E diele, 22.12.2024, 05:11 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Fati tragjik i nacionalistëve shqiptarë në nëntorin e 1944-ës

E enjte, 29.01.2009, 12:07 AM


Nga Dashnor Kaloçi

Nisur nga shtrembërimet, falsifikimet dhe manipulimet e mëdha, që pësoi historiografia shqiptare gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe në veçanti ajo që përfshin periudhën e Luftës Antifashiste në vitet 1939-1944, botimet e autorëve të huaj për atë kohë kanë ngjallur vazhdimisht interes të jashtëzakonshëm. Nga autorët e huaj që kanë botuar libra me kujtime e analiza lidhur me ngjarjet që i përkasin asaj periudhe kohore, janë edhe ish-misionarët ushtarakë anglo-amerikanë, të cilët ishin vetë dëshmitarë dhe aktorë kryesorë të ngjarjeve më kryesore të asaj kohe, si Petër Kemp, David Smajl, Reinald Hibert etj. Një pjesë e librave të tyre që janë përkthyer e botuar dhe në Shqipëri, kanë ngjallur shumë interes e kanë qenë mjaft të kërkuar, për vetë pasqyrimin me realizëm të ngjarjeve që rrokin një nga periudhat më të diskutuara të të gjithë historisë së Shqipërisë. Një nga ato botime është edhe libri "Bijtë e Shqipes" i ish-ushtarakut britanik, Xhulian Emëri, i cili bashkë me autorët e sipërpërmendur, Kemp, Smajl dhe Hibert, gjatë viteve 1943-1944 ka qenë vetë me mision në Shqipëri. Ai libër është shkruar prej tij në bazë të shënimeve të mbajtura gjatë asaj kohe dhe fillimisht u botua në Londër në vitin 1947, pak kohë pas mbarimit të Luftës. Në librin e tij, britaniku Julian Amery, dëshmon jo vetëm ngjarjet ku ka qenë vetë dëshmitar okular, por ai hedh një vështrim të shkurtër, duke analizuar edhe ngjarjet që rrokin një periudhë më të hershme në historinë e Shqipërisë, që nga periudha e pushtimit romak, periudha e Turqisë, Lufta e Parë Botërore, Mbretërimi i Ahmet Zogut, e deri në faktorët që çuan në pushtimin e vendit tonë nga Italia fashiste. Ndërsa ngjarjet që rrokin këtë periudhë kohore, afro 500-vjeçare, nuk zënë shumë vend në libër, ato të viteve të Luftës Antifashiste 1939-1944 zënë pjesën kryesore dhe përshkruhen deri në detaje nga autori. Përveç ngjarjeve të asaj kohe, Amery ka përshkruar me hollësi edhe shumë nga portretet e aktorët kryesorë të asaj lufte, si Abaz Kupi, Prenk Përvizi, Muharrem Bajraktari, vëllezërit Kryeziu, Llazar Fundo, Mithat Frashëri, Gjon Marka Gjoni, e deri te kreu i partizanëve shqiptarë, Enver Hoxha. Libri "Bijtë e Shqipes" i Julian Amery, është përkthyer në fillimin e viteve 1950 nga Felatun Vila, i cili në atë kohë vuante dënimin si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Por, ajo vepër e përkthyer prej tij natyrisht që nuk mund ta shihte kurrë dritën e botimit asokohe dhe libri u arkivua në arkivat e Ministrisë së Brendshme, pasi përkthimi i tij, nga ana e regjimit komunist, u bë për të parë se çfarë shkruhej në adresë të udhëheqjes së lartë komuniste të periudhës së luftës. Libri "Bijtë e Shqipes" u botua vetëm para katër vjetësh, nën kujdesin dhe sponsorizimin e familjes së Abaz Kupit që ka jetuar në SHBA dhe asaj të Hasan Dostit, i cili jeton në Shqipëri. Po kështu, nga ky libër (i pajisur edhe me foto të shumta të asaj kohe) që është botuar edhe në gjuhën angleze, duke u shpërndarë në SHBA e Britani, ne kemi përzgjedhur disa pjesë, ku përshkruhet fati tragjik i nacionalizmit shqiptar në mbarimin e luftës.

