| E marte, 01.10.2024, 05:59 PM |
“Kurse
shkrimtari i madh, që si rast përjashtimor, i kishin ngritur monumentin për së
gjalli, preferonte të ulej te të varfrit”.
Andersen.
NJË
FUNDJAVË NË VLORË
Skicë
udhëtimi
Nga
Kadri Tarelli
Zgjodhëm
ditën e shtunë, 27, vjeshta e parë, 2024, si fund jave, për një udhëtim drejt
Vlorës. Ishim një grup shokësh nga Durrësi: Shpendi Topllaj, Zija Beqja dhe unë
Kadri Tarelli, që më në fund mundëm të realizojmë këtë udhëtim të dëshiruar
prej kohësh.
Si
fillim një kafe në Lushnjë, ku na priste miku ynë i ditur, Gëzim Isuf Baruti,
përkthyesi i filozofit francez Montenj, “Mishel dë Montenj”, Essai (Ese), vepër
voluminoze në tre volume. Volumi i III-të është në botim.
Ndalesa
ishte planifikuar e shkurtër, por mikpritja dhe biseda e shtuar, na bëri ta
harrojmë kohën që vrapon. Kështu na ndodh përherë, kur hyjmë në brazdat e
letërsisë dhe krijimtarisë, ku vështirësitë, mundimet, gëzimet dhe zhgënjimet
bëhen gërshet, me mundësinë e botimit dhe andrallave që dalin si gozhda në
këpucë. E përgëzuam mikun tonë Gëzimin që po pret me padurim volumin e tretë të
filozofit francez të mesjetës, Montenj, ku na ka bërë pjesë edhe ne, duke
vendosur në fund të librit, dy shkrimet tona vlerësuese, të Shpendit dhe timin.
Udhëtimi
drejt Vlorës nuk zgjati shumë. Për fatin tonë, nuk pati trafik të ngjeshur, siç
patëm frikë, megjithëse ishte ditë e shtunë. Ora 09.30 ishim në Vlorë në
lokalin “Dy Palmat”, toponim i njohur për vlonjatët, por edhe për ne që e
rrahim rrallë jetën e këtij qyteti bregdetar. Vuajtëm disi për parkim, por e
zgjidhëm duke pritur pak. Në lokal na prisnin miqtë tanë të vjetër: z. Fitim
Haxhiraj, z. Hajro Kapaj dhe znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj (Vivra), shkrimtare
dhe studiuese e njohur në letrat shqipe, anëtare e Akademisë
shqiptaro-Amerikane, me seli në NewJork të SHBA, personalitet i nderuar nëpër
botë, me çmime dhe vlerësime të shumta.
Biseda
rrodhi e qetë, siç ndodh mes shkrimtarëve, kur futen nëpër udhët e letërsisë,
ku secili tregon: ç’ka bërë, ç’po bën dhe ç’do të bëjë në të ardhmen. Prandaj
takime të tilla priten me interes, për secilin nga ne, edhe kur ka kundërshti
mendimesh, si pjesë e shëndetshme e çdo bisede mes miqsh. Natyrisht duke ndarë
e këmbyer mes nesh, jo vetëm problemet e shkrimtarisë, që nuk janë të pakta,
por edhe kënaqësinë e shkëmbimit të librave, si e vetmja pasuri që kanë
shkrimtarët dhe krijuesit, veçanërisht krijuesit shqiptarë. Vivra na dhuroi
librin e saj më të fundit, “ I shtrenjtë çmimi për jetën”, Novela dhe tregime
të zgjedhura. Libër ky që ka tërhequr vëmendjen e Prof Eshref Ymeri, i cili i
ka bërë një analizë të bukur dhe plot vlerësim letrar dhe veçanërisht për
kumtin shoqëror, moral dhe atdhetar.
Pas
gati dy orë bisede, si me dhunë u detyruam të ngrihemi, për t’u nisur drejt Zvërnecit,
pikë turistike e njohur dhe mjaft e vizituar, ku unë dhe Zijai shkonim për herë
të parë, pavarësisht nga dëshira e jonë e kahershme. Rruga ishte e bukur,
gjarpëronte mes pyllit të pishave, që fatmirësisht nuk ishte dëmtuar, siç ka
ndodhur nëpër rajone të tjera të vendit. Një kënaqësi më shumë në këtë udhëtim
mbresëlënës.
Një
vizitë në Manastir, një vlerë e shtuar në këtë udhëtim të shumë pritur, ku
vizitorët ishin të shumtë, veçanërisht të huaj. Rrugica prej dërrase, e shtrirë
mbi lagunë, që lidh dy brigjet, ishte fantastike. Do mjaftonte vetëm kjo copë
udhe mbi ujë, për të thënë: - Sa bukur, u kënaqëm!
Në
mbyllje të kësaj vizite, duke u kthyer për te makinat, një e papritur e
këndshme: Dikush po na thërriste me emër....... Ishte piktori Caush Vathi, i
cili bashkë me dy piktorë të tjerë, kishte vendosur teljaon nën hijen e një
ulliri dhe po pikturonte atë pamje magjike: “Manastiri dhe pylli i gjelbëruar”,
mbështetur në shpinë të tij.
U
përshëndetëm si qytetarë të Durrësit, duke i thënë njëri-tjetrit: Sa mirë kemi
bërë që po vizitojmë dhe vizatojmë bukuritë e vendit tonë, që fatmirësisht janë
të shumta. Kënaqësia dhe krenaria janë bashkë.
Një
drekë mes pishave, ishte kënaqësi më vete.
U
ndamë duke uruar njëri-tjetrin: jetë dhe shëndet të mirë për secilin, dhe
krijimtari të bollshme, të bukur, të dobishme dhe të pëlqyeshme.
Ju
mirëpresim dhe mirë u takofshim në Durrës!
Përgatiti
Kadri Tarelli
Fund, shtatori, 2024.