Kulturë
Blerim Rrecaj: Kapërcimi i rrethojës së pishinës
E marte, 08.10.2024, 05:50 PM
Kapërcimi i rrethojës së pishinës
Nga
Blerim Rrecaj
Iu
duk fëmijënore, një ngjarje që ndodhi, pak kohë përpara, e para katër-pesë
javësh. Ende e freskët. Iu duk me elemente të këndshme. Dhe vendosi ta hidhte
mendjen andej. E kujtoi ngadalë-ngadalë, pa nguti. Bëhet fjalë për një kapërcim
rrethoje. E ka lloj-lloj rrethojash. Se si nis njëra prej këngëve: "Fryni
era na u çel taraba"...
E
këto rrethoja që përthekojnë oborre shtëpish, parcela plantacionesh, kufij
arash, malesh, fushash rekreative e sportive, e hapësira institucionesh.
Rrethojat kufitare ishin e mund të jenë mure pa gjë, a me shtojca mëlmesash,
mure me tela me gjemba si therra iriqësh, a gjemba trëndafilash, mure me copëra
xhamash që rrinin si kurorë kërcënuese, si tehe thikash e akujsh, rrethoja prej
drurësh, prej thuprash, prej llamarinash, prej muresh të gjalla bimësie, prej
pishave, sevlive a bagremëve, rrethoja prej shufrash metali, rrethoja me fije
telash shtrirë horizontalisht me hapësirë një a dy pëllëmbshe mes tyre, me tela
të shpeshtë a në formë katërkëndshe si copa ëmbëlisire të prerë kallëp-kallëp,
rrethojë telshpeshtë, diku (s')mund të depërtojnë fluturat a mushkonjat,
rrethojë me tela elektrikë, në ndonjë park arinjsh, a në ndonjë kopsht
zoologjik, e ndonjë e tillë në trualli biznesi me qenë besnikë roje, mbrenda,
lidhur a lëshuar nga zingjirët, e rrethoja zonash ushtarake, të sigurisë, me
ndonjë kullë vrojtuese, ku ndalohet afrimi e fotografimi, e rrethoja ku ta
dijmë se çfarë të tjera.
Shumë
rrethoja, kanë rënë e po bijnë, si shumë të tjera që vazhdojnë të ta kenë rolin
e funksionin e tyre. Për shembull ra rrethoja që dikur rrinte në selinë e
Unmikut në kryeqytet, ra rrethoja para
objektit të Qeverisë së Kosovës, ra rrethoja e Parkut të Prishtinës.
Sigurisht
se shumicën e rrethojave nuk i ka kapërcyer, po u ndal para dy a tri sosh të
cilat kishte marrë guximin e jashtë-zakonshëm për të dalë matanë tyre.
Dy
prej tyre, vendosi të ndalet fare shkurtimisht e te e treta pak më gjerësisht.
Qeshi, se e tha me humor këtë, e nuk bëhet fjalë për kurrfarë heroizmi,
trimërie, po kjo ishte aq e thjeshtë sa s'ka ku të shkonte më tej. Pra mungesa
e një një shufre metali në një oborr shkolle, i mundësoi të hynte brenda, por
edhe për të dalë, andej kah hyri. Ose rasti tjetër ca tela të
"shqyer" e bënë të shndrrohej në lepur, e të ecte këmbë e duar, për
të depërtuar në një fushë sportive futbolli me bar artificial, pranë fillimit
të një parku për të qëndruar për një copë kohë.
Dhe
erdhi tek e treta e (pa)vërteta, ku do u duhej një mundim pakëz më i madh, për
të kaluar ilegalisht matanë. Një ditë prej ditësh. Pasi dolën nga vetura që e
lanë në parkingun përballë Pishinës së Gërmisë, vazhduan u ngjitën një rrëpire
e dolën në rrugë, për të hedhur hapa trotuarit. Planifikuan të luanin tenis,
një lojë e nisur kaherë, qysh nga fëmijëria, kur në modë dolën reketat prej
plastike me top prej sfungjeri, që nuk kushtonin shumë, edhe pse ndonjëherë
thyheshin, e të mbesin në duar si këmbët e arushës. (Lojërat e tjera më të
popullarizuara luheshim me më shumë vetë, e shumë më tepër, si futbolli,
basketbolli, aty-këtu, andej-këndej).
Luante,
këtë "lojë të re", sidomos me
vëllanë e vogël në oborr a në korridor të gjerë shtëpie, aty-këtu, kudo që
gjenin një hapësirë të përshtatshme. Ndonjëherë me reketa origjinal e të
njëmendta, të ndonjë fqinji, që kushedi ku i kishte blerë, a kushedi kush ia
kishte sjellë, kishin luajtur ndonjë lojë të rrallë. Këtë sport e shihnin edhe
në ekran, e herë-herë interesoheshin për ndonjë rezultat. Kësaj loje i
ktheheshin herë pas here, e kishte dhe vite të tëra që e kishin harruar fare, e
herë-herë, nga tenisi "i madh", kalonin në "tenis të
vogël", në lojën e ping-pongut. Edhe këtë e loznin mbi lloj-lloj tavoline,
duke tak-rrakur me topn që endnin nëpër to. Duke shpresuar se po luanin
ping-pong mes vete, e jo me ndokë tjetër, e as me popull, siç më vonë dëgjuan
se mund të luajnë institucionet.
U
tërhiqnin vëmendjen larushia e sporteve të tilla relaksuese, herë-herë,
bedgmingtoni, bilardo, pikado, që luheshin më rrallë e më me kursim, ad hoc e
kur të dilnin në udhë pritë e pa pritë, të cilat avulloheshin sa çel e mbyll
sytë.
Kur
së fundmi u bënë ca fusha publike tenisi në dy parqe prishtinase, e provonin
herë-herë lojën, për qejf, pas një kohe të gjatë, e edhe për ta provuar se a do
u pëlqente si më parë e a kishin farë kondicioni, duke shijuar ndonjë çast të
veçantë loje, qoftë ky çast i humbur a i fituar, me mjaft dramaticitet. Pastaj
lodhjen e këndshme që shpërndahej nëpër trup e krahasonin me sportin e notit,
për të cilin thuhet që si askush tjetër t'i vë tërë gjymtyrët në qarkullim.
Kaloi
një kohë e tashmë së fundmi këto fusha tenisi në Tauk Bahçe e Gërmi, u morën në
shfrytëzim nga Federata e Tenisit e Kosovës, dhe tashmë kishte një kohë gjatë
ditës, në orët e caktuara, ku në to mund të luanin dhe qytetarët e interesuar.
Derisa ishin duke ecur, panë kah dy fushat që gjendeshin brenda pishinës së
rrethuar. Edhe pse u nisën të luanin në mjedisin me barë në lug, ku
relaksoheshin ndonjëherë, mjaftoi një fjalë që tha njëri prej tyre, për
kapërcim rrethoje. E kapërcyen disi, dikush më lehtë e dikush më vështirë, duke
kritikuar veten se me energji e kondicion nuk i paskan edhe aq punët mirë. Por,
janë gati edhe të pranojnë ndonjë
vërejtje, e të paguajnë ndonjë gjobë, po qe nevoja. Po dolën, në hapësirën e dy
fushave, ku nuk ndodhej kush, filuan të lozin. Në fillim më lehtë e më butë,
derisa të nxeheshin paksa, për të vazhduar më tej me një intensitet që do t'i
djersinte. Dita ishte e ngrohtë. Vera sikur donte të tregonte forcën e saj para
përendimit. Uleshin për të pushuar në dy karriket që ndodheshin jashtë vijave
të fushës, për të nisur lojën përsëri, me reketa që mbanin emrin e tenistit të
njohur zviceran Roger Federer. Dhe përsëri përpjekje, mundim, fitim i ndonjë
pike në mënyrë kreative. Herë-herë ca flutura vinin e endeshin fushës për të
dal e për të humbur andej nga fusha e mali gjelbërosh. Vije një çast dhe
vendosën ta lënë lojën, duke dalur mbyllën derën e fushës, në të cilën rrinte
njoftimi me vulën e Federatës së Tenisit të Kosovës. Ishin lodhur mjaft. Njëri
kapërceu rrethojat me pak mundim, e tjetri zbriti, e mori një karrigë, në mesin
e atyre karrikeve të grumbulluara pranë një banakut të vendosur mes pishinës e
fushave të tenisit. Vazhduan rrugën, të relaksuar. Njëri nga ta me trikon e
bardhë mëngëshkurtër me mbishkrimin: "Kosova shtet i xhudos", ku te
fjala shtet, shkronja "S" dukej edhe si numri 5, të cilin trajneri i
mirënjohur Driton Kuka me pesë gishtërinjtë e një dore simbolizonte pesë
medaljet e fituara që korrespondonin me pesë rrathët olimpik.
Kur
kaluan edhe dy herë tjera pranë këtyre rrethojave, edhe pse më nuk e kishin më
ndërmend t'i kapërcenin, panë që të dy fushat tashmë ishin të zëna nga
lojtarët. Herën tjetër fushat ishin të lira, e mbi to endeshin cisterna resh që
nga çasti në çast prisnin të zbrasnin sasi të mëdha uji...