Faleminderit
Enver Bytyçi: Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! (IV)
E hene, 21.10.2024, 06:00 PM
Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! - IV
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Periudha
opozitare 1997-2005 ishte nga më interesantet në jetën e Sali Berishës.
Socialistët e ardhur në pushtet përmes “revolucionit të vonuar”, siç e kishte
cilësuar akademiku Rexhep Qosja, kryengritjen e vitit 1997, morën revansh
kundër opozitës dhe kreut të saj. U arrestuan gjashtë funksionarë të lartë të
Partisë Demokratike, mes të cilëve ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, me
akuzën për “krime kundër njerëzimit”! Qëllimi ishte të kalohej përgjegjësia e
kryengritjes së armatosur e vitit 1997 te demokratët, ndërkohë që ishin
socialistët organizatorët e saj. Shumica parlamentare ushtroi dhunë
institucionale dhe fizike kundër demokratëve. Një deputet i Partisë Socialiste
qëlloi në sallën e parlamentit mbi Azem Hajdarin dhe e plagosi atë rëndë.
Ndërkohë kundër Azem Hajdarit dhe Sali Berishës u organizuan atentate të tjera
si në Laç e në Tropojë. Ndërsa një tjetër eksponent i PD-së dhe deputet i
parlamentit nga Tropoja u arrestua. Në këto kushte një nga liderët e opozitës,
ish kryetari i Parlamentit Shqiptar, Pjetër Arbnori, i cilësuar edhe si
“Mandela i Shqipërisë”, për shkak se kishte bërë 28 vite burg politik, u fut në
grevë urie në një nga zyrat e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Greva e urisë
e Pjetër Arbnorit e sensibilizoi jo vetëm faktorin e brendshëm, por edhe atë
ndërkombëtar. Arbnori u bë i njohur jo vetëm me vuajtjet e tij unike nga
persekutimi dhe burgosjet e regjimit komunist, as edhe vetëm nga krijimtaria që
ai prodhoi. U bë i njohur gjithashtu me etiketën që u vendosi socialistëve:
“Këta nuk janë socialistë, tha ai. Këta janë specialistë”! Dhe e përkufizoi në
një fjali karakterin e intrigës së liderëve të Partisë Socialiste.
Komoditeti
i shumicës së kartonave në parlament i lejoi socialistët e Nanos të uzurpojnë
të gjitha pushtetet. Ndërkohë situata në Kosovë u shfrytëzua prej tyre për të
ushtruar dhunë kundër opozitës. Më 12 shtator 1998 eksponentë të policisë
shqiptare, të grupuar në një bandë terroristësh, vranë liderin e protestave të
studentëve të dhjetorit 1990, tribunin Azem Hajdari. Ndërsa më 21 shtator, një
javë më vonë, njerëz të lidhur me SHIK-un e Fatos Klosit eliminuan fizikisht
ministrin e Mbrojtjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, Ahmet
Krasniqi.
Vrasja
e Azem Hajdarit shkaktoi zemrimin e demokratëve dhe të opozitës shqiptare. Ata
u ngritën në protestë të dhunshme dhe i vinë flakën kryeministrisë më 14
shtator 1998. Këto protesta e reagimet e tyre u shfrytëzuan për ta akuzuar Sali
Berishën për “grusht shteti”. Aparati i jashtëqitjes propagandistike të
qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit nuk lanë rast e fjalë pa
përdorur me akuza kundër “opozitës destruktive” të Shqipërisë. Destruktiviteti
i faturohej gjithnjë “malokut” dhe “arkaikut” erudit, Sali Berisha. Gati sa nuk
po i faturohej Berishës edhe vrasja e Azem Hajdarit. Aq e fuqishme ishte dhe
mbetet propaganda e rilindësve socialistë, sa para pak ditësh dikush në Kosovë
thoshte se “Ibrahim Rugovën e helmoi Sali Berisha”! Jetojmë në një kohë
çmendurish të paimagjinueshme. Njerëzit tanë janë ende të indoktrinuar me urrejtje
në atë masë sa nuk dinë çfarë thonë e çfarë besojnë. Po pse kjo urrejtje? Sepse
e majta, në rastin konkret liderët socialistë të Shqipërisë, nuk pajtohen me
humbjen e pushtetit në vitin 1992. Aq më tepër që këtë largim nga pushteti e
përjetuan si sfidë të një “maloku”! Sipas tyre “malokët” nuk janë për
qeverisje. Sepse ata nuk dinë të mashtrojnë dhe të gënjejnë. Qeverisja, për
socialistët e majtë, është mjeshtri e gënjeshtrës dhe e mashtrimit. Dhe këtë
profesion e kryejnë me perfeksionizëm pasardhësit e ish-komunistëve të Zonës së
Parë Operative.
Në
këto kushte trysnie të jashtëzakonshme Berisha ishte thuajse i izoluar edhe në
kontaktet me demokratët e zonave në jug të Shqipërisë. Pas rënies nga pushteti
ai për her të parë shkoi në Vlorë më 14 maj 2000. Ishte një vizitë nën një
tension të jashtëzakonshëm. SHIK-u i Fatos Klosit kishte bërë plane për
eliminimin e tij fizik gjatë asaj vizite të kreut të opozitës në Vlorë. Aq
serioze ishte situata, sa ambasadori amerikan në Shqipëri, Joseph Limpreht, u
detyrua të deklarojë se është detyrë e qeverisë të garantojë lëvizjen e lirë të
politikanëve të opozitës në të gjithë vendin. Ishte kjo një deklaratë si
paralajmërim të planeve të kreut të SHIK të kohës për eliminimin e Sali
Berishës, mundësisht përmes angazhimit të nëdonjë malësori. Një prej tyre,
Ismet Haxhia, e denoncoi publikisht këtë plan në një paraqitje të tij në
gjykatën e Tiranës, gjatë deponimeve për vrasjen e Azem Hajdarit.
Edhe
më parë u bënë përpjekje për ta eliminuar Sali Berishën fizikisht. Në Shkallnur
të Durrësit një person i hodhi atij një granatë dore gjatë mitingut elektoral
për zgjedhjet e qershorit 1997. Fatmirësisht granata nuk u aktivizua, me sa
duket për shkak të emocioneve të atentatorit. Por vepra për likuidimin fizik të
kreut të opozitës u konsumua. Atentatori ka deponuar edhe emrin e politikanit
socialist, që e kishte ngarkuar dhe paguar për këtë akt terrorist kundër
Berishës. Megjithatë, emri i tij mbeti thuajse sekret për publikun. Po ashtu në
Tropojë i patën ngritur një kurth, një pritë me armë, gjatë një vizite që
Berisha ishte nisur ta kryente në qytetin e tij të vendlindjes. Ndërsa më 28
nëntor 2000, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, në orën 24.00 në mesnatës,
policia e Shtetit e arrestoi Sali Berishën tek kishte dalë nga zyra e tij për
të shkuar në shtëpi. Arrestimi i tij shkaktoi zemrimin e demokratëve dhe për
shkak të tensionimit të situatës e me ndërhyrjen e trupit diplomatik në
Shqipëri, ai u lirua pas tri orësh nga ambjentete e Komisariatit të Policisë së
Tiranës. Askush nuk e mori vesh se cila ishte akuza dhe çfarë krimi kishte
kryer ai. Megjithatë e dërguan në dhomat e policisë, ndoshta edhe për të
demonstruar forcën e pushtetit kundër tij dhe opozitës shqiptare.
Në
këto kushte terrori e tensioni erdhi koha kur do të bëheshin zgjedhjet e reja
parlamentare. Në maj të vitit 2001 u bënë zgjedhjet e para parlamentare pas
asaj që quhet rebelim apo kryengritje e vitit 1997. Partia Socialiste u shpall
fituese e këtyre zgjedhjeve. Por, siç do të dëshmohej më pas, zgjedhjet u
grabitën nga pushteti. De facto opozita dhe Sali Berisha ishin rikthyer në
pushtet, por zgjedhjet dhe votat u vodhën në kutitë e votimit. Opozita dhe Sali
Berisha protestuan dhe bënë akuza të forta për manipulimin e zgjedhjeve. Më pas
krijuan dosjen e manipulimit të tyre. Mblodhën fakte dhe prova të shumta për
këtë, aq sa Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, së bashku me OSBE-në,
pranuan manipulimin dhe tjetërsimin e rezultatit zgjedhor. Për këtë arsye ata
imponuan që presidenti i Republikës të ishte propozim i opozitës, përkatësisht
i Partisë Demokratike. Kjo solli që president i Shqipërisë të ishte Alfred
Moisiu. Propoozimi ishte i Sali Berishës, pa çka se Moisiu asnjë ditë nuk u
gjend në krah të atij që e propozoi për kryetar shteti. Ai lidhi aleancë me
kryetarin e Bashkisë së Tiranës, më vonë kryetar i Partisë Socialiste e akoma
më vonë kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama. Nuk dihen arsyet e kësaj aleance
të panatyrshme. Nëse bëhet fjalë se Berisha ishte i pakompromis me Moisiun dhe
Rama ishte për bashkëpunim me të, arsyeja njerëzore nuk e pranon këtë. Sepse
Edi Rama akoma më shumë se sa Berisha nuk bën kompromise, nëse interesat e tij
nuk përputhen me interesat, në rastin konkret të presidentit të vendit.
Fatkeqësisht e njëjta gjë ndodhi edhe me pasuesin e Alfred Moisiut, pra me
ish-zëvendësin e Berishës në Partinë Demokratike, Bamir Topin. Kur ai ishte
presidenti i vendit, në zgjedhjet e 11 majit 2001 për kreun e Bashkisë së
Tiranës, mediet zbuluan se ai votoi për Edi Ramën dhe jo për kandidatin e
Partisë Demokratike, e cila e çoi atë në karrigen e presidentit.
Deri
në vitin 2001 era amerikane fryente kundër perspektivës së rikthimit të Sali
Berishës në pushtet. Por në këtë kohë erdhi në Shtëpinë e Bardhë, George W.
Bush. Sali Berisha ishte mik i familjes Bush. Ai ishte ndër të paktët liderë
botërorë që u prit në fermën e kësaj familjeje në Taxas të SHBA-ve në fillim të
vitieve 1990. U vizitua prej ish-presidentit George S. Bush në gusht të vitit
1996 në Vlorë. Bush shoqërohej nga shefi i Shtabit të Forcave Amerikane të
Armatosura, Colin Pawell. Vizita u bë në vilën qeveritare të Vlorës. Bush dhe
Berisha qëndruan në atë vilë për 24 orë, por deri tani askush nuk e di se çfarë
është bisëduar aty dhe nuk dihet nëse do të zbardhet ndonjëherë.
Por
koha kur Bush Senjor vizitoi Berishën ishte shumë e vështirë për presidentin e
Shqipërisë. Kishin ndodhur ngjarjet e zgjedhjeve të 26 majit, të cilat nuk u
njohën nga ODHIR dhe OSBE. Ishte një goditje dërmuese kjo për Shqipërinë e
sidomos për pushtetin e Sali Berishës. Dhe dukej se kishte një agresion
anti-Berishë, sepse raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë nuk e përmendën fare
bojkotin e socialistëve gjatë numërimit të votave. Megjithëse manipulimi i
zgjedhjeve të 26 majit ishte produkt i bojkotit të socialistëve të Gramoz Ruçit,
OSBE-ODIHR bëri me përgjegjësi të plotë vetëm qeverinë. Qeveria dhe presidenti
Berisha u gjendën të papërgatitur për të përballuar skenarë të tillë shokues
kundër pushtetit të demokratëve. Dy ditë pas zgjedhjeve të 26 majit opozita e
socialistëve zhvilloi një protestë në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit.
Policia reagoi ahpër dhe madje në perceptimin e shumë njerëzve pa nevojë. U
goditën disa eksponentë të opozitës socialiste. Por qenia në opozitë është
mjeti i shërimit të plagëve. Ndërkohë ndryshuan edhe ekulibrat e politikës
amerikane.
Ardhja
e George W. Bush, pinjollit të familjes Bush të Texasit, si president i SHBA-ve
i ndryshoi balancat në përkrahjen amerikane ndaj Sali Berishës. Ky faktor, së
bashku me faktin që pushteti ishte agresiv kundër opozitës, çoi në rikthimin e
Doktorit në pushtet në zgjedhjet e qershorit 2005. Por tashmë jo më si
president, por si kryeministër i Shqipërisë. Kësisoj filloi një epokë e re në
karrierën politike të Sali Berishës. Përveç kësaj rikthimi i tij erdhi për shkak
të politikave gjithëpërfshirëse të tij. Askujt nuk ia kishte marrë mendja se
kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kishin krijuar partitë e tyre
anti-Berishë, do t’i bashkoheshin atij, madje do të shkrinin edhe partitë e
tyre për t’u njësuar me Partinë Demokratike të Sali Berishës. Me këtë bashkim
dhe format e reja të opozitarizmit, Partia Demokratike dhe Sali Berisha u
rikthyen në pushtet në zgjedhjet e rregullta parlamentare të fillimit të
korrikut 2005.
Kur
Doktori fitoi zgjedhjet dhe filloi funksionin e kryeministrit, ai i befasoi
edhe militantët e partisë, sepse mori shef të kabinetit Arben Imamin. Imami
ishte shfaqur si “armik” i Sali Berishës gjatë trazirave dhe revoltës së vitit
1997. Imami njihej si politikan shumë i afërt me socialistët, për shkak të
kontributit të tij të përbashkët në kryengritjen e armatosur në jug të vendit.
Ndërsa pas tetë vitesh do të punonte si njeriu më i afërt i Doktorit. Do të
duhet ta shpjegojnë ata të dy këtë dukuri, por në perceptimin e publikut kishte
të bënte me tolerancën e Sali Berishës, si dhe me kompromiset që ai duhej të
bënte për ta sjellë opozitën në pushtet. Ndërkohë që duhet thënë se Arben Imami
ishte dhe mbeti një konservator tipik në Partinë Demokratike, një demokrat i
spikatur në kohën sa u angazhua në këtë parti, pavarësisht ndarjes së tij në
fillim të viteve 1990 nga kjo parti.