E shtune, 21.12.2024, 02:22 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Psherëtimë bjeshke

E marte, 24.09.2024, 05:51 PM


TAHIR BEZHANI

-poezi-

PSHERËTIMË BJESHKE

HAPEKRAH    SHKREL

Shpirti ka shtrirë krahët majave të Shkrelit

Sa larg dëgjohet   kënga e poetit

Dhimbshëm ndjehet malli nëpër fjalë

Psherëtimave shkon si zë në vaji

Si në pasqyrë shoh poetin buzagaz e krenar

Azemi shëtit zemrës sime pandarë

E ngrihet si lapidar  vetullave të zbardhura

Si përmallim dridhet flladi pishave n ‘muzg

Pa zhurmë këmbësh shëtis  shpate, lugje

Maja të gjelbëruara qëndisur me shall të bardhë

Hapekrah qëndroj mes Shkrelit e Bogës

Shikimi  tretet bukurisë së Rugovës

Në maje të Çakorrit ndal vrapin zemra

Përplaset në lotët e poetëve të vdekur

Si në shkëmbinj shekullorë të përgjakur

Gjaku shpejton  ecjen damarëve pa cak

Deri në dhimbjen e ashtit

Rugovë moj

Bukuri e dhimbje të shkrira së  bashku....

E NDIEJ ZËRIN TËND EDHE N’ ËNDËRR

Ëndërr e ndiej zërin tënd të harlisur

Atë dridhje toni të derdhur telave të zemrës sime

Si violinë e çakorduar, këputur   kohësh

E ndiej prekjen e duarve tua të imta

Ata gishta të hollë e lëkurëbutë

Sa bukur miklojnë flokët e bardha e rrudhat në ballë...

Sa tmerrshëm i  gëzohem zërit tënd  të ëmbël

Dhimbshëm dridhesh rrëkesë së lotëve,

Që kurrë nuk u thanë

Malli e shtrydh gurin thonë

E sërish lot rrjedhin deri në çarje

Më bëhet se ndiej edhe përplasjen e buzëve tua

E lutjen e zjarrtë  me dëshirë të më  bart lart...

Një shikim i sertshëm sikur  të shkriu

Si avull u trete rrugës për në Olimp

Pastaj e  mëshirova veten

Jetoi e iki si e  paparë

Në flakën e dashurisë së përmotshme

Shkëndija do bëhemi një ditë

Si një lapidar....

PËSHPËRIMA E NJË NATE ME SHI

Një natë e errët me shi e stuhi

Gjumin më trazoi etja e  zjarrtë

Ndoshta ishte kall nënkresa ime

Apo një mall më kishte  shkrumbuar natën

I tëri në shkumë isha  shndërruar...

Me kovën e vjetër

Nxora ujë nga pusi i shembur kohe

Ngjante në hirin e vjetër, të lloçtë

Pusi ofshani dhimbshëm

Për etjen time të çmendur

Nuk është  uji që të shuan etjen

Foli Ora e ujit nga thellësia

Janë lotët e ikur viteve

Nga gropë e syve në pritjen tënde

Një ushtimë n ‘ikje  maleve dëgjova

Statujë zhgënjyese mbeta

Nuk e dija se ishte loti i saj

Jetë thneglash....

FLAKË KUJTIMESH...

Sa herë përfytyrimet të sjellin para bebëzave

Edhe poret e trupit tkurren nga malli

Eshkë për zjarr bëhet lëkura

Tym para flake ndej brenda....

Ti varros e ç varros çdo ditë dëshirat e kallura

N ‘flakën e të kaluarës së bërë shkrumb

Torturë ndien shpirti e zemra

E ti nuk bëhesh askund e gjallë....

E tinëz përgjon hapat e mi

Në pluhurin e harresës pikturë magjike

Ti e unë

Ishim  një flakë që kalli jetën pa e parë

Një fllad nate në vorbullën e kujtimeve

I paharruar kurrë....

Bogë-Rugovë,

23.07.2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora