Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Politika recidive e manipulimeve të Presidentit Tadiq

| E hene, 26.01.2009, 12:51 PM |


Sabile Keçmezi-Basha
Sabile Keçmezi-Basha
Politika recidive e manipulimeve të Presidentit Tadiq
 
Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

Kush thotë se nuk evoluojnë njerëzit, madje-madje kohëve të fundit evoluojnë edhe politikat e qëndrimet e shteteve të ndryshme. Po do të  thosha se edhe këto evoluime pjesë të diplomacisë janë. Mirëpo shpesh ndodhë kur disa politikan me politikat e tyre bien ndesh në mes veti, ose kthehen prapa, dhe në mënyrë recidive i kthehen të kaluarës dhe manipulojnë me të njëjta gjëra që në një kohë-njerkë iu eci mbar. Keqpërdorimi më i freskët, doli hiq më larg se me datën 16 janar, 2008, në sesionin e K.S të Kombeve të Bashkuara, kur presidenti serb Tadiq, pa fijen e turpit dhe pa u skuqur fare në fytyrë, në një mënyrë të pa presedan, gënjeu përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, anëtare të KS, duke lexuar letrën e një pesëmbëdhjetë vjeçare nga fshati Boston, (Komuna e Artanës),
duke thënë se popullata e kësaj zone nuk guxon të lëvizë. Me gjasë, kryetari ose manipuloi me dashje ose ishte i manipuluar nga të tjerët, ngase kjo pjesë e Kosovës, gjegjësisht ky fshat i banuar me shumicë serbe, ka jetua dhe jeton pa kurrfarë frike, dhe shumë lirshëm lëvizin në këtë pjesë të saj.
Më erdhi keq nga letra e atij fëmije,por në moment mu kujtuan shumë ngjarje nga e kaluara kur liderët serb, me një mjeshtri të paparë manipulonin me jetët e njerëzve, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tyre politike. Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta, u shpikën dhe u aplikuan ndaj qytetarëve serbë lloj-lloj presionesh, duke filluar që nga frika e daljes në rrugë e deri te dhunimet e ndryshme (pak qesharake por e vërtet rasti Martinoviq), por edhe shumë të tjera.
Nuk di atëherë, se a iu besoi bota, por tani kam përshtypjen se përralla e bariut për ujkun e delet njëherë e për gjithmonë ka marr fund.
Zoti Tadiq, më vjen keq, por me sa e pashë dhe munda ta përcillja  seancën e KS,.askush nga të pranishmit nuk qau (ndoshta ju këtë e keni pritur, se pas diskutimit merret një pamje të njeriut të dëshpëruar). Mos keni pësuar rastësisht amnezi, sa të harroni kaq shpejt zotëri Tadiq, se athua ku kanë ngelur ata qindra e mijëra shqiptarë që ende llogariten si të zhdukur, e eshtrat e tyre, kërkojnë me ngulm që të kthehen e të prehen në Kosovë. Nuk besojë se Ju nuk e dini, por megjithatë duhet të jeni spaku të informuar, për gjenocidin, masakrat e dhunën që e ka aplikuar politika Serbe ndaj popullit të pafajshëm shqiptarë që nga viti 1945, e deri në luftën e fundit, më 1999. Të të kujtoj zotri, se terrori e dhuna që është aplikuar ndaj shqiptarëve kanë qenë të legalizuara dhe të futura me lejen e juaj në sistem. Të iu citojë vetëm fjalët e....Andriqit se sa më shumë shqiptar maltretohen e ndiqen nga vatrat e tyre, ai do të llogaritet më patriot. Nganjëherë më habit vokabulari i juaj,kur shiteni si një demokrat, por është mirë që njëherë vërtet të bëheni i tillë, dhe të delni hapur për të kërkuar falje për Reçakun, për Jasharajt, për Ahmetajt, për Berishtë,për Gjakovën e shumë e shumë vende të tjera. Kohët kanë ndryshuar zotri Tadiq, ora po ecën andej kah po ecën Kosova, dhe fatin e saj në duar e kanë vet popullata e saj liridashëse. Më kot mundoheni të manipuloni opinionin e gjerë ndërkombëtar, se Kosova me përkrahjen e tyre, dhashë zoti shpejt, shumë shpejt, Ajo do të bëhej shtet sovran dhe i pavarur e pranuar nga bota demokratike.