E shtune, 28.09.2024, 03:16 AM (GMT+1)

Mendime

Blerim Rrecaj: 'Analistëve' lëshoju rrugën dhe studiot televizive

E shtune, 21.09.2024, 06:55 PM


"Analistëve" lëshoju rrugën dhe studiot televizive

Nga Blerim Rrecaj

Shumë gjëra, shumë probleme e procese u zgjatën e u stërzgjatën. Ç'të bësh e ç'të bëjmë?! Njëra prej tyre është edhe puna e analistëve. Kush i analizon ata? Ata janë kudo e kurdoherë të qasshëm e të gatshëm për t'u përgjigjur për secilindo problem që na rrethon e mundon. Ata kanë kohën e hapësirën e dynjasë për të folur, për t'u nxehur, për të bërtitur, për t'u pajtuar a mospajtuar, për të thënë " ta them unë a" e "më mbaj për fjale"; për të treguar formula magjike e rrugëzgjidhje fantastike, duke filluar nga ato më të thjeshtat e për të vazhduar deri te më të komplikuarat. Mbasi aq fort janë të pranishëm saqë tashmë mediet edhe mund t'i quajmë streha, kafene, hotele e besa edhe shtëpi të ëmbla ku pleqërohen analistët. (Nejse e ka thanë Baca Din se çdo rregull ka përjashtim, për mos me na akuzuar për përgjithësim!) Ata shfaqen ditë për ditë e natë për natë, duke lënë pas gjurmët e veta. Njëherë një debat për kulturën, njëri pat kritikuar analistët e shumtë dhe gatishmërinë e tyre për të folur që prej çështjeve shëndetësisë, sportit, arsimit, politikës, rrugëve, kanalizimit e deri te problemet botërore e ato bërthamore. Nuk shkoi shumë kohë, e ai që kështu foli e qeshi, mjaft shpejt rrobat e analistit i veshi, saqë përnatshëm zë vend në një fotele të butë në njërën studio televizive, duke folur si për çështje më të lehta, si për ato më të nxehta. Si për ato freskuese si për ato përvëluese.

Siç po shihet e siç po duket pa gjithë këta "analistë" do frymonim më lirisht.

Imponimi i tyre mediatik sa është bërë bajat aq është dhe qesharak, sa që na kanë lënë ndonjë rremb pas. Për shembull nganjëherë këta mendimtarë të pashoq aq ndezen e mërdhezen saqë nuk e di se je duke parë ndonjë film me aktorë që nuk e kanë shoqin. "Ndalu bre zanin se na tranuan, çka kanë këta, a janë normal, ende je duke i parë a, tërhiqet me të drejtë vërejtja në familje".  Si i zënë ngushtë thua tash veç për pak minuta se më paska "marrë malli" për t'ua parë fytyrat, gjestet, mimikat, nervozizmin, mospajtimet e pajtimet, kameleonizmin e pashoq, duke ndërruar kanalet e shumta. Hej, një mend të thotë rradakja, fort po u shkojka emisioneve debatuese një mbiemër i tillë. Nga i pari deri te... te i sati more se shumë janë ba. Nganjëherë po më vjen marre që po flas, e u zgjata kështu, se po kam drojë se po bëhem farë kryeanalisti. Të them të vërtetën bashkë me të drejtën udhën po ma zënë një numër kaq i madh analistësh. Po, ndoshta më së miri është t'ua lëshoj rrugën. Po edhe me ua lëshu rrugën prapë problem i madh, ata turr e nëpër studio televizive. Pastaj në ato kopshte të rezervuara për ta duke mbjellë e bart mjegull.

I pashë a s'i pashë s'është me rëndësi, më thanë a s'më thanë poashtu s'çon peshë, se ata që e kanë mizën ndër kapuç, s'do të ndihen mirë, po ti more djalë çka ke paske ba kështu, (fjalë që vështirë po kam me thanë) t'i a budallë po na thua a?! Po e thoni ju, s'e thashë unë...

Dihet se veset e barërat e këqija s'i duron njerëzia e shqiptaria...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora