Mendime
Florim Zeqa: Mërgimtarë, mos bini pre e krimit të organizuar!
E merkure, 09.10.2024, 05:50 PM
Mërgimtarë, mos bini pre e krimit të organizuar!
Shkruan: Florim Zeqa
Niveli i lartë i uzurpimit të partive politike
nga liderët autoritarë dhe kapja e partive politike nga grupet e interesit, ka
bërë që të mos ketë shumë dallime mes tyre. Kush më pak e kush tjetër më shumë,
shumica e partive politike kosovare po mbahen të uzurpuara nga një grup i vogël
i klaneve dhe grupeve të interesit të lidhura ngushtë me korporatat e
inkriminuara të bizneseve të pista, të cilët skajshmërisht i kanë ngulfatur
zërat reformues brenda partive politike, duke e bërë kështu të pamundur ndryshimin
aq të nevojshëm të kursit qeverisës në vendin tonë.
Politikanët
e inkriminuar e infektuan edhe mërgatën
Liderët
partiakë me këto grupe të vogla njerëzish përreth tyre, duke mbajtur afër vetes
vetëm servilët dhe puthadorët e të gjitha pushteteve, përveçse i kanë izoluar
zërat ndryshe, i kanë irrituar qytetarët dhe mërgimtarët, ku si pasojë e kësaj
situate kemi rënie drastike të daljes së elektoratit në zgjedhje!
Nga paslufta e këndej, klasën e
korruptuar politike në pushtet është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe
sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të
pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës,
duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme, verëra
dhe pije të shtrenjta me çmime të fryera të restoranteve mesatare në shtetet
evro-perëndimore.
Janë të papranueshme dhe të dënueshme të
gjitha format e abuzimit të parasë së taksapaguesve të varfër kosovarë, e në
mënyrë të veçantë nga individët e caktuar në mërgatë që janë të lidhur me
krimin e organizuar në Kosovë, të cilët po i qesin hije të zezë anës më të
pastër, arteries më të shëndoshë dhe më humane të kombit tonë.
Politikanët e inkriminuar pa i pasur
sekserët e tyre në mërgatë as që ia mësyjnë Diasporës. Vizitat e eskortave
politike të pushtetarëve tek organizimet fiktive pa anëtarësi në Diasporë u
ngjajnë tenderëve njëburimor që i ndajnë për kompanitë fantome në Kosovë, nga
të cilat dhe përmes të cilave i shpëlajnë paratë e pista.
Individët apo grupet e interesit në
Diasporë, të cilët kanë marrë dhe marrin mjete (pare) të taksapaguesve të
varfër kosovarë nga qeveritë e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Diasporës
në emër të zhvillimit të aktiviteteve në mërgatën tonë janë sekser abuzues dhe
pjesëmarrës aktiv në krim të organizuar.
Prandaj, individët dhe grupet e interesit
në Diasporë që thithin mjete të taksapaguesve të varfër kosovarë janë grupe
mafioze të cilët politika e korruptuar i shfrytëzon për shpëlarjen e parave të
pista dhe për vota njëkohësisht.
Më mirë do të ishte që ato mjete të
mbeteshin në Kosovë, gjegjësisht të shfrytëzoheshin për përmirësimin e jetës së
qytetarëve, gjegjësisht për rritjen e skemave sociale, pensioneve të
invalidëve të luftës, shërimin e të sëmuarëve apo ndarjen e bursave për
studentët shëmbullorë e jo për bileta aeroplani dhe shpenzime hotelerie për
mërgimtarët që shkojnë për të votuar për politikanët e inkriminuar në pushtet
apo opozitë.
Rezervimet e biletave të aeroplanit dhe
të hoteleve për mërgimtarët kanë filluar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve nga
Presidentja! Shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në hotele, mërgimtarëve ju kthehen
në këmbim të marrjes së librezës partiake, gjegjësisht të konfrimimit të votës
së dhënë për ta!
Si zakonisht, ndërmjetësues në sigurimin
e biletës dhe hotelit për mërgimtarët votues janë sekserët e diasporës dhe
grupet e interesit në Kosovë!
Ju themë me bindje të plotë, se ata që ju
ofrojnë kushte tërheqëse për një votë, asnjëherë nuk e kanë pasur dhe nuk e
kanë në fokus interesin e qytetarëve dhe mërgimtarëve, por mendjen e kanë si ta
mbajnë apo marrin pushtetin, për t'u pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke ju
harruar tërësisht deri në zgjedhjet e radhës!
Sikur të ishte ndryshe, pa asnjë problem
data e zgjedhjeve do të caktohej në përiudhën e pushimeve dimërore të mërgatës,
në fund të muajit dhjetor apo në ditët e para të janarit. Por këtë nuk e bën,
sepse i frikësohen votës së lirë të mërgimtarëve! Andaj, duan t'iu shantazhojnë
me para të pista të krimit të organizuar.
Të
dashur bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra mërgimtare mos bini pre e mashtrimit
dhe shantazhit të politikanëve të korruptuar. Pavarësisht çmimit të ofruar mos bini
pre e krimit të organizuar.
Florim Zeqa
05.10.2024