Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Udhëtimi për Jeruzalemin e Shenjtë
E shtune, 12.10.2024, 05:59 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
UDHËTIMI
PËR JERUSALEMIN E SHENJËT
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Ishte
viti 2007, dhe ne, gjatë një pushimi në Kemer (Turqi), u ndeshëm me një ofertë
të papritur, si një thirrje që erdhi nga larg – një reklamë që na ftonte për
një udhëtim të shpejtë drejt Izraelit.
Fluturimi
ishte parashikuar për atë natë, një fluturim i shkurtër, vetëm një ditë për të
prekur tokën e shenjtë, për të shkelur mbi një histori të përjetshme, dhe
pastaj kthimi në hotel. Dukej thuajse e pamundur, si një ëndërr e cila mezi pritej
të realizohej, që në kaq pak kohë të mund të përjetonim një diçka kaq
madhështore.
Por
ideja e Izraelit, si një thirrje e brendshme, nuk na linte të qetë. Pas darkës,
u kthyem përsëri në agjenci, duke kërkuar të dimë çdo hollësi, çdo pengesë të
mundshme që mund të na ndalonte. Dyshimet tona, që si hije na përcillnin, u
shpërndanë shpejt me përgjigjet e sakta dhe të qarta që morëm – nuk kishte
nevojë për vizë, pasaportat tona ishin të rregullta, dhe kishte ende pesë vende
të lira.
Me
një emocion që na mbërthente zemrat, pa asnjë hezitim, i paguam biletat dhe në
orën një të mëngjesit, ishim gati për të nisur atë udhëtim të papritur, një
udhëtim drejt të panjohurës dhe të madhërishmes.
Në
orën tre të mëngjesit, një aeroplan boeing na çoi nga Antalia drejt Izraelit,
duke na shoqëruar drejt një udhëtimi të mbushur me emocion dhe pritshmëri.
Aeroplani ishte i mbushur me turistë, të gjithë të kapluar nga një habi dhe
entuziazëm i ngjashëm me tonin. Kur ateruam në aeroportin "Ben Gurion"
në Tel Aviv, agimi sapo kishte filluar të shfaqej. Mëngjeset e hershme
gjithmonë më kanë mahnitur me qetësinë dhe misterin e tyre, dhe kjo ishte dita
ideale për të eksploruar Izraelin. Me kamerat në duar dhe të veshur lehtë për
të përballuar nxehtësinë që na priste, zbritëm nga aeroplani në një botë krejt
të re.
Në
aeroport na priti një mikpritje e ngrohtë, me fjalët "Mirë se vini në
Izrael," që na përshëndetën me një mirësjellje që ngjante si një përqafim
i parë me këtë tokë të lashtë. Ishte e pabesueshme – po qëndroja në Tel Aviv,
në një vend që më parë vetëm e kisha ëndërruar dhe përshkruar nga larg.
Autobusët na prisnin për të na çuar drejt Jerusalemit, dhe çdo autobus kishte
një guidë që fliste gjuhën e turistëve, duke krijuar një urë lidhëse mes nesh dhe
historisë së vendit. Ne zgjodhëm rusishten dhe udhëtimi filloi.
Xhamia Al-Aksa, pamja më e bukur nga ky këndë i qytetit, Jerusalem, 2007
Ndërsa
kalonim rrugët e Jerusalemit, ndjeva një emocion të thellë, një ndjesi që ishte
e vështirë për ta përshkruar – ishte sikur isha në një planet tjetër, në një
vend të bekuar që vetëm unë po e shihja për herë të parë. Jerusalemi, i njohur
si zemra e botës, një qytet i përjetësisë dhe shenjtërisë, zgjedhur nga Zoti
vetë. Kisha përshtypjen se në këtë qytet mijëra vjeçar, e tërë bukuria e botës
ishte e përmbledhur në çdo gur, në çdo rrugë, në çdo frymëmarrje.
Në
biblën hebreje që quhej Talmud është shkruar se dhjetë masa bukurie zbritën në
botë, dhe nëntë prej tyre u derdhën në Jerusalem, ndërsa vetëm një u shpërnda
në pjesën tjetër të botës. Kjo thënie përmbledh thellësinë e bukurisë së
pashpjegueshme që rrezaton ky qytet i shenjtë. Për shkak të kësaj bukurie
magjepse, rrugët më të rëndësishme tokësore ndër shekuj kanë kaluar dhe janë
kryqëzuar pikërisht në zemrën e Jerusalemit.
Çdo
cep i këtij qyteti të lashtë dhe hyjnor është një portë drejt historisë, që na
fton të ndalemi dhe të dëgjojmë jehonën e ngjarjeve që kanë ndodhur shekuj më
parë. Rrugët e tij të gurta, muret e lashta dhe tempujt e shenjtë na drejtojnë
imagjinatën drejt së panjohurës, duke na sjellë pranë mistereve dhe mrekullive
që kanë magjepsur njerëzimin ndër breza. Jerusalemi, me bukurinë dhe historinë
e tij të pasur, është një nga vendet që gjithmonë do të zërë një vend të
veçantë në zemrat tona, një qytet që tërheq shpirtin me një forcë të
papërballueshme.
Jerusalemi,
ky qytet i lashtë e i shenjtë, është si një perlë që ndriçon në zemrën e
historisë dhe shpirtit njerëzor. Po ashtu, është vendi ku tri fe të mëdha -
Islami, Krishterimi dhe Judaizmi - takohen e ngërthehen në një mozaik të
përjetshëm besimi e devocioni. Në këtë qytet të shenjtë, historia bëhet e
gjallë, dhe rrëfimet e shenjta na prekin zemrat ndërsa shkelim në gjurmët e
lashta.
Ciceronja
na thoshte se Jezusi, Njeriu Hyjnor, u torturua, u kryqëzua dhe u ringjall në
këto toka të shenjta. Çdo hap nëpër rrugët e Jerusalemit është si një udhëtim
nëpër kohë, duke ndjerë peshën e historisë dhe sakrificës. Gruaja-cicerone që
na udhëheqëte në këtë vend, me një zë që tingëllonte si një kambanë, na thoshte
të nxitojmë, sepse dita është e shkurtër për të përfshirë të gjitha mrekullitë
që Jerusalemi ofron.
Sabile Keçmezi-Basha, Betlehem, korrik, 2007 (Izrael)
Ecnim
drejt Golgotës, për të parë Kishën e Ngjitjes së Krishtit dhe varrin e
Tij, për të prekur Murin e Lotëve dhe
për të parë ato vende që fjalët s'mund t'i përshkruajnë – por ato vetë duhet
përjetuar me shpirt. Në çdo hap, qyteti i vjetër zbulonte thesaret e tij -
Kupola e Shkëmbit që shndrit me dritën e saj hyjnore, Xhamia Al Aksa, që
përmend emrin e të përulurve, dhe shumë të tjera që ndriçojnë shpirtin me
madhështinë e tyre.
Rrugët
e Jerusalemit ishin të ngarkuara me kujtime e përjetime të pashlyeshme. Ecja
përgjatë rrugës Jaffa është si një përqafim i ngrohtë i historisë, çdo hap të
çon në thellësitë e kohës. Ajo përfundon në një shesh ku ngrihet një urë e re,
një vepër madhështore e arkitektit Calatrava, duke lidhur të kaluarën me të
tashmen në një harmoni të jashtëzakonshme.
Duke
hyrë nga Porta e Luanit, rruga e famshme Via Dolorosa na fton të ndjekim hapat
e Jezusit, të ndjejmë dhimbjen e Tij, dhe të meditojmë mbi sakrificën e tij. Ky
qytet është një udhëtim shpirtëror, një thesar që nuk mund të përshkruhet me
fjalë, por që kërkon të vizitohet dhe të ndjehet me zemër.
Duke
ecur përgjatë Rrugës së Mundimeve të Jezusit, një ndjesi e shenjtë dhe e thellë
na përshkoi shpirtin. Ciceronja na ndal në një pikë të caktuar dhe me një zë të
qetë, por të ngarkuar me respekt, na njofton se kemi arritur në vendin më të
shenjtë të krishterimit – Kishën e Ngjalljes së Krishtit. Kjo kishë madhështore
ngrihet mbi shpellën ku trupi i Jezusit u vendos, pas kryqëzimit, në atë moment
të rëndësishëm që ndau errësirën nga drita.
Ndërsa
ecim në drejtim të varrit të Jezusit, secili prej nesh ndjen peshën e kohës dhe
të besimit. Varri i Shenjtë është një pikë referimi që flet me gjuhën e
përjetësisë, një vend ku zemrat e miliona pelegrinëve kanë gjetur ngushëllim.
Edhe
kur nuk është ditë feste, çdo vizitor pret me durim për të hyrë në këtë
shenjtëri, ndonëse varri sot është bosh, sepse Jezusi është ringjallur.
Kuvukia, e cila përmban varrin e tij, është një mrekulli e ndarë në tre pjesë:
hyrja në Kapelën e Engjëjve, ku shandanistët e mëdhenj dhe llambat ndriçojnë me
dritë qiellore, dhe varri ku misteri i ringjalljes është i përjetësuar.
Pas
gjithë atyre mrekullive që kishim parë, ciceronja na drejtoi në një tjetër
shteg të shenjtë, duke na çuar drejt Murit të Lotëve. Atë ditë aty ishte si të
hyje në një botë tjetër, një botë e mbushur me shpresë dhe lot, ku çdo
frymëmarrje përshkohej nga ndjenja e thellë e përkushtimit. Kur u futëm në
oborrin e këtij muri të shenjtë, u përballëm me një skenë që të linte pa fjalë
– një tollovi njerëzish, të gjithë të radhitur me durim, duke pritur për orë të
tëra për të afruar dhe lënë letrën e tyre në çarjet e murit të vjetër.
E
njëjta ndjenjë përfshirjeje më kapi edhe mua, dhe pa hezitim u bashkova me
radhën e gjatë. Muri ishte i ndarë në dy pjesë – njëra anë ishte e grave dhe
tjetra e burrave. Ata që kishin përmbushur ritualin e vendosjes së letrave,
uleshin në stola të vegjël që i kishin sjellë me vete dhe nisnin lutjet e tyre,
duke lexuar me përkushtim librat e shenjtë. Skena ishte e ngarkuar me emocione,
ku lotët rridhnin nga sytë e shumë grave që luteshin me një dëshirë të thellë
për dëgjim të lutjeve të tyre. Tefiku më tregoi se edhe tek burrat situata
ishte e njëjtë, me zemra të rrahura fort nga pesha e lutjeve.
Tefik
Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Muri i lotëve, Jerisalem, 2007
Presioni
i vazhdueshëm nga ciceronja për të përshpejtuar hapat, për shkak të kohës së
kufizuar, na mundësoi që, megjithëse pa rendin e zakonshëm, të arrinim të
vendosnim letrat tona në Murin e Lotëve. Aty, në atë moment të shenjtë, shpresa
dhe lutja u bashkuan në një akt të përhershëm, duke mbetur të përjetësuara në
çarjet e atij muri, si dëshmi e kërkesave dhe dëshirave të pafundme që lartohen
drejt qiellit.
Pastaj
grupi ynë i vizitorëve vazhduam për te xhamija Al Aksa, sikur dukej që na
priste në gjirin e saj. Xhamia el-Aksa, e njohur ndryshe si Mesxhidi Aksa,
është një margaritar i shenjtërisë në zemër të Qytetit të Vjetër të
Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë në Islam. Kjo xhami, me kupolën e saj
të ndritshme prej argjendi, ngrihet përkrah Kupolës së Shkëmbit, në një truall
të përshkruar me devotshmëri si el-Haram esh-Sherif, "Faltorja
Fisnike." E vendosur mbi Malin e Tempullit, ky është gjithashtu vendi më i
shenjtë në Judaizëm, një truall ku qielli duket më afër tokës dhe ku historia
përplaset me përjetësinë.
Aty
mësova se besimi mysliman mban në zemër rrëfimin se Muhammedi erdhi nga Xhamia
e Shenjtë në Meka deri në el-Aksa gjatë Natës së Isrës, një udhëtim i
mrekullueshëm që përshkruhet në Kur'an si një kalim nga toka në qiell. Deri në
muajin e shtatëmbëdhjetë pas Hixhrës, profeti Muhammed u fal drejt këtij vendi
të shenjtë, derisa Allahu e urdhëroi atë që të drejtohej nga Qabeja, një
ndryshim që shënoi një kapitull të ri në historinë e fesë islame.
Emri
Masjid al-Aqsa, që përkthehet nga arabishtja si "xhamia më e largët,"
lidhet me këtë udhëtim të natës, ku Muhammedi kaloi nga Meka në këtë xhami dhe
prej andej drejt Xhenetit. Ky emër është i gdhendur në çdo gur dhe mur të kësaj
xhamie, duke i dhënë asaj një vend të shenjtë dhe të largët në zemrat e miliona
myslimanëve anembanë botës.
Shtrirja
madhështore e Xhamisë el-Aksa dhe rrethinës së saj kap një hapësirë prej
144,000 metra katrorë, ndërsa ndërtesa vetë zë 35,000 metra katrorë, me
kapacitet për të pritur deri në 5,000 besimtarë. Me një gjatësi prej 83 metrash
dhe gjerësi prej 56 metrash, ajo ngrihet si një monument i besimit dhe
historisë. Kupola e saj argjendi, e ndërtuar me fletë plumbi, pasqyron dritën e
diellit, ndërsa katër minaret, të vendosura në anët jugore, veriore dhe
perëndimore, mbajnë në këmbë thirrjen e përjetshme për lutje.
Kur
futesh në brendësi të kësaj xhamie të shenjtë, ndjen një ndjenjë të thellë
përkushtimi dhe nderimi. Roja, me një qetësi të përshpirtshme, kërkon që të
thuash lutjen e Shahadetit, gjë që e bëmë edhe na, një lutje thelbësore për çdo
mysliman, duke të kujtuar se je duke hyrë në një vend ku toka dhe qielli
takohen në një harmoni të përjetshme.
Pas
vizitës së xhamisë Al-Aksa, u nisëm më tej drejt një vendi të ngarkuar me
dhimbje dhe kujtesë, aty ku ngrihet Muzeu i përkushtuar për të përkujtuar
viktimat e pafajshme të Holokaustit. Ky vend, një dëshmi e tmerrit dhe mizorisë
që ka ndodhur, më përfshiu në një drithërimë të ftohtë që më përshkoi tërë
trupin. Teksa shikoja muret dhe ekspozitat, një mendim më përshkoi në heshtje:
sa bukur do të ishte nëse edhe ne, në Kosovë, do të ngrinim një monument të
tillë për të përkujtuar të vrarët tanë. Së paku të mos i harrojmë, të kujtojmë
çdo jetë të humbur, dhe të kuptojmë se liria që gëzojmë sot nuk është një
dhuratë e paçmuar, por një sakrificë e dhimbshme e shumë gjeneratave që kanë
luftuar për të, që ne sot të jetojmë të lirë e të lumtur.
Kjo
qendër përkujtimore, e vendosur në Malin e Kujtimit (Har Hazikaron), është një
monument që ngrihet në nderim të viktimave hebreje të Holokaustit në Izrael, i
themeluar në vitin 1953. Në vitin 2005, brenda të njëjtit kompleks, ishte hap
një muze më i ri historik i Holokaustit, një pasqyrë e qartë e një kapitulli të
errët të historisë njerëzore, i konceptuar nga arkitekti Moshe Safdia. Muzeu
ekzistonte për të dokumentuar dhimbjen e gjashtë milionë hebrenjve që humbën
jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kujtesë e gjallë për tmerret që
njerëzimi nuk duhet t'i harrojë kurrë.
Keçmezi-Basha,
Muri i Lotëve, Jerusalem, 2007
Pas
kësaj vizite të rëndë, u drejtuam drejt simbolit të përjetshëm të Jerusalemit,
Kullës së Davidit. Ky tempull, një fortesë madhështore që lë Sabile pa frymë
çdo vizitor, qëndron krenar në oborrin e tij të rrethuar nga mbetje
arkeologjike 2700-vjeçare. Pjesë integrale e Muzeut të Kullës së Davidit është
kalaja e vogël pranë portës së Jaffës, një nga simbolet më të njohura të
Jerusalemit të vjetër. Kjo kullë e lashtë, e ngarkuar me histori dhe lavdi,
qëndron si një kujtesë e përjetshme e kalimit të kohës dhe rëndësisë së
ruajtjes së trashëgimisë sonë.
Pas
të gjitha vizitave të mbushura me histori dhe kujtime, ciceronja na udhëhoqi
drejt një kodre në pjesën juglindore të Jerusalemit, pranë qytetit të vjetër,
për të vizituar malin e Sionit. Aty, në këtë mal të shenjtë, zbuluam shtëpinë
Gornica, një dhomë e thjeshtë në katin e parë, ku dikur u mbajt Darka e Fundit.
Një hapësirë që dikur ishte kishë, më pas xhami, dhe sot është një vend
pelegrinazhi për besimtarët nga e gjithë bota, ku kujtohet një nga momentet më
të rëndësishme të historisë fetare. Ndërsa qëndronim në këtë vend të lashtë,
vizituam edhe varrin e Davidit dhe kishën e Fjetjes së Zojës së Bekuar, secili
prej këtyre vendeve duke bartur me vete një ngarkesë shpirtërore dhe historike
të papërshkrueshme.
Jerusalemi
na ofroi jo vetëm një udhëtim përmes vendeve të shenjta, por edhe shijen e tij
të veçantë, atë që gjen vetëm në tregjet e tij të gjalla. Shpesh, rrugët që
ndiqnim na çonin përmes rrugicave të ngushta dhe të mbushura plot me njerëz, ku
tezgat shumëngjyrëshe shpalosnin një pasuri të pafund ushqimesh, frutash,
perimesh, dhe aromash të papërshkrueshme. Në fillim, ndoshta i kalonim me
njëfarë indiference, por shumë shpejt kuptuam se do të ishte një mëkat i
vërtetë të udhëtoje në Jerusalem pa u ndalur në "Shuk" - tregjet që
janë zemra e këtij qyteti.
Brenda
këtyre tregjeve, kafenetë e vogla dhe restorantet autentike na tërhiqnin me
aromat dhe specialitetet e tyre të shijshme, duke na joshur në një aventurë të
vërtetë kulinare. Duke ecur ngadalë nëpër këto pazare, ndjehej atmosfera e
gjallë e Jerusalemit në çdo hap, dhe pa menduar gjatë, blemë disa dhurata të
vogla për Artën, Nitin, Agonin dhe
Albinën, si një kujtim i këtij udhëtimi të veçantë në zemrën e Tokës së
Shenjtë.
Pas
pamjes së mrekullueshme të vendndodhjeve historike dhe fetare, u zhytëm në
atmosferën e pazareve të Jerusalemit, aty ku dëshira e turistëve për të bërë
shopping u bë pjesë e udhëtimit tonë. Jerusalemi, një qytet që kombinon me
mjeshtëri të shkuarën me të tashmen, na prezantoi me një realitet tërësisht
modern, plot sfida dhe mundësi kur bëhet fjalë për blerjet.
Rrugët
e ngushta na çuan në zemrën e qytetit, ku zona e këmbësorëve pulsonte nga
gjallëria e dyqaneve, ndërsa më larg, qendra tregtare Malha na ftonte me
premtimin e blerjeve bashkëkohore. Megjithatë, ciceronja na drejtoi drejt një
surprize tjetër, qendrën tregtare Mamila, e vendosur pranë mureve të qytetit të
vjetër, duke na sjellë në një hapësirë ku moderniteti dhe historia bashkoheshin
në një simbiozë të përsosur.
Kur hymë në qendrën tregtare “Mamila”, pamja e dyqaneve me brendet më të njohura botërore na dha ndjesinë se kishim kaluar në një dimension tjetër, ku Jerusalemi na ofronte më të mirën e botës. Duke ecur rrugës, nuk mund të mos vëreja ndërtesat e ndërtuara me gurët e bardhë të Jerusalemit, një traditë e lashtë që rrjedh nga koha e mbretit David, i cili përmes një ligji për ndërtimin, urdhëroi që çdo strukturë të ndërtohej me këtë gur të veçantë, një rregull që ende respektohet me përkushtim të madh.
Sabile
Keçmezi-Basha, Qyteti i vjetër i Jerusalemit, 2007
Pavarësisht
kënaqësisë së këtij udhëtimi, më mbeti një ndjesi e lehtë zhgënjimi kur mësova se për shkak të kufizimeve të
kohës, nuk mundëm të vizitonim muzeun arkeologjik, antropologjik dhe të artit,
që ciceronja e përshkroi si një vend të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht, në
atë kohë ishte i mbyllur. Ky ishte një kujtim i shkurtër, por i thellë, që
Jerusalemi ka gjithmonë diçka më shumë për të ofruar, diçka që të fton të
rikthehesh sërish.
Pas
një dreke të shijshme dhe një çlodhjeje të këndshme, ne u nisëm përsëri me
autobus në drejtim të Detit të Vdekur, një vend që e thërrasim det, edhe pse në
të vërtetë është një liqen që ndodhet në Lindjen e Afërme. Ky liqen, i njohur
si më i kripuri në botë, është një mrekulli natyrore e mbuluar në mister dhe
magji.
Kripësia
e tij ishte aq e theksuar sa që në këtë masë ujore nuk ka jetë të dukshme,
përveç disa mikroorganizmave të pakët, që gjejnë strehë në thellësitë e tij.
Deti i Vdekur, i ndarë mes Izraelit dhe Jordanisë, është një det i mbyllur që
ushqehet nga lumi Jordan. Kripësia e tij, që arrin deri në 30%, është dhjetë
herë më e lartë se uji i zakonshëm i deteve. I gjatë 67 kilometra dhe i gjerë
deri në 18 kilometra, me një thellësi të mrekullueshme prej 330 metrash, ky
liqen ofron një peizazh të jashtëzakonshëm dhe të papritur.
Kur
e pamë për herë të parë, u duk se ky liqen ishte një vend i qetë dhe i
paprekur, pa shenja të jetës që zakonisht gjendet në ujërat e tjera. Nuk kishte
as peshq dhe as alge që të lundronin në ujërat e tij të kripur. Ky është
ndoshta një nga arsyet pse e ka emrin Deti i Vdekur. Megjithatë, edhe pse nuk
ka shumë jetë, është një nga vendet më të mrekullueshme në planet. Disa
shkencëtarë e kanë studiuar këtë mrekulli natyrore dhe kanë zbuluar se në disa
kratere në fund të liqenit, disa specie bakteresh janë të afta të mbijetojnë në
kushtet ekstreme të tij.
Ciceronja
na sqaroi se, në fakt, Deti i Vdekur nuk është det, por një liqen masiv. Në
hartë, ky liqen është një entitet i veçantë që nuk ka asnjë lidhje me detet e
tjera dhe, për shkak të avullimit të shpejtë të ujit të tij, nuk ka mundësi të
zgjeron sipërfaqen e tij. Një ndjesi e veçantë e qetësisë dhe misterit mbetet
mbi këtë liqen, duke na ftuar të ndalim dhe të shijojmë bukurinë e tij të
veçantë.
Nga
ana tjetër, kripa që mbush këtë vend vjen nga shkëmbinjtë, të cilët janë të
mbushur me një kripë të thellë, ashtu si minierat e kripës që gjenden në
Gjermani. Shiu, që gjithmonë bart një komponent të lehtë acidik për shkak të
substancave që ndodhen në atmosferë, bie mbi këto shkëmbinj dhe i gërryen
ngadalë. Ky proces nxjerr kripën dhe ndihmon në përqendrimin e saj në ujë.
Në
afërsi të këtij deti, vërejtëm një njoftim në një tabelë ku shkruante se liqeni
është 420 metra nën nivelin e detit, një depresion natyror që është krijuar me
kalimin e shekujve. Po të ishte e mundur që të lidheshin me ndonjë det tjetër,
pas disa qindra vjetësh ky do të shkaktonte përmbytjen e shumë qyteteve
përreth.
E
ne, sapo arritëm dhe sapo pamë detin, u ngutëm të hyjmë dhe të laheshim në të,
por menjëherë pasi hodhëm dy hapa, këmbët tona u ndaluan si në një grusht të
pamëshirshëm dhe nuk mundëm të notonim. Uji kishte një densitet të lartë kripe
dhe ishte e pamundur të notonim, por mund të qëndronim të ngritur në sipërfaqe,
si të rrethuar nga një forcë e padukshme.
Pastaj,
dikush na tregoi me një buzëqeshje se duke u lye me baltën e këtij deti, për
dhjetë vjet do të mbetemi më të rinj. Si të drejtuar nga një fuqi magjike, të
gjithë turistët, me një zell të çuditshëm, u mbuluam me baltën e zezë të detit,
duke besuar me gjithë zemër në premtimin e rinimit dhe pastërtisë që ajo
sillte. Kur ciceronja na vërejti të zhytur në ujë, pa qenë krejtësisht të
përgatitur, na paralajmëroi me një zë të butë, duke na kujtuar se notimi në
këto ujëra është i pamundur, dhe se ky ujë është i rrezikshëm nëse pihet apo
hyn në sy
Buzë
Detit të Vdekur, mes kafiterive të shumta që qëndronin si oaze të qeta, ne u
ndalëm pas larjes me baltën magjike të detit, duke u ulur të shijojmë atë
bukuri që na magjepsi që në takimin e parë. Të lodhur nga ecjet e pafundme në
rrugët e Jerusalemit, u rehatuam në autobusin komod dhe freskues, një oazë e
vogël qetësie për trupat tanë të përvëluar nga dita. U nisëm drejt një
restoranti që qëndronte diku mes rrugës për Tel Aviv.
Është
e habitshme se si, kur arritëm në restorant, nata kishte rënë qetësisht mbi
peizazhin, por kur dolëm nga autobusi, ndjeva një valë të papritur ngrohtësie
që përshkoi gjithë trupin tim, duke më shtyrë të hy brenda me nxitim, sikur po
ikja nga një zjarr i padukshëm. Pas një qëndrimi të këndshëm dhe një darke të
pasur që ngrohu shpirtrat tanë, diskutimet mes turistëve u ngritën si një
bisedë e hareshme nën dritat e yjeve. Flisnim për gjithçka që pamë, dhe në
fund, të gjithë ramë dakord se dita ishte e mbushur me përvoja të paharrueshme,
por një ditë nuk mjafton për të përjetuar gjithë ato mrekulli që ky vend ofron.
Pas
darkës së begatë, u ngjitëm në autobus, i cili, si një përbindësh i uritur,
përpiu rrugën e asfaltuar, duke na çuar pa frymë drejt aeroportit "Ben
Gurion". Aty, nën dritën e yjeve dhe hijen e përshëndetjeve të fundit,
nisëm rrugëtimin për t’u kthyer në vendin nga ku kishim ardhur, duke mbartur me
vete kujtimet e një udhëtimi që do të mbetej përgjithmonë i skalitur në shpirt.
Ndërsa
tani, e rehatuar në shtëpinë time, shfletoj internetin dhe zbuloj disa fakte të
mrekullueshme për Izraelin dhe qytetin e Jerusalemit. Izraeli, zyrtarisht i
njohur si Shteti i Izraelit, shtrihet në Azinë Perëndimore, një tokë që përbën
një lidhje të veçantë mes kontinenteve. Ky vend është i rrethuar nga kufijtë e
ndryshëm: në veri nga Libani, në verilindje nga Siria, në lindje nga Jordania,
në jug nga Deti i Kuq, në jugperëndim nga Egjipti, në perëndim nga Deti Mesdhe,
dhe në lindje nga territoret palestineze – Bregu Perëndimor dhe në jugperëndim
nga Rripi i Gazës.
Tel
Avivi është zemra ekonomike dhe teknologjike e vendit, ndërsa qeveria ka selinë
e saj në kryeqytetin e shpallur, Jerusalemin. Megjithatë, statusi i Jerusalemit
Lindor si pjesë e territorit izraelit mbetet i pa pranuar ndërkombëtarisht.
Izraeli ndodhet në zemrën e Levantit, një rajon i njohur për bukurinë dhe
pasurinë e tij të natyrshme, i vendosur në Gjysmëhënën e Pjellshme.
Sipas
të dhënave nga viti 2008, Izraeli ka një popullsi prej 7,412,200 banorësh.
Territori sovran i Izraelit, i përcaktuar nga Marrëveshjet e Armëpushimit të
vitit 1949 dhe duke përjashtuar territoret e pushtuara gjatë Luftës Gjashtë
Ditore të vitit 1967, shtrihet në rreth 20,770 km² (8,019 mi²), prej të cilave
rreth 2% janë ujë. Megjithatë, për shkak të ngushtësisë së territorit të
Izraelit, i cili është 100 km në gjerësi dhe 400 km nga veriu në jug, zona
ekskluzive ekonomike në Detin Mesdhe është dyfish e më e madhe se sipërfaqja
tokësore e vendit. Sipas ligjit Izraelit, sipërfaqja totale e territorit, duke
përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë e Golanit, është 22,072 km² (8,522
mi²). Në tërësi, sipërfaqja që ndodhet nën kontrollin izraelit, duke përfshirë
territorin e kontrolluar nga ushtria dhe atë pjesërisht të qeverisur nga
palestinezët në Bregun Perëndimor, është 27,799 km² (10,733 mi²)
Edhe
sot, pas kaq shumë vitesh, më duket se kemi ndjekur një rrugë të mrekullueshme
dhe të çmuar duke udhëtuar në Izrael, pavarësisht shpenzimeve të mëdha që
solli. Ky udhëtim ka mbetur një nga përvojat më të thella dhe të paharrueshme
në udhën e jetës sime, si një relikt të ndritshme që ndriçon në kujtesën time.