Editorial
Fran Gjoka: Drejtimi bashkëkohor i shkollës, kërkesë parësore për realizimin e misionit të saj
E hene, 09.09.2024, 05:58 PM
Drejtimi bashkëkohor i shkollës, kërkesë parësore për realizimin e misionit të saj
(Problemet e drejtimit cilësorë mbetën shqetësim
i shkollës dhe i komunitetit)
Mësues
mund të të bëhën plot në jetë, po mësuesi më i mirë është vetë jeta jote. (Nasho Jorgaqi)
Nga
Fran Gjoka
Drejtimi shkollës
është parësor, jo vetëm për rëndësinë dhe peshën që ka një drejtues, por sepse
nga mënyra e drejtimit dhe menaxhimit të punëve drejtuese të shkollës,
kushtëzohen dhe çlirimi i energjive pozitive, i kapaciteteve të mendjes dhe të
eksperiencave, të mësuesve tanë të përkushtuar ndaj arsimit.
Drejtimi
bashkëkohor i shkollës, kërkon edhe drejtues bashkëkohorë
Rrjedhat
zhvillimeve, njohja e Evropës dhe e praktikave që ato përdorin në drejtimin e
shkollës, janë sigurisht një mësim i madh për ne, por të zbatuar, ato në
kushtet konkrete të shkollave tona, natyrisht që kërkojnë vëmendjen e duhur,
kujdes dhe angazhim të veçantë. Një drejtor i sotëm, në radhë të parë kërkohet
të jetë i përgatitur mirë nga ana profesionale e shkencore, kërkohet të jetë
një menaxhues i kualifikuar i drejtimit dhe organizimit të punëve, por edhe një
njeri që di të njohë thellë shpirtin njerëzor të fëmijëve, nxënësve të shkollës
që ai drejton por edhe të kolegëve të tij, mësuesve, të cilët, janë pikërisht
ata, që do zbatojnë idetë më të përparuara, do të bëjnë të përvetësueshme
tekstet përmbajtjet e tyre dhe programin mësimor - edukativ të shkollave tona.
Gjithnjë ka enë nevoja për të pasur një drejtor efektiv, një shkollë që të
përmbush kërkesat e interesat e nxënësve e të komunitetit prindëror. Roli i
drejtuesit nuk duhen parë e trajtuar thjesht si vend ku përcaktohen detyra dhe
nxirren përgjegjësi, por edhe si llojshmëri formash ku merret e jepet eksperiencë e
përparuar, ku ballafaqohen ide e mendime
të kohës. Ka ardhur koha të kërkojmë ata drejtorë shkollash që janë korrekt me
veten dhe me të tjerët, që nuk njohin smirën dhe hakmarrjen, që i shoqërojnë
fjalët e ngrohta dhe të mençura, që nuk priren nga vese dhe mentalitete
keqdashëse.
Jo kushdo
mund të emërohet drejtor shkolle
Ç ‘është e vërteta
detyra e drejtuesit të shkollës është një barrë jo e lehtë, por ka edhe nga ata
që e kanë quajtur "vend punësimi" dhe për këtë arsye dhe rezultatet e
shkollës, puna mësimore dhe ajo edukative herë - herë janë luhatur sa për të
qenë shkollë. Dihet se në shkollat tona problemet e shqetësimet janë evidente,
por rezulton se sa më i interesuar të jetë drejtuesi dhe mësuesi, aq më pak
probleme ka shkolla e tij dhe si rrjedhojë përparimet e saj janë të ndjeshme.
Në krye të
shkollës, të jetë një drejtues, që në radhë të parë të jetë mësuesi më i mirë,
por, ai, të ketë edhe disa cilësi vetjake, origjinale, drejtuese dhe
menazhuese, të cilat nuk lindin vetvetiu, por kërkojnë studim, dije, vëmendje
dhe kulturim të vazhdueshëm. Mbase, do të ishte i udhës aplikimi i idesë së
përgatitjes së drejtuesve në shkolla apo kurse të veçanta, që ata të marrin
njohuri nga bota dhe të jenë në gjendje t'i aplikojnë ato në praktikë.
Ndërkohë, kjo bën që të zbulohen më të mirët, si mësues e drejtues, ata që janë
në gjendje t’u përgjigjen suksesshëm sfidave të kohës dhe të zhvillimit.
Deri tani organet
tona të arsimit kanë synuar të zgjedhin deri diku si drejtor mësuesin më të
mirë të shkollës, por shpesh kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, pasi drejtuesi i
një kolektivi mësimor që e sheh veten të barabartë me kolegët, duhet të
manifestojë disa cilësi të tjera njerëzore që ta dallojë nga kolektivi.
Një drejtor ose
një individ që ëndërron të bëhet i tillë duhet të japë disa garanci në
përpjekjet e tij për çuarjen përpara të
reformës e shprehur kjo në plotësimin e disa kushteve, ndër të cilët po
përmendim:
Të jetë i
pranueshëm nga kolektivi i mësuesve dhe i nxënësve e punonjësve të tjerë, nga
komuniteti ku vepron shkolla dhe mjedisi social - pedagogjik në tërësi. Të jetë
i arsimuar dhe i kualifikuar në nivelin e mësuesve më të dalluar të shkollës.
Një drejtues i
pranueshëm duhet të ketë aftësi që të krijojë klimë pune normale në shkollë, të
dijë t’i vërë në punë mësuesit “me të mirë”, “me të butë", jo me urdhra,
të bërtitura dhe doemos me masa ndëshkimore, ndonëse edhe këto të fundit duhen
për ata që abuzojnë hera – herës. Ai duhet të bëjë ç' është e mundur që të
njohë mirë përvojat e drejtimit bashkëkohor,
por dhe të njohë nga afër përvojën e secilit mësues të shkollës,
shkallën e ndërgjegjes, sistemin e punës tipin dhe psikologjinë, problemet shëndetësore dhe ato familjare që
mund të ketë dhe të bëjë maksimumin për t’i zbutur ato. Me grupin e mësuesve
duhet patjetër të bëjë diferencime, duke i grupuar sipas aftësisë dhe
efektivitetit të tyre. Rruga më e mirë për t’ a bërë këtë është kontrolli
sistematik mbi bazën e rregullores së shkollës, por jo kontroll i njëanshëm
dhe i paragjykuar, ndërkohë që duhet të
jetë i vëmendshëm ndaj lënies së detyrave dhe zbatimit të tyre.
Në mësues me pak
përvojë pune në arsim dhe ata të rinj duhen "marre për dore", në kuptimin më të mirë të fjalës. Ky grup duhet
të jetë objekt i veçantë i punës ndihmëse e kontrolluese, trajnuese e
kualifikuese të drejtorisë së shkollës. Për këtë kategori mësuesish të bëhet ç
‘është e mundur që ata të bëhen specialistë në kuptimin e vërtetë të fjalës për
tre - katër vite pune. Nëse brenda kësaj
kohe nuk bëhen të tillë, si rregull, nuk arrijnë t'ia dalin mbanë asnjëherë.
Kërkesa kryesore ndaj tyre është të punuarit dhe të komunikuarit me shumë takt
e durim dhe sa më shumë e kualifikuar. Mësues të tillë duhen motivuar për
çdo përpjekje pozitive dhe arritje sado
e vogël të jete ajo. Interesi i së ardhmes së arsimit është që ata të futen në
rrjedhën e punës e të garantojnë
suksesin.
Një drejtues
i mirë e vlerëson mësuesin e kualifikuar si figurë qendrore të shkollës
Pavarësisht se sot
puna e mësuesit është disi më pak stresuese, përsëri ai vazhdon të përjetojë
ankth, frikë e tension. Të shkaktuar shpesh herë nga metoda autoritariste dhe burokratike e drejtuesit, i cili
defektet e tij si mësues, dhe aq më tepër si drejtues, përpiqet t'i mbulojë me
pushtetin e karriges që padrejtësisht ia kanë dhënë të tjerët. Drejtori dhe
zëvendësit e tij nëse e kanë formimin e
duhur shkencor, psikosocial dhe metodik dhe kanë një përvojë pune të caktuar,
krijojnë mjedise pune e bashkëpunim të frytshëm mes palëve. Ata i angazhojnë me
efektivitet mësuesit në punë, dinë se çfarë të japin dhe çfarë të kontrollojnë,
njohin nga afër psikologjinë dhe
shqetësimet individuale dhe familjare që ata mund të kenë etj.
Drejtuesi i mirë
dhe i aftë duhet të ngrihet mbi palët e konfliktuara dhe vogëlsirat, ta
vlerësojë situatën që mund të krijohet në shkollë ose në komunitet por të mos e
dramatizojë. Të jetë asnjanës në vendimet që merr dhe në punë e sipër të
krijojë mendimin tek punonjësit se në punë të gjithë janë të barabartë. Në
kontroll shkohet i përgatitur dhe me mendimin jo vetëm për t'i vënë në punë
efektive mësuesit, por edhe për të mësuar prej tyre. Një mësues model, është
një pasuri e madhe për shkollën, sepse metodat dhe llojshmëritë e formave
edukative e mësimdhënëse të tij, shërbejnë edhe si përvoja për të tjerët,
sigurisht jo duke i kopjuar ato, por duke i zbatuar secili mësues në mënyrë
krijuese dhe në përshtatje me klasën dhe nivelin e nxënësve ku ai zhvillon
lëndën e tij. Një drejtues me vizion të gjerë nuk duhet të jetë kurrë komandues
dhe diktues, por rekomandues dhe sugjerues, nxitës i vërtetë i debatit shkencor
e didaktik, psikosocial dhe pedagogjik. Në emërimet e drejtuesve të shkollave,
duhet hequr dorë nga preferencat partiake e nepotike apo nga vendosja e
njerëzve servil. Ndërkohë që drejtuesit e arsimit në rrethe, duket të shmangin
hakmarrjet profesionale, hakmarrjet ndaj atyre drejtuesve që ngrenë probleme
dhe bëjnë kritika që i shërbejnë nivelit dhe standardeve të larta të shkollave
si dhe kushteve për pajisjen e shkollave
tona me nivelin e standardeve evropiane. Ne, punonjësit e arsimit, i njohim
vështirësitë specifike të drejtimit, por edhe nuk duhet t’i dramatizojmë ato.
Vështirësitë teknike të pajisjes dhe kompletimit më bazën e nevojshme material
- teknike, vijnë duke u plotësuar e perfeksionuar nga dita në ditë; raporti i
numrit të mësuesve dhe nxënësve po shkon drejt standardeve, që ka edhe Evropa;
ndërkohë, që, mjetet e informacionit masiv shkencor, internet dhe përdorimi i
kompjuterit, tabelat elektronike dhe ajo bazë e fuqishme materiale
bashkëkohore, po sigurohet me prioritet nga dita në ditë dhe po bëhet pjesë
përbërëse e zhvillimit të orëve mësimore, në shkollat tona. Çështja, më shumë
mbetet të krijimi i mentaliteve të reja, i atyre mentaliteteve të përparuara,
nga e cila udhëhiqet i gjithë procesi i zhvillimit në shkollë, gjë që do të
thotë: Mësues të përgatitur, mjaft mirë nga ana pedagogjike dhe shkencore;
drejtues të zotë si profesionistë dhe si menaxher; prindër që ta ndjejnë
shkollën si të tyre.
Drejtuesi i
shkollës të bashkëpunojë me komunitetin e prindërve dhe me institucionet
përgjegjëse
Doemos drejtuesi i
shkollës duhet të afrojë dhe të bashkëpunojë me komunitetin e prindërve dhe me
institucionet përgjegjëse të shkollës, sepse kështu ai i qëndron pranë
fëmijëve, nxënësve tanë, qofshin ata në ciklin e ulët, ashtu dhe adoleshentëve
në shkollat e mesme. Por edhe vet mësuesi duhet
të rriti bashkëpunimin me
prindërit e nxënësve të klasës ku jep mësim, edhe për të rritur interesin ndaj
mësimit nga ana e nxënësve, por edhe për të ndihmuar në formimin edukativ të
tyre, duke shmangur shfaqjet e një
edukate “të keqe”, sjelljeve jo të mira e deri dhe akteve të braktisjes së
shkollës nga nxënësit. Ky bashkëpunim e shton më shumë interesimin e nxënësve
për shkollën, por edhe lufton me efektivitet konceptin “ç’më duhet shkolla!” që
e hasim sot rëndomë në nxënës të ndryshëm, madje ky mentalitet shfaqet edhe nga
prindër të veçantë. Pra, secili prej nesh, ta konsiderojë si ndër detyrat tona
parësore krijimin dhe ngulitjen e një botëkuptimi bashkëkohor, për shkollimin
dhe arsimimin, që t’i përgjigjemi si sfidave që kërkon vetë zhvillimi arsimor i
vendit dhe i shoqërisë sonë, ashtu dhe kërkesave dhe detyrave, që ndjejmë
brenda vetes për t'u bërë plotësisht dhe pa asnjë mangësi, pjesë e zhvillimeve
dhe kërkesave të reja bashkëkohore, që t’i përgjigjemi në çdo hap ndryshimeve
reformuese e strukturuese, por edhe të hyjmë me dinjitet të lartë në Evropë,
ashtu si edhe e meritojmë.
Forma dhe
metoda të llojllojshme dhe frytdhënëse
Për t`ju
përgjigjur kërkesave të sotme bashkëkohore doemos duhet të bëjmë që punët të na
ecin sa më mbarë, duke praktikuar dhe aplikuar format dhe metodat më të mira
dhe më të avancuara shkencore, në mënyrë që nxënësi të ndihet sa më i pranishëm
dhe sa më aktiv gjatë orës së mësimit. Ndërkaq, ne dimë që sot nxënësi shikon mësuesin në sy dhe e
dëgjon dhe e respekton fjalën e tij, por në klasa më të larta, shpesh herë
ndodh që, nxënësi e vë përpara provave dhe vështirësive mësuesin, prandaj, ai,
në radhë të parë duhet ta ngrejë vetveten në lartësinë e detyrës së tij,
profesionalisht dhe shkencërisht. Literatura arsimore bashkëkohore sot është
mjaft e gjerë edhe për mësuesin. Sot dijet dhe eksperiencat e shkollave më të
mira botërore i ke “sheshit”, mjafton që mësuesit, duke ditur natyrisht gjuhë
të huaja, të studiojnë disa orë në biblioteka dhe të përfitojnë prej tyre. Kjo,
po aq, në mos më shumë, është një kërkesë edhe për drejtuesit e shkollave dhe
të arsimit. Kualifikimet e vazhdueshme, që organizojnë organet qendrore të
arsimit me drejtues e mësues, natyrisht që janë më se të nevojshme, por
standardi i tyre duhet të vijë vazhdimisht duke u rritur, madje për çdo
drejtues e mësues të ndihet si një detyrë parësore domosdoshmëria e aftësimit e
kualifikimit të mëtejshëm, si në drejtim të mësimdhënies dhe formave dhe
metodave bashkëkohore, ashtu dhe të përdorimit të metodave dhe stileve të
drejtimit dhe menaxhimit të shkollës nga drejtuesit e saj. Kështu, në mendojmë
për fëmijët, që janë jo vetëm e ardhmja, por në radhë të parë, ata janë e
sotmja. E sotmja, kur ne duhet të punojmë çdo orë, çdo ditë e javë me ta, duke
zbatuar ato forma dhe metoda frytdhënëse, që japin rezultatet më të mira.
Kur ndihmon shkollën, ndihmon jetën dhe
zhvillimet e saj
Duke ndihmuar
shkollën, ndihmojmë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Vitet ikin si pa u
ndjerë, brezat ua lënë radhën njëri-tjetrit, por të gjithë njerëzit, që nga ai
qytetari i thjeshtë e gjer tek shkencëtari, krijuesi, artisti, politikani,
burrat e shtetit, ministra, kryeministra dhe presidentë, të gjithë, kanë qenë
dikur në bankat e shkollës, “kanë pasur mësuesit dhe drejtuesit, që me siguri i
kujtojnë "dhe i përmendin shpesh në biseda. Por, edhe kur nuk i përmendin,
ata nuk mund të shkëputen nga dituritë dhe mësimet që kanë fituar nga shkolla e
tyre. Ato janë shkrirë brenda qenies se gjithsecilit dhe janë bërë pjesë e
identitetit, të stilit dhe personalitetit. Fjala që dëgjon shpesh se mësuesi
konsiderohet si "prind i dytë", ka pikërisht këtë domethënie të
madhe. Nëse mëma e lind, e ushqen fëmijën me qumësht dhe ushqim të përditshëm
që ai të rritet i shëndetshëm, mësuesi e "ushqen" me dije e kulturë,
që ai të bëhet i ditur dhe i mençur, që të njohë botën ku jeton, t’i japë
kuptim jetës, të mos vegjetojë dhe të mos kalojë pa lënë gjurmë e pa u ndjerë.
Është e njohur sentenca se, megjithëse bota shkon përpara, fëmijët dhe të
rinjtë ia nisin nga fillimi. Dhe, për këtë jemi ne, që, më sa mundim, t’u
ndriçojmë atyre rrugët e dijeve dhe të jetës, t`i ndihmojmë, që të ecin me
hapin dhe ritmin e kohës. Kur e mbështet dhe e ndihmon shkollën, ndihmon jetën
dhe zhvillimet e saj.