E shtune, 21.12.2024, 02:12 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Qafë Shtama një thesar bukurie natyrore

E hene, 04.11.2024, 07:00 PM


QAFË SHTAMA NJË “THESAR” BUKURIE NATYRORE

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Me paqen e mëngjesit të fund të tetorit u nisëm. Ajri i freskët, konfirmon se ka ardhur stina e bukur, plot aroma, mirëpret daljen tonë, duke na përflakur në një përqafim dielli.

Ecëm pa nxitim, të zbulojmë vende larg turizmit masiv. Nuk mund të shmangësh një vështrim për disa prej tyre, duke pranuar se jeta nuk është aq e gjatë për të parë gjithçka që do të doje.

Qafë Shtama, është një vend për të cilin kemi dëgjuar, dhe emri na mbush me pritshmëri; me bukurinë e saj të egër dhe pamjet unike të pyjeve është padyshim tërheqëse.

Rruga duket se na lodh me trafikun nga Tirana deri në Fushë Krujë, që krijon mërzitje edhe nga tymnaja e bardhë e oxhaqeve të fabrikës së çimentos, ndërsa më tej kodrat e kafshuara rëndë, për shkak të ndërhyrjes njerëzore prej shfrytëzimit të gurit gëlqeror.


Qyteti i Krujës, hapet para nesh, i shtrirë rrezë malit që qëndron i heshtur, madhështor, dhe qielli i pastër, pothuajse veror, të mbulon me 26 gradë që duket se sfidojnë vjeshtën shtrihet sipër nesh.

Peizazhi para nesh ndryshon, duke u shndërruar në diçka të egër, pothuajse jashtëtokësore, duke na dhënë vështrime. Ndërsa ne humbasim veten në këtë hapësirë të gjerë, admirojmë historinë e padiskutueshme të qytetit, ato elementë që japin kureshtje për të mësuar, për të ditur gjenezën e tij; me zhytje në histori dhe legjenda të cilat ende frymojnë, atje ku kap syri, madje edhe shpirti.

Pikërish nga Kruja zë fill rruga drejt Qafë Shtamës. Rruga është arterie jetëdhënëse për këto vende të qeta, gjithashtu shërben për lidhjen me Matin. Tematikisht, kompozimi i rrugës menjëherë na tregon dhëmbët e saj, më tej ndeshemi me formacionet gjeologjike dhe pamje të paharrueshme të tyre, që na mbajtën frymën, në shikim të parë, duke bërë të dukemi qenie të vogla para madhështisë së tyre.

Rruga zbret në lagjen Abaze mes një grushti shtëpish të shtrira përgjatë saj. Është një pamje e vërtetë, ndalemi për të admiruar dhe fotografuar kopshtet me gjithëfarë pemësh: të kultivuara dhe të egra; me degët që përkuleshin nga pesha e kokrrave.

Ndodhemi përpara një druri shekullor rrapi. Teksa shikojmë trungun e ndarë në dysh ndalojmë për një kafe. Disa njerëz ishin ulur në kafene, jashtë sepse moti ishte vërtet i mrekullueshëm.

Trungu i rrapit dëshiron të na tregojë diçka. Vendasit, me mirësi, nuk mund të na linin pa përmendur se aty është vrarë Ballaban Pasha Badera (Mëhill Jonima tradhëtari i shqiptarëve më 1456), komandanti osman me origjinë shqiptare nga Batra e Martaneshit).

Ballaban pasha kafshoi Krujën dhe ngeci këtu thotë legjenda, prandaj dhe i thonë Rrapi i Ballabanecit. Sulmi ndaj tij u ndërmor nga një skuadër shpatarësh që dolën nga kështjella e Krujës dhe sulmuan armikun në kodrat rreth saj. Në një nga rrethimet e Krujës, u vra nga arbërori Gjergj Aleksi ushtar i Gjergj Kastriotit.

Do të kishim dashur të kalojmë më shumë kohë atje, por rruga po na thërriste.

Shkëmbi i Vajës, në rrëpirat e thikta ku u vetëflijua lulja e bukurisë femërore krutane

Rruga hapej para syve, si qiell, ashtu edhe krojet, shkëmbinjtë gëlqeror të bardhë, me shpate të pjerrëta, shtëpitë të rrethuara nga gjelbërimi, i cili zbut betonin e derdhur në çdo skaj të qytetit.

Padyshim që rruga e gdhendur në një shpat të vazhdueshëm, të orografisë së territorit e mbrojtur mes një rradhe blloqesh nuk është më e mira por, e dimë, se në male nuk ka vija të drejta. E dimë që duhet të ecim shumë kilometra, por ideja e udhëtimit nuk na rëndon.

Peizazhi përreth nesh është thjesht madhështor, me male që duken si të pikturuara gjatë shekujve. Format e tyre magjepse qëndrojnë, si rojtarë të lashtë mijëvjeçarë të këtyre vendeve. Për shoferët që e përshkojnë këtë rrugë për herë të parë dhe pse jo edhe për pasagjerët dhe gjithë të apasionuarit pas natyrës, rruga për në Qafë Shtamë me hone të thella duket e frikëshme, por gjithsesi jo e rrezikshme, pasi është e mirëmbajtur. Vetëm në pak vende duket ndonjë disnivelim, por në gjithë atë gjatësi kjo është po thuajse e pa përfillshme.

Përshkojmë rrugën me shtrirje të pjerrëta dhe të ekspozuara shkëmbore, nëpër të përpjeta dhe kthesa të forta, të cilat ngjajnë me një dere metafizike. Ne duke u ndalur për të parë e lexuar historitë e tyre dhe, duke mbështetur në shkëmbinj, me panorama fantastike, zhytemi tërësisht në bukuritë natyrore. Ato janë momente të veçanta në të cilat e shkuara tani e largët arrin të dalë nga harresa e kohës, e cila pa pushim mbërthen çdo gjurmë të realiteteve arkaike. Ka qindra histori për të treguar dhe ka shumë kuriozitet reciprok. Historitë e tyre gjithmonë plot dramë dhe romancë. Rruga flet për jetën dhe përvojat, dhe se nëpërmjet penës janë pasqyruar historitë shumë më mirë se format e tjera të shprehjes.

Makina duke ecur përballet me shtrirjen e parë më të pjerrët (është vendi i duhur për të bërë një ndalesë të bukur) duke admiruar formën e jashtëzakonshme që natyra ka formësuar. Shikoj Shkëmbin e Vajës, vend me histori të rëndë për të na kujtuar kokëfortësinë, durimin dhe trimërinë e një populli që e kemi harruar. Pas pushtimit të Krujës më Qershor 1478, dhe pasi pushtuesit turq po masakronin popullatën, 90 gra e vajza krutane, për të mos u prekur nga duart e tyre, u kapën dorë më dorë dhe u hodhën nga shkëmbi duke rënë në greminë. Klithmat e tyre si piskama sikur dëgjohen thekshëm honit të lumit të Drojes. Kjo histori simbolike tregon me intensitetin e saj hidhërimin e femrave krutane që preferouan vdekjen, për të mos rënë të gjalla në duart e turqëve. Kjo ngjarje është vetëm një epilog i një të kaluare të vështirë dhe të mbushur me lot. I mbyll sytë. Ende dëgjohen zërat dhe tingujt e jetëve brenda tyre shpalosur.

Rrugës vështrohet lugina e pjerrët e lumit të Drojës që rrjedh rrëmbyeshëm. Droja jo vetëm ka një bukuri të madhe natyrore, por ka edhe një histori po aq të madhe për vetë kombin Shqipëtar. Këtu u organizuan kryengritje, erdhën sulltanë, u bënë filma, u bënë beteja. Droja ishte vendi ku bënin zborin ushtarak të gjithë studentët e Shqipërisë, presidentë, kryeministra, ministra etj; u krijuan Forcat e Armatosura të Kosovës (Brigada Mërgimi).

Rrugës takon vendbanime të vegjël me shtëpi të shpërndara, dhe nuk mungojnë as disa pika panoramike të dukshme. Pikërisht aty ku lumi merr përkulje duke krijuar kanionin, shtrihet Noja, xhevahiri i fshehur i zonës, me histori të pasur luftarake, me kulturë autoktone, me njerëz të dashur e mikpritës; me ara mes pyjeve, tashmë të shndërruara në livadhe.

Nga këtu, peizazhi bëhet më i rrokullisur dhe toka më e kuqe. Shikimi stacionohet në artefaktet ushtarake që të kujtojnë kohën e një pune të jashtëzakonshme që bëhej atëherë. Në epokën bashkëkohore, nga fillimi i viteve tetëdhjetë e në vazhdim, kushtet e jetës, të vështirësuara nga kriza e ekonomisë malore, kanë bërë që banorët të gjejnë fatin diku tjetër.

Noja është braktisur. Në pak shtëpi të mbetura, banojnë veç pleq, me fizionomi të vrarë nga barra e jetës. Syri dhe dëgjimi i tyre ka harruar cicërimat e vogëlushëve. Kollitjet, ecjet e avashta të tyre, bisedat e lodhura, ofshamat e ankesave mbushin ditën. Herë pas here na parakalojnë makina, duke prishur heshtjen dhe qetësinë në të cilën zona ishte zhytur.

Vështron shkatërrimin e natyrës nga guroret. Zhgënjim i madh ku natyra e egër dhe pjesa më e brishtë e vendit tonë po dëmtohet nga ndërhyrje të tilla. Një lakmi dhe arrogancë masive që “demokracia” e shtoi më shumë, nga një klasë politike anadollake bajraktarësh, ku edhe ndjenja e atdhetarizmit po fashitet e njerëzit po ikin larg e më larg. Fatkeqësisht ende vazhdon të karakterizojë përgjithësisht jetën shoqërore dhe politike të gjithë vendit, pa asnjë mundësi ndryshimi të situatës, aqsa të vjen të pohosh se po përpëlitemi në tranzicionin letargjik, duket se nuk do të mund të dalim, të gozhduar nga anarshia, nga metastazat e imoralitetit dhe krimit, nga vrasje mafioze që kurrë nuk zbulohen, nga zgjedhje të vjedhura, me korrupsion, konçesione abuzive e zaptim pronash.

Në bukurinë e asaj që natyra ka krijuar

Rruga është një ecje (rreth 25 km), në një shpat të përpjetë plot me kthesa, si zvarranik midis pyjeve dhe shkurreve, të cilat nuk lejojnë shikimin për larg, derisa të nxjerrë në një qafë.

Peizazhet rreth nesh shpalosin madhështinë e heshtur të maleve; mozaikun e ngjyrave dhe formave që të mbeten të gdhendura në kujtesë. Tërhiqemi pashmangshmërisht nga faqja e pasme e malit të Dajtit, si i prerë me thikë. Liqeni i Bovillës, me ujërat e tij të pastër kristal, përzihej në mënyrë harmonike me ngjyrat e ngrohta që rrethojnë brigjet e tij.

E kështu, duke ecur (gjithmonë shpërfaqen pamje të papritura) peizazhi bëhet më magjik, nuk e beson as vetë, ku ndodhesh, mbush sytë me bukuri të mbrojtura. Shpesh edhe fjalët nuk mund ta shpjegojnë. Megjithëse i vetëdijshëm se secili prej nesh ka një mendim të ndryshëm të bukurisë dhe mënyra se si e admirojmë atë është gjithashtu e ndryshme.

Gjelbërimi rreth nesh është pothuajse surreal, ndryshe nga ai me të cilin jemi mësuar. Pak kohë, sapo kalojmë tabelën treguese “Cudhi”, do të shfaqet fabrika e ujit “Qafë Shtama”, e quajtur ndryshe “Uji i Tryezës Mbretërore”. Gjatë gjithë gjatësisë së rrugës dhkëmbeheshim me makina që transportonin këtë ujë drejtë pikave të tregtimit. Qytetarët e blejnë direkt nga makinat, siç ishin dhe vargu i makinave me turist?.

Ecim ngadalë, për të shijuar një përvojë të vërtetë shqisore, të zhytur në qetësinë dhe bukurinë e pyjeve, protagoniste të padiskutueshëm të kësaj copë toke.

Gjatë ecjes sonë do të mbushim sytë me çudi, dhe të gjitha ngjyrat që palca e natyrës do të dojë të na tregojë. Ajri i pastër na rrethon ndërsa bëjmë foto, duke u përpjekur të kapim bukurinë e papërpunuar të peizazhit.

Kur i afrohemi parkut, pishat dhe ahet duket sikur rreshtohen për ceremoninë e pritjes, ndërsa degët e tyre hapen mbi rrugë si strehë mbrojtëse. Shpesh, në shenjë dashurie, fërkojnë degët e tyre dhe harmonia e ngjyrave pas çdo fërkimi prej tyre pikon një çlodhje të jashtëzakonshme për të gjithë sytë që mbështeten atje.

Ndërsa peizazhet kalojnë shumë shpejt për t'u kapur në thelbin e tyre, ne mbërrijmë në qëndër të parkut. Atje, peizazhi zbulon veten në të gjithë veçantinë e tij. Kjo është ndoshta më e bukur, me pemë të bukura pishe dhe bredhi. Pak më larg dhe më lart, do të shfaqej ashtu i hijshëm dhe plot freski “Kroi i Nënës Mbretëreshë”, që përmes dy burimeve prej guri të gdhendur rridhte ujin e ftohtë kristal, atë ujë të pastër, pa lëndë minerale, por plot magnez, ujë që e pinte në kohën e mbretit Zog i Parë, familja mbretërore, nërsa sot pushuesit e shumtë, turistët dhe vizitorë e thjeshtë si unë.

Duke hyrë, pra, në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës, që të mirëpret me qetësinë e tij, sikur të fton të zbulosh peizazhe që të lënë pa frymë. Energjia e bimëve, këtu, është mjaft e fortë dhe na godasin me një mori aromash. Dhe ajo që në shikim të parë duket si një mjedis i egër, në fakt shënohet nga gjurmë të shumta të veprimtarisë njerëzore të përkushtuar, që sigurojnë mundësinë, që ky vend i çmuar të mbetet i arritshëm për të gjithë. Vendas të lidhur në mënyrë të pandashme janë përpjekur të rikthejnë shkëlqimin Qafë Shtamës, duke krijuar një xhevahir të vogël të vendosur në natyrë jashtëzakonisht të pandotur në këmbë të relieveve malore.

Rreth nesh drurë të mëdhenj më shumë se 40 metra të larta. Batalioni i pafund i trungjeve të pishave të zeza dhe, me rritjen e lartësimit, nga ahu, ca të goditura nga rrufeja, të tjera me degët shkojnë të anuara nga era dhe të tjera, lartohen rigoroz në thelbin e tyre drejt qiellit.

Hapat tanë nxiten nga tingulli i butë i gjetheve të rëna duke u përgatitur për të krijuar një tapet të ndritshëm ngjyrash, dhe me vështrimin në horizont ku mund të shohim lojën magjike të diellit me degët e pemëve që, krijojnë një kaleidoskop e të përkëdhelin sytë dhe shpirtin. Ndalemi vazhdimisht, në ekstazë, të mahnitur nga bukuria e natyrës. Megjithatë, me një vështrim nga afër florës së pafund, larmia e saj bëhet e dukshme, nga lulëzimi i ngjyrave të vjeshtës.

Është një peizazh që frymëzon qetësi, një ftesë për të marrë frymë thellë

Nga pikëpamja turistike Qafë Shtama e zhytur në një kornizë natyrore mes pemëve dhe drunjëve është një mushkëri e madhe e gjelbër rreth së cilës është përshtatur qendra urbane, me një përqendrim të fortë të pushuesve gjatë verës dhe ka mbetur ilaç shërues i sëmundjeve azmatike.

Fama e Qafë Shtamës nuk është e rastësishme e cila zë fill në shekullin e fundit të mijëvjecarit të kaluar (shtëpia e mbretit Zog) dhe vazhdoi me ish kampin qeveritar, të punëtorëve dhe fëmijëve.

Qafë Shtama është një përvojë magjepse për këdo që e viziton për herë të parë një parajsë e vërtetë për adhuruesit e natyrës. Ka nga ata që vijnë për ajrin e pastër, për qetësinë, ujin shëronjës; ka nga ata që vijnë në fundjavë, për të festuar ditëlindjen, pagëzimin e fëmijës, apo përvjetorin e martesës dhe, ka nga ata, që gjejnë atë që nuk e dinin që u duhej.

