Faleminderit
Kristinë Oroshi: E Lumja Marie Tuci shembull i qëndresës heroike
E shtune, 26.10.2024, 05:59 PM
E Lumja Marie Tuci shembull i qëndresës
heroike
(Në kujtim të Marie Tucit me rastin e 74 vjetorit të mbytjes me
torturë)
Nga Msc.
Kristinë Oroshi
Heroinat shqiptare historikisht kanë qendruar
përkrah heronjëve tanë. Ato asnjëherë nuk janë përkulur por kanë qendruar
trimeresha edhe kur janë përballë me torturat më çnjerëzore
që njeh historia e njerëzimit. Një ndër ato heroina është edhe martirja Marie
Tuci, mirditorja që asnjëherë nuk nxori asnjë fjalë nga goja por qëndroj
heroikisht torturave çnjerëzore ndër më të rreptat që kanë mundur
ti kryejnë vetëm satanët dhe të patenzotët të tipit të Hilmi Seitit, që
përdoren metodën më të mbrapshët duke e futur në një thes me maqokun.E heroina
mirditore nuk u dobësua asnjëherë por më një krenari të madhe dha jetën për
Shqipërinë Etnike, duke ju treguar pansllavistëve komunistë se toka, qielli dhe
dielli shqiptarë lindin gjithmonë në perëndim.
Më, 24 tetor 2024 e
kujtojmë të Lumen Marie Tucin në shtatëdhjetë e katër vjetorin e
vdekjes nga torturat më të tmerrshme që i njeh njerzimi, nga bishat e
egra komuniste .
Historia jonë kombëtare është sa e dhembshme
por edhe shumë tragjike. Vend të rëndësishëm e të veçantë në historinë tonë zë
edhe femra shqiptare që nga periudhat e lashta e gjerë në ditët e sotme. Ku ajo
përgjatë shekujve ishte simbol i durimit, vuajtjes,dashurisë, trimërisë,
mirësisë dhe i qendresës. "Popujt që e harrojnë të kaluarën e
tyre, janë të mallkuar që ta përserisin" thoshte shkrimtari amerikan G.
Santayana.
Në skajë të rrugës së sotme të Kombit, në
krah të autostrades ndodhet një fshat i vjetër me shumicën banorë të ardhun
prej fshatit Orosh të Mirditës. Ky fshat quhet Ndërfushas. Aty ku ndahet kufiri
i këtij fshati me fshatin e Ndërfanes që në shumë dokumenta arkivore i gjendet
edhe emri '' Ndërfandinë'' në kodrinën ma të dukshme të këtij fshati ndodhet
kulla nder kullat me të vjetra të këtyre trevave, kulla e
Nikollë Mark Tucit.I takon familjes princore të Prengë Bibë Dodës që ishtë një
figurë e njohur dhe e rëndësishme në historinë shqiptare të asaj periudhe
kohore.
Më, 12 mars 1928 u lind Marie Tuci e bija e
Nikollë Tucit dhe e Dilë Fushës . Në vendlindje Maria hodhi hapat e parë të
fëmijërisë .Familja e Maries kishin një gjendje të mirë ekonomike sepse
merreshin me punimin e arave dhe me kullotjen e bagëtive. Babai Nikollë Tuci e
nënë Dila kishin katër fëmijë: Markun, Marien,Luçijën dhe Lizën. Bashkë me
familjen e Nikollës jetonte edhe motra e tij e pamartuar Angilia dhe
vëllai Zefi me bashkëshortën e tij Dilën.
Maria ishte nxënëse në shkollën e motrave
Stigmatine në qytetin e Shkodrës prej moshës 12 vjeçare ku edhe mbaroj shkollën
fillore dhe të mesme.
Veç virtyteve fisnike që Maria kishte marrë
nga familja e saj në kolegjin e motrave Stigmatine fitoi edhe dije të bollshme
për pregatitje për infermjere por Maria kishte vendosur t'i shërbente kishës
dhe ëndërronte të bëhej murgeshë.
Gjatë vitit 1946 Marie Tuci bashkë me Davida
Gjomarkun filluan punën si mësimdhënëse në fshatin Fan dhe Gojan të Mirditës të
ftuara nga abati i Oroshit Frano Gjini.
Bashkëkohësit tregojnë se ishte
një mësuese e mirë, e rregullt me nxënësit dhe kërkuese ndaj vetes , me qëllim
që t'u shërbente nxënësve në shkallën më të lartë të mundshme , që ata të
përvetësonin kërkesat shkollore sipas programit.
Pas vrasjes së Bardhok Bibës më, 7 gusht 1949
sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë dhe deputet i Parlamentit , tri ditë më
vonë në shenjë revolte dhe hakmarrje ndodhi ditë e zezë për Mirditën dhe
mirditorët sepse u varën dhe u pushkatuan katërmbëdhjetë veta, u burgosën mbi
25 veta dhe u internuan mbi 300 veta në mesin e tyre edhe mirditorja e re dhe e
bukur Marie Tuci.
Ajo arrestohët në Mirditë tri ditë pas
vrasjës së Bardhok Bibës, më 10 gusht 1949 se bashku me të vëllanë e
saj Markun.
Ishte moment i dhembjes edhe i tmerrit kur
Maria dhe vëllau i saj Marku të dytë të arrestuar nga bishat e egra komuniste e
shiquan njëri – tjetrin nga kamionët dhe nuk kishin mundësi për të biseduar e
ai moment dhe ajo ditë ishte hera e fundit që vëlla e motër u panë bashkë.
Pasi u lirua nga burgu vëllau Marku në vitin
1957 gjeti në shtëpi një letër të shkruar me pika gjaku prej motrës së tij
Maries ku nder të tjera thoshte: "Jam e dënuar me tre
vjet burg me kusht kur e dijnë fare mirë se ditët i kam të numëruara. Jam e
lumtur që po i plotësohet deshira kolonel Hilmi Seitit që do të më bëjë që as
familja ime mos të më njohë. " Pas arrestimit të dytë të
tij Marku tha: "gjithçka mund të harroj por jo motrën time që
vdiq gjatë hetuesisë. " Kjo letër është
marrë dhe askush nuk ka njohuri se në duart e kujt ka përfunduar ajo letër.
Vepra që kishte kryer Maria ishte sepse ishte
e bukur dhe model i qytetrimit, dijës, menqurisë, bukurisë dhe virtyteve të
pastërta . Kjo vepër i ra në sy ish shefit të sigurimit të Shkodrës , Hilmi
Seitit i cili kishte tentuar të abuzonte me trupin e saj por duke parë se Maria
kishte një dinjitet të lartë dhe karakter të rrallë pranoj të torturohej e të
vdiste e jo të behëj peshqesh për një moster. E Lumja Marie Tuci më
qëndrimin,guximin dhe dinjitetin e saj na dëshmoi edhe na pasqyroi nderin dhe
fuqinë e fesë së krishterë.
Xhelati i egër komunist Hilmi Seiti urdhëroi
që mbi vajzën e bukur dhe me virtyte të larta njerëzore të ushtrohët një dhunë nga
ato më mizoret që ta fusin në thes dhe brenda atij thesi të fusin edhe një mace
të egër dhe duke e goditur macën me shufra hekuri që të terbohët dhe ta shqyej
Marien.
E mbijetuara Olimbi Baruti , për një muaj
shoqe qelie me Marien, duke folur për kushtet e paimagjinueshme të burgut ka
thënë: " Burgu ishte një birucë... edhe pse e quanin
qeli,ishte qelia nr.13 pa dritë,as ajër, pa pasur mundësi të laheshim e të
ndërroheshim, ushqimi i përditshëm ishte bukë,ujë,groshë ose makarona. Marija
ishte inteligjente, guximtare, me një fe të madhe,lutej shumë në burg dhe ishte
kundër komunizmit. Gjatë gjithë muajit vetëm një herë i dhanë ndërresa edhe i
ndau me mua . "
Deshmitarja tjetër Vida Matlia e cila ishte
shoqe burgu për disa muaj me Marien kishte thënë : " Nga
të ftohtit rrinim të përqafuara për t'u ngrohur . Qelia ishte plot me ujë,sepse
binte shi edhe mbi dyshek. "
Motër Jorgjia Bulgareci ishte bashkëmoshatare
me Marien, pasi u mbyll kuvendi i motrave Stigmatine e kishte marrë malli për
të parë qytetin e Shkodrës dhe nga Tirana e bëri një vizitë.
Kur erdhi në qytetin e Shkodrës e kupton se
Marie Tuci ishte e shtrirë në spital dhe shkon për ta kërkuar.
Nuk arrita ta dalloja kaq e kishin
shpërfytyruar. Maria që më njohu duke folur me veshtirësi me tha: "Jorgjia
shiko si me ka bërë Hilmi Seiti. Më kanë
hedhur vazhdimisht e ngadalë ujë në kokë. Trupi im ishte i lagur gjithmonë. Pa
pushim më linin mbi një shtrat të lagur. " Për
vdekjen e Maries e ka kuptuar gjatë vitit 1990, kur ka ra regjimi i egër komunist.
Për martirën legjendare që la emër në
historinë tonë kombëtare sa të dhimbshme por edhe krenare janë thurur edhe
vargje njëkohësisht:
"Nan' e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace
N'burg të Shkodrës, po m'del shpirti
po ma merr nan', shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn', e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë
Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n' thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver' një dorë
Mbaju nan', mbaju burrneshë
më sill teshat, e m'vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s'na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista
Po vdes nanë, moj un' e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du' nan', me m'qa kurkush
as n' Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n'Kurbnesh, e as n' Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë
Zoti nan, ka pat' mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes. "
Kënga : " Maria
Martire për fe" i kushtohet qendresës heroike të Martirës
Marie Tuci dhe gjithë Martirëve tjerë kundrejtë barbarizë së egër komuniste:
" Në një natë të errët t'grabitën
lirinë,
Të morën me dhunë me hekura në duer.
Ti strehë të mundimit pate qelinë,
Ku njohe hetuesin, me zemër si gur.
Por në at' vend ferrit ti s'u ligshtove,
Torturat durove me t'madhe qendresë,
Kushtimin për Zotin kurrë se mohove,
Provove cdo vuejtje, s'e preve ne besë.
Maria, Maria,
Vijnë Jonet prej qiellit,
Maria, Maria,
E lume Ti je,
Maria, Maria,
Ndrit rrezja e diellit.
Maria, Maria,
Martire për fe.
Oh, sa poshtnimet ti i durove,
At rrobe t'murgeshës e ruejte pa prekë,
Ti me trimni xhelatin s?dove,
Për fe e nder pranove, pranove me vdekë. "
Një tjetër këngë që iu kushtua Maries është
edhe kënga: "Martirja Marie Tuci" e kënduar nga
mirditorja Angjelina Mena - Nikolli, nga Rubiku i Mirditës:
"Për jetë e mote,
dhimbja s'harrohet,
Por i bashkojmë lotit një melodi,
Për një Martire, lavdia t'knohet,
Për mirditoren, të Lumen Mari.
Në mes t'martirëve, vetëm një motër,
Prej derës Gjomarkut, lind në Mirditë,
Për lavdi t'Krishtit e t'besës s'Zotit,
E fali jetën si me lind!
Shëndriste ndërgjegjen e zemrës së Krishtit,
Dhe arsimtare n'Gojan dhe n'Fanë,
I'a ndalën hapin hijenat e rregjimit,
Kështu hyjneshe s'pat lind në këto anë.
N'qeli të burgut e ndanë nga prindrit,
S'e lanë me u fal, as me t'vetmin vëlla,
Shkruan me gjak t'plagëve e me dritën e
shpirtit,
Lamtumirë se, s'do t'më shihni ma.
Brenda një thesi ma i zi se nata,
Në tortura të egra shpirti tu i dalë,
Veç një fillë rroba më merrni te nana,
E t'mbuloj trupin mos me mu pa plagtë.
E dashte jetën, e jetën dhurove,
Si rreze dielli motra Mari,
Kurrë s'të tret toka por veç naltohet,
Si shenjëtore në përjetësi... ! "
Marie Tuci vdiq në spitalin e Shkodrës më ,
24 tetor 1950 në moshën njëzet e dy vjeçare. Pas vdekjes kusheriri i saj Kolë
Shtjefni nga qyteti i Shkodrës lajmin e hidhur familjarve të Mariës iu kumtoj
me anën e një telegrami. Familjarët e saj ishin të internuar në Tepelenë. Ai u
kujdes që Maria të varroset në varret katolike të Rrëmajit në Shkodër.
Pranë eshtrave të së bijës dëshiroi të
varroset i ati, që së bashku me të shoqen e me fëmijët e tjerë, nuk e panë më
Marien e tyre, as edhe të shpërftyruar. Të shndërruar, patjetër që e ka takuar
mes Shenjtërve Martirë në parajsë.
Eshtrat e Maries u zhvarrosën me emërim
arqipeshkvnor në praninë e anëtarëve të Komisionit special më, 23 tetor 2006.
Të nesërmen më rastin e 47 vjetorit të saj të vdekjes u varrosën në
kishën e Motrave Stigmatine.
Zgjedhja e këtij vendi u motivua edhe nga
fakti se pikërisht ajo kishë, sekuestruar së bashku me shtëpinë nga regjimi, u
shndërrua në gjyq, ku shumë veta u gjykuan dhe u dënuan me vdekje.
Maria është e vetmja femër që gjindet në
listen e martirëve shqiptarë që u flijuan për Jezu Krishtin gjatë
regjimit të egër komunist në Shqipëri që u shpallën të Lumtur më datën 5 nëntor
të vitit 2016.
Marie Tuci është trimeresha e lumturuar midis
40 martirëve të kishës katolike dhe gjatë procesit dioçezian të kanonizimit
janë dhënë shumë deshmi të njejta për këtë ngjarje dhe të gjitha deshmitë e
akuzojnë shtetin e egër dhe barbar komunist me krye diktatorin Enver Hoxha i
cili më 1967 shembi edhe kishat e burgosi dhe torturoi ajkën e këtij vendi.
Marie Tuci nuk përfaqëson thjeshtë sakrificën
e një vajze të re por është njëra nder përfaqësueset shqiptare pra ,ajo ishte
symbol i gruas që di të mbrojë bindjet e veta dhe t'i shpalosë ato pavarësisht
rrethanave që janë kundër saj. Ajo e donte dhe e respektonte larine e saj duke
e mbrojtur atë deri në fund. Maria ishte dhe do të mbetet symbol i një gruaje
moderne që mbart idetë e veta dhe i shpreh ato, bën përpjekje ti zbatojë me
bindje dhe me trimëri...
Me veprën dhe heroizmin e martirës se re
mirditore sot krenohen jo vetëm Mirdita por tërë trojet etnike shqiptare.
Vajza e re nuk u gjunjëzua dhe u tregoi
përbindshave komunistë se ishte tamam mirditore me dinjitet dhe me vlera të
larta morale. Deshira e saj ishte t'i sherbente kishës dhe Zotit por ishte në
pamundësi sepse në kohën kur veproi dhe jetoi Maria, Shqipëria ishte e okupuar nën
kthetrat e egra të bishës së egër Enver Hoxha për pesëdhjetë vjet. I përjetshëm
do të jetë kujtimi për martirën Marie Tuci, ajo ishte krenaria,nderi, frymëzimi
dhe lavdia e kombit dhe kishës katolike shqiptare.E lumja Marie Tuci para se të
vdiste tha:" Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin
tim. Falënderoj Hyun se po vdes e lirë . "
E Lumja
Marie Tuci ka filluar t? rikthehet në memorien shqiptare përmes
librave,dramave,këngëve, emërtimit të rrugëve dhe shesheve. Por historia e saj
në të ardhmën duhet të shkruhet e plotë që ta dijnë brezat e ri se si veproi
barbaria komuniste ndaj një vajze të re shqiptare vetëm e vetëm që lutej shqip
dhe jetën ia kishte falur Zotit por punonte natë dhe ditë që rininë shqiptare
ta edukonte në kulturën dhe traditën tonë kombëtare.