Kulturë
Prend Buzhala: Krijuesit dhe epoka digjitale
E shtune, 14.09.2024, 05:58 PM
KRIJUESIT DHE EPOKA DIGJITALE
(Kundrime)
Nga
Prend BUZHALA
Balancimi
mes popullaritetit dhe vlerës artistike është një sfidë e vazhdueshme për
artistët në këtë epokë digjitale. Disa
punkte reflektimi, në këtë drejtim, janë: artisti në epokën e rrjeteve sociale,
idhujt dhe adhurimi nga audienca virtuale, roli i atraktivitetit në suksesin e
artistëve, përpjekja për autenticitet...
Theksi
vihet te tema e artit dhe mashtrimit. Arti ka aspekte që mund të jenë
mashtruese ose që krijojnë iluzione për përmbajtjen dhe vlerën reale të
veprave. Rrjetet sociale nuk e japin gjithmonë një pasqyrë të plotë të cilësisë
artistike dhe ndikojnë në perceptimin e vlerës së artit.
1.
Në
rrjetet sociale, algoritmet dhe reklamimi luajnë një rol të rëndësishëm në
promovimin e përmbajtjes. Këto sisteme favorizojnë përmbajtjen që është më e
përhapur ose më e angazhuar nga përdoruesit. Ky fakt ndikon në mënyrën si
artistët i shpërndajnë veprat e tyre dhe si përzgjedhin të krijojnë përmbajtje
që është në përputhje me trendët a prirjet
dhe kërkesat e audiencës. Përpjekja për të përmbushur pritjet e
audiencës dhe të arrihet një numër i madh i pëlqimeve dhe ndjekësve, ndikon në
procesin krijues të artistëve. Artistët ndjejnë presion për të krijuar vepra që
JANË MË TË LEHTA për t’u konsumuar dhe që kanë më shumë mundësi për të tërhequr
vëmendjen, duke sakrifikuar thellësinë dhe autenticitetin e artit.
2.
Në
epokën e rrjeteve sociale, krijimi i profilit autorial krijues (marka
personale) është bërë një aspekt i rëndësishëm për shumë artistë. Kjo e vërtetë
përfshin ndihmën në zhvillimin e një identiteti të dallueshëm dhe tërheqës që
ndikon në mënyrën se si perceptohet arti i tyre. Profilizimi markues i tillë çon në rritjen e njohjes dhe në
ndihmën për të ndërtuar një audiencë besnike. Rrjetet sociale ofrojnë mundësi
për bashkëpunime dhe lidhje të reja midis artistëve dhe krijuesve të ndryshëm.
Këto platforma krijojnë mundësi të reja për projekte dhe eksperimente të
përbashkëta që i pasurojnë veprat artistike.
Rrjetet
sociale lejojnë një nivel të ri angazhimi dhe ndërveprimi midis artistëve dhe
audiencës së tyre.
Përmes
rrjeteve sociale, artistët ndajnë informacione dhe njohuri lidhur me procedimet
krijuese, procesin krijues dhe sfidat e tyre. Ky aspekt ndihmon në edukimin dhe
inspirimin e të tjerëve, duke krijuar një bashkësi më të fuqishme dhe më të lidhur për krijuesit
dhe adhuruesit e artit.
Megjithëse
ndikimi i rrjeteve sociale është i fuqishëm, shumë artistë të suksesshëm kanë
arritur ta ruajnë autenticitetin e tyre duke u përpjekur të krijojnë veprat e
tyre në përputhje me vizionin e tyre të brendshëm dhe të vërtetë, pavarësisht
nga presionet dhe trendet (prirjet, tendencat) e jashtme. Ky balancim mes
autenticitetit dhe kërkesave të jashtme është një element kyç i suksesit në
epokën moderne.