Klima është tipike e maleve të larta me temperatura mesatare, të ulëta në dimër gjatë të cilave bie borë dhe në verë vapa, ndryshime të jashtëzakonshme termike ndërmjet ditës dhe natës. Për këtë arsye, mbrëmjet e verës janë gjithashtu mjaft të freskëta.

Tinguj dhe aroma vjeshte rreth nesh. Kuaj, lopë dhe dele që kullosin gjatë rrugës si pjesë e një bote të pastër. Shikimi i të gjithave na bën të ndihemi të vegjël, por disi pjesë e asaj bukurie të madhe. Bëjmë fotografi, duke kapur gjerësinë e këtij peizazhi.

Në një ditë si sot ishte e pamundur ti rezistosh dëshirës për një shëtitje në pyll, ku vjeshta me dekorin e saj, të jep përshtypjen, sikur je brenda një fotografie të jashtëzakonshme, plot ngjyra. Nga këtu ecja është magji e pastër, në mes të pyllit, me peizazhe perfekte për të humbur në mendimet dhe në reflektimet fantastike, në një nga këndet më të largëta të këtyre hapësirave pa kohë. Pemët krijojnë një peizazh surreal, pothuajse alien.

Qiell i pastër pothuajse duket sikur të thërret, duke na ftuar të mbushim sytë me çudi. Degët e pemëve fillojnë të luajnë “valset e Johan Strauss-it” me gjethet e tyre të thara që bien njëra pas tjetrës, duke marrë me vete, fshehtësinë e tyre. Vetëm fëmijët vrapojnë dhe luajnë, duke mbushur atë peizazh të heshtur me të qeshurat e tyre.

Era e myshkut është më e gjallë se kurrë, e përzier me erën e pagabueshme të kërpudhave. Atje në pyllin e pishave të zeza, rriten kërpudha të pafundme, shumë prej të cilave janë të ngrënshme dhe ofrojnë kënaqësi unike të shijshme.

Me mikun tim inxhinier, Petritin, mbledhim kërpudha, nën një tapet me gjethe të verdha, të kuqe dhe kafe. Një sorrë arrin, me kakarisjen e çjerrë në veshët tanë, për një çast, dhe pastaj gjithçka kthehet në qetësi paqësore. Në atë çast, kuptoj se sa e çmuar është kjo qetësi e natyrës, larg zhurmave të botës moderne; është si të ecësh në një botë të magjepsur.

Është koha për drekë. Ulemi diku jashtë bar- restorantit mes elegancës së thjeshtë dhe vëmendjes së hollë ndaj detajeve, me ngrohtësinë e zjarrit, si një zemër që rrihte që ushqeu jo vetëm flakën, por edhe shpirtin, buzëqeshjet tona; aromat intensive të kuzhinës, ku mishi kecit përzihet me atë të kërpudhave....

I përshëndesim nikoqirët me një shtrëngim duarsh dhe pak muhabet.

Grupe vizitorësh hyjnë e dalin në restorant. Flasin me zë të ulët, gati sikur të ishte një vend i ngrënies si fizike ashtu edhe mendore rreth tavolinave prej druri.

Restoranti duket sikur ka dalë nga një fotografi, nga ato festat e vendit, por këtu atmosfera është intime. Fillojmë të hamë, pa formalitet, pa frena.

Në këtë strehë të përkryer, ku takohet tradita, ngrohtësia e mikpritjes, historitë e rrëfyera, gatimi i përsosur, vera dhe rakia të bëjnë të udhëtosh në autentiken e trevës.

Ndërsa lë pas rrugën me dredha, duke zbritur, derisa të gjendemi përsëri mes gjigandëve shkëmbor, me ndjenjën e të jetuarit të çasteve jashtë kohe, të shijojmë thellë qetësinë, freskinë e ajrit të pastër në pyll, vjeshtën me ngjyra të një vendi, që emrin ia ka borxh faktit se ka një formë si e qafës së shtamës, nga ku ka marrë emrin Qafë Shtamë.

Në të vërtet Qafë Shtama na befasoi, ikëm pa pritshmëri të mëdha dhe na magjepsi, sepse një ditë si kjo sidomos këtu është përmbushjeje shpirti. Ishim vetëm, protagonistë absolut në mes të askundit, dmth... në mes të natyrës së egër, që na priti në krahët e saj dhe pranoi të na linte të jetonim çaste paqësisht.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora