderne përjetëson linjat e larta të mendjes njerëzore. Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe Muzeu i Instrumenteve Muzikore flasin për natyrën dhe tingujt e saj, duke sjellë botën e njohurive dhe zërave të harruar në dritën e sotme.

Dhe përtej muzeve, në Bruksel gjenden kështjella që fshehin misteret e shekujve dhe parqe që mbulojnë qytetin me gjelbërim e freski. Largohu nga realiteti dhe futu në një ëndërr të gjelbëruar, ku hijet e kështjellave dhe bukuria e natyrës flasin në heshtje.

Kalaja dhe Parku Annevoie, janë projektuar nga dora e Charles Alexis de Montpellier, Kalaja dhe Parku Annevoie janë një simfoni arti të gjallë, ku muret e lashta përqafojnë gjelbërimin dhe bukurinë natyrore. Kështjella ngrihet si një kujtim i së kaluarës, ndërsa kopshtet përreth saj shpërthejnë në ngjyrat e jetës. Një kënd lojërash fton të qeshurat e fëmijëve, ndërsa në hije të drerëve, pallonjve, gomarëve, deleve dhe ponive, vizitorët humbasin në një parajsë rurale. Portokalltë ndriçojnë kopshtin me aromën e tyre të ëmbël, duke e bërë këtë vend të përkryer për ata që kërkojnë një ndalesë nga përditshmëria dhe një udhëtim në botën e natyrës dhe artit.

Reu Neuve, nëse shpirtin e qytetit e kërkoni në arteriet e tij tregtare, Reu Neuve është zemra që pulson me dyqane të markave botërore dhe stilistëve vendas. Këtu, City2, qendra tregtare e madhe me mbi njëqind butikë, ofron gjithçka që zemra mund të dëshirojë. Rruga është një ndalesë e domosdoshme për ata që kërkojnë luks dhe stil, në prag të Sheshit Kryesor, ku shëtitësit ndeshin ritmin e qytetit të vjetër.

Nëse luksin e ëndërroni, atëherë Lewis Avenue është vendi ku mund të gjendet gjithçka e duhur. Prada, Hermès, Gucci dhe shumë marka të tjera të njohura ndërkombëtare i bëjnë homazh modës së përjetshme. Një pasarelë e luksit, ku stilistët belgë, si Oliver Sterley, konkurrojnë me gjigantët globalë të modës, me krijime që mbajnë vulën e artit vendas. Andaj, dyqani Inno, është një dyqan ku mund të gjeni gjithçka që dëshironi, është një mikpritës për ata që kërkojnë shumë më shumë se veshje.

Kur suveniret bëhen kujtime, Grote Markt është vendi ku historia dhe arti i vogël bashkohen. Rreth Sheshit të Qytetit, suvenire të papërshkrueshme, si magnetët e vegjël me imazhin e Manneken Pis, dantella tradicionale belge dhe biletat me temën e birrës, sjellin me vete frymën e Brukselit në çdo cep të botës.

Place du Grand Sablon është një perandori çokollate e cila ngrihet në Place du Grand Sablon, një vend i dashurisë për ata që i adhurojnë ëmbëlsirat. Godiva dhe Neuhaus, mjeshtrit belgë të çokollatës, shfaqin artin e ëmbëlsirave në forma dhe shije që të shkrijnë zemrën. Outletet e tyre janë thesare të fshehura, ku ëmbëlsia shitet me çmime të ulëta, por me një shije që mbetet e pakrahasueshme. Brukseli nuk është vetëm qytet kulturor, por edhe një oazë për adhuruesit e qendrave tregtare. Westland dhe Ikea përbëjnë dy prej qendrave më të mëdha që përqafojnë qytetin nga jashtë, duke ofruar gjithçka që dikush mund të kërkojë në një shëtitje tregtare.

Kuzhina e Brukselit është një simfoni shijesh e ndikuar nga shumë kultura—Franca, Holanda, Gjermania—dhe ngjall një ndjesi harmonike në pjatat e saj. Ushqimi në Bruksel kombinon sasinë gjermane me cilësinë franceze, duke krijuar një përvojë të paharrueshme ku më shumë rëndësi i kushtohet shijes sesa pamjes. Waffles të artë, patate të skuqura të shpikura nga belgët dhe çokollata që prek shpirtin janë disa nga thesaret gastronomike që Brukseli ofron. Birra belge, një histori më vete, është një nga pasuritë e qytetit, duke e bërë Brukselin një destinacion ku çdo shije është një histori që pret të tregohet.

Tefik Basha & Sabile Keçmezi- Basha, Sheshi i Madh i Brukselit, 2014

Pasi kishim shëtitur çdo cep të tokës së premtuar, duke parë çdo vend që zemrat tona kishin ëndërruar, u rikthyem sërish në atë shesh të njohur, nga ku nisi udhëtimi ynë. Tani, me hapa më të lehtë, gjetëm një qoshe ku trupi të pushonte dhe shpirti të shijonte darkën. A mos ishim shumë të uritur, apo ndoshta vërtet, ajo tryezë ofronte një simfoni shijesh të përsosura? Çdo kafshatë dukej si një këngë e padëgjuar më parë, e cila këndonte veç për ne.

Natën, sheshi filloi të gjallërohej, duke u mbushur me njerëz, zërat e të cilëve përziheshin me tingujt e muzikës së lartë që buronte nga restorantet përreth. Ishte një përzierje aq e njohur dhe e dashur, që për një moment, u ndjemë sikur ishim ulur në kafet e vogla të Prishtinës, ku zemra e qytetit rreh me të njëjtën ritëm të gëzimit dhe jetës.

Ora 11 e natës na gjeti duke u kthyer sërish në Paris, duke mbajtur në zemër një premtim të heshtur, se një ditë, me padurim do të rikthehemi, për të parë më gjatë atë vend të largët e magjepsës, Norvegjinë e heshtur nën yjet e saj.



(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora