| E shtune, 05.10.2024, 05:54 PM |
Ngërç hakmarrës
-Novelë
Pjesa - 4-
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj- Vivra
Isha i lumtur që
nuk pata probleme lidhur me emërimin. Po ku ta dija unë i gjori se problemet
dhe problematikët më ishin qepur pas si rrodhe. Në katedrën e inxhinierisë ku
jepja njohuritë e mia shkencore si pedagog, një profesoreshë smirëzezë ishte
kutia e zezë që po të hapej, dilte e
keqja prej saj dhe sillte fatkeqësi ose deklaronte dënimin me vdekje për
kolegët që nuk i bindeshin. Kolegen shpirtkatran të cilën e quajta, ajo “Tjetra”, ishte motra e një personi me detyrë
tejet të rëndësishme në sferat e larta të partisë. Ndërkohë ajo “Tjetra” kishte edhe burrin në organet e
Sigurimit të shtetit. Ndaj vriste dhe priste koka, sikur ishte ajo që i
drejtonte këto organe që merrnin vendime ekstreme.
Ajo “Tjetra”nuk
njihte norma, rregulla apo mirësjellje. Cilitdo që nuk ka shpirt, i mungon
toleranca, nuk e njeh ndjesën, ndaj dhe nuk di as të falë. Të kërkuarit ndjesë
dhe falja për të këqijat që ka bërë dikush është gjest fisnikërie. Kurse ajo
“Tjetra” e urrente fisnikërinë, e mohonte këtë shtresë, me të cilën ajo dhe
soji i saj ishin në armiqësi dhe ndaheshin nga një hendek i thellë dhe i
pakapërcyeshëm. Ajo “Tjetra” me ata “ Të Tjerët” që hiqnin të njëjtën valle,
edhe pse e dinin, se ajo shtresë ka qenë palca që ka mbajtur kombin në këmbë
dhe inteklektualët e arsimur në universitetet më në zë të perëndimit ishin
truri i tij, për fat të keq i zhdukën nga rrënjët. E tillë “si zëdhënëse e
partisë”, ajo “Tjetra” ishte nepërkë
helmuese që kërkonte rastin të hakmerrej ndaj të pabindurve, duke u injektuar
çdo ditë e nga pak helmin vdekjeprurës. “Ai’, ajo “Tjetra”, ata “Të Tjerët”,
ishin nga ai soj e sorollop që kanë dashur t’i manipulojnë njerëzit apo kolegët
e pafajshëm që kryenin detyrën e tyre me nder dhe me profesionalizëm. Veçse
kolegët rigoroz e sedërli në çdo
kohë kërkojnë të jetojnë lirisht, jashtë ndikimit të sferave të larta politike.
Madje nuk u pëlqen influenca e politikanëve, pasi duan të ecin me këmbët e veta, të jetojnë me punë të ndershme dhe të
jenë vetëvetja. Kurse njerëzit me synime negative që janë në shërbim të
politikës, u ngjasin narcistëve që kërkojnë t’u binden ideve të tyre verbërisht
dhe të mendojnë si ata. “Ai”, “Ajo”, ata “Të Tjerët” meqë i kanë pasur krahët e
ngrohta nga mëma parti, deklaronin hapur se e drejta ishte dhe është me ta,
pasi ata vetë nuk njihnin norma, rregulla, as mirëkuptim dhe as harmoni. Kundërshtarin
edhe po ta shihnin duke u djegur dhe zhuritur në mes të flakëve të ferrit,
fërkonin barkun. Vetëm vdekja e të pafajshmit e kënaqte deri në dehje të
sëmurin prej narcizmit, sepse në këtë mënyrë arrinte kënaqësinë nga kotësia ose
admirimi egoist i cilësive të veçanta
të vetvetes, atëherë triumfonte. Njerëz të tillë e quajnë veten të
paarritshëm, ndaj mund të bëjnë gjithçka që u thotë truri i tyre i sëmurë prej
narcisti.
Deri sa erdhi e
emëruar ajo “Tjetra” në katedrën e inxhinierisë, kisha punuar në qetësi.
Ndërkohë merresha me përkthime teknike nga anglishtja, frëngjishtja dhe nga
italishtja. Më pëlqente jashtë mase të bëja kalkulime matematikore. Por më
duheshin më tepër njohuri për matematikën kuantike. Mes një dajos tim që ishte
i besuar i partisë dhe kishte një detyrë të tillë që dilte përherë jashtë
shtetit, krijova një lidhje komunikimi shkencor me katedrën e Inxhinierisë
mekanike të universitetit ‘Kembrixh”. Doja të realizoja vetveten, vetëm përmes
studimit. Me një grup studentësh shkoja për t’i shoqëruar gjatë praktikës
teknike në disa uzina mekanike. Ajo që më bëri përshtypje pothuajse në të
gjitha uzinat dhe fonderitë që vizituam, ishin mbetjet e metaleve, të cilat
mund të viheshin në përdorim. Ndaj iu vura studimit të numrave, fillova
matematikën kuantike ose më mirë atë lineare vetëm me një synim. Tipit tim nuk
i pëlqenin titujt e dhuruar si rezultat i shërbimit partiak. Kurrë nuk kam
dashur të merrem me politikë. Por politika kërkonte të merrej me mua që
udhëhiqesha nga shqiptarizmi. Madje, ishte e drejta e saj të hynte dhe në jetën
intime apo personale të individit, i cili shikonte punën e tij.
Aty në auditoret e
universitetit, kontaktoja me shumë studentë të tipave të ndryshëm. Kishte djemë
dhe vajza nga e gjithë Shqipëria. Nuk e mohoj se ato ishin të bukura, të dëlira
e të çlirta kur më drejtoheshin mua me respekt dhe pa droje, si pedagogun e
tyre. Porse unë si Agron, nuk i pëlqej tipat e vajzave që kërkojnë të tërheqin
vëmendjen, ato që duan të duken, sidomos ato që pozojnë dhe bëjnë maniera vetëm
për interes, i urrej. I thërrisja mendjes:-Agron, kujdes nga ato që të hanë
për llape të syrit! Porse vitet e para pas kthimit nga Praga, unë ende
shpresoja se ndoshta një ditë të bukur do të takoja Florën, me të cilën thurëm
ëndrrat e para të rinisë. Eh, përvoja e jetës së shumë çifteve na ka mësuar, se
ndjenjat janë më të forta, madje konsolidohen dhe bëhen më të fuqishme apo të
qëndrueshme, kur je në moshë të pjekur dhe i ke të qarta synimet për jetën,
familjen, si dhe për të ardhmen. Atë kohë isha jo vetëm i ndërgjegjshëm, po
edhe i përgjegjshëm për të ardhmen time.
***
Kishin kaluar vite
që nuk kisha asnjë lajm nga Flora. Nuk kisha ç’prisja më. Vitet fluturojnë,
mosha ikën dhe më pas është e vështirë të vendosësh për të krijuar familje. Kur
papritur një shoku im i gjimnazit më tha se ajo ishte martuar, madje kishte dhe
një djalë 3-4 vjeç. Megjithëse arsyet i dinte vetëm ajo, por heshtja e saj më
dukej shumë e çuditshme për mos të thënë misterioze. “Ndoshta rastësia do t’na
takojë një ditë”, -mendova dhe dilemën
ia lashë kohës. Siç u shpreha pak më sipër në auditore, nëpër korridoret
e gjata apo nëpër shkallët e fakultetit ndeshja vajza të mira e të sjellshme,
por nuk më mbushej mendja. Ndoshta kujtimi i rinisë e mbante peng jetën time
dhe nuk e lejonte që të ecte përpara bashkë me kohën, moshën dhe vitet.
Gjatë leksioneve
apo kur kërkonte ndonjë shpjegim, mes shumë studenteve vija re në vajzë të
sjellshme që skuqej kur fliste.
Kjo ishte njëra
prej studenteve të fakultetit ekonomik, dega Financë, ku jepja matematikë, një
vajzë serioze nga jugu i vendit. Ishte me trup mbi mesataren, me shtatin si
selvi, e drejtë, me trup të rregullt, brune e theksuar, me tipare që spikatnin
mbi lëkurën e bardhë e të lëmuar si farfuri, e cila më pëlqente. Më kishte
trazuar shpirtin dhe mendjen me sjelljen e saj korrekte. Ajo e dinte mirë se
përse kishte shkuar në universitet. Gjatë këtyre kontakteve e pyesja për gjëra
të ndryshme dhe ajo përgjigjej shkurt, me shumë mirësjellje dhe ulte sytë e
turpëruar. Ishte e drejta e një vajze me norma morale, e cila ka dalë, është
rritur dhe edukuar në një familje të mirë. Natyrisht ishim në pozita disi të
vështira, një lidhje mes pedagogut dhe studentes.
Ajo quhej
Margarita, të cilën shkurt e thërrisnin Rita. Emri i saj më kujtoi sopranon
Maria Kalas në rolin e Violetës tek opera Traviata e Xhuzepe Verdit që është
realizuar sipas romanit “Zonja me Kamelie”, me autor Aleksandër Dyma -i biri. Është historia e
një romance dashurie, e një kurtizaneje të varfër me emrin Margarita Gotje që
nuk më shqitet nga kujtesa.Pavarësisht se e kam parë në kinema shumë herët,
qysh në rininë time, ende i kam të gjalla të gjitha skenat.
Një pasdite e
takova Ritën rastësisht dhe e ftova për kafe. Gradualisht filluam të njiheshim.
Gjatë semestrit të dytë të vitit të fundit të zonjushës Rita, i thashë, se nëse
edhe ajo ishte e bindur për ndjenjat tona të pastra, të thoshte në familje që
ta finalizonim dashurinë tonë. Pasi familja e saj u interesua, menjëherë pas
diplomimit të saj, ne të dy shpallëm fejesën. Isha i lumtur që u njoha me
vajzën e duhur, me norma që i përshtatej tipit tim për të kaluar jetën. U dashurova marrëzisht
pas saj. Ne të dy gjatë gjysmë shekulli martesë kemi plotësuar njëri-tjetrin
Kur ajo “Tjetra”u
transferua në katedrën e inxhinierisë, atëherë filloi Odisea e vuajtjeve të
mia. Seriozitetin e marrëdhënies time dashurore me studenten, ajo e shfrytëzoi
si shkelje të rregullave morale të pedagogut me
një studente. Nga natyra ajo ishte cinike, intrigante, e zonja për të
ngritur kurthe, që besonte pa ekuivoke (pa dykuptimësi) dhe i shpërndante idetë
marksiste si kalë karroce, që nuk e kthen kokën as majtas dhe as djathtas. Ajo
“Tjetra” për shkak të pozitave të larta partiake të të vëllait dhe
bashkëshortit, si komuniste e bindur verbërisht dhe e përbetuar, ishte
shndërruar në mashë zjarri në duart e Partisë së Punës. Ideali
marksist-leninist ishte aq bindës për syvagëlluarit apo të lëbyrtit, sa që
vetpërdoreshin si masha të partisë, të cilët ishin me shumicë, të çdo kallëpi
dhe të çdo ngjyre laramane. Ndaj bëheshin urë e vigë, shërbyes të përulur,
madje mund të hidheshin në zjarrë vetëm për të mos i përzhëlitur duart idhujt e
tyre për të cilët ishin gati të flijoheshin.
Një e tillë ishte
dhe ajo “Tjetra”. Pasi më njohu se nga isha dhe i kujt isha, mësoi se babanë
tim e kishin dekoruar si veteran i Luftës së Vlorës, me medaljen “Për
veprimtari patriotike”, filloi të më
bezdiste që të bëja dokumentet për të hyrë në parti. Kërkesa e saj nuk
kishte të bënte se ajo kishte simpati apo më vlerësonte mua për atë që isha.
Ajo si ambicioze që kërkonte të dukej, donte të më kishte në organizatën e
partisë në anën e klanit të saj. Kjo vetëm për të forcuar pozitat e saj
partiake. Ndaj ngulte këmbë që unë të bëhesha masha e mashës së partisë. E
ashtuquajtura organizatë partie, ishte e ndarë në klane dhe unë, një njeri me
prestigj, i formuar si individualitet, i kualifikuar profesionalisht dhe të
bëhesha levë e saj? Jo, në asnjë mënyrë.
Ishte gjë që s’bëhej. Unë qysh fëmijë isha brumosur me një karakter të fortë
dhe të palëkundur. Ndaj nuk e pranova propozimin e saj, pasi urrejtjen për
komunizmin ma kishte futur në gjak Babai im, i cili, megjithëse ishte veteran
lufte, i dekoruar, si dhe familje
dëshmori si nga vlëllai dhe nga dajua im që kishte rënë brenda kufirit
jugosllav.
Më kujtohet si
tani. Në verë kur kisha mbaruar vitin e parë të gjimnazit “Ali Demi”, shkova
për pushime në familje, në fshatin tim atje mes maleve. Një ditë, teksa ishim
ulur për drekë, Babai im i mirë dhe i mençur, më thotë: “More bir, këta
komunistët qenkan të bijtë e djallit. Po këta duan të na marrin pronat, tokën
dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit. Biri im, e di që ka
filluar fushata për kolektivizimin e bujqësisë edhe këtu?”
Këtë bashkëbisedim
me babanë e kujtoja shpesh herë dhe tashmë isha i bindur se ai kishte të
drejtë. Më tepër m’u mbush mendja kur u njoha me jetën mjerane të kolkozeve të
tipit rus në Çeki.
Kurse tani që ajo
“Tjetra” nuk më linte të qetë, duke kërkuar me çdo kusht që të bëhesha anëtar
partie, kujtime të tilla që lënë vragë në jetë ishin të pranishme çdo ditë.
Presioni i saj vazhdoi për dy vjet rresht. Pas këtij presioni këmbëngulës të
saj prej një kohe të gjatë, u vura në pozitë të vështirë. Mendova më të keqen.
I ruhesha ndonjë mase të rreptë me pasoja të rënda për jetën dhe profesionin,
të cilin e adhuroja. Për një provokim, mund të më hidhnin prangat dhe të
përfundoja në qyngje, nga ku nuk del dot.Atëherë pa dëshirë vendosa të
plotësoja anketën e pranimit në parti dhe ia dorëzova sekretarit të organizatës
së universitetit. Kur e kujtoj, më vjen turp nga vetja, se unë përherë kam
dashur të mos jem nën urdhërat e askujt. Aq më tepër të isha nën huqet e një
partie kriminale. Veja dhe vija vërdallë nëpër shtëpi si kali në lëmë pa gjetur
qetësi. Madje as gjumë nuk vura në sy për dy netë me radhë. Sipas rregullit të
brendshëm të asaj partie, anketa nuk mund të më kthehej, madje as nuk duhej të
dilte nga kasaforta. Pa e vënë në dijeni Ritën, bashkëshorten time, pas dy
ditësh i penduar, kam rendur si i sëmuri nga amoku apo nga çmenduria e etheve
tropikale që nga shtëpia e deri në fakultet. Shkova te sekretari i organizatës
dhe iu luta të ma kthente se doja t’ia jepja edhe motrës sime për ta pasur si
model për plotësimin e anketës së saj për në parti. Turp është që e mashtrova,
por ishte e vetmja zgjidhje Megjithëse
ishte e ndaluar, Ai u zu ngushtë dhe pas një ngurimi ma dorëzoi anketën. E
mora atë kërkesë të shpifur, të cilën e formulova kundër vullnetit tim dhe sa
shkova në shtëpi e dogja në sobë. Sa e mësoi veprimin tim, ajo “Tjetra” u bë
bishë dhe nuk iu durua pa më spiunuar. Një mbrëmje shkoi tek i vëllai i saj dhe
i thotë: “Në universitet kemi pedagogë që nuk duan të hyjnë në
parti”.
Unë me të dashurën
time Rita, kishim pak kohë martuar. Në vend që ta shijonim martesën, filllimet
e familjes sonë të re, “ithtarët e komunizmit” na dolën përpara me idetë e tyre
të huajtura nga sllavët, duke na e prishur gëzimin e jetës të saponisur. Na
vranë ëndrrat. T’i ndalosh një çifti të ri gëzimin e jetës, t’i prishësh
qetësinë shpirtërore, ta lësh pa gjumë, është vrasje morale shpirtërore dhe
jetike. Ta dëmtosh tjetrin psikologjikisht pa asnjë arsye objektive, veç të
realizosh egoizmin tënd pasionant për një parti të pathemeltë, e lindur nga ide
utopiste që ngrenë kala në ajër, nga çmenduria e idealistëve të sëmurë psikik,
është krim. Çdo njeri nga ne e di mirë se krim nuk quhet vetëm ai që kryhet nga
plumbi që del nga gryka e pushkës, nga shpata, jatagani apo gijotina. Po kaq kriminale dhe vrastare sa këto vrasje
makabër, është edhe gjuha, organi i fjalës së mirë dhe fjalës së keqe, fjalës
së bukur, të mençur e të matur
dhe fjalës së
hidhur që vjellë veç vrer. Nuk thonë kot, se gjuha tule është, por kocka thyen.
Pyesja veten: “Përse
na i vranë ëndrrat dhe dëshirat për të krijuar çerdhen tonë familjare të qetë,
të gëzuar dhe të lumtur?”
Filloi fushata për
zgjedhjet në organizatat dhe komitetet e
partisë. I vëllai i saj, erdhi i deleguar në komitetin e partisë të
universitetit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ai mori fjalën e ndër të tjera,
tha:
“Kemi të dhëna se në universitet paska pedagogë që s’duan të hyjnë në
parti. A e meritojnë këta pedagogë të punojnë si edukatorë në universitetin
shtetëror që e ka çelur Partia jonë e lavdishme?!”
***
Mjaftonte vjellja
e helmit të transmetuar nga e motra e tij dhe ngjarjet morën rrjedhë tjetër.
Unë tashmë bëja pjesë në listën e zezë të kundërshtarëve të partisë.
Në fakultet,
sekretar i organizatës u zgjodh një pedagog i paaftë, një derr me zile, që i
servilosej asaj “Tjetrës”si një dallkauk me njëqind fytyra, i cili u bënte
hosana atyre që kanë në dorë fatet e çdo njeriu. Këtë sekretar mund ta hiqte
prej hunde apo prej kapistre kushdo.
Ndërkohë ne të dy,
unë dhe Rita, ishim bërë prindër me një djalë. Në shtatorin e vitit tjetër
akademik, kur zhvilloheshin mbledhjet e hapura të organizatave të partisë,
gjatë diskutimit shpreha pakënaqësinë time ndaj të ashtuquajturit sekretar
partie. Unë si Agron, isha larg rrengave, intrigave dhe kurtheve, sepse nuk
isha ushqyer me një edukatë të tillë. Nuk ma merrte mendja se ata, më kishin
përgatitur një kurth për t’ ma ngulur thikën pas shpine. Sekretari i partisë,
në fakultetin ku punoja unë, ishte mik i afërt me zëvendësrektoren e
universitetit, një ish-pedagogen time të gjuhës angleze. Qëdrimi i tyre si grup i organizuar u duk në
një mbledhje kolektivi. Ishin përgatitur të flisnin egërsisht, dokrra me okë
kundër meje.Thëniet e tyre të shpifura e të sajuara, ishin pa bazë, si të
ndonjë kalamani që nuk ua di kuptimin atyre që flet. Dukej hapur se ajo
mbledhje ishte organizuar vetëm për të analizuar negativitetin tim dhe për të
më injoruar si një person pa pikë vlere, keqbërës dhe kundërshtar i parimve të
partisë. Ishte një sulm i paparë, njëlloj sikur isha druri i shtrembër i
turrës, ose i kisha vënë kazmën godinës së universitetit për ta rrëzuar nga
themelet.
Më habiti një
kolege e katedrës, me të cilën nuk kisha pasur kurrë fërkime. Ajo me paturpësi
u shpreh, se unë Agroni, me synimet e mia negative, rrezikoja të shembja
Institutin e Inxhinierisë. Ajo që më tronditi më tepër dhe më dhà të kuptoja se
ishte një inskenim i mirëpërgatitur kundër meje, ishte synimi i tyre si grup i
organizuar. Nuk kisha gabuar në hamendësim, pasi një veprim i pamatur i grupit,
nxori në shesh të vërtetën, qëllimin e tyre dashakeq. Në mbledhje, në
kundërshtim me rregulloren dhe të drejtat e stafit pedagogjik, kishin ftuar dhe
një studentin tim, i cili më kritikoi se isha i rreptë me studentët dhe i
ngarkoja me shumë detyra. Unë gojën nuk e kisha vetëm për bukë. Në diskutimin
tim thashë:
“Po, është e vërtetë, me studentët jam i rreptë dhe u jap mjaft detyra
mësimore, sepse dua që ata t’i ngre në nivelin tim. Se po të jem liberal,
atëherë do të zbres unë në nivelin e tyre”.
Pas dy viteve pune
të suksesshme mes një lufte të egër e të pandërprerë psikologjike dhe morale
nga ajo “Tjetra” në grup bashkë me ata “Të Tjerët”, finalizuan dhe vulosën
largimin tim nga katedra e inxhinierisë. Disa ditë para se të fillonte viti i
ri akademik, më thirri në zyrë shefja e kuadrit të universitetit. Gjithmonë e
prisja një masë dënimi, pasi nga lufta që më ishte bërë, isha mëse i bindur dhe
i vetdijshëm që nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me sulmin, urrejtjen dhe
hakmarrjen e tyre pa shkak, nuk ishte e mundur që ata të binin në gjumë
letargjik dhe të harronin synimin ogurzi. Ata ishin vigjilentë në çdo kohë që
të merrnin hak ndaj meje, një personi që kishte refuzuar thirrjen e partisë për
t’më futur në “gjirin e saj”.
-Shoqja sekretare
më kishit thirrur apo...?
-Po është e
vërtetë. Shoku Agron, ju nuk e keni bërë stazhin në bazë, pas studimeve
universitare. Nuk di si keni filluar punë si pedagog direkt nga auditori dhe u
ngjitët në katedrën, ku u diplomuat. Duke u bazuar në parimet e Partisë së
Punës, organizata e partisë në universitet ka reflektuar dhe të kemi
transferuar në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman” në Vlorë. I kemi dhënë të
gjitha udhëzimet dhe do të punosh në fonderinë e kombinatit.
Në të vërtetë, ajo
“Tjetra”, katile e lindur, sekretari i partisë bashkë me zëvendësrektoren e
universitetit, të tre e kishin qëndisur mirë relacionin për hakmarrje kundër
“të padëshiruatrit” për të më hequr qafe me shumë lezet. Më kishin gjetur një
“njollë në biografi”, si kundërshtar politik i tyre, ndaj duhej shmangur
“armiku i klasës” që dëmtonte vijën e partisë. Për të vetmen arsye pse nuk
pranova që të jem anëtar partie, më leqendisën e më degdisën nga katedra
akademike, në një ndërmarrje prodhimi. Gjithsesi, mua dhe çdo njeriu të aftë
“s’ ia ha qeni shkopin,” -mendova atë çast.
Papritur një
nënzërimë, e cila më ka ndjekur qysh në rini, në hapat e parë të jetës, duke
luajtur rolin e një mësueseje të ditur, m’u përgjigj:
-Agron, zotësia nuk duket kur e nis një udhëtim të vështirë, por në të dalë
të rrugës, kur e përfundon atë. Atëherë do të shohësh, se dhembja prej vuajtjes
nuk të zvordh dhe as të rrëzon përtokë që të përgjunjesh, por të mëson që të
ringrihesh më i fortë, më i vendosur dhe më i kthjelltë për realizimin e
vetvetes.
-Cila je ti që më jep kaq shpresë?
-Ti më njeh. Unë jam bashkudhëtarja jote në të mirë e në të keq.
-Ah po... ti je ndërgjegjja ime që më udhëheq drejt mirësisë. Të
faleminderit, që nuk më ke lënë kurrë vetëm dhe më ke ndaluar që të futem në
ndonjë qorrsokak...!”
***
Vazhdon.