| E diele, 25.08.2024, 05:57 PM |
SI JETA DHE VDEKJA DUHEN MERITUE...*
Nga
Agron Tufa
HAVZI NELA
O
LIRI, O VDEKJE
Nuk
them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë
n'afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja
për liri nuk më tremb aspak,
Si
e duron robninë zemra e nji trimi?
Pse
ore pse t'kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh,
çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T'ecësh
zvarrë si krimb, t'mos jesh kurrë serbes,
Ketë
s'ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.
Pse
t'më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç
me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa
nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë
skllav i bindun, tash, kur s'jam as djalë.
Deri
kur durim, deri kur me shpresë?
Jo,
jo, mos m'i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me
durim e shpresë nuk due të vdes.
Si
jeta dhe vdekja duhen meritue.
S'meriton
asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj
rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le
të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria
më thërret, vdekja nuk më tund.
Arrën, nëndor 1987
Havzi
Nela (20 nëntor 1934 - 11 gusht 1988) është bërë gjerësisht i njohur (ndonëse
jo aq sa duhet dhe sa e meriton), falë rrethanave të tij tragjike të burgimeve
të gjata politike, papërkulshmërisë dhe karakterit burrëror që tregoi gjatë
gjithë proceseve dhe kohës së vuajtjes së dënimit dhe internimit nga drejtësia
komuniste. Epilogu i jetës së tij të shumëvuajtuar zgjidhet tragjikisht me
egërsinë më të pashembullt, me aktin
makabër të varjes së tij në litar në mes të qytetit të Kukësit me 11 gusht
1988, kur Havzi Nela ende nuk i kishte prekur të 54 vitet e jetës së tij.
Drejtësia komuniste e kryente këtë akt të paskrupull barbarie në kushtet kur
sistemi komunist ishte shkrehur tejpërtej në kampin komunist të Europës
Qëndrore e Lindore, në kohën kur kryqendra e Perndorisë së të Keqes, Moska,
kishte filluar që në vitin 1985 rishikimin e sistemit me Perestrojkën e Mihaill
Gorbaçovit, në kohën kur kishte tre vjet që kishte vdekur diktatori i
Shqipërisë Enver Hoxha.
Havzi
Nela ka shkruar që heret poezi dhe tematika e tyre është e shumëllojshme në
gjinitë e lirikës. Në krijimet e para ndjehet ndikimi i lirikës popullore dhe
kanonit romantik të poetëve të rilindjes e pasrilindjes sonë; vjersha të
thjeshta, motive të afërta me këngëzimin: imazhet sunduese janë ato të mallit
me simbolikë dhe alegori të kapshme për rrethin e njerëzve të pastërholluar në
estetikat e poezisë moderne. Ka dhe poema të gjata mbi ngjarje historike apo
figura të luftëtarëve të Rilindjes kombëtare dhe kryengritjeve popullore. Në
librin me poezi të zgjedhura që ka hartuar studiuesi Petrit Palushi shumica e
kësaj krijimtarie mungon. Sa për ilustrim unë po sjell njërën nga kjo mori e
pabotuar e poezive të tij:
VJEN
NJË SHPEND MA I BUKRI SHPEND
Po
fryn flladi i pranverës,
Gjithë
natyrës i dha gjallni,
Trandafilit,
luleshqerrës
Zemrës
gaz e dashuni.
Po
shkrin bora, ndërrohet moti,
Nisën
bjeshkët me lulëzue.
N'ambëlsi
si e do Zoti
Kanë
nis shpendët me ligjërue.
Vjen
një shpend ma i bukri shpend,
Atij
shumë kush ia ka zilinë,
Gardelinë
asht përnjimend
Krejt
mu zemrën po ma shkrin.
Sa
kur doli nga kafazi,
Sa
kur nis krahët me shpî,
Fluturim
ndezë prej marazi
Nanës
vet i ra në gji!
Sa
fort nana u mallue
Kur
e njohu bijën e saj;
U
përmend, me afsh u lshue
Nan'
e bijë u shkrinë në vaj!
Qan
e ama për të bijnë,
Qan
e bija për të amën;
Ma
të errët ia sheh freskinë
Ma
të thellë ia ndëgjon fshamën.
Që
të dyja n'heshtje ranë,
E
prej krahësh shpejt u lshuen,
Me
ofshamë përsri u ndanë
Nanë
as bijë nuk u gëzuen!
Burrel, dhjetor 1980
Poezi
të tilla lirike me simbolikë folklorike baladash popullore për mallin, ndarjen,
vetminë dhe brengën e të qenit i skajuar, ishullor mes harlisjes së stinëve dhe
harmonisë së natyrës janë të shumta në krijimtarië e pabotuar të Havzi Nelës.
Ato kanë rëndësinë se na japin një peisazh të klimës shpirtërore të poetit nga
qelitë e burgjeve komuniste.
Shpesh
herë Havzi Nela është pranuar në perceptimin popullor si martir, që u ekzekutua
në mënyrën më monstruoze në kaprcyell të falimentit komunist në Shqipëri, si
sinonim i papërkulshmërisë dhe pafajësisë, çka shkakton dhimbje therëse,
keqardhje të madhe dhe mosjustifikim të egërsisë së drejtësisë komuniste. Por
harrohet, ose eklipsohet fakti, që Havzi Nela ka qenë një poet, një poet shumë
i mirë, nëse kemi parasysh, se prej krijimtarisë së çdo poeti, në fund fare
mbeten, gjithësej, 5 poezi, të cilat të japin "çertifikatën e
përjetësisë". Dhe Havzi Nela i ka këto pesë poezi, në mos më shumë...
Madje
ato 5 poezi janë një testament universal i fuqisë dhe rezistencës shpirtërore,
etike e morale të karakterit shqiptar, të tilla, që të sfidojnë çdo lloj
diktature. Nëse na lypet një model i këtillë në kohën e krizave dhe topitjes së
vlerave humane, atëherë Havzi Nela është një nga modelet siperane artistike dhe
estetike që vazhdon të na flasë nëpërmjet testamentit të poezive të tij.
Në
katër poezitë e tij të fundit, të shkruara mes qerthullit kapërthyes të maleve
të Arrnit ku e kishin internuar në vitin 1987 dhe ku nuk e lejonin të
komunikonte me asnjë njeri (nëse ngjitej këmbë njeriu në ato maja), pra në këto
katër poezi të paravdekjes ("Nuse më dhanë robninë", Arrën, tetor
1987; "Arrnit me arrna", Arrën, tetor 1987; "Malet e
Arrnit", Arrën, nëntor 1987; "O liri, o vdekje", Arrën, nëntor
1987) - kulmojnë të gjitha temat thelbësore të asaj se çfarë ishte e çfarë
dëshironte të mbetej në idealitet karakteri i njeriut, sipas Havzi Nelës. Në
këto poezi të fundit vokacioni i poetit ngjitet në një kreshendo të pikëlluar,
sepse në vargjet e tyre përvijohet bilanci tragjik i një jete të tërë njerëzëre
me përndjekje, ligësi, goditje, egërsi, morsë e hekurt për të mos e lënë të
realizojë as një testament të thjeshtë për të dashurit dhe pasardhësit.
Braktisja, vetmia, përzënia në qoshkun më skajshëm e të humbur ku bishat janë
shumë më humane se njerëzit, tërë ky izolim nuk ndeshet as në shembujt më
ekstremë të degdisjes që nga antikiteti e deri sot.