Britanikët: Jo, evakuimit të Kupit

Refuzimi i komandës britanike për ta evakuuar Abaz Kupin me misionin tonë, ishte një goditje e rëndë për krenarinë e tij. Por ai e kuptoi turpin tonë dhe u prek nga vendimi ynë që, më mirë të iknim me të, se të largoheshim me një anije angleze. "Eshtë më mirë kështu, tha ai me bujarinë tipike, sepse është detyra ime si njeri që u kam dhënë besën, t‘u shoqëroj deri sa të largoheni të sigurt". Po atë pasdreke, ai dërgoi agjentë në Durrës dhe në Shkodër për të gjetur një barkë. Qëndruam dy javë në malin e Velës duke pritur lajme në lidhje me barkën. Ndërkohë Agai kishte caktuar me kë do të largohej. Ai pat zgjedhur Petritin, djalin e tij të madh dhe Rustemin, më të voglin. Gjithashtu Gaqo Gogon, i cili do t‘i shërbente si sekretar, dhe Ramizin si truproje. Në barkë mund të mos kishte vend për më tepër njerëz, prandaj gruan e tij, vajzat dhe djalin që mbetej, i la në kujdesin e miqve të tij afër Shkodrës. Moti tashmë ishte prishur dhe bora e parë zbardhi malet. Ditët kalonin me ngadalë, sepse bënte shumë të ftohtë dhe kishte lagështi, gjë që e bënte të pamundur ndejtjen përjashta. Por edhe brenda në shtëpi ishte tepër errësirë për të lexuar. Prandaj flinim, bisedonim ose kalonim kohën mes turkmenëve. Tetori ishte koha kur piqej rakia dhe ngadonjëherë bridhnim për të parë fshatarët që zienin dhe kumbullat në kazanët e tyre primitivë. Ndërkohë Smajli bëri një vëzhgim të fundit të bregdetit, duke u hedhur aq larg në veri, sa arriti deri në Shëngjin, vendi i lashtë i ankorimit të San Xhiovani di Meduas. Një ditë gjermanët, të cilët e kishin ndjerë praninë tonë në një vend kaq afër rrugës, dërguan një patrullë për të na shkulur nga mali i Velës. I rrëmbyer nga afrimi i tyre, Agai rroku pushkën dhe doli për t‘u bërë ballë. Ne nxituam pas tij bashkë me shqiptarët dhe turkomanët duke zënë pozicione mbrojtës në kreshtën e një kodre poshtë kishës. Toka para nesh ishte e pyllëzuar por ndërsa ne shikonim gjermanët që përparonin përmes pemëve, Agai u tha njerëzve që të mos hapnin zjarr. Kur ata u afruan fare afër ai thirri fort dhe breshëri të përbashkëta shpërthyen përmes degëve. Gjermanët në fillim nguruan pastaj kur guerilët filluan të hapin zjarr një nga një, u kthyen mbrapsht dhe ia mbathën për të mos u dukur më. Më 4 tetor një telegram i ardhur nga Kuartieri ynë i Përgjithshëm, i cili lajmëronte se të nesërmen mbrëma do të dërgohej një barkë për të marrë Nilin bashkë me misionin e tij. Në të njëjtën kohë na sugjerohej që të imbarkoheshim edhe ne, por mungesa e Smajlit, i cili gjendej në vëzhgim na dha një pretekst të përshtatshëm për të refuzuar planin. Nili u largua me një numër dezertorësh turkmenë, disa italianë që rrinin me neve në kamp dhe dy shqiptarë. Ndërkaq nga një aksident tragjik radiotelegrafisti, kapteri Baten, u mbyt nga përmbytjet e njërës prej fllukave portative me të cilat udhëtarët arritën gjer tek barka torpedo. Haberdajni, zëvendësi i Nilit, mbeti në Shkodër, pasi duke qenë shumë sëmurë nuk mund të lëvizte. Ai kishte marrë udhëzime të arrinte misionin tonë porsa të shërohej. Ndërkaq partizanët vazhdonin përparimin në Veri, ndërsa ne vendosëm të prisnim barkën e Agait në ultësirën bregdetare përtej Lezhës.

Përpjekja e Kupit për të gjetur varkën

Forcat tona përbëheshin prej pothuaj njëqind trimash të Abas Kupit dhe dhjetëra turkmenësh, shqiptarësh dhe italianësh. Të mbrojtur nga këta pak besnikë ne ishim të kufizuar në një zonë prej pesë kilometra katrorë, të kufizuar në veri nga Drini, në jug nga Mati, në lindje nga rruga kryesore dhe në perëndim nga Adriatiku. Gjermanët dhe partizanët na rrethuan nga ana e tokës dhe ndonëse kënetat dhe kanalet na jepnin një farë shprese, e vetmja vijë e tërheqjes sonë ishte përmes detit. Armiqtë tanë ngurronin akoma të na ndiqnin në këtë zonë kënetore, por ne e dinim se kjo prehje ishte e shkurtër. Gjermanët nuk e ndjenin veten e tyre të qetë, nga prania jonë në krahun tjetër, ndërsa Enver Hoxha kishte vendosur të ndalonte ikjen e Agait. Agjentët e Agait nuk kishin gjetur akoma barkë, por Ihsani na tha se ishte në kontakt me një kapedan anije, i cili pranonte të bënte udhëtimin për njëqind napoleona flori. Fondet tona ishin shterur, por Abas Kupi kishte aq para sa nevojiteshin, ndaj Ihsani shkoi në Shkodër me Petritin për të përfunduar pazarllëkun. Kaluan disa ditë, dhe Ihsani u kthye me lajmin e trishtuar se kapedani matrapaz kërkonte tani një çmim më të lartë. Agai nuk ishte në gjendje të përballonte këtë kërkesë të re, por mikpritësi ynë, duke marrë vesh hallin pranoi të linte peng tokën e vet për të siguruar shumën e nevojshme. Ihsani u kthye përsëri në Shkodër dhe ditën e nesërme na lajmëroi me anën e Petritit se kishte gjetur një detar më të ndershëm, një malazez, i cili ishte gati t‘i çonte me një barkë të hapët. Atë natë Smajli shënoi në ditarin e tij: "Çdo gjë është rregulluar me përjashtim të vendit nga do të nisemi, datave dhe sinjaleve!"

Orët e fundit para largimit

Koha ishte e bukur në bregdet, por tetori është stina e malaries, dhe netët tona, ishin të mundimshme prej mushkonjave të panumërta. Rezervat e kininës ishin mbaruar me kohë, por lumturisht nuk na zunë ethet. Ato bënë kërdinë në radhët e turkmenëve dhe të shqiptarëve tanë. Në fillim ditën e kalonim përjashta, duke u çlodhur mbi qilimat me ngjyra të ndezura, të cilat mikpritësi ynë i shtronte enkas për ne në shkëlqimin e diellit. Pastaj filluan shirat, që e transformuan tokën në moçal ndërsa një erë e ftohtë e ardhur nga veriu na detyronte të qëndronim gjithnjë në shtëpi. Zgjatja e vizitës sonë pakësonte burimet ushqimore në atë vend. Furnizimet filluan të bëheshin më të rralla dhe në vend të rakisë së vjetër, me të cilën u pritëm në fillim, tani na shisnin një pije më të hidhur. Nga ndonjëherë, duke kërkuar lajme ose ushqim të mirë, vizitonim fshatrat që ndodheshim aty afër. Ndërsa kur mbrëmjet ishin të bukura, ecnim përmes kampit për të parë turkmenët që kërcenin rreth e rrotull zjarreve dhe dëgjonim këngët e tyre të egra dhe të vajtueshme. Tani errej shpejt, dhe filluam të loznim shah, lojë në të cilët Agai bënte haptazi hile si Napoleoni. Kështu kaluan dhjetë ditë, në pritje të barkës. Ndërkohë gjermanët ishin tërhequr nga Shqipëria e Jugut. Ndonëse mbanin akoma Tiranën me anë të një garnizoni të fortë, shtabi i përgjithshëm i korpusit ishte transferuar në Shkodër. Qeveria shqiptare ishte shkatërruar, disa nga ministrat kishin ndjekur gjeneralët gjermanë ndërsa të tjerët kishin mbetur në kryeqytet, ose kërkonin të pasigurt, ndonjë strehim në Durrës. Partizanët përparonin si një valë e madhe në gjurmët e ushtrisë gjermane, ndërsa shqiptarët i nënshtroheshim qeverisë komuniste të entuziazmuar. Një disfatë gjermane përbënte një lajm të mirë në çdo rrethanë, por ndryshimi i padronëve dukej të ishte një fitore e dyshimtë për shqiptarët. Sa për ne, mund të ndjenim veçse një gëzim të vaktë prej një fitoreje të tillë, që e vendoste ngushticën e Otrantos, nën influencën ruse. Megjithatë eprorët tanë në Kuartierin e Përgjithshëm, dukej se besonin ende që Enver Hoxha ishte miku i tyre, ndaj e përmblidhnin politikën. Frika kishte mbuluar gjithë kampin në ato ditë të fundit, por Abas Kupi qëndroi i qetë gjer në fund. Dashamirësia e tij kundrejt nesh nuk shteroi kurrë dhe ai, në asnjë rrethanë as me fjalë as me vepra nuk tregoi ndonjë shenjë zemërimi kundrejt trajtimit të komandës britanike. Agai kishte kuptuar se ishim miqtë e tij dhe gjithnjë fliste duke thënë "disfata jonë" duke na identifikuar ne me kauzën e tij. Ne kishim pasur mundësi ta njihnim mirë gjatë këtyre shtatë muajve, në të cilët kishim ngrënë kaq shpesh bukë së bashku dhe fjetur nën të njëjtën çati. Respekti ynë ishte shtuar duke e njohur Again në intimitet. Asnjeri nuk mund të jetë i kthjellët nga mëngjesi gjer në mbrëmje, por Abas Kupi kishte një forcë udhëheqjeje, një urtësi të natyrshme dhe një karakter bujar të cilat përballonin provën e një mundimi të përditshëm. Guximi, dinakëria, energjia dhe durimi janë cilësi të nevojshme për një udhëheqës guerilësh. Por gjenia e veçantë e Abas Kupit qëndronte tek mjeshtëria për të ingranuar njerëzit në detyra si edhe në pragmatizmin natyral të tij. Ai dinte pikërisht se sa kohë mund të vlente shërbim i një njeriu dhe, kishte përmbledhur në një art të hollë metodat, në bazë të të cilave, i përdorte të tjerët për qëllimet e tij. Ai do t‘i drejtonte thirrje me një intuitë gati femërore ndjenjave më të forta ose më të dobëta, të çdo individi, dhe teknika e tij në këto çështje ishte tejet vetjake. Agai do të fliste gjithmonë kokë më kokë me njerëzit. Duke besuar rrallë ai nuk mund të tradhtohej veçse rrallë. Por nëse dyshimi e ndalonte që të delegonte autoritetin e tij, veprimet binin në sy ndoshta më shumë, në atë që ai vetë, ishte shpirti i ndijimeve të një dobësie. Ai kuptonte me anë të intuitës dhe gjykonte vetëm pas rezultateve dhe, në fakt shpesh herë na dukej se ishte i shurdhër ndaj argumenteve dhe i verbër ndaj qëllimeve të të tjerëve. Një objektivitet i tillë, ishte gjithashtu një provë kundër thirrjeve sentimentale të një demagogu, ngurrimeve skrupuloze të një moralisti, apo mosmarrëveshjeve të stërholluara të politikanëve profesionistë. Ky ishte ndofta sekreti i vërtetë i fuqisë së tij. Kështu shpjegohej fakti që një njeri i paarsimuar, mund të fitonte përkrahjen e intelektualëve e të shkatërronte gjatë katër vjetëve, djallëzitë e një Mustafa Kruje, apo qëllimet e fshehta të misionarëve të Kominternit. Tek e fundit, llogaria më e vjen nga njëfarë akt- besueshmërie dhe besimi në fuqinë britanike ishte udhëheqja për veprim nga ana e Agait. Situata e dëshpëruar mund t‘i sugjeronte se kishte gabuar, megjithatë, ai besonte ende se disfata e tij ishte lojë e keqe e përkohshme.

Largimi i britanikëve pa Kupin

Rruga jonë nga pylli na çonte përmes kënetave dhe një lagune të gjerë, ku uji arrinte deri në qinglën e kalit tim. Në fillim heshtja e natës, prishej vetëm nga tingujt e plluquritjeve. Por pas pak, filluam të dallonim mërmërimën e valëve të detit, që përplaseshin butë në bregun prej rëre. Përtej lagunës u ngjitëm në një dunë dhe duke çarë rrugën me kujdes, përmes një fushe të minuar gjermane, zbritëm në bregdet. Deti ishte i qetë si një liqen dhe mbi horizont, varej poshtë, hëna e plotë. Një bunker gjerman gjendej dy kilometra larg në drejtim të veriut, por ne besuam, që garnizoni ishte tepër i demoralizuar dhe nuk do të na binte në qafë. Kur hëna ra poshtë, ndezëm një zjarr prej shkurresh dhe të mbështjellë me kapota, u ulëm për të pritur ardhjen e anijes. Duhej të kishin kaluar dy orë dhe unë nuk po përpiqesha më të shihja nëpër errësirës, kur Maklini më tregoi një hije të zezë në det. Dukej sikur ishte rreth nëntëdhjetë metra larg dhe u habita që nuk e kisha vënë re më parë. Prej saj u shkëput shpejt një hije më e vogël dhe, ndërsa valët e shtynin ndaj bregut, pamë se ishte një lundër zbarkimi me fund të rrafshët. E punonin me rrema dy marinarë dhe një oficer të ri, i cili zbriste dhe na përshëndeti. Ai i përkiste "sigurimit" dhe ishte dërguar enkas për t‘u siguruar që ne, nuk do të merrnim me vete Abas Kupin. U dhashë lamtumirën Shaqirit dhe Halitit, ndërsa Kolaverit besnik i dorëzova kalin me hejbet e shalës si edhe një grusht flori. Ky cub thatim dhe i rreshkur më puthi faqet, duart dhe shpërtheu në lot si një fëmijë. Hipa në lundrën e zbarkimit me Haberdajnin dhe dy rusë ndërsa shqiptarët na shtynin me thirrjet "Tungjatjeta". Pas disa pak minutash ndodheshim pranë një benzinate të tipit MAS që drejtohej nga një ekuipazh italian. Ivani më ndihmoi të ngjitesha në kuvertë dhe u ula i dëshpëruar mbi një grumbull litarësh. Anija nuk ishte e rehatshme dhe nuk kishte asgjë të veçantë. Ajo ngjante me avionin, nga i cili ishim hedhur tetë muaj më parë. Marinarët u dhanë sërish rremave në drejtim të bregdetit dhe pas pak u kthyen me Maklinin, Dejvisin dhe rusët e tjerë. Kur kishim hipur të gjithë lundra e zbarkimit u ngjit me vinç anën e anijes. Më pas motorët u ndezën dhe anija shkau qetësisht nëpër det. Pasi u larguam nga Kepi i Rodonit, kapedani dha urdhër që të ecej me shpejtësinë më të madhe. Ne shkonim plumb përpara të mbuluar nga një re stërkalash. Duke vështruar në errësirën që venitej, munda të shquaj bregun e ulët shqiptar dhe malet e zeza të Malit të Zi që binin poshtë në det.

Ish-ushtaraku britanik kujton kontradiktat e miqve të tij nacionalistë

Amery: Ja debatet e ballistëve me zogistët për disfatën

Në librin e tij "Bijtë e Shqipes" të botuar fillimisht në Londër në vitin 1947 dhe më pas në Tiranë para pak vitesh, ish-misionari britanik, Juljan Amery, përshkruan me detaje edhe kontradiktat që kishin në mes tyre krerët nacionalistët shqiptarë, të cilët ata nuk nguruan t‘i ringjallnin edhe në çastet e fundit para largimit të britanikëve. Lidhur me këtë, në mes të tjerash ai kujton: "Ndërkaq, ishte përhapur lajmi se ndodheshim në bregdet dhe ç‘kishin ngelur nga nacionalistët e shpërndarë, filluan të depërtonin në kampin tonë përmes linjave gjermane dhe partizane. Më optimisti midis tyre kujtonte se kishim lënë malet për të përgatitur zbarkimin e anglezëve, madje udhëheqësit shpresonin se mund t‘i mbronin nga partizanët. Mit‘hat Frashëri, Ali Këlcyra dhe anëtarët kryesorë të Ballit Kombëtar, erdhën tek ne më 16 tetor. Me dinjitet dhe maturi ata bënë sondazhe për të parë nëse ishim të gatshëm t‘i nisnim për Itali. Një besim i munguar më parë, na i shtonte detyrimet tona ndaj tyre, por nuk vlente të kërkonim për këta nacionalistë atë që na ishte refuzuar për Abas Kupin. Përgjigjet tona tinëzare duhet të kenë tingëlluar në veshët e tyre si një vendim vdekjeje, por ata na dëgjuam qetësisht. Atë natë, Ali Këlcyra mbahej më mirë se asnjeri. Megjithatë në orët e para të mëngjesit u zgjuam nga rënkimet rrëqethëse që vinin nga çipi i dhomës ku ai flinte. Dikush ndezi një shkrepëse dhe pamë se fatziu ishte i pushtuar nga një ankth. Mit‘hati e zgjoi me kujdes dhe Aliu i cili dridhej akoma, na tha se kishte parë një ëndërr të tmerrshme sikur ishte duke u torturuar prej Enver Hoxhës me thikë. Tanimë e kishim kuptuar se fijet e një aleance zgjidhen, nëse fitorja është e sigurt, por një gjë e tillë ndodh edhe përpara një disfate. Rreziku i përbashkët kishte bashkuar republikanët me monarkistët, por katastrofa e humbjes po ringjallte mosmarrëveshjet. Abas Kupi akuzonte ballistët se kishin diskretituar kauzën nacionaliste në sytë e anglezëve, duke u bashkuar me gjermanët, Mit‘hat Frashëri ishte i mendimit se komunistët mund të ishin zhdukur, nëse zogistët do të ishin bashkuar me fuqitë e tyre që në fillim të luftës civile. Hedhjet e fajit njeri-tjetrit mund të dukeshin si diçka akademike, por ato fshihnin në vetvete një konflikt interesash të natyrshme. Të dy partitë, të cilat nuk mund të përkrahnin njëra-tjetrën në Shqipëri, mund të përçaheshin për së shpejti në mërgim. Ndërsa tani që rezistenca kishte marrë fund, zogistët dhe ballistët dukeshin si rivalë që përpiqeshin për të fituar përkrahjen britanike, më tepër se sa aleatët ndaj partizanëve. Agai ishte i vendosur të shkëputej nga njerëz që kishin "bashkëpunuar" me gjermanët, ndërsa ballistët shpresonin akoma të mbroheshin prapa emrit të tij. Ne nuk pyetëm kurrë se ç‘kishte ngjarë midis tyre atë ditë por, kur mbledhja mori fund, udhëheqësit ballistë na dhanë lamtumirë dhe u rikthyen në drejtim të maleve me një pamje njerëzish të dënuar. Pas Mit‘hatit dhe Aliut arriti Fiqiri Dineja. Ai donte të diskutonte mbi rrethanat e shuarjes së rezistencës apo largimit tonë. Në të njëjtën kohë ai donte të dinte se ç‘pritje mund t‘i rezervonin britanikët nëse hidhej në Itali. Me gjithë dezertimin e tij dhe kalimin në anën tonë, ne nuk mund t‘i jepnim veçse një inkurajim të pakët një ish kuislingu, ndërsa Agai e këshilloi që të fitonte përsëri në male, famën që kishte humbur në Tiranë. Ai u nda prej nesh për të shkuar sërish në Dibër. Ndërkaq kampi ynë mbetej një vend mbledhjeje për nacionalistët e çdo lloji, të cilët instinktivisht i kishin varur shpresat tek Abas Kupi. Midis tyre erdhi edhe një delegacion nga malësorët katolikë të Malësisë së Madhe. Ata e ftuan Again të organizonte rezistencën e tyre kundër partizanëve. Abaz Kupi i bërtiti prijësit katolikë në praninë tonë dhe hodhi poshtë propozimin e tyre duke thënë: "Kjo është diçka kundër dëshirës së anglezëve dhe megjithëse ata mund të ma falin, unë prapë se prapë nuk do të dal kundër tyre".

Bazit te Canes i mbeti peng se nuk e mbwshtetwn Gjonmarkajt

Kupi: A sikur të kishim pasur Mirditën me vete

Sipas kujtimeve të britanikut Julian Amery, ish-misionarit ushtarak që u ndodh në Shqipëri në vitet 1941-‘44, në momentet e fundit para largimit nga mali i Velës, Abaz Kupi ktheu shikimin e tij nga Lindja dhe u shpreh: Ah sikur të kishim pasur Mirditën me vete? Po çfarë donte të thoshte me këto fjalë Kupi? Lidhur me këtë, Amery shprehet: "Përpara se të niseshim për në bregdet, u ngjitëm me Abaz Kupin në kreshtën shkëmbore të malit të Velës, për të parë për herë të fundit kodrat dhe luginat ku kishim luftuar dhe ishim sfilitur. Një ditë e bukur na ndihmoi në udhëtimin tonë dhe mundimi i ngjitjes u shpërblye nga madhështia e një pamje që përfshinte shumë vise të Shqipërisë së Veriut. Duke vështruar nga jugu, njoha kreshtat shkëmbore dhe pllajën e Bizës ku shtatë muaj më parë ishim hedhur natën me parashutë. Që aty, ndoqa shtegun që na kishte çuar tek kullat e zogistëve të Matit, Krujës dhe Tiranës, luginat pjellore të të cilave dhe vargjet malore të zhveshura, ishin plot me kujtime të këndshme dhe intime. Qyteti i Tiranës fshihej nga kreshta e maleve që i bënin roje, po përmes fushës, përtej minareve të Prezës, mezi i shquaja konturet e Durrësit, ku Abaz Kupi kishte ngritur për herë të parë flamurin e rezistencës shqiptare. Nga lindja shtriheshin pyjet e valëzuar të Mirditës "vendi i ditëve të lumtura" që ne i kishim kapërcyer si ilegalë dhe që asnjëherë nuk na kishin pranuar si miq. Përtej tyre, ngriheshin përpjetë kreshtat e dhëmbëzuara të Lumës, mbi të cilat ishim sfilitur me Muharrem Bajraktarin. Ndërsa në veri pamja pengohej nga masivi i errët i maleve të Gjakovës, ku Kryezinjtë e pamposhtur kishin zhvilluar luftën e tyre të vetmuar. Rrjedhja e Drinit fshihej nga grykat e Lumës, po përtej Kukësit ku bashkohen Drini i Zi me Drinin e Bardhë mund të shquaja lumin që gjarpëronte drejt veriut për t‘i rënë rrotull, rrëzës së Bjeshkëve të Namura dhe të kthehej drejt jugut, për t‘u derdhur në det, një mijë e pesëqind metra, poshtë majës ku kishim qëndruar. Nga veriu, përtej lumit, ngriheshin kullat e kuqe dhe minaret e Shkodrës fanatike dhe midis ujërave të përhimëta të liqenit të saj dhe Adriatikut xixëllues, vija e qiellit ndërpritej nga vargu malor i Malit të Zi. Kudo rreth nesh shtrihej gjithë vlera e atyre që kishin humbur dhe ndërsa rrinim ulur duke vështruar teposhtë dëgjova Abas Kupin të thoshte pothuaj me vete: "Sikur vetëm Mirdita të kishte qenë me ne!"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora