Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Ngërç hakmarrës (V)
E hene, 07.10.2024, 05:55 PM
Ngërç hakmarrës
-Novelë
Pjesa - 5-
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj- Vivra
Unë me
bashkëshorten time të shtrenjtë në këtë kohë banonim në Tiranën e Re në një
dhomë e një kuzhinë.
Atë fundgushti të hidhur
duhet të largohesha nga katedra me një rëndesë padrejtësie në shpirt e në
mendje. Mblodha sendet e mia, i futa në çantë dhe teksa zbrisja shkallët me
përtesë, më doli përballë ajo “Tjetra”, shtriga shpirtzezë, e cila po ngjitej.
Me cinizmin e keqdashësinë që e karakterizonte, mbajti këmbët dhe pa pikë
turpi, mes një nënqeshjeje ironike, madje e lumtur, më tha:
- Agron, e shikon
sa shtrenjtë paguhet mosbindja ndaj Partisë që të ka rritur dhe të ka edukuar
me mësimet e saj të çmuara?! Eh, kështu ndodh me kokëfortët si ti. Koka bën,
koka pëson. Po t’më dëgjoje mua, do të dilje në pension këtu në këtë katedër.
Besoj se nuk ishte çudi që edhe të të ngrinin në detyrë.
U ktheva, e
vështrova mirë e mirë, pasi e mata me sy nga këmbët te koka, i thashë:
-Të shohë mirë, se
duket se sa e “dëshpëruar”je. Je e ngazëllyer prej lumturisë, ndaj të shkon
goja vesh më vesh. Më dëgjo mirë edhe ti mua. Mos i qaj hallin kalorësit se i
varen këmbët, moj shoqja e partisë. Unë jam i zoti të ha bukë edhe në majë të
malit. Nuk mund të matet dreri i malit me breshkën e ugarit, - thotë një
fjalë e urtë e mendje’artit popull. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes meje dhe
ca tipave si ti, që më nxorën në rrugën e madhe bashkë me ata të partisë tënde
që po kërkojnë jetë nëpër spitalet e Evropës. Të gjithë kemi një fund
jete...Por më vjen çudi që si ka mundësi dhe u bini ndërkëmbë armiqëve të
kombit, kur për t’u mbrojtur prej tyre, keni ndërtuar disa qindra mijëra
bunker? Mbaji mend këtë që po të them, se i gjalli nuk vdes kurrë. Hidhe në
fund të detit dhe ai përsëri do të dalë në sipërfaqe! Kjo që bëre ti dhe grupi
yt intrigant, nuk ka si quhet ndryshe, veçse është mllefi e urrejtja juaj si
dhe gjëma e një mëkati të pakryer nga unë. Është rezultet i egoizmit dhe
ambicjes suaj të sëmurë.
-Ti flet kështu
nga marazi. Mos harro se sot mori fund loja jote si një njeri kundër
partisë...Nuk ka më karrierë për ty. Harroje katedrën se ishe si mbret. Lëre
pas krahëve zotësinë tënde dhe aftësitë e tua shkencore. Nuk i duhet askujt
shkenca pa partinë që na udhëheq. Fal partisë vendi ynë është fanar ndriçues në
botë.
-Kjo që bëtë me
mua, nuk është as lojë, as luftë për të drejta njerëzore, por armiqësi, smirë e
mllef, sepse ti e tillë je, e keqe dhe e pashpirt, ndaj nxinë dhe kurdis vetëm
të këqija. Nga gjithë qenia jote buron vetëm ligësi dhe vrer. Ti kujton se
gjithë jetën do të të dëgjohet fjala. Mos u gëzo, o i gëzuar dhe mos u hidhëro,
o i hidhëruar. Bota rrotullohet si portokalli. Vjen një ditë dhe atëherë do të
të shoh me sytë e mi se ç’është në gjendje të japë një pedagog pa njohuri dhe
pa kulturë shencore, por me një kurs gjashtëmujor ose njëvjeçar të shkollës së
partisë. Ti dhe shokët e tu, njihni vetëm gënjeshtrat e dogmave të marksizëm-
leninizmit, me të cilat jeni mbrujtur verbërisht. Këtu do të jemi dhe do të
shikosh me sytë e tu, se do të kem karrierë apo jo.
Ajo “Tjetra” e
xhindosur nuk e donte veten dhe gjithë inat m’u drejtua:
- I thua tani që u
largove, po a je aq i zoti, sa t’i thuash në një ballafaqim diku tjetër?!
- Unë s’kisha
frikë nga ty dhe as nga ata të “Tjerët” si ti, kur punoja këtu dhe jo më tani.
Ti për mua je “Askushi”. Asnjë njeri si ti, nuk më bën dot gjë se unë kam aq
mend, sa për të mos shkelur në dërrasë të kalbur.
U largova për në
shtëpi disi i lehtësuar që e zbraza inatin dhe ankthin që më merrte frymën prej
vitesh të tëra.
Sa hyra në shtëpi,
Rita më pyeti e shqetësuar:
-Pse u ktheve kaq shpejt, shpirt?
-Zemër, më bëj një
kafe të fortë, të lutem! E di që je e lodhur së tepërmi, se tashmë je nënë e dy
fëmijëve.
Papritur u dëgjua
e qara e vajzës sonë të bukur Ema.
-Lere kafenë dhe
shko shiko çfarë ka bukuroshja jonë.Atë kohë im bir tre vjeçarë, Albi, erdhi,
m’u ul në gjunjë dhe më përqafoi me doçkat e tij të vogla dhe të buta si prej
pambuku.
I vogli sikur e
ndjente shqetësimin dhe dëshpërimin e të Atit dhe qante e grindej papushim. Nuk e kuptoja se çfarë kërkonte. E
mora në prehër dhe po i tregoja një përallëz të vogël që atij i pëlqente.
Me praninë e atyre
të treve më iku disi mërzia. Pasi më bëri kafenë Rita, u ulëm ta shijonim të dy
në divan.
-I dashur, je
shumë i trishtuar. Dukesh sikur të ka ardhur qumështi i nënës në flegrat e
hundës. E ndiej se diçka e rëndë të ka ndodhur. Të lutem, më thuaj si është
puna.
-Jo i mërzitur,
por më duket vetja aq i drobitur, sikur më ka kaluar treni sipër. E dashur, më
ka rënë tavani mbi kokë...de po më merr frymën.
-Më thuaj, çfarë halli ke? Çfarëdo qoftë, le ta ndajmë së
bashku, që të ndihesh më i lehtësuar.
Eh, e mira ime, e
kemi të shkurtër fillin e jetës dhe përsëri duan të na i shkurtojnë. Asaj që ia
kshim frikën, ndodhi, zemra ime. Ajo “Tjetra” kishte dy vite që më ishte qepur
si guri në trastë. Së fundmi e realizoi synimin e saj shkatërrues ndaj meje. Më
transferuan në Vlorë. Tani jemi me dy fëmijë që kanë nevojë për para që të
rriten. Gjithashtu edhe ti nuk ia del dot e vetme. Ke shumë nevojë për ndihmën
time. Në këto kushte të familjes, papunësia është mohim jete, mungesë të
ardhurash ekonomike dhe mohim lumturie.
-Çfarë ke ndërmend
të bësh, Agron?
-Vetëm nuk bëj
asgjë. Për të marrë një vendim të tillë kërkoj edhe mbështetjen tënde. Sa për
vete, kam menduar që të mos shkoj në Vlorë. Veçse e kam të qartë, se
hakmarrja e tyre
pa asnjë shkak do të vazhdojë. Ata do të më sulmojnë me çdo mjet dhe mënyrë të
mundshme kudo që të jem. Kam frikë se mund të na marrin dhe shtëpinë, prandaj
ti bashkë me fëmijët do të ikësh te prindërit e tu.
-Pse flet pa u
mneduar mirë? Ti dashke të shkosh dhe të punosh në kombinatin e konservave, në
Vlorë, apo....
-Ah, moj zemër.
Kokëfortësia është dëm i kokës, e cila nuk vlen për mua se kam përgjegjësi dhe
detyrime ndaj teje dhe fëmijëve.
-I dashur, para se
të vendosësh, provo të kërkosh punë në profesionin tënd kudo që të jetë.
-Këtë kam menduar
edhe unë Rita.
Trokita në shumë
dyer, po më kot. Nuk gjeta ndonjë vend tjetër për profesionin tim dhe kërkesa
ime ngeli në mesrrugë, sepse kudo ndërhynte ajo “Tjetra”. Dukej hapur se ishin
betuar që nuk do të më linin ta ngrija kokën lart.
Pavarësisht se
regjimi komunist ishte tepër i egër dhe vrastar, mes syresh kishte dhe njerëz
pozitiv, bujar e me zemër të pastër që mundoheshin ta zbutnin deri diku
padrejtësinë dhe luftën mohuese ndaj specialistëve të fushave të ndryshme. Sa
intelektualë kanë shkuar dëm se nuk kishin përkrahje.Eh, nuk llogariten...
Teksa hyra në një
zyrë, aty ishte një burrë, i cili e dëgjoi kërkesën time për punë. Ai mbaroi
punë dhe doli para meje. Paraqita kërkesën dhe dola, kur shoh se burri që ishte
brenda pak më parë, po më priste dhe më pyeti:
-Çfarë bëtë? Ju
premtoi gjë zv/ministri?
-Më falni, po cili
jeni Ju që më kërkoni t’ju shpalos dhe t’u besoj problemet e mia tejet
personale?
-Ju kërkoj ndjesë, veç mos më keqkuptoni. E dëgjova pjesërisht bisedën tuaj dhe mësova se ju kanë
transferuar në Kombinatin e Konservave në Vlorë. Unë jam drejtor në kombinat e
njëkohësisht inxhinier si dhe Ju. Ne po ndërtojmë linjën e salcës në tubeta që
është shumë cilësore. Ndaj më duhet një njeri i përgatitur si Ju. Unë do të të
ndihmoj edhe për shtëpinë. Dikush nga ndërmarrja që unë drejtoj, transferohet
në Tiranë dhe po kërkon shtëpi. Ai shkon në shtëpinë tënde aktuale këtu, kurse
gruaja juaj me të dy fëmijët vijnë në banesën e tij. Një rrugë e dy punë, more
djalë. Mendoje. Urdhëro numrin e
telefonit tim dhe më jepni përgjigje pasi ta keni biseduar me bashkëshorten.
Veproni si ta shihni më të arsyeshme.
Por hakmarrësit e
fakultetit, si hijenat e pangopura, s’lanë gur pa lëvizur ndaj meje edhe në
zyrën e fundit, ku shpresoja të merrja një përgjigje pozitive. Ajo “Tjetra”me
“Të Tjerët”sa herë prishnin punën e dikujt, ndjenin kënaqësi, madje kalonin në
ekstazë euforie apo në vetkënaqësi dashakeqe. Veçanërisht luftën nën rrogoz
ndaj meje, ata nuk e ndalën kurrë deri sa realizonin synimet e tyre ogururzeza.
Meqë dhe në rastin
e fundit ata “Të Tjerët” ndërhynë për të më prishur punë. Së fundmi e pranova
propozimin për në Kombinatin e Konservave dhe fillova punë. Kjo ndërmarrje që i
përkiste industrisë së lehtë ushqimore ishte ndër të parat në vendin tonë, si
nga cilësia dhe sasia. Aty kryesisht punohej për eksport konservash peshku,
mishi, frutash dhe perimesh. Rreth 80% të prodhimeve të saj eksportoheshin. Ndaj
kërkoheshin edhe njerëz të kualifikuar për një punë specifike në këtë sektor të
industrisë së lehtë. Duke vizituar repartet e ndryshme, vija re copa llamarine
apo dërrase që shkonin dëm nga prerja e kutive të konservave apo rafteve të
reparteve. Atëherë iu futa studimit për racionalizimin e mbeturinave që
hidheshin poshtë si mbetje të panevojshme. Punoja me orar dhe pa
orar.Dalëngadalë suksesi i një pune studimore dhe matematike dhe fizike të
lodhshme, bashkë me një brigadë të vogël punonjësish të tjerë të kualifikuar si
zanatçinjë
profesionist, ia arritëm të nxirrnim teorikisht diçka në dritë. Pas çdo
suksesi, sado i vogël të ishte ,atyre mjeshtrave në pofesionin e mekanikut,
elektriçistit apo marangozit, u shndrisnin sytë nga krenaria, se ishin pjesë e
një projekti edhe ata, pa të cilët unë nuk bëja dot asgjë. Dëgjoja pëshpëritje
lavdëruese lart e poshtë kombinatit, por nuk u vija veshin, se synimi im ishte
tejet i thellë. Kur ta realizoja, atëherë kisha të drejtë të besoja se kisha
arritur diçka në jetë.
“Agroni është
energjik, hulumtues i palodhur, me një vullnet të paparë. Është një talent i
rrallë jo vetëm si ekonomist po veçanërisht në matematikën lineare. Me gjithë
vëshirësitë që ka hasur, ai u dallua dhe u shqua si shkencëtar.”
Këto fjalë
vlerësuese në adresë time dëgjoheshin në drejtori, në grupin inxhinierik, në
sektorin e projektimit, nëpër repartet e kombinatit të konservave e deri në
institucionet vendore të qytetit bregdetar.
-Agroni sot është modeli i njeriut të së ardhmes. Nuk ke
ç’i thua. Është i ditur, i zoti, karakterizohet nga palodhshmëria profesionale
dhe mbi të gjitha është fjalëpak e punë shumë. Ai tashmë suksesin nuk e mohon dot, se po bëhet faktor dhe
udhëhiqet nga modestia e një intelektuali të mirëfilltë, - e mburrte drejtori i
kombinatit atë. Madje mirënjohjen ia shprehu personalisht:
- Profesor, isha i bindur që nuk gabova me personin tuaj,
qysh në takimin e parë, atje tek zv/ministri.
-Drejtor, Ju
faleminderit, por...Përse duhet të mburrem për atë që kam studiuar? Jo. Suksesi
është njëra anë, kurse ankthi i ngërçit hakmarrës pa arsye, ndoshta do të më
ndjek e do t’më torturoj deri në vdekje. Nuk jam nga ata që kërkojnë shpaginm
hakmarrës ndaj shkaktarëve të dhunës morale, vuajtjeve shpirtërore apo
ekonomike. Fatin e çdo njeriu për dëmet që kanë bërë mua apo kujtdo, ia kam
lënë kohës, e cila është gjykatësja më e mirë, më e drejtë dhe e pagabueshme e
njerëzimit të çdo niveli social apo kulturor. Agroni e quante si detyrë që
dijet shkencore nuk duhet të ngelen si ëndrrat në sirtar por duhet të vihen në
jetë.
***
Njerëzit me shpirt
të zi si katrani, të udhëhequr nga sadizmi dhe nga egua e sëmurë, të cilët nuk
janë në gjendje t’i bëjnë mirë as vetes, u duket mrekulli, kur bëjnë pakt edhe
me djallin për të shkatërruar dikë që e kanë halë në sy, sepse nuk duan asnjë
tjetër më të mirë se veten.
Ata “Të Tjerët” si
njerëz pa principe dhe pa moral, gjetën një fundërinë që e përdorën si mashë
për të më dëmtuar mua, edhe në Kombinatin e Konservave në Vlorë. Ky veprim i
ulët më cingrisi nervat, sikur unë isha objektivi i vetëm i vënë në shënjestrën
e plumbit, gjë që më forcoi mendimin se ata “Të Tjerët”, kishin mungesë të
theksuar tolerancë, kulture dhe profesioni.
Përherë thosha se
edhe djalli që është i zi, diku do të ketë një vend të bardhë, nga ku mund të
burojë sado pak mirësi. Më vonë, kur shikoja se ata “Të Tjerët”nuk më linin të
mendoja, të studioja apo të aplikoja të rejat shkencore në dobi të ekonomisë
kombëtare. Duke i analizuar të gjtha bëmat e tyre, arrita të kuptoj, se ata “Të
Tjerët” ishin aq të pandreqshëm, sa nuk ma donin as jetën. Kurse tashmë jam
plotësisht i bindur dhe nuk besoj më, se gjendet mbi sipërfaqen e tokës një
shembëlltyrë si ajo “Tjetra” apo ata“Të Tjerët”. Ata nuk janë gjë tjetër veçse
përbindsha aq të ndyrë e dredharakë, sa hedhin gurin dhe fshehin dorën.
Komunizmi me idetë e tij marksiste -leniniste hodhi farën e çmendurisë që e
shpërndau në shtet e dobët ekonomikisht dhe politikisht. Fara që mbollën e cila
shtohet me shpejtësinë e dritës si bima e krisjes, derisa i helmon dhe i thanë
drithërat e bukës që nga rrënja. Çuditërisht këto ide utopiste, pa asnjë dobi
zhvillimi social-politik u përqafuan nga njerëzit e paditur, që i marrin gjërat
shabllon ashtu siç ua servirin, pa analizuar se ç’të mira do t’i sjellin kombit
këto dogma që dhurojnë shterpësi mendore, varfëri materiale dhe shkatërrimin e
shoqërisë. Kjo ndodh nga që njerëzit e varfër ekonomikisht dhe mendërisht apo
popujt e përulur, nuk shohin tej hundës së tyre, se janë dritëshkurtër, pa
horizont dhe nuk janë largpamës.
Një degëzim të
tillë krisjeje kanceroze e gjetën edhe në kombinatin e konservave, por nuk u
mori luga ujë, pasi unë pikërisht aty dola mbi veten, e cila më shërbeu si armë
kundër atyre që më ishin qepur këmba këmbës.
Njohuritë e
fituara në mënyrë sistematike në auditoret e universitetit si në Pragë edhe në
Tiranë, ishin të pamjaftueshme, ndaj vazhdova studimet, kërkimet dhe mes
përkthimit shfrytëzova realizimet e mia shkencore bashkëkohore, kryesisht nga
rusishtja, pa mohuar të rejat shkencore nga gjuha anglisht dhe italisht.
Paralel me aplikimet e reja në matematikën lineare jashtë vendit si, në Amerikë
dhe Oksford, unë guxova dhe me kurajo e vullnet, isha i pari në vendin tonë që
ndërmora studimin për aplikimin e metodave matematikore të prerjes së
mbeturinave metalike sipas programimit linear. Ky hap i guximshëm imi në fushën
e studimeve shkencore për shfrytëzimin e mbeturinave në indiustrinë e lehtë dhe
ushqimore, ishte sukses për mua, por mbi të gjitha sillte përfitime të mëdha
ekonomike për vendin, duke i dhënë miliona e miliona të ardhura buxhetit
shtetëror.
Për arritjet e
suksesshme shkencore të vitit 1968, pasi u aprovua nga institucionet qeveritare
dhe ato shkencore akademike, mua më emëruan si ekspert në Ministrinë e
Financave, e cila ishte qendra studimore e ekonomisë dhe financës për mbarë
vendin. Atje punova si specialist i ministrisë deri në vitin 1970. Praktika e
prerjeve si metodë racionale sipas programit të matematikës lineare, të
studiuar dhe aplikuar nga unë, u përdor në shkallë vendi. Fillimisht unë
aplikova në prerejn e kutive të konservave në Kombinatin e Konservave “E.
Telman”në Vlorë. Më pas u aplikua në Gjirokastër, Shkodër dhe në gjithë
ndërmarrjet shtetërore. Kjo metodë u vu në përdorim edhe në fermat bujqësore,
në kombinatin e drurit, në atë të tekstileve dhe kudo ku dilnin mbeturina.
Në vitet
1970-1975, më emëruan pedagog në Katedrën e Financimit të Ekonomisë në
Fakultetin Ekonomik të Universitetit
Shtetëror të Tiranës. Atë kohë, kur filloi lufta dhe dënimet ekstreme brenda
gjirit të partisë, mua më degdisën në një fshat të thellë të Përmetit. Për mua
dhe familjen time ky dëbim i befasishëm, pa asnjë diskutim ishte internim.
Kisha të drejtë vetëm një herë në muaj të takoja të shtrenjtët e familjes sime.
Nga fundi i vitit 1975 me kërkesë të profesorëve që dinin të vlerësonin
njerëzit e dijeve shkencore dhe të punës mendore, fillova të jap kontributin
tim shkencor në Institutin e Studimeve Ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave,
ku punova deri në vitin 1979. I vlerësuar dhe nën kujdesin profesional të
kolegëve të sektorit akademik, profesorëve liberalë, human dhe të kulturuar të
universitetit,si, “P.Xh” dhe “I.G”, më dërguan për specializim të mëtejshëm në
Rumani, që ishte një shtet me institucione shkencore të konsoliduara shumë më
herët se të vendosej diktatura komuniste në vend.
Lufta e grupit të
katedrës së Inxhinierisë ndaj meje nga njëra anë dhe sukseset e mia në rritje,
nga ana tjetër, ranë në sy dhe shkuan deri në veshin e titullarëve të organeve
të larta të shtetit. Ishte diçka e pazakontë, gjithsesi qeveritarët nuk i morën
parasysh, se aktualisht ma kishin nevojën. Kjo ngasje, e cila duhej shmangur
por s’varej nga unë, ndaj një ndër ditët u bë fakt i kryer për mua. Kur
pqapritur kryeministri “Sh” në një takim në Ministrinë e Financës, m’u drejtua:“Dëgjo
more djalë, ti je shume i zoti, por ruaju mos të të hanë burokratët e Ministrisë
së Financës". Fal atyre studimeve dhe vlerave që i solli puna ime
shkencore, sepse i pari që do të më kishte shqyer ishte vet kryeministri, siç
kishte ndodhur edhe me shumë intelektualë të tjerë të specializuar, të cilët
ose i kishin burgosur apo i kishin internuar. Pasi ua kishin vjelë të mirat
materiale dhe vlerat profesionale, i kishin zhdukur pa nam e pa nishan nga
faqja e dheut. Këtë gjë e provova në shpinën time.
***
Vazhdon…