Mendime
Agron Tufa: Diktatura e re e Krajave dhe ish-hetuesve të komunizmit
E diele, 06.10.2024, 06:40 PM
DIKTATURA E RE E KRAJAVE DHE ISH-HETUESVE TË KOMUNIZMIT
Nga
Agron Tufa
Kur
bëra pubike për herë të parë (dhjetor, 2019) dokumentat arkivorë të kreut të
sapozgjedhur të SPAK-ut, ish-hetuesit komunist Arben Kraja, të zgjedhur me një
procedurë mbi trevjeçare Vetingu, pati reaksion të madh, ku nuk munguan
mbrojtësit e tij. Ca më shkruan në privat me një ton gjysmërixhaje e gjysmëkërcënimi.
Ca të tjerë, kolegë të ish-hetuesit komunist Kraja, si ish-hetuesi dhe spiuni
Bujar Sheshaj (edhe ata të zgjedhur me Veting), dolën hapur që në mbledhjen e
parë të KLP-së së sapo “reformuar”, me thirrjen – “të qëndrojmë grushtbashkuar
rreth kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, për ta mbrojtur atë dhe njëri-tjetrin nga
sulmet e Agron Tufës!”
Ndonjëri
prej dalëzotësve të Krajës, kaloi nga mohimi total në relativizim, duke e
minimizuar rolin e Arben Krajës vetëm me rastin e të rinjve shkodranë Luçi dhe
Bizi. Nxorëm prapë dokumenta të tjerë me firmën e Krajës, ku dëshmohet se rasti
i Luçit dhe Bizit nuk ka qenë rast i vetmuar! Në këto dokumenta shihet se
Partia i ka ngarkuar Arben Krajës hetues (i pari krye i SPAK), gjuetinë e
shtrigave mbi rininë shkodrane. Dhe kur se! Pasi mijëra shqiptarë kishin thyer
barrierat e ambasadave dhe ishin larguar drejt Europës 'kapitaliste'. Pra, në
fund të korrikut 1990! Dhe me çfarë egërsie!
Viktima
tjetër e hetuesit komunist mizor Arben Kraja, është 22 vjeçari shkodran Andrea
Daija, të cilin e ka torturuar dhe detyruar të firmosë se ka pasur në planin
imagjinativ tentativën për arratisje. Ky Beni hynte me forcë në kokat e të
rinjve për t’u kontrolluar dhe ëndërrimet dhe imagjinatat...
Veprimin
e parë si kreu i SPAK-ut Arben Kraja e bëri ngutazi që në dhjetor 2019, javën e
parë të punës, me pushimin e kallëzimit penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda që
pata bërë në emër të ISKK-së për një ish drejtor burgjesh të komunizmit,
kriminel e vrasës. Madje shkresa e tij nuk ka as vulë!
Një
pjesë e dosjes ku protagonist është Arben Kraja hetues, e keni më poshtë.
Një
gjë na ngelej gjithmonë mister: si ka mundësi që Autoriteti i Rrënimit të
Dosjeve për ish-Sigurimin e Shtetit e ka nxjerrë të pastër në Veting këtë
hungërues të Diktaturës!? Si ka mundësi që AIDSSH i numëronte (dhe i
justifikonte) Arben Krajës vetëm rastin e të rinjve Luçi e Bizi, duke e quajtur
këtë si një gjë të papërfillshme?
Tash
që e njohim mirë se ku çoi kjo mbrojtje e urdhëruar e këtyre qenve të tërbuar,
të lëshuar nga zinxhirët e diktaturës për të çarvalosur demokracinë, nuk është
fare më mister. Asfarë misteri! Për fatin tonë të keq, na del se paskam parë
qartë dhe saktë, se paskam pasur 100% të drejtë në profecinë time prej
kasandre.
Atë
alarm që dhashë që në dhjetor të vitit 2019 (ndonëse i mbyllur në kamp
azilantësh politikë), fare pak kush deshi ta marrë parasysh. Ja frytet e
helmëta ku i kemi tash, sot e gjithë ditën:
1.
Shkatërrimi i pluralizmit politik, shkatërrimi i zgjedhjeve dhe votës së lirë;
2.
Opozita e burgosur, e shantazhuar, e penguar, e arrestuar, e ndaluar.
3)
Mbrojtja e hapur, e troçtë, e pafytyrë e gjithë trafikut kombëtar e
ndërkombëtar, e korrupsionit qindra mijëra eurosh të djegësave etj., sipas
interesave të qeverisë, sepse janë folje-ndihmëse të diktaturës së re.
4)
Një mori e panumërt perversitetesh të neveritshme, që mund t’i shtoni vetë...
Dëmi
është i mënxyrshëm. Njerëzit nuk kanë kurajë të flasin. Popullit i është
aktivizuar ajo që unë e quaj “agjensia e fshehtë e pavetëdijes”, që ka ndezuar
automatikisht llampën e alarmit të frikës së vjetër të diktaturës enveriste.
Njerëzit kanë frikë se u shkatërrohet jeta, familja, fati, karriera. Sepse jo
mëkot janë prej të njëjtit gen... prej të njëjtës familje politike, me të
njëjtat metoda drejtësie e survejimi dhe me të njëjtën ndërgjegje të krimbur në
krime. Njerëzit kanë frikë, sepse po shohin se si po dënohet lidershipi
opozitar. Po ata, të shumtët, dhjetëra e qindra mijëra si unë e si ti?!
Njerëzit kanë frikë! Madje kanë frikë të bëjnë dhe një "like" të
këtij shkrimi dhe i kuptoj mirëfilli, ndonëse nuk i mirëkuptoj.
Për
mua, diktatura e bijve (le të thartojë turinjtë kush të dojë) është një punë e
kryer tashmë, e dizajnuar, e egër, me cerberët e vet. Dakord, e di, ajo nuk
shembet me votë të lirë e frymëzime elektorale, se nuk ka bërë vaki të shemben
ndonjëherë kështu diktaturat. Sepse nuk janë aq kaqola ustallarët e diktaturës,
sa të të lënë ty të shkosh serbes dhe i lirë në kutinë e votimit... I kanë
marrë masat dhe kush nuk e di këtë gjë tashmë të provuar kaq e kaq herë...?
Diktaturat
më të frikshme e më të paskrupullta janë njëherësh dhe më frikacaket. Mjafton
të kesh zemër, të ngrihesh, po, edhe të sakrifikosh, dhe shemben si një
dordolec në shesh. Epo, liria gjithmonë e ka një peshë e një çmim, nuk të falet
për sadaka... Duhet shembur me çdo kusht kjo tirania e diktaturës së re, për të
ndaluar shfytyrimin e njeriut tonë dhe atdheut tonë. Ndryshe ka për të qenë
tragjikisht vonë.