Kulturë
Ndue Dedaj: Buka e dhanme
E premte, 27.09.2024, 06:55 PM
BUKA E DHANME
TREGIM NGA NDUE DEDAJ
Të
dyshuemit se u kishin dhanë bukë Reaksionarëve duhej të niseshin nji orë e ma
parë për në qendër të Nënprefekturës, por ata ishin tre veta e policët e
lokalitetit vetëm dy. Nuk kishte makinë dhe ishin nantë orë të mira deri atje.
“Do t’i lidhim dorë për dorë e kështu nuk kanë se si me na ikë”, thanë në
postën e Policisë. Por nuk i lidhën ashtusoj, pasi nuk do të arrinin as për tri
ditë. I prangosën me duert përpara secilin dhe u nisën të pestë, të lidhunit
para, policët mbrapa me gishtin në kambëz. “Po guxoi ndonjani me ia mbath,
plumbi asht ma i shpejtë se vrapi i tij”, menduan. Ishte vjeshtë e nuk kishte
shumë etje, kështu që nuk ishte e nevojshme të ndalonin me pi uji gjithë ku
kishte kroje. Por mund të shtrëngohej ndonjani nga ujët e hollë e policëve atëherë
do t’iu duhej me ia zbërthye me duert e tyne kopsat e pantallonave...
Ishin
nisun me të dalë drita e tash, mbas pesë-gjashtë orësh rrugëtimi, ishin
rraskapitun të gjithë, por të lidhunit nuk qitnin za. Po vinte mesdita dhe as
që kishin mendue se ku e si do të hanin drekë. Kur polici ma i vjetër Kol
Hajmeli ia tha kët’ gja kolegut ma të ri, ky ngriti supet, si t’i thoshte ti je
shefi e ty të përket me e zgjidhë. Por çfarë zgjidhje mund të kishte, kur ata
kishin me vete tre njerëz të lidhun? Të ishin pa ata do t’i bëzanin ndonji
fshatari në derë e kaq ishte ajo punë, do të mbushnin barkun me bukë e do të
merrnin prapë Udhën e Madhe, se duhej mbërritun pa ra nata në Nënprefekturë.
“Do të blejmë ndonji koromane e pak sheqer te Dugaja e Rikut, bukë sa për
gjunjët” tha me vete polic Kola. Do të duronin dhe një gjysmë ore deri te
tregtari shkodran i peshkves. I kishin thënë se nuk ishte larg Qafë-Benës, ku
kishte kalue njiherë asaj tërthorje. Kqyrte kullat rrëzë kodrave që më shumë
nxinin se zbardhnin dhe u kujtue se tri sosh kishin qenë shtëpitë në vakthit,
shtëpi buke, shtëpi pushke dhe shtëpi gjaje. Tash si po vinin punët, gjasët
ishin të mos ishte ma as njana e as tjetra. Por polici Kol e mbyti brenda vetes
atë mendim të mbrapshtë që se nga i erdhi në krye. Shtëpia e tij kishte qenë
shtëpi gjaje, por dhe burrnie, kishin pasë treqind krenë dhi, por gjysmën ua
patën dhanë partizanëve nji dimën. Kjo ishte dhe arsyeja që Kolën e kishin
veshë polic lokaliteti. Por desh e kishin flakun para një viti për një batudë
që kishte ba gjatë nji shërbimi andej nga malet e Dukagjinit: “Jam polic
lokaliteti / Qebesa plasa s’nxehti...”
Tash
as që i shkonte ndërmend që të karratonte ma n’arshika, as për veten. Ishte
hera e parë që bante nji rrugë kaq të gjatë për me shoqënue persona të
rrezikshëm që bashkëpunonin me Bandat e Reaksionit që endeshin maleve për me
rrxue pushtetin. Ai vetë ishte puntuer shteti, por as me pushtetin e as kundra
tij. I njihte tre burrat e lidhun, i përkisnin një shtëpie në za në ato anë, që
përmendej, në dash për trimni e në dash për dhanie buke, por që dita - ditës
veçsa i keqsonin punët me pushtetin. E dinte se nëse do të mundnin, pas
arrestimit të bujshëm mesnatën e kalueme, ata do të arratiseshin si burrat e
tjerë të fisit të tyne, prandaj tregohej dhe ma shumë vigjilent. Nuk mund të
shkonte vetë në burg në vend të tyne!...
Pesë
shtegtarët e Udhës së Madhe, ku venin e vinin dhe plot të tjerë, tue shqye sytë
në ta, po sharronin për të ngranë. Në katundin Blinas udha binte përbri një
kulle trekatshe në kep të zi, me plot bashtina, sa në fushore, sa në kodrat
përreth, bash aty ku lugina sosej e hynte në një grykë të ngushtë si tunel.
Kola dhe polici tjetër nuk kishin kalue asnjiherë asaj rruge, por në çdo katund
që kalonin i shoqëronte njani nga pushkatarët vendali, që e caktonte kryeplaku.
Ky ishte nji si rregull i pashkruem për gjithë kalimtarët e panjoftun, të
huajtë që vinin prej Europe e ndajvoni dhe për njerëzit e qeverisë.
Në
anë të udhës, hasën një grua të moshueme që po kulloste dy a tri lopë në një
livadh poshtë kullës hijerandë.
“Për
të madhin Zot, or meca, mendova se ishit krushq, po kur u afruet ma këndej,
thashë ku e kishit nusen?!” - i shpotiti ajo.
“Jemi
gjind të shtetit, oj loke!” - foli Kol Hajmeli për t’i dhanë me kuptue asaj
plake se nuk duhej folun ashtu. A nuk e shihte ajo se ata ishin policë e po
shoqnonin tre të burgosun?
Në
ato fjalë, në skaj të oborrit të kullës, doli një djalë rreth të njëzetave dhe
u foli kalimtarëve:
“Tata
Gjegjë më tha të ktheni kah kulla!”
“Shkojmë!”
- tha burri i katundit që i shoqnonte.
“Si?
Nuk e sheh si jemi?...” - foli Kolë polici i habitun.
“Nuk
ban me kalue pa u ndal, tash që na ka thirrë! Për ju është fjala, se unë i
shtëpisë jam, në kuptimin që jam nga ky fshat!”
“Po
shkoj unë dy dekika sa më ndërrue një duhan! Ju më prisni këtu!”
Por
Tata Gjegjë tashmë ishte shfaqur si një bust aty ku ma parë kishte qenë ai
djali, me siguri ndonji nip i tij.
“Or
komandant, priju shokëve tërmal!”
“Nuk
janë të gjithë shokë!”
“Hem!
Nji gotë ujë do të pini, or burra! A nji broke dhallë?”
Priu
Kola e mbas tij të lidhunit. Në fund vinte polici tjetër dhe pushkatari i
katundit. I zoti i shtëpisë nuk ia dha dorën askujt, por u tregoi një stol të
drunjtë në hije të manit, ku qe vendosun një tavolinë e madhe si sofër, sa me zanë
12 vetë.
“Nuk
po ma jep dorën?” – foli Kola.
“Po,
or ti, si jo!... Por nuk po di se si me u falë me ju! Nuk më kanë ardhë miq
kështu ndonjiherë në konak... Por zini vend njiherë, të merremi vesh!” Nuk
ishte zakon me i pyet miqtë, ani se të panjoftun, se kush ishin e nga vinin e
shkonin. Nuk patën zënë vend plotësisht, kur ia behu në oborr një burrë
shtatgjatë, me mustaqe, që e shoqnonte ai djali që u kishte thirrun atyne nga
oborri të vinin kah kulla. “Po ky?” foli me vete pushkatari për shoqin që sapo
ia behu. Ai ishte i shtetit, i biri punonte shef në Nënprefekturë. Mbasi
përshendeti me dorë u ul nga kreu i tavolinës.
Sapo
plaku zot shtëpie ktheu kryet kah kulla, aty për aty, tavolina u mbush plot e
përplot, në fillim shishja e rakisë me gotat, dy-tre pjata të vogla me meze,
pastaj bukë e ushqime, mish i zier, groshë të kuqe, laknor. Gjithë të mirat.Të
sapo ardhunit nuk po kuptonin asgja se çfarë ishte ajo gosti e papritur.
“Burra!
– nisi të fliste i zoti i shtëpisë, - mirë se ju ka pru Zoti! – Do të hamë bukë
si me qenë festë, ani se festë nuk asht, - por ma përpara këta tre burra do t’i
zgjidhim, nuk kanë si hanë bukë duerlidhun! Janë në besën time...”
“Kjo
nuk mund të ndodhë!” - u hodh polic Kola. – Këta janë të arrestuar! Do të
shkojnë kështu lidhur në Nënprefekturë.
“Mos
u gjut, or komandant, pashë bukën! Nuk thashë mos me i çue lidh atje ku janë
nisun, por me ua heq hekurat nga duert sa të hanë bukë si njerëzit! Si thue, na
të hamë, e këta të na shohin ne?!”
“Nuk
hamë as ne! Ikim që tani! Jam me rrobën e shtetit e s’kam si me i thye ligjet e
tij!”
“Shteti
nuk thotë mos me hangër bukë gjindja! A nuk më thue ku do ta hanit sillën, nëse
nuk do t’iu kisha ndalue unë?”
“Te
Dugaja e Rikit do të blej ndonji copë bukë sa për gjunjë! Atje më kanë thanë
ata të postës, kur u nisëm…”
“Po
atje, me duart lidhun do të hanin këta???...”
Gjegjë
Delia, i zoti i shtëpisë, pa nga pesë djemtë e tij burra që rrinin në kambë, iu
drejtue tre ma të mëdhenjve, ti Mark, ti Gjin e ti Gjon, ejani e lidhuni në
vend të këtyne tre burrave të panjoftun, sa të hanë bukë! Tash ata janë miqtë e
kësaj shtëpie. Ata janë në besën tonë e na në besën e tyne!... Si thue ti, or
Loc? – iu drejtue shoqit që kishte djalin shef në Nënprefekturë, me familjen e
të cilit kishin kumari. Ky luejti paksa kryet, si për të thanë se ashtu si thue
ti Gjegjë asht. Ta kishte ditë se do të gjindej në atë situatë, ndoshta nuk do
të kishte ardhë, por tash nuk kishte nga ta luante shpinën. Gjegja jo më kot
kishte çue e e kishte thirrë...
Tre
të lidhunit nuk po dinin se ku ta vinin këtë kullë, këtë burrë plak dhe djemtë
e tij, që atë çast ishin afrue të polic Kola me duert e shtrime përpara, gati
me ua mbërthue prangat. Burri me uniformë mbeti pa fjalë para këtij gjesti të
pazakontë kalorsiak, u ngrit dhe i zgjidhi nji nga nji të lidhunit tue ba
burrni, kurse Gjegjë Delia, që nuk ishte ulun asnji dekik deri atëbotë, zu të
falej ngrykaz me të gjithë të pranishmit në sofër, tue fillue nga polic Kola
dhe pastaj shkoi e ul në mes të tre të sapozgjidhunve.
“Qoftë
levdue Jezu Krishti! Shumë jetë bashkë!...” - nisi fjalët e rakisë i zoti i
shtëpisë, që i thanë radhazi, siç ishte zakoni, nga i pari tek i fundit. Në
tryezën-sofër u ulën dhe tre djemtë e Gjegjës, që sapo u kishte thirrë emrat,
kurse dy të tjerët rrinin qiri në kambë në pritje të ndonji porosie nga i ati.
Loci
kishte pa boll dynja me sy, por me lidhë i zoti i shtëpisë tre “shenjtën”
(Markun, Gjinin e Gjonin) për tre miq të largët e të panjoftun, këtë as e
kishte pa e e as e kishte ndigjue, ama i vetëdijshëm se gjithmonë kishte nji
herë të parë për çdo gja. “Shtëpia e Zotit dhe e mikut” nuk ishte nji fjalë
goje në malet e Shqypnisë…
Kur
mbaroi dreka, policë Kola u vu t’i lidhte përsëri të arrestuemit, por i doli
përpara Tatë Gjegja, siç e thërrisnin bijtë dhe nipat:
“Nuk
ban me i lidhë pa kalue katundin, do të vijmë dhe na, siç jemi, me ju deri në
Qafë-Benë!”
Polic
Kola tha me vete, kiameti lë të bahet! E pat kjo punë. Edhe në ia mbathshin,
burg do të ha, s’ka me më vra njeri, edhe pse s’e pëlqente hiç atë frazën
ndjellakeqe “burgu për burrat asht”!”
Kur
po kalonin prapë aty ku po kullosnin lopët, ua priti ajo gjyshja e moshueme:
“Tash
ma batë qejfin, sak si me qenë krushq!”
*
Mbas
tri ditësh, tre burra të rinj e të pashëm, me të shkue mendja me i vu krahët e
me e kthye ujit e lumit për tërmal, ndaluen te kulla e Gjegjë Delisë, sa për
nji faleminderës me dorën në zemër, por nuk u besuen syve kur panë se në oborr
ishin shtrue jo nji, por tri sofra, me siguri me shtegtarë të tjerë, si ata
para tri ditësh. Gjegja nuk i njohu, jo se nuk kishin ma hekurat në duer, por
të bijtë sa i panë vunë buzën në gaz. I kishin lirue “për mungesë provash”, siç
u kishin thënë ata të Degës së Mbrendshme.
“Ndonji
bukë e dhanme” kishin thanë ata me vete, se ndryshe nuk kishte si t’i lironin,
pasi me të vërtetë atë natë Reaksionarët kishin bujtë në kullën e tyne, ku
ishte pre dashi e tash duhej ta kishin kalue kufinin...
Kësaj
here i futën mbrenda në kullë. Kafet ua poqi një vajzë e hijshme, me rroba të
bardha e shaminë e zezë lidhun poshtë mjekrës. A thue do të vinin krushq ndonjë
ditë në këtë kullë?...