Megjithëse
nuk na ndajnë dhe aq shumë vite, për bashkëkohësin tonë është e pamundur të
ndërtohet një përfytyrim më absurd se ky, ku poeti kuvendon me veten dhe me
bishat mes natyrës së ashpër e të përjetshme. Që nga ky kënd mes qerthullit të
maleve të Arrnit, ky Ovid i shumëfishtë tragjik, me zërin e lodhur e të ngjirur
shkruan elegjitë e tij të pikëlluara postume, duke mos i hequr asnjë qime
krenarisë dhe dinjitetit të njeriut të pamposhtur. Poezitë kanë bilancin e
njeriut që nuk u mund dhe që mes natyrës ku e kanë izoluar shtrihet vetëm
perspektiva e pritshme e vdekjes, të cilën ai e thërret si ngushëllim, me
kushtin që të vijë e ta gjejë me dinjitet, si një kurorë e finales tragjike,
por krenare. Kuptimësimin e fundit filozofik të këtij bilanci të gjatë, poeti
Havzi Nela e shpreh me një varg filozofik e sentencial, që është një divizë e
njeriut të pamposhtur dhe që vlen për të gjitha kohërat: "...dhe vdekja
dhe jeta duhen meritue", apo deviza tjetër tek elegjia "Arrnit me
arrna": "Liria më thërret, vdekja nuk më tund!".
Sigurisht
në repertorin e teksteve të shpëtuara të poetit-martir Havzi Nela ka edhe poezi
të tjera të realizuara artistikisht, që të godasin dhe rrëqethin me shijen e
athët tragjike të fatit, madje janë poezi të nivelit antologjik për krestomcitë
shkollore, por katër poezitë e fundit flasin sa për katër romane-epope, ku
dinjiteti i njeriut përpara atdheut, lirisë e Zotit mbetet i pacënuar asnjë
grimë.
Rileximi
i poezive të Havzi Nelës, të cilat janë paraqitur në një përzgjedhje nga
bashkëpatrioti i tij, shkrimtari dhe studiuesi kuksian Petrit Palushi në
vëllimin Havzi Nela "Poezi të zgjedhura", na shpalos, përveç
emocioneve dhe përjetimeve shkundulluese, jo vetëm rezistencën e lartë
shpirtërore të poetit-njeri, por edhe fuqinë artistike dhe elegancën estetike
të poezisë si art, kur autori nuk ka më se ç'të mësojë tjetër nga jeta. Për
edukimin artistik, estetik, moral e atdhedashës të brezave të rinj,
gjimnazistëve e studentëve, trashëgimia poetike e Havzi Nelës është një model i
përsosur edukimi, përballë hipokrizisë dhe krizës morale të përditshmërisë së
sotme, një galeri ku gjëllijnë marioneta e ish-bashkëpunëtorë të diktaturës, e
pse jo, edhe vrasësve të tij të drejtpërdrejtë.
Për
ta përmbyllur këtë rikthim të shkurtër tek poezia e Havzi Nelës dhe për të
imagjinuar kushtet në të cilat shkruajti ai, po përcjell një shënim që ka lënë
në fletore martiri i ndjerë në fund të katër poezive të tij të fundit, një ndër
shumë shënimet që linte rëndom poeti nëpër fletore, me shpresën se së afërmi,
lexuesi do t'i ketë të botuara në veprën integrale që po përgatit Instituti i
Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).
Shënimi
i fundit me të cilin Havzi Nela përcjell katër poezitë e tij të fundit nga
Arrni:
Këto
vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdorë laps
e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh. Dje me datë 17 nëntorë mora letër
nga Verja dhe më thanë se këto dit do të vijë në takim dhe shpresonte të vijë
Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxorra nga mendja dhe i
hodha në letër për me ia dhënë Verës në dorë po erdhi vetë.
I
kam shkrue me zor pa dritë e nëpër tym.
Arrën 18 nëntorë 1987
* Ky shkrim është shkruar para se të botohej vepra e plotë
poetike e Havzi Nelës “Shtatë fletore”, botuar nga Klubi i Poezisë nën kujdesin
e poetit Rexhep Shahu.
Agron
Tufa